2013-07-22
"Vetë i ekzekutova të gjithë... përse të harxhonim fishekët"
"Vetë i ekzekutova të gjithë... përse të harxhonim fishekët"
"VËLLA, ËSHTË E VËSHTIRË ta shikosh ndarjen e meshkujve nga familjet e tyre dhe pastaj t'i vrasësh ata", pohon Predragu, me një ndjenjë të çuditshme brenda vetes. Ai nuk e di se a është duke ndjerë keqardhje për ato që ka bërë së bashku me kolegët e tij të krimeve ose vetëm flet përqartë për të nxjerrë dufin që i është stisur brenda. Ndjenjat e tij janë të përziera.
"Nuk ka asgjë më të keqe sesa kur shikon fytyrat e nënave, motrave, fëmijëve... se si dënesin kur shohin duke iu marrë etërit ose vëllezërit".
Predragu, me të thënë këto, ndalet për një çast, merr frymë thellë dhe vazhdon:
"Një grua në Qyshk m'u qas pranë. Ishte 50 vjeçe dhe kishte gjashtë a shtatë fëmijë. Militarët ia kishin marrë burrin me vete. Ajo më ofroi 6 mijë marka në qoftë se do t'ia liroja burrin. Në sytë e saj unë pashë nënën time që lutej për jetën time. Dëshirova ta ndihmoj. Por, në do të provoja ndonjë gjë, vetëm se do ta vrisja edhe veten. Natën, tash ku bie për të fjetur, fytyra e saj më torturon".
Disa militarë serbë rrëfejnë storie të tilla. Kujtimet që i kanë marrë me vete nga Kosova, sytë e çjerrë dhe të përlotur të grave dhe fëmijëve nuk i lënë ata të qetë. Por, këtu shtrohet pyetja se si djelmoshat si këta kanë mundur të vrasin aq shumë njerëz dhe t'i vrasin ata aq metodikisht.
A ishin ata vetëm duke i ndjekur urdhrat?
Kjo pyetje iu shtrua një burri tjetër që kishte qenë në Qyshk, Draganit. Dragani është një djalë i ri që kishte kryer shërbimin ushtarak në armatën "jugosllave" dhe që iu kishte bashkëngjitur si vullnetar njësitit militar, të cilët veten e kishin quajtur "Brigada Cara Dushana", sipas carit serb të mesjetës. Dragani pa pushim ngrydh cigaren me gishtërinjtë e tij të zverdhur nga tymi, gjë që tregon nervozën e tij, teksa flet në një kafeteri për ato që kanë ndodhur në Qyshk.
Dragani pohon se pjesëtarët e grupit "Munja" dhe "OPG" kanë udhëhequr sulmin dhe se kanë hyrë në Qyshk 200 metra par njësitit të tij.
"Gjithfarë gjërash kanë ndodhur në atë fshat", thotë ai tek flet për Qyshkun. "E rrethon një djalë të rritur dhe e merr në pyetje. Pas kësaj ai fillon të qajë ose ulet në gjunjë. Zakonisht, ai do të të ofrojë para për ta liruar. Por, njësiti ynë nuk ka lejuar të bëhen këso lloj pazarllëqesh. Dhe, motivimi ynë kryesor në Qyshk ishte hakmarrja".
Dragani shpjegon se disa kolegë të tij nga njësiti militar ishin vrarë kohëve të fundit gjatë përleshjeve me UÇK-në. Kështu që, kur kishin sulmuar Qyshkun, pjesëtarët e mbijetuar kishin etje të madhe për t'u hakmarrë. Me rrjedhën e rrëfimit të Draganit për Qyshkun, detajet ngadalë shkojnë duke u përshtatur me ato që kishte dëshumar Akifi, njëri nga të mbijetuarit në Qyshk.
Dragani: "Ishin rreth 12 veta që ne vendosëm t'i marrim në pyetje. Tashmë kishim pastruar të gjithë shqiptarët nga sektori ynë, kështu që i dërguam këta meshkuj në një shtëpi të zbrazët".
Akifi: "Ata na dërguan brenda shtëpisë së një komshiu dhe na vunë në dhomën e ditës në vijë me shpinë nga muri".
