2013-07-21

Naim Cahanaj-Kosovarët ende vdesin nga rriqrat:Gjashtë të vdekur për gjashtë muaj!?

Shfaqja e etheve hemorragjike të shkaktuara nga Nairovirus, që është anëtar i familjes së viruseve Bunyaviridae e që bartet nga rriqrat, në Kosovë po i mbush 60 vjet, ndërsa virusi është izoluar tek në vitin 1990. As më 2013 Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shëndetit publik në vend nuk kanë arritur që ta frenojnë këtë virus e lëre më ta parandalojnë ose ta zhdukin fare. Qeveria ka dështuar për të krijuar strategjinë kombëtare të luftës anti virusit Krime-Kongo dhe për pasojë vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2013 vdiqën gjashtë qytetarë.
Tatjana Avsic-Zupanc, udhëheqëse e Institutit për Mikrobiologji dhe Imunologji në Universitetin e Lubjanës, që është qendër referente e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për diagnostikim dhe hulumtim të arbo –viruseve dhe viruseve që i shkaktojnë ethet hemorragjike krime-kongo. Ajo është gruaja që e ka izoluar virusin e ri të etheve hemorragjike në Kosovë më 1990 dhe që e ka quajtur “Kosova-Hoti” – sipas një viktime të rriqërave atëbotë.
Ethet hemorragjike krime-kongo shkaktohen nga infeksioni me virusin e bartur me rriqra, ku sëmundja se pari është zbuluar ne Crimea me 1944 dhe me vonë është gjetur edhe në Congo me 1969 nga e ka marrë edhe emrin. Përndryshe ethet hemorragjike në Kosovë janë paraqitur në vitin 1954, ku kanë ndodhur edhe rastet e para të vdekjeve.
Sipas infektologeve shpërthimet epidemike kanë qenë në vitet 1991, 1995, 2001, 2005.
Problemi më i madh është ai i identifikimit, nëse një person është pickuar nga rriqra. Rrezikshmëria më e lartë është kur pickon rriqra femër sepse lëshon një enzyme anestetike e cila eviton dhimbjen, dhe në ketë forme infektimi mund të zhvillohet pa qenë në dijeni se është pickuar nga rriqra.
Ky virus ka marrë përmasa endemike në disa rajone të vendit si Malishevë, Rahovec, Suharekë, Klinë, Gjakovë etj.
Tatjana Avsic-Zupanc problemin e etheve hemorragjike në Kosovë e bëri të njohur në arenën profesionale ndërkombëtare dhe hapi rrugë për bashkëpunim intensiv në drejtim të çrrënjosjes së kësaj sëmundjeje në Kosovë. Mirëpo 23 vjet më vonë, (2013) ajo sërish vjen në Kosovë dhe nuk sheh ndonjë përparim, ngase në këtë vit kanë vdekur gjashtë të infektuar nga ky virus. Katër raste në Malishevë, një në Rahovec dhe një në komunën e Gjakovës.
Kjo sëmundje, është bio-terroriste dhe virusi “Kosova Hoti”, është 99% i ngjashëm me virusin Drosdov në Rusi. Ky lloj rriqrash shumohet në prill, kurse mundësia e infektimit me ethe hemorragjike është e madhe deri në mesin muajit korrik..
Këtë virus e bartë një lloj i rriqrës së larme, e cila më parë nuk ka ekzistuar në rajonin tonë, andaj duhet të merren masa nga niveli qendror, për ta luftuar dhe gjetur shkaktarin dhe mënyrën e eliminimit të këtij virusi.
Prej marsit 2013 e deri më sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 2551 pickime nga rriqrat, ku gjithsej janë sëmurë 13 persona me ethe hemorragjike Krime-Kongo në tërë Kosovën.
Me fillimin e ngrohjes së motit filloi edhe rishfaqja rriqrave. Qytetarët e Malishevës dhe rrethinë dezinfektojnë edhe bagëtitë e tyre, në mënyrë që t’i shmangen rrezikut nga rriqrat e infektuara. Komuna e Malishevës ia ka dhënë tenderin një kompanie private, për t’i dezinfektuar më shumë se 30 zona endemike në Malishevë. Shuma e projektit për dezinfektim ka kushtuar më shumë se 5 mijë euro. Mirëpo kjo nuk mjaftoi që të mbrohej jeta e katër qytetarëve.
Komuna e Malishevës me një sipërfaqe prej 306.3 km2, me 44 vendbanime dhe me një popullsi rreth 70 mijë banorë është vendi me i rrezikuar nga ethet hemorragjike.
Rasti më i dhimbshëm vitin e kaluar ishte ai i vdekjes së nxënëses 16 vjeçare nga fshati Plloqicë e Malishevës, Albana Gashi. Rasti tjetër i fundit, që ka ndodh këtyre ditëve është ai i vdekjes se Muharrem Thaçi 31 vjeç nga Balinca e Malishevës nga i njëjti shkaktar.
Nga ana tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka deklaruar se pickimi qytetarëve nga rriqrat është në rënie. Sipas tyre, situata është stabile dhe nën kontroll dhe se të gjitha institucionet shëndetësore të cilat janë përgjegjëse për trajtimin e pickimit të rriqrave, i kanë kryer obligimet të cilat bien mbi to.
Porse gjashtë jetë njerëzish u shuan!?
Malisheva është zona më e rrezikuar nga pickimi i rriqërave, por as sivjet, megjthëse vdiqën katër persona, nuk është vërejtur ndonjë aktivitet i madh i nivelit qëndror të pushtetit.
