2013-07-23

Meri Lalaj: Njohja ime me Lasgush Poradecin, kishte karakter të vështirë

SHKRUAN:FATMIRA NIKOLLI


 Meri Lalaj është sot një grua e shtyrë në moshë, e sërish prapë në formë. Jeta e saj ka kaluar dallgë të mëdha, por ajo ia ka dalë të mbijetojë, për të ardhur në ditën e sotme, kur thotë se jeton për të bijën. Herët ka qenë një mësuese e gjuhës angleze, por dënimi i të shoqit do t'i ndryshonte jetën përgjithnjë. Në fakt, do ta shkërmoqte atë. Familja e saj do të ndahej, për të mos u bashkuar kurrë. Kjo është e shkuara e dhimbshme e shumë prej grave, nënave e motrave shqiptare para '90-ës, një e shkuar që përmblidhet në romanin e saj "Dashuri e ndaluar". Nuk i pëlqen ta cilësojë një autobiografi, por në fakt, ai rrëfim tronditës që shpërfaqet në fletët e atij libri është pak a shumë i tillë. Veçse në të, në historinë e saj, janë bashkuar shumë e shumë histori të trishta, kohësh të errëta. Në të është dashuria e saj e ndaluar, por edhe rënkimi që lë pas humbja e një njeriu të afërt, një humbje për së gjalli. Është shkruar se në romanin autobiografik autorja ka mbledhur ato pak regëtima të jetës së saj në sfondin e një diktature gri, ku personazhet e vërteta mbështillen nga një trill artistik. Romani i Meri Lalajt fillimisht nisi si një tregim. E kishte menduar plot shtatë vite, nëse duhej ta shkruante, derisa një qe bindur të zbrazej, si një re e tejmbushur nga marazi, për të dhënë edhe një kumt, për ata që s'e ditën se sa e rëndë qe ombrella e asaj kohe. Ndalet edhe tek librat e mëhershëm, duke rrëfyer ndopak për kujtimet me Lasgushin, poetin e madh shqiptar, meqë vite më parë, për të ka shkruar edhe një libër.

Një roman për dashurinë. Çfarë i prezantoni lexuesit?

Ky roman është botuar fillimisht në vitin 2004 dhe u prit mirë nga lexuesi. Shtëpia botues "Filara" vendosi ta ribotojë atë, sepse është sërish aktual. Ai tregon fatin e një gruaje nën diktaturë, e cila martohet me një të klasës së persekutuar dhe siç shkon jeta e tyre, detyrohen të ndahen për shkak të regjimit.
Ky roman përgjithëson fatin e shumë femrave, nënave, motrave, bashkëshorteve që ndoqën burrat e tyre nëpër burgje dhe në kampet e internimit.
Ajo diktaturë peshoi shumë rëndë në supet e femrave, sepse ata vuanin dënimin ndërsa femrat përballonin jetën përjashta, duke punuar për vetë dhe për ata. Iu duhej të bënin gjithçka. Punonin, mbanin familjen, iu çonin ushqime a gjëra të tjera të nevojshme të afërmve në burg. Më pas, iu duhej të udhëtonin nga jugu në veri, ose anasjelltas nëpër burgje, sepse ata që ishin nga jugu i çonin në burgjet e veriut dhe ata që ishin nga veriu në të jugut. Dashuria e këtyre grave shpëtoi jetën e këtyre burrave.

Pse e ndaluar kjo dashuri?

Kur personazhet e mia në roman ndahen, unë shkruaj: ndonëse në asnjë vend nuk shkruhej, ndalohet dashuria, ajo ndalohej "kudo". As në zyrat e këshillit të lagjes, as në të Frontit Demokratik, as nëpër komitetet e partisë nuk thuhej: ndalohet dashuria, klithte ajri, klithte qielli i Shqipërisë, sepse në atë kohë duhej të mohoje vëllain, babain e motrën, duke dalë dëshmitarë kundër tyre i detyruar. Kështu e pësonin edhe zemrat e dashuruara. Askush nuk guxonte të dashuronte një njeri të klasës tjetër shoqërore, sepse do të vuante.

E keni shkruar romanin shumë kohë pasi regjimi ra. Çfarë iu ka shtyrë?

E dini ju se sa gra në Shqipëri kanë pësuar fatin e heroinës së romanit? Unë kam përgjithësuar në roman, tek heroina janë mpleksur disa femra, mijëra të tilla që janë detyruar të ndahen nga bashkëshortët, qoftë edhe formalisht për të shpëtuar gjallë fëmijët. Kështu ndodh edhe me heroinën e librit. Mendoj se ky është një kumt që i transmetohet brezit të ri, që të mësojë se ç'ishte diktatura që të mos përsëritet më ajo kohë.