Dragani: "U thamë se meshkujt nga ky fshat më herët kanë marrë pjesë në sulmet mbi ne. Për këtë arsye komandantët tanë kanë marrë vendimin për t'ju vrarë".
Akifi: "Njëri prej tyre, një ushtar i ri, erdhi te ne dhe na tha se duhet të presim derisa të bisedojë me komandantët e tij".
Dragani: "Ishte e qartë se disa prej tyre kishin qenë në UÇK. Zbuluam se disa prej tyre mbanin fanella të gjelbra në rrobat e tyre të zakonshme. Si dhe çorape të gjelbra - e gjelbër ushtarake. Ky ishte gabimi i tyre. Ne morëm hakun".
Akifi: "Nuk e di se për çka kanë biseduar. E gjithë kjo zgjati vetëm një sekondë, pastaj ai u kthye dhe tha: 'Në emër të Serbisë, të gjithë jeni të dënuar me pushkatim'".
Dragani: "U thashë se këtë po e bënim në emër të Serbisë. Vetë i ekzekutova të gjithë. Nuk më nevojitej askush tjetër. Përse të harxhonim fishekët?"
Ç'ka qenë njësiti militar "Munja"?
KUSH JANË PJESËTARËT e njësiteve serbe që kanë kryer krime në rajonin e Kosovës Perëndimore, posaçërisht në Qyshk, Pavlan dhe Zahaq? Kush i ka formuar ato? Kush i ka drejtuar ato? Cili ka qenë misioni i tyre? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje.
Më poshtë do të lexoni dëshmitë që për këto formacione i kanë dhënë vetë pjesëtarët e tyre, si dhe detajet e tjera të dala nga analizat dhe burimet militare perëndimore.
"Munja" (vëtetima) është formuar në fillim të vitit 1998, si një njësit që do t'iu kundërpërgjigjej sulmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sa vete e shtoheshin në rrethinën e Pejës. Njësiti ishte menduar për të qenë si një krah i "Posebne Jedinice Policije (PJP)" (njësite spaciale të policisë) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë. Munja ka pasur prej 30 deri në 50 luftëtarë dhe një numër të madh të automjeteve të blinduara, të cilat, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ishin strehuar në barakat e "Armatës Jugosllave" në Pejë.
Njësitet e "Munjas" kanë bartuar uniforma të njëjta të kamufluara, të njëjta me uniformat e PJP-së, ndërsa nganjëherë kanë ngjitur në krahë nga një shirit.
"Ata ishin djelmoshat të cilët shkonin në vendet ku askush tjetër nuk dëshironte", shpjegon një rezervist serb policie. "Kur këta ishin në vijën e parë, para nesh, dëmet që pësonim ishin të reduktuara në minimum. Dhe është e vërtetë, 'Munja' shkatërronte çdo gjë, dhe kur them çdo gjë, ajo edhe do të thotë mu çdo gjë".
Sikurse edhe militarët e tjerë serbë, "Munja, po ashtu, financohej nga lidhjet joformale me komandantët e policisë dhe armatës, si dhe nga qarqet e ndryshme politike. Disa luftëtarë kanë dëshmuar se ky grup ka pasur lidhje të ngushta në Pejë me anëtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojislav Sheshelit dhe me zyrën e prefektit të Pejës, Jovo Popoviqit.
Gjatë luftës, Jovo Popoviq ishte zëvendës i komandantit të "Shtabit të krizës" për qarkun e Pejës, i emëruar nga "Armata Jugosllave".
Një lidhje tjetër e tyre ishte edhe me shefin e policisë ushtarake në Pejë, i cili është raportuar t'u ketë dhënë "Munjas" qasje në informatat dhe operacionet në këmbim me një pjesë të vlerave të plaçkitura nga shqiptarët.
Komandant i grupit militar "Munja" ka qenë Nebojsha Miniq, një kriminel me dosje të trashë dhe me një stazh bukur të gjatë nëpër burgje. Ai veten e quante "Mrtvi" (i vdekuri). Por, sipas shumë përllogaritjeve, truri militar i këtij grupi famëkeq ishte polici i njohur serb, Vidomir Shalipuri. Shalipuri, kohë më parë, iu kishte bashkëngjitur, si polic, njësitit special të quajtur "Operativna grupa (OPG)" (grupi operativ). Sipas një burimi nga policia, ai e kishte lëshuar OPG-në për "Munjan" "për të pasur më tepër autonomi në operacione dhe për të qenë komandant". Raportohet se ndër pjesëtarët e tjerë të "Munjas" kanë qenë: Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq dhe Obrad Rajiqeviq.