Si për ironi, zyrtarë të IKSHP kanë deklaruar se edhe po të digjeshin tërë fushat, malet, njerëzit e kafshët, rriqrat do të shpëtonin!?Institucionet kompetente shtetërore, nuk qajnë shumë kokën për vdekjen e gjashtë personave në mungesë të trajtimit të duhur të kësaj shfaqjeje endemike që nga viti 1990, në ndërkohë që u bënë apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm kur t’i ekspozohen vendeve ku rriqrat janë prezent.
“Nëse qytetarët dëshirojnë të ruhen nga pickimi i rriqrave, le t’i mbulojnë pjesët e ekstremiteteve të poshtme. Vishni pantollone…” – kjo, sipas tyre është mjeti i vetëm efikas për t’iu shmangur pickimit të rriqrave!?.
Porse në komunën e Malishevës nuk kanë qenë të zdeshur mbi 1200 banorë që më 2013 janë pickuar. Prej tyre 45 janë dërguar në QKUK, ndërsa 12 prej pacientëve kanë rezultuar pozitiv me ethet hemoragjike, katër prej të cilëve, kanë ndërruar jetë, duke quar në 15-të numrin e të vdekurve nga kjo sëmundje që nga pas lufta në Malishevë.
Në Malishevë, është krijuar një situatë e rëndë, pas vdekjes edhe të personit të katërt nga ethet hemoragjike. Dita më kritike ka qenë ajo e 17 qershorit 2013, ku deri në mbrëmje, numri i të pickuarve nga rriqrat ka arritur në 75, kurse me 21 qershor kanë kërkuar ndihmë mjeksore 51 pacientë, 65 pacientë i janë nënshtruar analizave laboratorike.
Këto shifra vetvetiu flasin për nivelin e alarmit.
Ministria e shëndetësisë këtë vit ka ndarë një shumë prej 150 mijë eurove për këtë epidemi, gjë që është shumë minimale në krahasim me përmasat dhe gjendjen alarmante që është në Kosovë e posaçërisht në zonat endemike. Me kaq para jo vetëm që nuk do të arrihet të bëhet as dezinsektimi selektiv e lëre më që të blehen doza të ilaçit Ribavirinë, i cili është një bar eksperimental që si bar antiviral i jepet pacientit për forcimin e imunitetit.
Dezinsektimi selektiv që po aplikohet pothuajse çdo vit nuk është efektiv dhe është metodë e vjetruar, e sëkëndejmi e pa suksesshme për parandalimin e etheve hemorragjike krime-kongo, sepse bëhet dezinsektimi vetëm i atyre vendeve qe frekuentohen nga qytetarët, por jo edhe fushat, mali etj, e që në këto vende po ndodhin rastet më të shpeshta të pickimit të rriqrave.
Ekipet e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë në terren nga marsi 2013 tërë kohën duke koordinuar aktivitetet e dezinsektimit selektiv në katër komuna (Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë.) Pos Ekipeve të Institutit, QKMF-ve komunale, Drejtorive të shëndetësisë në terren janë angazhuar 40 punëtor sezonal të mbuluar me rroga nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ku Instituti Kombëtar i ka trajnuar dhe furnizuar me material të nevojshëm, veshmbathje dhe mjete pune të siguruara nga Ministri i Shëndetësisë.
Në aspektin e kompetencave të aktiviteteve të mbytjes së rriqrave, kjo veprimtari i takon Ministrisë së Bujqësisë, Agjesionit të Ushqimit dhe Veterinës dhe Komunës së Malishevës.Komuna e Malishevës ka ndarë 60 mijë euro, është kryer faza e parë e dezinsketimit dhe është duke vazhduar faza e dytë, kjo është mundësia e vetme e komunës, kurse Ministria e Shëndetësisë nuk i ka mbështetur me as një cent.
Gjithashtu Qeveria do të duhej të urdhëronte ndonjë ekip ekspertësh të IKSHP që të eksperimentojnë vaksinën që përdoret për këtë dedikim në Argjentinë, njëkohësisht të gjurmonte për zbulimin e vaksinës kundër etheve hemorragjike krime-kongo në Kosovë. Ashiqare, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e merr me seriozitet ketë çështje, dhe kjo u dëshmua kur gjatë qershorit rriqërat u bënë temë edhe në Kuvendin e Kosovës porse pas zhurmës gjithçka pllakosi në heshtje.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ajo e Bujqësisë, e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe ajo e Ambientit duhet t’i bashkojnë forcat, paratë dhe njerëzit dhe të ndërtojnë një strategji kombëtare për parandalimin e kësaj sëmundjeje, që deri më sot ka marrë jetët e shumë njerëzve.
Në këto zona endemike, qendrat spitalore, ato të mjekësisë familjare, duhet të ndihmohen nga Prishtina me njerëz dhe para, me medikamente përkatëse dhe preparate dezinsektuese e dezinfektuese, duke filluar në mars, deri në shtator- tetor.
Zonat endemike në tërë Kosovën duhet të mbulohen nga ekipe mobile dezinsektimi e dezinfektimi (duhet të aplikohet spërkatja e përgjithshme me aeroplan); të ngrihen qendra mobile sezonale nga mjekë vullnetarë qoftë edhe duke kërkuar ndihmë nga organizatat “Mjekët pa kufij” dhe OBSH-ja, ekspertë epidemologë, etj..
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës duhet të ketë rendësi jetike jeta e qytetarëve ngase e drejta për trajtim adekuat shëndetësor është e drejtë themelore e njeriut.
Ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, e njeh të drejtën e shëndetësisë si të drejtë të njeriut. Në deklaratën Univerzale të të Drejtave të Njeriut, Neni 25, theksohet që çdokush ka të drejtë për një standard jetese të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien. Kushtetuta e Republikës së Kosovës pohon angazhimet e Kosovës në Deklaratën Univerzale të të Drejtave të Njeriut, prandaj ajo e pranon të drejtën e shëndetësisë si të drejtë të njeriut.
