2013-07-28

Artan Z. Haraqia-Yllka Domi, vajza që nuk deshi përmendore

 
Ishte vetëm 17-vjeçare, por ishte dukshëm më e veçantë se bashkëmoshatarët e saj. Aktiviste e gjithanshme, valltare, aktore, poeteshë e në fund edhe luftëtare për liri e dëshmore. Ishte kjo Yllka Domi, që me veprën e saj ka lënë nga një copë shpirt të vetin tek secili që e ka njohur e që nuk e ka njohur, gjatë jetës së saj të shkurtër e që u shua në lulen e rinisë.
Në këtë formë poetesha e dëshmorja Yllka Domi u përshkrua edhe të enjten, gjatë promovimit të librit “Në rrugëtim me Yllka Domin”, i cili përfshin vepra të botuara dhe të tjera të mbetura në dorëshkrim të poeteshës, por edhe poezi e shkrime që të tjerët ia kanë kushtuar asaj. Ky libër është promovuar në kuadër të manifestimit tashmë tradicional “Në rrugëtim me Yllka Domin – poete dhe dëshmore”, i cili për të dytin vit me radhë po organizohet nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”.
“Yllka, një vajzë e re me plot ëndrra, përkundër mësimeve brengosej edhe për popullin e saj të përvuajtur, për të cilin u angazhua, punoi dhe në fund e dha jetën”, ka thënë kryetarja e QKPSHA “Gjakova”, Mevlyde Saraçi, e cila bashkë me poeteshën tjetër Shkendije Hoda, kanë grumbulluar dhe janë përkujdesur për botimin e disa prej krijimeve ende të papublikuara të Yllkës.
Emocione gjatë promovimit ka përshkruar edhe bashkëluftëtarja e Yllkës, Mimoza Shala, e cila ishte njeriu i fundit që është ndarë nga Yllka. Duke i kujtuar e risjellë në memorie edhe një herë ato momente të rënda të ndarjes, Shala ka thënë se i vjen mirë që ka mbetur gjallë për të treguar historinë e Yllkës dhe dëshmorëve të tjerë.
“Ndonjëherë ndjehem keq që kam mbetur gjallë kur shumë shokë dhe shoqe nuk jetojnë më. Por, sot jam e gëzuar që jetoj, sepse jam dëshmitare e dëshmorëve dhe kam histori për të rrëfyer”, ka thënë ajo.
Shala ka rikujtuar poezinë e fundit të Yllkës, shkruar vetëm dy ditë para se të vritej, e në të cilën thoshte: ”Përmendore nuk dua, nëse në kurrizin e qytetit tim gjeni një shkop, vendoseni afër kokës sime…”, poezi e cila, sikurse edhe shumë të tjera të saj, e ka parashikuar fundin e lavdishëm të poeteshës së re.
Përveç veprës “Në rrugëtim me Yllka Domin”, është promovuar edhe kënga “Liri e pakuptuar”, kushtuar Domit, ndërsa çmimi tradicional “Yllka Domi”, të cilin Qendra e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” e ndan për çdo vit, kësaj rradhe i ka takuar veprimtares Majlinda Nushi, aktiviste dhe bashkëpunëtore e Yllkës.
Domi u vra më 7 maj 1999, në Gjakovë, nga forcat serbe. Thuhet se trupi i Yllka Domit u mbajt peng në gropat e shtetit serb, ndërsa u rivarros me ceremoni më 23 dhjetor 2003, në kodrën e Çabratit të Gjakovës.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...