"Munja" kishte marrë pjesë në disa përleshje të mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilave edhe një në Jabllanicë. Shalipuri, veçanërisht njihet në mesin e disa policëve të tjerë, si shumë represiv që ka rrahur dhe terrorizuar shqiptarët e qytetit të Pejës edhe para se të fillonin përleshjet e para në Kosovë dhe para se të shfaqej UÇK-ja. Sipas ditarit të një serbeje, të gjetur pasi që ajo kishte lënë shtëpinë e saj në Pejë dhe ishte strehuar në Mal të Zi, shkruan se kur nënat shqiptare kanë dashur t'i vënë në gjumë fëmijët e vet, në vend të ninullave kanë kënduar: "Flej, flej, se po vjen Shalipuri". Sipas gjitha gjasëve, pjesëtarët e grupit "Munja" kanë qenë të lidhur mes vete edhe familjarisht. Mësohet se motra e Shalipurit ka qenë e martuar me komandantin tjetër të "Munjas", Sreçko Popoviqin. Disa luftëtarë serbë kanë dëshmuar se Popoviqi, i cili vinte nga Serbia e Jugut, ka aranzhuar transportimin e vlerave të vjedhura për në Serbi.
Burimet shqiptare kanë theksuar se Popoviqi, para luftës, ka kryer punën e mbikqyrësit të punëtorëve në birrarinë e Pejës. Ai tash, siç mësohet, ka hapur një kafeteri në Novi-Sad.
Me vrasjen e Shalipurit në një pusi në afërsi të fshatit Radac, në prill të viti 1999, kishin filluar edhe ditët e vështira për "Munjan". Me vdekjen edhe të disa pjesëtarëve të tjerë të grupit, mendohet se numri i luftëtarëve ishte zvogëluar dhe se pak prej tyre kanë mbijetuar.
Por, jo të gjithë luftëtarët serbë thonë fjalë miradie për aftësitë luftarake të militarëve "Munja".
"Ata gjithmonë i kanë fëlliqur punët", thotë një polic serb, detyra e të cilit kishte qenë të furnizojë me pajisje komunikimi dhe të përcjellë urdhrat nga komanda e policisë serbe në Prishtinë te njësitet militare. "Ata kanë qenë të pakujdesshëm. Nuk kanë qenë të disiplinuar... Por, ua kemi pasur nevojën".
OPG - njësit që ka kryer masakrat në Abri, Reçak dhe në Qyshk
"GRUPI OPERATIV" (OPG) është një njësit elit antiterrorist për të cilin deri tashti nuk është ditur ose është ditur shumë pak ndër hetuesit e krimeve në Kosovë, si edhe nga organet e mediave. Sipas shumë dëshmive që ia ka dalë të mbledhë "American Radio Works", OPG-ja është formuar në Kosovë si një njësit elit antiterrorist. Bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë, OPG-ja ka marrë pjesë në disa nga masakrat më famëkeqe në Kosovë, ndër të cilat është Abria e Ulët, Reçaku dhe Qyshku. OPG-ja është formuar nga policët më të mirë nga e gjithë Kosova, si edhe nga lokalitetet në Serbi. Sipas raportimeve, ky njësit është themeluar gjatë muajve të vonshëm të vitit 1997, ndërsa pjesëtarët e tij janë stërvitur në Serbi.
Një polic sekret i rangut të lartë ka bërë një përshkrim në detaje të këtij grupi militar: "Është paraqitur nevoja për një njësit të tillë, ngase në aksionet e fundit të njësiteve policore kundër UÇK-së, ato nuk ishin treguar edhe aq të efektshme dhe po pësonin dëme shumë të mëdha. 'Crvene beretke' (beretat e kuqe, forcat speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë) ishin shumë të zëna për t'u inkuadruar në operacionet në pjesë të brendshme të Kosovës, ndërkaq që policia kishte nevojë për njësite që do të kryenin operacione të shpejta, të cilat do të zbatoheshin me një sekret të plotë".