60 vjet alarm, 23 vjet që nga izolimi i virusit dhe 14 vjet pas luftës e pesë vjet nga pavarësia e vendit, në shekullin 21, në Kosovë njerëzit ende vdesin nga rriqërat.
Për kë bie këmbana? – pyeste Ernest Hemingway në librin e tij me këtë titull ironik.Ai përdor frazën madhështore të filozofit të shekullit 17 John Donne, që në vitet 1930 shkaktonte dhimbje koke në çdo mledhje publike europiane, ku pyetja mbetej se cili popull e kishte radhën përballë fashizmit, nazizmit apo çdo lloj invazioni tjetër luftarak.
Por në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me shfajen e vdekjes nga agjensë bio-terrorisët dhe askush nuk po jep përgjegje ndaj alarmit. John Donne shkrunate: "Asnjë njeri nuk është një ishull i mbyllur në vetvete. (…)
Çdo vdekje njerëzore më pakëson, sepse unë bëj pjesë në njerëzimin. Dhe kështu mos të te shkojë kurrë në mendje të pyesesh për kë bie këmbana: Ajo bie per ty."

(Autori ështëMenaxher Projekti në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI)

Dr. Mustafa Bajrami-Çka (nuk) duhet të flasin ligjëruesit fetarë

Jemi dëshmitarë të disa emisioneve televizive përgjatë muajit të Ramazanit. Këtë vit edhe RTK-ja për çdo lëvdatë krijoi hapësirë për një emision me përmbajtje fetare. Ajo që më shtyri të marr “lapsin në dorë” këtu nuk është as thurja e lëvdatave e as kritika ndaj kujtdo qoftë. Në rreshtat më poshtë nuk do të prekim as përzgjedhjen e temave por do të flasim për formën dhe filozofinë e shtjellimit të tyre.
Shkurt, ligjëratat nuk janë të nivelit ndërsa mënyra se si elaborohen ato më tepër i ngjasojnë “vazit pas teravive” me çaj rusi përpara se sa po lënë përshtypjen e ligjëratave profesorësh në televizion. Ligjërimi i njëjtë si në xhami si në televizion dhe për dekada i të njëjtat fjalë dhe e njëjta qasje është për tu kritikuar. Shikuesit me të drejtë po japin vërejtjet e tyre për mungesë kreativiteti, nuk ka ambiciozitet dhe as që po reflektojnë ndonjë energji pozitive. Vokabulari i ligjërimit fetar duhet ndryshuar në themel, por, për ta bërë këtë, ligjëruesit fetarë duhet të lexojnë vazhdimisht dhe të jenë në rrjedha të kohës.
Si do të “dukej” një ligjëratë fetare?
Ekziston një rregull që thotë se sikur energjia e ngjyrave që e bënë pikturën më të dukshme edhe energjia e fjalës e bënë ligjëratën më të pranueshme. Nëse nuk posedohet njohuri e mjaftueshme, nëse tema nuk përshkon shpirtin e ligjëruesit, nëse nuk ka vokabular të pasur e as fonetikë të arsyeshme, tema do të mbetet në distancë nga publiku. Leximi i mangët në cilësi dhe sasi është problem tjetër në vete. Për të arrit mesazhi në zemrën e dëgjuesit, fjala e ligjëruesit duhet të burojë nga zemra e tij, përndryshe ajo që thuhet vetëm me gojë, nuk shkon më larg se sa tek veshi i dëgjuesit.
Ligjërimi fetarë dallon shumë nga ai politik. Përderisa ky i dyti më tepër synon bindjen e masës se ai që flet është i mirë andaj edhe duhet të zgjidhet, në ligjërimin fetar, substanca duhet të jetë ajo që promovohet, jo folësi. Kur flitet për fenë dhe në emër të fesë duhet pasur shumë kujdes. Misioni i ligjërimit fetar është ti mësojmë njerëzit si të bëhen më të devotshëm, më të mirë për shoqërinë dhe më të sinqertë tek Zoti. Nijeti gjithashtu duhet të jetë pastër sepse, sipas fesë islame, veprat shpërblehen vetëm sipas nijetit, në të kundrën fjala e thënë mund të konsiderohet demagogji, shëmti të cilën e dënon Zoti.
Ligjëruesi i mirë hynë në temë menjëherë, nuk bënë parathënie ceremoniale të stërzgjatura, nuk flet fjalë të “mëdha” e as shprehje të komplikuara. Njerëzit nuk duhen ti frikojmë me Zotin, por duhet ti udhëzojmë si ta duan Atë. Ligjërimet suksesshme dhe të nivelit të lartë janë ato kur temat trajtohen me modesti, me shprehje të thjeshta, me tone të matura dhe të përshtatura me natyrën dhe kapacitetet pranuese të dëgjuesve.
Në ambiente ku dëgjuesit mund të gjinden njerëz më të emancipuar dhe më të arsimuar, temat duhet të jenë të nivelit më të lartë, por edhe elaborimi i tyre duhet të jetë i po atij niveli. Nëse duhet ngritë zëri, këtë duhet lejuar vetëm në momente të caktuara, por jo gjithherë. Gjestikulacioni gjithashtu ka rëndësi të madhe. Gjuha e trupit është një nivel tjetër i rëndësishëm për tu pranuar tema. Ligjëruesi i mërrolur vazhdimisht, që nuk buzëqeshë dhe nuk jep shenja përafrimi me dëgjuesit si dhe që luan me duar nevojë e pa nevojë e ka vështirë të promovojë mësimet e fesë.
Ligjërimi si art apo profesion?