Ju kishte vajtur në mendje ta shkruanit para 1990-ës?

Jo, në asnjë mënyrë. Unë di që në Shqipëri jetojnë shumë gra me zemra të plagosura, dashuritë e të cilave janë ndërprerë egërsisht prej dhunës. Edhe këtë libër, unë ia kushtoj sime bije, për të cilën mbeta gjallë. As perënditë nuk mund të ndryshojnë historinë, por siç ka thënë një gazetar amerikan, historinë mund të ndryshojnë diktatorët. Kështu ka ndodhur në çdo vend ku është vendosur diktatura e kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri. Diktatori Enver Hoxha arriti të ndërhynte në intimitetet e jetës së njerëzve.
Ju vetë e keni vuajtur regjimin në kurrizin tuaj...

Po, por ky nuk është vetëm një roman autobiografik. Kam përgjithësuar, se po të shkruaja historinë time, do më duheshin 1000 faqe. I kam në mënyrë të përmbledhur ngjarjet për të dhënë një kumt, për ata që vuajtën në diktaturë dhe për ata që ishin të privilegjuar në atë kohë, për ata që s'i njohën anën e errët të saj. Duhet të reflektojmë për ato që i kanë ndodhur Shqipërisë, që të bëhemi të vetëdijshëm për të kaluarën. Unë dua që të bëhet Shqipëria dhe ajo bëhet vetëm me dashuri e jo me të ndaluar, por me dashuri të lirë.
Për të kuptuar më mirë se pse erdhi ky roman, duhet të dimë se kush ka qenë Meri Lalaj para 1990-ës?
Kam mbaruar shkollën e lartë për gjuhën angleze dhe kam dhënë mësim në Korçë. Nga martesa që bëra, kam qenë disa vite e internuar. Jam ndarë nga bashkëshorti për të rritur time bijë. Më pas, kam filluar të jap mësim në Pogradec. Kam qenë mësuese e zakonshme, por gjithnjë kam shkruar. Pasi e solla në mendje 7 vite, vendosa ta botoj këtë libër.

Ju u ndatë për të rritur vajzën tuaj...

Më hoqën nga mësuesia dhe më lanë të punoja në punë të rëndomta. Unë duhej të seleksionoja qymyrgur dhe të bëja punë nga më të vështirat. Të gjitha këto më lodhën tepër. Arrita deri aty sa u sëmura rëndë pothuaj për vdekje. Duhet të shpëtoja jetën time dhe atë të sime bije.

Pra, një nga dashuritë e ndërprera është pikërisht ajo e juaja?

Po, është edhe imja.

Vajza sot e mirëkupton vendimin që ju morët shumë vite më parë?

Po, patjetër, si nuk e mirëkupton?! Vajza ime jeton në Gjermani, është e martuar atje. Kam një vajzë dhe një mbesë dhe jetoj për to.

Ju keni shkruar disa libra, romane, studime, si edhe një libër për Lasgushin. Kur e keni njohur Lasgushin?
Sapo kam hapur sytë për të njohur njerëz, kam njohur Lasgushin dhe Mitrushin.
Dy ikonat e letërsisë...

Po, dy ikonat e letërsisë shqipe, sepse ata kalonin nga oborri i shtëpisë së gjyshes. Mitrushin e kam njohur se vinte shpesh te daja im, që ishte mik i tij. Ndërsa Lasgushin, kur isha e vogël, e kuptoja që ishte ndryshe nga të tjerët. I kam lexuar më vonë poezitë e tij se i bënim në shkollë. Në fakultet kisha një detyrë kursi, ku duhej të shkruaja për Robert Berns, ndërkohë që Lasgushi sapo e pat përkthyer atë. Kështu, unë vajta që ta takoja, e kështu filloi njohja. Më tej kur unë ktheva në Pogradec e isha me fëmijë të vogël, e takoja shpesh. Ne ishim miq të mirë.

A kishte karakter të vështirë?

Po, kishte. Ishte tip i vështirë. Unë kam shkruar siç thatë dhe ju, një libër për të, është në fakt një ditar që kam mbajtur për Lasgushin, për vitet e fundit të jetës së tij, sepse e kam njohur shumë të moshuar. Ai ishte një universitet më vete. Domethënë, unë plotësova kulturën time duke njohur në njeri të tillë.

Çfarë dini ju për marrëdhëniet e tij me familjen?

Libri im për të është shkruar me aprovimin e të bijave. Ishte një njeri normal, me marrëdhënie normale.

Sot, keni miqësi me të bijat?

Jo. Sot jo.


Si ishte ai si poet?
Aty janë poezitë e librat e tij. Le të lexohen. Është poeti ynë lirik.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...