"Këto njësite zakonisht kanë operauar me nga 12 ose 24 meshkuj në grup. Luftëtarët nga njësitet e tjera policore kanë pasur fare pak kontakte me OPG-në, posaçërisht në kohën para bombardimeve. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse ata janë quajtur 'Magla' (mjegulla) - ata zhdukeshin pa lënë ndonjë gjurmë... OPG-së i ishin besuar detyra speciale, për të shkatërruar bërthamën e njësiteve armike, për të kryer sulme të befasishme dhe për të terrorizuar popullatën shqiptare. Kjo nënkupton edhe vrasjen e civilëve në rajonet e UÇK-së, me qëllim të shuarjes së çfarëdo dëshire ndër shqiptarë për të hyrë në radhët e tyre. Kështu ka ndodhur edhe ne Reçak. OPG-ja ka qenë një grup shumë i fuqishëm dhe shumë efektiv, por ata kanë marrë pjesë në shumë krime, ku kanë mbetur të vrarë shumë civilë".
Pjesëtarët e OPG-së kanë bartur uniforma të ndryshme për aksionet e ndryshme që kanë kryer, por ata ishin më së miri të njohur nga uniformat e tyre të zeza dhe për armët e tyre të prodhimit perëndimor. "Ata nuk kanë mbajtur armë ruse ose jugosllave, e dini, si ato AK-47. Ata kishin armët më bashkëkohore të NATO-s.
Ishte diçka impresive".
Pjesëtarët e OPG-së, të shumtën e rasteve kanë qenë të armatosur me pushkë automatike "Hekler-Koch". Burime nga policia serbe theksojnë se OPG-ja ka qenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të gjeneralit Obrad Stevanoviq, komandant i forcave të policisë speciale serbe dhe njëri nga komandantët më të rëndësishëm të Milosheviqit. Sipas të gjitha gjasave, OPG-ja ka qenë pjesë e "Specijalne Antiteroristicke Jedinice - SAJ" (Njësitet specilae antiterroriste) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat janë komanduar nga gjenerali Stevanoviq. E themeluar, më 1995 nga gjenerali Radovan Stjiçiq - Baxha, SAJ-i, sipas të gjithë përllogaritjeve, ka qenë njësiti më elit i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (me përjashtim të Departamentit të Sigurimit Shtetëror). Duke pasuar atentatin e kryer mbi themeluesin e këtij njësiti, Baxhën, tek ndodhej me të birin në restorantin "Mamma Mia" në një lagje të Beogradit, SAJ-i ka rekrutuar pjesëtarë të rinj në Kosovë dhe ka shtuar numrin e vet në rreth 1.000 meshkuj.
SAJ-i ka qenë posaçërisht i njohur për bartjen e uniformave të zeza, me të cilat janë dalluar nga njësitet e tjera militare që kanë vepruar në Kosovë, si edhe për armët e tyre nga Perëndimi, bazuar në dëshmi të shumta.
"Frenkit" - profesionistët e mistershëm
FORMACIONI MILITAR "FRENKI" (ose "Frenkijevci") është njëri nga njësitet më sekrete serbe që kanë luftuar në Kosovë dhe të cilët, sipas të gjitha gjasave, kanë marrë pjesë edhe në masakrën në Qyshk.
"Frenki" ka qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si "Crvene beretke" (Beretat e kuqe), po ashtu. Emri i këtij njësiti militar rrjedh nga Franko Simatoviq, një komandant i mistershëm, i cili, siç raportohet, ka qenë koka e disa operacioneve të mëdha gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kroaci.
Simatoviqi ka qenë i lidhur ngushtë, gjatë kohës së këtyre dy luftërave, me njësitet militare të Zhelko Razhnatoviqit - Arkanit dhe të Vojislav Sheshelit.
Gjatë luftës në Kosovë, "Frenki" ka qenë një njësit me disiplinë të lartë, që ka kryer operacionet e ashtuquajtura komando. Ata kanë qenë të njohur për armët e tyre të sofistikuara (prodhim perëndimor), radiolidhjet e veçanta dhe kapelat e gjelbra me strehë, të ngjashme me ato të kaubojëve. Zakonisht, kanë ngasur xhipa me ngjyrë të zezë ose të gjelbër, ndërsa preferonin modelin "Cherokee").