Kohëve të fundit, personaliteti dhe ndikimi i ligjëruesve është duke u topitur për shkak të pasivitetit në lexim. Mendoj se dalja nga ky pasivitet arrihet duke lexuar e vepruar konform asaj që lexohet, me çdo kusht. Përndryshe, nuk bënë të çuditemi nëse pjesa intelektuale e shoqërisë po irritohet dhe po nuk po pranon lehtë mësimet e fesë. Ligjërata e mirë është pjesë e artit. Të jesh artist, fillimisht nevojitet ta duash artin dhe të punosh për të qenë i tillë. Arti është faqja e bukur e natyrës që pa te do të ishte e shëmtuar. Ligjërata është arti i komunikimit me publikun. Artisti i mirë nuk zgjedh prejardhjen e ngjyrave por kualitetin e tyre. Atij nuk i intereson nëse një ngjyrë vjen nga Lindja e tjera nga Perëndimi. Muhamendi a.s. kishte porositur që, nëse është nevoja, dijen duhet marrë edhe në Kinë. Ligjëruesi i mirë më parë shikon në “çka është” e pastaj, nëse duhet shoshitur, shikon në “prej nga është”.
Ligjërimi fetar dhe historia kombëtare
Historia kombëtare duhet të jetë pjesë përbërëse e ligjërimit fetar. Kombi shqiptar ka dhënë dijetarë të mëdhenj, jo vetëm botës perëndimore, por edhe Lindjes islame. Është e papranueshme nëse nëpër xhamitë tona nuk shpjegohet sa duhet historia e kombit. Në mungesë të njohurive eventuale të imamit mund të thirren historianë profesionalë dhe të shpjegojnë madhështinë e së kaluarës sonë. Në nëntor të vitit të kaluar, ne patëm lëshuar një qarkore që përgjatë muajit nëntor, në të gjitha xhamitë që i mbulon KBI në Gjilan të shpjegohej historia e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e flamurit kombëtar. Enkas për këtë muaj ne patëm përgatitur afër 20 faqe material, mbase për promovimin e kësaj dite të madhe, haxhinjve të vitit 2012 u patëm shpërndarë certifikata të haxhit enkas për vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë.
Kuptoj, feja islame sikur çdo fe tjetër, hiq atë çifute, është fe universale. Ajo është më gjithëpërfshirëse se sa një përkufizim gjeografik i një shteti apo kombi. Mirëpo universaliteti i fesë këtu nuk duhet të nënkuptoj lënien pas dore të nuancave kombëtare. Do të kisha propozuar që krahas lutjes për gjithë besimtarët e botës, në fund të ligjëratave sidomos nëpër xhami të lutet Allahu për mirëqenien e popullit tonë, për shtetin dhe udhëzimin e udhëheqësve. Jam mase i bindur se Bashkësia Islame të Kosovës e ka parasysh këtë moment kaq të rëndësishëm.
Në plan-programet e medreseve, krahas lëndës së “imamatit” duhet të figurojë edhe lënda e retorikës e cila ndihmon në përgatitjen e kuadrove në fushën e ligjërimit. “Imamati” që sot është lëndë mësimore e medresesë konsiderohet lënda e fundit për nga rëndësia, andaj ajo duhet ndryshuar dhe plotësuar me tema e nevojshme për kohën. Edhe në Fakultetin e Studimeve Islame duhet të mësohet lënda e retorikës. Retorika si pjesë e logjikës, e që as kjo nuk figuron, duhet të ishte pjesë përbërëse e sistemit arsimor të FSI-së. Këto dy disiplina kanë për të ndihmuar shumë ligjëruesit e ardhshëm.
Konkluzion:
Nëse ligjërimi fetar in-formon kulturën fetare tek dëgjuesi, atëherë përmbajtja e kësaj kulture duhet të jetë e ngjeshur detyrimisht edhe me historinë e kombit. Ligjërimet fetare sot më shumë se asnjëherë më parë duhet të fokusohen mbi gjendjen e rëndë të njerëzve të këtij nënqielli. Ato duhet të jenë të kapshme edhe për rininë, të jenë frymëzuese dhe thesar me mësime nga përvojat e popujve në transcion, që patën ditë të vështira por që ditën ti tejkalojnë. Feja është e zbritur për njerëzit, ajo duhet të vihet në shërbim të tyre por pa i dhënë vetes të drejtë të përzihet në punën e shtetit e as aty ku nuk është përgjegjësi e saj.

Dr. Shefqet Krasniqi-A po shëndrrohet Kosova në shtet vjedhësish

Disa ditë më parë pas syfyrit u nisa për në xhami për ta falur namazin dhe për të mbajtur një ligjëratë. Sapo dolëm nga xhamia një mik imi më tha: ‘Duke ardhur në xhami i pashë hajdutët që kishin thyer postën e po plaçkitnin brenda, kur e panë se po i shikoja e ulën kokën për të mos i vërejtur’. I thashë: po a nuk lajmërove policinë? Po tha, i thirra, si jo. Dhe ende pa përfunduar bisedën arritëm tek lokali i thyer ku tashmë veç kishte arritur policia. Pasi që u dhamë selam iu drejtova njërit prej tyre e i thashë: ky miku im është ai që u ka telefonuar në lidhje me këtë rast. Polici tha: faleminderit or djalë, të lumtë.
Populli e ruan shtetin. Unë ia prita: po, ashtu është populli e ruan, por edhe policia duhet ta ruajë atë. Vjedhësit duhet ndëshkuar rëndë. Polici ma ktheu: po, ashtu është por çka t’i bësh që nuk po kemi të drejtë, nuk kemi kompetenca. Madje jo rrallë ndodh që ne i kapim hajdutët, i dërgojmë në stacion dhe ende pa kaluar mirë pragun e stacionit, ata lirohen dhe na takojnë në qytet e na përqeshin.
Po t’i thuash dikujt se kjo është e vërtetë mbase nuk do besonte, madje edhe vetë e kisha të vështirë ta besoja në fillim derisa e dëgjova radhazi nga policë të shumtë. Disa madje rrëfejnë se sa të vështirë e kanë derisa t’i kapin disa hajdutë, madje jo rrallë herë edhe duke venë jetën e tyre në rrezik, e më pas, pas një dite apo më pak hajdutët lirohen thuajse s’kanë bërë asnjë të keqe.
Gjatë kësaj jave u publikua edhe një statistikë se vjedhjet në Kosovë këtë vit kanë pësuar rritje në krahasim me vitin e kaluar dhe se çdo vit vjedhjet shënojnë rritje. Vjedhje të makinave, thyerje të banesave e shtëpive private, sulme ndaj qytetarëve e deri tek vrasja e banorëve të shtëpive, siç ishte rasti në Gjilan para një kohe ku njeriu doli për ta mbrojtur shtëpinë e të vëllait nga hajdutët, mirëpo i kushtoi me jetë. Vjedhje në Kosovë, vjedhje e plaçkitje në Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku ka shqiptarë. Në diasporë burgjet janë të mbushura me hajdutë shqiptarë, saqë të vije keq të deklarohesh se je shqiptar sepse është krijuar një bindje se këta njerëz janë të mirë vetëm për një gjë, për vjedhje. Mjerë për ne se në çfarë gjendje kemi ardhur.
Ku qëndron problemi?
Mendoj se kjo duhet shikuar nga dy aspekte:
Së pari: mosedukimi i mirëfilltë, mungesa e edukimit shpirtërorë, mungesa e kalitjes se zemrës dhe shpirtit ashtu siç parasheh plan-programi fetar. Ngase asgjë nuk ndikon më pozitivisht në vetëdijesimin dhe ngritjen e njeriut, përmirësimin e sjelljeve dhe karakterit të tij sesa bindja fetare respektivisht praktikimi i besimit. Është fakt i pamohueshëm se një shoqëri sa më shumë të jetë e lidhur me fe, në veçanti atë Islame, aq më pak ka dukuri negative, aq më pak hajni do të ketë në atë shoqëri.
Sa për ilustrim le ta marrim Arabinë Saudite ku vjedhjet janë në nivelin më të ultë në botë. Atje nuk bisedohet për vjedhje, nuk bisedohet si t’i sigurojnë makinat, banesat, dyqanet apo depot nga vjedhësit. Atje veturat pothuajse nuk i mbyllin fare, madje edhe dyqanet përplot mall shumë herë i lënë hapur. Ngjashëm me këtë kamë parë edhe në Siri, Jordani, Kuvajt, Katar etj. edhe ne shqiptarët sa kemi pasur kulturë dhe traditë fetare shumë pak kemi vjedhur, për të mos thënë fare.
Se dyti: ligji i butë, mosaplikimi i dënimeve për vjedhësit. Imagjinojeni hajni kapet me mall shumë të çmuar në dorë dhe pas disa ore lirohet. Dhe procedurat vazhdojnë. Kjo i bije tallje me ligjin, respektivisht inkurajim për vjedhje.
Mendoj se njeriun që nuk e edukon fjala, sjellja e mirë dhe vetëdijesimi e edukon dajaku. Po të nderuar, duhet përdorur forcën ashtu siç bëjnë shtetet më të moderuara në botë kur është në pyetje mbrojtja e pronës qoftë shoqërore apo private. Madje mu për këtë ekziston policia, gjyqësori e burgu, për t’i parandaluar dhe zvogëluar krimet, nëse qendra korrektuese-burgu dikujt nuk i bënë dobi atëherë përdorimi i dajakut sigurisht do të ishte alternativë. Dikush mund të thotë: po ku është mëshira dhe respektimi të drejtave të njeriut?! Ne themi po, mëshira duhet të jetë por nëse e mëshirojmë krimin dhe kriminelin atëherë ne i kemi hapur rrugët atij/asaj për të manifestuar publikisht krimet e tij/saj.
Pra për kriminelët nuk vlen mëshira përkundrazi ata vetëm ndëshkimi i sjellë në vete. Pra ngjashëm me fëmijën apo nxënësin kur e ndëshkojmë apo e qortojmë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi mëshirë ndaj tyre por përkundrazi ndëshkimi apo qortimi do ti bëjë ata me vigjilent dhe më të vëmendshëm. Dhe së dyti duke ndëshkuar vjedhësit ne kemi mëshiruar publikun, qytetarët dhe popullin në tërësi ngase i kemi ruajtur pasuritë e tyre. Përndryshe nëse dikush mendon se edhe vjedhësi apo cilido njeri i dëmshëm për shoqërinë është qytetar që meriton mëshirën e shtetit dhe si i tillë duhet lënë i lirë, atëherë kjo lenë të kuptohet se në një shtet të këtillë nuk funksionin ligji, por është shtet i bandave e mafive dhe aty nuk ka berqet.
Ka ndodhur shpesh të më kërkojnë qëndrim fetar/fetva në lidhje me përdorimin e forcës nga policia për të kapur por edhe ndëshkuar hajnat, dhe unë kam thënë se ata i sjellë në vete vetëm shkopi. Vetëm burgimi nuk mjafton, veçanërisht në burgjet tona që për disa janë më luksoze sesa shtëpitë e tyre. Nëse dikush më akuzon për rigorozitet e ashpërsi, atëherë do të ‘lutesha’ që inshAllah atyre ua vjedhin makinën apo shtëpinë, e pastaj të bien ndërmend fjalët e mia dhe do të shohim se si do të reagojnë.