Sipas një komandanti të policisë serbe, "Frenkit" kanë përdorur emra të ndryshëm për operacione të ndryshme.
"Kanë pasur një autoritet të përgjithshëm. Ata mund të bënin çdo gjë. Kanë pasur armët për të cilat ne vetëm do të mund të ëndërronim".
Miloshi, një ish-pjesëtar i "Frenkit", thotë se ai kishte luftuar në Kroaci dhe se ishte rekrutuar nga ish-komandantët e tij.
"Kjo ka qenë një polici sekrete për likuidim dhe për operacione të nduarnduarshme", thekson ai. "Ishte diçka plotësisht ilegale - nuk ishte e shkruar në ligje ose në kushtetutë. Mirëpo, çdo shtet ka diçka të këtillë, edhe ato që pohojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut, siç është Amerika".
"Ne shkuam në Kosovë në shkurt të vitit 1999. Ishim rreth 1.000 veta në grup. Ky numër sigurisht se është rritur me nismën e luftës, ndoshta në 1.500 njerëz. Ishin nga 20 ose 30 veta në secilin skuadron, në krye të të cilit qëndronte një komandant".
"Qëllimi ynë në fillim ishte shumë i thjeshtë, që të shkatërrojmë UÇK-në, bazat e tyre dhe shtetin e tyre ilegal... Mund të pyesni në Interpol dhe ata do t'iu thonë se çfarë lloji i bandave kriminale kanë qenë ata".
Miloshi përshkruan njësitin e tij si profesionist absolut, ndërkohë që përqesh njësitet e tjera, siç është për shembull "Munja".
"Ne ishim profesionistë. Ne nuk ishim të interesuar për të vrarë gra dhe fëmijë. Detyra jonë ishte që të vrisnim UÇK-në dhe kjo është ajo që bënim... Mendoj se një burrë që është i gatshëm të përdhunojë dhe të masakrojë civilët, dikush që mund të sulmojë një fshat vetëm për të masakruar civilë, prej cilitdo popull qoftë ai, ai person nuk i sjell lavd popullit të tij. Unë do t'i likuidoja të tillët në vend. Nuk do të kishte gjyq, vetëm ekzekutim".
Me përjashtim të bonueseve për operacionet speciale, sipas Miloshit, pjesëtarët e "Frenkit" kanë marrë paga prej rreth 8 mijë dollarësh në muaj, gjatë luftës në Kosovë.
"Kemi qenë të paguar mirë. Por, ne kemi qenë më të mirët dhe u kemi hyrë shumë rreziqeve". Ai thotë se kurrë nuk e ka parë me sy Simatoviqin. "Nuk e ka parë askush prej nesh. Ai është i këtillë".
Miloshi thotë se nuk ka qenë në Qyshk, por disa luftëtarë të tjerë pohojnë se "Frenkit" kanë qenë komandantët që kanë udhëhequr sulmin.
"Nuk kishin mundur ta qetësonin veten teksa kishte edhe ndonjë fshat shqiptar të pa pastruar", spikat një polic. "Kanë dashur të heqin qafe edhe fshatin më të fundit në rajonin e Pejës".
A do të gjykohen kriminelët e luftës nga terreni?
PRANIMI I DRAGANIT - militarit nga vazhdimet e mëparshme - se ka kryer ekzekutime masive dhe se ka marrë pjesë në deportimet në fshatin Qyshk, automatikisht e rangojnë atë në radhën e kriminelëve potencialë të luftës. Megjithëkëtë, ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare spikasin se ai, si dhe personat që kanë bërë gjëra të ngjashme, ka gjasa të mëdha të kalojnë pa marrë dënimin e merituar. Për më tepër, Dragani dhe pjesëtarët e tjerë të grupeve militare të nivelit "tokësor", që kanë kryer masakrën në Qyshk dhe në shumë vende të tjera në Kosovë, mund edhe fare të mos çajnë kokën se do të ndiqen ndonjë ditë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, në Hagë.
Dennis Milner, hetues i OKB-së për krime të luftës, thekson se puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit 'jugosllav" Slobodan Milosheviq.
"Mund të thuhet se Tribunali as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta", thotë Milner. "Ne do të insistojmë në atë se ata në krye janë personat përgjegjës... dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën".