Të themi se duhet mëshiruar vjedhësin është njësoj sikur të themi se duhet të kemi mëshirë ndaj sëmundjes. Njeriu vuan nga sëmundje të ndryshme, ka dhimbje të mëdha, e ne i themi mjekut: të lutëm mos e bëjë operacion se gjynah, mos ia këput dorën apo gishtat e këmbës sepse me këtë po shkelim të drejtat e pacientit për të pasur gjymtyrë.
Mendoj se udhëheqësit tanë duhet sa më parë të mendojnë pozitivisht si t’i kundërvihen seriozisht këtij fenomeni. Lënda fetare nëpër shkolla do të ishte një alternativë e mirë edukuese dhe një shtytës për reflektim shpirtëror tek të rinjtë. Po ashtu gjyqësori duhet të jetë më syçelë, serioz dhe më i rreptë ndaj kësaj dukuria dashakeqe e shkatërruese e cila dita ditës po e shndërron Kosovën në një ‘Bogotá të Kolumbisë’. Allahu e drejtoftë popullin tim, amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.

Jakup Krasniqi-Krimi i monstrës "intelektuale"

Këto ditë në mediet shqiptare është rikthyer tema e luftës çlirimtare, e cila solli lirinë e Kosovës, kulmuar me shpalljen e Pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008. Ky rikthim vjen çuditërisht tendencioz deri në skajshmëri me qëllimin e vetëm - denigrimin e njerëzve të gjallë e të vdekur. Unë nuk do të merrem me ato që thuhen për të gjallët, pasi ata i kanë mundësitë të deklarohen vetë. Unë do të flas atë që duhet folur në rrethana të tilla me abuzuesit e fjalës së lirë, duke rikujtuar atë që ka folur dhe ka dashur për lirinë tonë, për jetën tonë dhe për ardhmërinë tonë vetë Adem Jashari
Fundja, mua kurrë nuk do të më kishte shkuar mendja se në Kosovë ka ndonjë i arsimuar i mirëfilltë i edukuar në frymën moderne apo tradicionale kombëtare, që për flijimin e Adem Jasharit dhe familjes së tij të flasë me një gjuhë barbare, aspak njerëzore, siç bëri “intelektuali” e “shkrimtari” i vetëquajtur A.I. në një të përditshme (elektronike), më konkretisht, më 18 korrik (gazetaexprss.com).
Por, kjo nuk është më e rënda apo më e dhimbshmja!
Më e rëndë dhe më e dhimbshme, më e papërballueshme dhe që s’hahet dot është tendenca që ky “intelektual” dhe “shkrimtar” ta amnistojë krimin më të rëndë të mundshëm të makinerisë çnjerëzore të Millosheviqit! Ta amnistojë krejt atë makineri kriminale, bashkë me kriminelët e saj e faji t’i mvishet Adem Jasharit, për të cilin familja ishte gjëja më e shtrenjtë e mundshme në këtë botë! Dhe një hakmarrje të tillë Adem Jashari nuk do ta ndërmerrte mbi asnjë familje të botës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
Dhe këtë nuk mund ta dijë askush më mirë sesa unë. Sepse i kam të freskëta dhe s’mund të harrohen dot si kërkesa ime e sinqertë bërë mikut e bashkëluftëtarit Adem Jashari që të qëndronte, të organizonte, së këndejmi edhe të jetonte sa më larg familjes si dhe përgjigjen që kam marrë ndaj një kërkese të tillë nga ai. Një përgjigje të tillë mund ta jepte vetëm një njeri me tipare tepër të veçanta. Adem Jashari ishte me identitet të veçantë! I veçantë ishte si për atdhedashuri, ashtu edhe për guximin njerëzor. Ndoshta faji i tij i vetëm ishte se më shumë se jetën në robëri e donte vdekjen për liri. Dhe këtë nuk e kam dëgjuar e as lexuar ta mohojnë as mendjet më të ndritura të Evropës në veprat e tyre kapitale për dashurinë për jetën, lirinë dhe atdhedashurinë.
S’do të ngurroja ta kuptoja edhe “intelektualin” e “shkrimtarin” A. I., sikur kjo (masakra ndaj familjes Jashari) të ishte masakra e parë dhe e vetmja apo e fundit serbe në Kosovë, brenda një viti lufte tepër të pabarabartë. Do ta kuptoja “intelektualin” monstër e “shkrimtarin” snob dhe këdo tjetër, që është i pakënaqur me “heronjtë” e gjallë (unë nuk besoj në heronjtë e gjallë), me komandantët e luftës e të pas luftës. Por, për të rënët për liri e demokraci kërkohet nderim, nderim së paku edhe pa fjalë miradije. Të rënët nuk mund t’u përgjigjen monstërve, kujdestarëve denigrues të kryevlerës njerëzore – flijuesve për liri.
Po kujt po i flas?
Kjo që them vlen për intelektualin njeri, shkrimtarin e vërtetë dhe kjo nuk vlen për prodhimin njerëzor prej monstre. Pasi vetëm nga ky dyzim lindin njerëz me deformime fizike e mendore si në rastin tonë, me “intelektualin” dhe “shkrimtarin” A. I.?! Vërtet nuk kam sesi ta di, prej nga dhe pse ky soj “intelektuali” e “shkrimtari” shqiptarëve më shumë ua preferon jetën nën të ashtuquajturën Serbo-Jugosllavi, e cila brenda një viti lufte ka kryer dhjetëra masakra, madje edhe mbi familjet që nuk e kanë bërë asnjë rezistencë.
O “intelektual” dhe “shkrimtar” i shpifur, në Kosovë kanë ndodhur pa fund masakra, mbi 13 mijë njerëz nuk jetojnë më! Pa folur për dëmet tjera që nuk mund të llogariten e as të konvertohen në euro. A e di ky “intelektual” e “shkrimtar”, sa familje shqiptare kanë humbur më të dashurit e tyre, të të gjitha moshave edhe pa e bërë asnjë rezistencë, bile edhe atëherë kur i kanë besuar makinerisë se Milloshit. Familje të tilla ka kudo dhe ngado në Kosovë, por “intelektualit” dhe “shkrimtarit”, le ta themi, “tonë” kjo nuk i bën asnjë përshtypje.
Në fund, do të doja t’i diskutoja me këtë monstër jo duke e pandehur si “intelektual”, “shkrimtar”, “analist”, “qytetar” dhe të “arsimuar” të Prishtinës se unë, qytetari i kësaj toke, ndjehem i fyer, jashtëzakonisht i fyer që një mendje e vetëquajtur përdhos kryeheronjtë e luftës çlirimtare. Fundja a s’është racizëm intelektual ky, i pashpejguar as nga shkenca psikoanalitike frojdiane apo jungiane për një nivel të tillë shkencor “vlerësues” për legjendarin Adem Jashari?
Ishin masakrat e Drenicës, të Gjakovës, të Rahovecit, të Therandës, të Pejës , të Reçakut etj., etj., ato që e bindën çdo shqiptar liridashës se nuk mund të jetohej apo bashkëjetohej me një shtet që i vriste në mënyrën më mizore qytetarët e “vet”, i dhunonin gratë shqiptare për të përdhosur nderin dhe moralin e kombit, madje për këtë u bindën edhe SHBA-të dhe BE-ja dhe e gjithë bota demokratike. Bota u bind, por ja që shqiptarët nuk po binden, përkundrazi gjarpri vazhdon të helmojë plagët e shumë familjeve shqiptare.
A thua, a mund të gjendet në Evropën e vlerave kulturore evropiane një intelektual monstër që do të merrte guximin për të përdhosur heroin kombëtar Adem Jashari si dhe luftën tonë çlirimtare. Jo, këtë s’mund ta bëjë askush që posedon ca vlera civilizuese, nga më elementaret. Evropa Perëndimore, jo, nuk e njeh këtë gjuhë, së paku jo nga koha qëkur u vendosën themelet e BE-së. Nuk besoj që kjo formë banditeske e komunikimit do t’i ketë shkuar ndërmend ndonjë intelektuali evropian.
Nuk besoj, që kjo formë kafshore e komunikimit kalemor do t’i këtë shkuar ndërmend ndonjë intelektuali evropian. Unë po bindëm për të satën herë se pushka vret vetëm një herë, ndërsa penda në dorën e “intelektualit” monstër vret përtej pushkës e pas pushkës. Kësaj populli do t’i thoshte:”Mos e vet se tregon vetë”. Vërtet si në komunikimet gojore apo të shkruara secili shpërfaq fytyrën e vet, karakterin e vet, shpirtin apo pashpirtin e vet të deformuar. Sigurisht që intelektuali nuk vret as me pushkë e as më fjalë. Bisha vret sa herë që i jepet rasti. Intelektualit monstër i është dhënë rasti!!!

Lavdim Hamidi-70 “tyxharë” kapin shtetin

Janë 70 veta të cilët me stilin e shefit të shefave e “sillin dhe e pshtillin” biznesin në vend. Ata janë “boss-ët” e parasë kesh, janë financues të partive të mëdha dhe njëkohësisht përfitues nga paraja e shtetit.
Tregun e Kosovës e ka kapur ky grup, ndërkohë që me mijëra të tjerë kanë mbetur miniaturë e këtyre bizneseve gjigande. Secili prej tyre ka hise të madhe në treg dhe në këtë mënyrë vjelë miliona euro nga konsumatorët kosovarë.
Ata e furnizojnë gjithë Kosovën me mallra, e mbushin rreth 90 për qind të buxhetit të shtetit me rreth 900 milionë euro nga importet që i realizojnë. Ndërsa rreth 50 mijë biznese tjera aktive në vend, assesi nuk mund ta heqin epitetin e lojtarëve të vegjël në treg, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë.
Pra dhjetëra mijëra biznese vazhdojnë të mos kenë kurrfarë ndikimi në treg dhe në këtë mënyrë janë kontribuues me vetëm dhjetë për qind në mbushjen e arkës së shtetit.
Është paradoksale të mendohet se 70 biznese mbushin 90 për qind të buxhetit të Kosovës, ndërsa 50 mijë të tjera vetëm 10 për qind. Mirëpo, ky është realiteti dhe këtë e dëshmojnë edhe statistikat e Doganave të Kosovës, ku shihet se në krye të importuesve më të mëdhenj janë katër importuesit kryesorë të derivateve të naftës dhe importuesit e duhanit.
Padyshim se top importuesi i Kosovës është kompania “Ex Fis”, të cilës pa asnjë mëdyshje iu besua tenderi milionësh për furnizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me kerozinë.
Shtrohet pyetja se si të mos jetë kompania numër një në vend, kur për hir të saj vitin e kaluar iu ndërpre kontrata për furnizim me kerozinë njërës nga kompanitë më të mëdha në botë “British Petroleum”. Pra, për kompaninë “Ex Fis” nga Kosova u përzu “British Petroleum”, e cila shumë shpejt më pas edhe e ndërpreu linjën e rregullt të aeroplanëve nga Londra për në Prishtinë dhe anasjelltas, për shkak të dyshimeve me cilësinë e kerozinës dhe në këtë rast edhe për sigurinë e pasagjerëve.