Disa avokatë që angazhohen për të drejtat e njeriut kritikojnë një strategji të këtillë, ngase shumë keqbërës dhe kriminelë nga terreni mund t'ia dalin mbanë me krimet e tyre.
M. Cherif Bassiouni, ish-hetues i OKB-së për krime lufte, i cili tash ligjëron në Universitetin De Paul në Chicago, pohon se edhe individët që kanë dhënë ndonjë mbështetje për vrasësit do të mund të gjykohen.
"Ata janë njësoj përgjegjës si dhe ata që kanë qenë në terren dhe që kanë vrarë njerëzit", thekson Bassiouni. "Ky është një koncept për përgjegjësinë në grup. Nuk ka ndonjë ndryshim nëse në një bandë kriminelësh, dy vetë qëndrojnë jashtë duke bërë roje ndërkohë që dy të tjerë ndodhen brenda duke plaçkitur ose vrarë. Që të katërt janë njësoj përgjegjës për krimin".
Sido që të jetë, Bassiouni mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës mbi Slobodan Milosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Çështja themelore, thotë ai, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme.
"Po, personat nga terreni kryejnë krimet", thotë Bassiouni. "Por, përderisa atyre të mos i jepen urdhrat për të bërë diçka të tillë, përderisa atyre nuk i garantohet imunitet, ata nuk do të dëshironin të bëjnë këtë krye në vete. Mënyra e vetme për të parandaluar këso lloj krimesh bëhet në do të kemi për cak liderët e tyre".
Me gjithë fokusimin e Tribunalit në udhëheqësinë serbe, ekipet e hetuesve kanë bërë hetime nëpër Kosovë për të mbledhur dëshmi dhe materiale të tjera. Disa javë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, një ekip patologësh nga policia daneze që punojnë për Tribunalit, kanë vizituar Qyshkun. Ata kanë ekshumuar kufomat të djegura ose gjysmë të djegura, që janë varrosur në një varr masiv në qendër të fshatit, te varrezat, në vendin e njëjtë ku edhe ishin tubuar nga militarët serbë, më 14 maj. Patologët danezë, po ashtu, kanë nxjerrë plumbat nga dërrasat e nevojtores ku ishte vrarë dhe masakruar Çaush Lushi.
Në qoftë se njeriu që e ka vrarë Çaush Lushin do të identifikohet, bazuar në planin e OKB-së, ai do të gjykohej në gjykatat lokale në Kosovë dhe jo në tribunalin ndërkombëtar në Holandë. Mirëpo, sistemi lokal i drejtësisë vuan nga disa pengesa. E para, të gjithë të dyshuarit për krime kanë ikur në Serbi ose në Mal të Zi. E dyta, është mungesa e policëve dhe punëtorëve të tjerë të sigurimit që do të kapnin këta të dyshuar.
Në anën tjetër, zyrtarët e administratës së OKB-së në Kosovë, nuk mbyllin sytë edhe për dhunën që është ushtruar ndaj minoriteteve serbe dhe rome në vend, pas hyrjes së NATO-s. Administrata e përkohshme në Kosovë ka përllogaritur se rreth 300 njerëz janë vrarë në Kosovë, që kur lufta ka marrë fund. Por, përkundër kësaj, ekspertët e drejtësisë theksojnë se Tribunali nuk është i gatshëm të hetojë dhunën që është ushtruar gjatë kësaj periudhe kohore, ngase me juridiksionin e OKB-së mbulohen vetëm krimet e kryera gjatë luftës.
Kush duhet të sjellë drejtësinë në vend?
ËSHTË SHUMË E VËSHTIRË të besohet se të gjithë kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë do të gjenden prapa grilave. Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ka pasur vetëm disa raste të arrestimit të disa të dyshuarve që kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Kjo gjë ka filluar të brengosë shumë edhe të angazhaurit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo e brengos edhe Fred Abrahamsin nga "Human Rights Watch".
"Gjykatat e kanë të vështirë të merren me hajnat e thjeshtë të xhepit e jo më me krime të luftës", thotë Abrahams. "Nuk mund të llogaritet shumë në këto gjykata. Ç'është e vërteta, kjo na vë në një pozitë të vështirë për kërkimin e drejtësisë. Unë dëshiroj të shoh kriminelët prapa grilave dhe është diçka frustruese ta dish se një gjë e tillë nuk do të ndodhë".
Sa i përket drejtësisë, një qëllim tjetër i NATO-s mbetet në pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Në të njëjtën kohë që shqiptarët ishin mbledhur në ceremoninë e rivarrimit të viktimave të Qyshkut, në korrik të 1999-s, serbët nga fshati me të kaluar lumin, Gorazhdec, po varrosnin viktimat e tyre - një djalë të ri dhe një grua të moshuar, që ishin vrarë nga sulmues të panjohur.
Gorazhdeci është i vetmi fshat në komunën e Pejës, ku ende jetojnë pjesëtarët e minoritetit serb. Fshati tash ngjan në një oazë të rrethuar nga të gjitha anët me shqiptarët dhe ka një mbrojtje shumë të madhe nga forcat e KFOR-it. KFOR-i ka organizuar çdo javë disa autobusë, të cilët marrin serbët nga fshati, të enjten, i dërgojnë ata në Mal të Zi dhe i kthejnë prapa të premten.
Të mbijetuarit e Qyshkut shpesh kanë ngulur këmbë se disa nga militarët që i kanë sulmuar më 14 maj, kanë qenë nga fshati Gorazhdec. Ndërkaq që, me të përfunduar lufta, është aluduar se disa nga të dyshuarit për krime lufte kanë gjetur strehim në këtë fshat, gjë që nuk ka mundur të konfirmohet ndonjëherë. Forcat paqëruajtëse kanë kryer një bastisjenë këtë fshat, në fillim të vjeshtës, dhe kanë gjetur disa armë dhe municion, por nuk kanë arrestuar askë.
Flamur Kelmendi, koordinator i prokurorisë për qarkun e Pejës, që përfshin pesë komuna e edhe Qyshkun, thotë se për momentin nuk kanë mundësi të kapin të dyshuarit për krime lufte në Kosovë dhe për t'i sjellur ata para drejtësisë.
"Kjo është edhe vështirësia me të cilën përballemi", thotë Kelmendi. "Të dyshuarit për krime lufte nuk ndodhen në mesin tonë. Ata kanë ikur së bashku me forcat serbe që janë tërhequr në Mal të Zi ose në Serbi dhe dihet se ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me organet e sigurisë nga këto vende, që do të mund të ndihmonte në kapjen dhe dorëzimin e këtyre personave".
Deri më tash në Pejë nuk është kapur dhe rrjedhimisht nuk është gjykuar asnjë kriminel lufte, edhe pse dihet se vetëm në komunën e Pejës janë më se 500 të vrarë gjatë kohës së luftës.
"Ne jemi të gatshëm të veprojmë në këtë drejtim, por na nevojitet ndihma", thekson prokurori Kelmendi.
Në anën tjetër, një punë të palodhur në mbledhjen e materialeve për krime - përfshirë këtu dëshmitë e të mbijetuarve, ekzaminimin e kufomave, identifikimin e tyre, identifikimin e kriminelëve dhe mbledhjen e të dhënave për ta e deri te fotografitë e këtyre keqbërësve - ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Pejë.
"Besojmë të jetë një punë me shumë dobi kjo që kemi bërë dhe të gjithë ato që ia kemi dalë të mbledhim do t'ia dorëzojmë Tribunalit të Hagës", thotë Tahir Demaj, kryetar i këtij këshilli. "Materialet do t'ia dorëzojmë edhe prokurorit të qarkut. I mbetet pastaj Tribunalit dhe gjykatave lokale të merren me këto çështje".
Të mbijeturit theksojnë se zvarritjet në kapjen e atyre që i kanë marrë më të dashurit dhe që u kanë shkaktuar dëme të tjera, vetëm sa iu shtojnë dhimbjen, por ata dëshirojnë të besojnë se diçka do të bëhet për të kthyer drejtësinë në vend.
"Në mos nuk do të bëhet asgjë, nuk mbetet tjetër, vetëm që drejtësinë ta ndajë vetë", thotë Aliu, vëllai dhe babai i të cilit i janë vrarë në masakrën në Qyshk. "Njëherë do të më kërcet filmi dhe..."
"Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaqi"
SHIRAT DHE I FTOHTI, që paralajmëronin një dimër të vështirë, e kishin zënë Akifin, bujkun që ka mbijetuar masakrën e tmerrshme, duke bartur materialin për t'i vënë kulmin shtëpisë së tij të djegur.
Tash edhe ajo ka kaluar.
Akifin, në vizitën tonë të fundit në Qyshk, e gjetëm të strehuar në shtallën, ku dikur kishte mbajtur lopët. Ajo tash ishte adoptuar si një shtëpi e vogël.
"Jetohet...", thotë shkurt Akifi, i thjeshtë si gjithnjë, pa dashur të ankohet.
Ne ia kemi dalur të zbulojmë se kush ka qëlluar mbi Akifin dhe 10 meshkujt e tjerë, të cilët kishin dhënë shpirt pranë tij. Ne kemi zbuluar se kush ka udhëhequr sulmin mbi Qyshk dhe zingjirin komandues që ka qenë prapa në organizim. Ne kemi zbuluar se luftëtarët serbë kanë qenë të motivuar nga hakmarrja, lakmia, detyra dhe frika.
Mbetet vetëm çështja e kohës! Pse sulmi ka ndodhur mu më 14 maj dhe jo më herët gjatë luftës? Vetëm komandatët e policisë dhe armatës së Milosheviqit e dinë përgjigjen.
Një mundësi: emri i Qyshkut më në fund kishte dalë në krye të listës së caqeve.
Plagët nga plumbat në trupin e Akifit tashmë janë shëruar dhe ai bën përpjekje, bashkë me ndonjë organizatë humanitare, të rindërtojë shtëpinë. Akifi beson se Perëndimi edhe do të sjellë drejtësinë në vend. "Jam thellë i bindur se ata do të përgjigjen në Hagë", thotë ai për kriminelët që kanë kryer masakrën në Qyshk. "Ata që janë fajtorë, ata që kanë duart e zhytura me gjak, ata do të dënohen".
Të mbijetuarit e tjerë, përfshirë këtu edhe Aliun, mësuesin 35 vjeç nga Qyshku, ngulin këmbë në teorinë për pasojat që mund të sjellin moskapja dhe dënimi i ekzekutuesve dhe komandantëve.
"Na duhet drejtësia sikurse plagës që i duhet ilaqi", thekson ai. "Në do ta leni plagën të hapur, në nuk do ta mbyllni atë, ajo kurrë nuk do të shërohet".
Aliu frikësohet se urrejtja do të vazhdojë edhe për një gjeneratë.
Lulja, 27-vjeçarja që ka mbijetuar masakrën dhe që ka varrosur eshtrat e babait dhe të shumë të tjerëve në varrezat e fshatit, rrëfen storien për vajzën 3 vjeçe, babai i së cilës është vrarë në masakër, po ashtu:
Për çdo të lumen ditë, e bija kërkon t'et. Ajo pyet nënën e saj: "Ku është babi?". Nëna i përgjigjet: "Dil jashtë dhe vetëm thirre tri herë emrin e tij. Ai do të vjen shpejtë".
Vajza e vogël i thotë secilit se babai i saj ka shkuar në Gjermani për t'ia blerë një biçikletë.
Një ditë ajo kishte shkuar me nënën e saj te varrezat e fshatit për të kuptuar se ç'kishte ndodhur vërtetë. Vajza e vogël e kishte pyetur nënën: "A është ky vendi ku e kam babin?"
Dhe nëna ishte dorëzuar: "Po, babain e ke të varrosur këtu".
Vajza kishte filluar të qajë dhe kishte thënë: "Këtu e kam babin që ma kanë vrarë banditët dhe serbët". Pas kësaj ajo kishte filluar të gropojë me duar varrin, duke thirrur: "Ta nxjerrim babin prej këtu dhe ta çojmë në spital... ndoshta do të shërohet".
Ditët kur këndonte dhe masakronte Nebojsha Miniqi në Pejë - Shkruan : Mattheë Mcallester
Kronika e krimeve serbe kundër shqiptarëve, sipas librit “Matanë maleve të të nëmurve”, shkruar nga një gazetar anglez. Historia e masakrimit të një familjeje me shtatë anëtarë në Pejë dhe roli i Nebojsha Miniqit, autor i masakrave antishqiptare të Pejës
Ditët kur këndonte dhe masakronte Nebojsha Miniqi në Pejë
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...