Gjigandi anglez dhe botëror i aviacionit madje për disa muaj u furnizua me kerozinë në Kroaci, duke e rritur kështu koston e shpenzimeve, për shkak të dyshimeve në cilësinë e kerozinës nga kompania vendore.
Importuesi i dytë më i madh në vend është kompania “HIB Petrol”, e cila fiton pothuajse vazhdimisht të gjithë tenderët e institucioneve vendore për furnizim me derivate, ndërsa tenderi i saj me Policinë e Kosovës është duke u hetuar nga EULEX-i, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime prej qindra mijëra euro. Ndërsa në hotelin e saj luksoz “Emerald” të gjitha organizimet i bëjnë Ministritë e ndryshme të Qeverisë Thaçi.
Edhe kompania “Al Petrol” është pozicionuar shumë mirë në tregun e Kosovës, duke u radhitur kështu si kompania e tretë më e madhe në vend, ndonëse pak vite më parë flitej gjithandej se pronari i saj ndodhej me një gjendje të vështirë financiare.
Kjo kompani ka arritur t’i ketë 35 pika të shitjes së derivateve më moderne në gjithë Kosovën, shumica prej tyre të ndërtuara dhe të blera gjatë këtyre viteve të fundit.
Kjo është pasuri e madhe, marrë për bazë deklarimet zyrtare të naftëtarëve për fitimet e ulëta nga shitja e derivateve. Sipas tyre, nga një litër e shitur derivate ata fitojnë 1 cent, apo maksimum 2 centë.
Nëse kjo është e vërteta, nga rreth 50 milionë litra derivate të importuara gjatë vitit 2012 kjo kompani ka mundur t’i fitojë gjysmë milioni euro, apo më së shumti një milionë euro, nëse arrijnë t’i shesin derivatet me maksimumin e këtij fitimi.
Kështu që me një milion euro të fituara në vit, dhe nëse hiqen edhe shpenzimet tjera të kompanisë, nuk ka mundësi të ndërtohen çdo muaj pika të reja të shitjes së derivateve, ku shumica prej tyre e kalon shumën e përgjithshme të fitimit vjetor.
Të gjithë jemi dëshmitarë të fuqizimit rapid të disa biznesmenëve kosovarë, të cilët nuk tentojnë as ta fshehin lidhjen e tyre me partitë e fuqishme politike. Ata haptazi dalin në krah të liderëve partiakë, ua financojnë fushatat me miliona euro, gjë të cilën e dëshmon edhe raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare “Transparancy International”.
Për më shumë se një dekadë, ata kanë nisur të “bashkëjetojnë” me njëri-tjetrin, duke forcuar dyshimet se këta biznesmenë janë vetëm përfaqësues de jure të biznesit, ndërsa politikanët me ndikim, me gjasë janë pronarë “de facto” të bizneseve më të fuqishme në vend.

Blerina Rogova - Gaxha-Midis cubave e pushimeve në det




Kufijtë shqiptarë në Morinë e në Han të Hotit, ku policë e doganierë të bërë rreth pinë duhan e ndonjë tjetër ta bën me dorë “Hajde shqipe!”, në rregull është. Në rrugëtimin shqiptar, për qytetin shqiptar, kalon vetëm kufij shqiptarë. Përpara tyre, gjithmonë asfalt, shkëmbinj e male. Malet dhe plakat e tyre që dikur të ngarkuara me barrë spiunonin shqiptarët e ikur nga të dyja anët e kufirit, për t’i mbërthyer në hekurat e burgjeve në Shqipëri e në Kosovë.
Mes natyrës së thatë, asfaltit, gjurmëve të mbetura në godinat e komunizmit, e cubave që zbresin nga mali, janë ata, burrat e gratë, të thatë e të rreshkur, të hipur në gomarë e në ‘kerre me kuaj”. Dhe një mbishkrim “Rruga na bashkoi, Mimoza na ndau”, sikur për t’ia përkujtuar secilit që i bie rruga andej hallet e telashet ndërmjet kufijve, dhe sigurisht, ironinë bashkë me to.
Pamjet e bukura të televizionit nuk ekzistojnë më. Përgjatë rrugës janë edhe bunkerët, edhe godinat e shndërruara në gërmadha, edhe burrat e nxirë nga dielli dhe jeta e rëndë, edhe djemtë e rinj me flokë të gjata. “Vendi i shqiponjave” me male e me det, me parajsën e krijuar nga natyra ose nga zoti, e ndërtuar dhe e rrënuar mes gërmadhave e mbijetesës, diku në bisht të Evropës, vendi i vetmuar që synon të ngre kryet për të hyrë me thellë kufijve politikë. Shqipëria është vetmia nëse e shfrytëzon vetëm si kalim transit. E që për të keq asnjë rrugë nuk ta dëshmon se sa afër i ka detet më të bukura, Jonin në jug e Adriatikun në veri.
Po të vazhdosh detit lart, tokave të dikurshme shqiptare shpesh të bien në mend vargje të “Lahutës së Malcisë”, kur me sy kap ekzistencën e tyre, njëqind vjet pas ndarjes. Mbase Cërna Gora, që është akoma më e gurtë e më e shkretë, vend më shumë i vetmuar se sa Shqipëria, me tre-katër fish më pak banorë, shumë më i qartë e shumë më i thjeshtë se fqinji i tij, dhe pa një histori të ngjashme si ajo shqiptare, me një natyrë po aq të ashpër, por mbase vend më i fortë në ekzistencën e tij, e shumë më atraktiv për turistët e huaj. Duke nisur prej bishtit të turizmit të tij, ose folesë shqiptare të ‘pushimeve verore’ Ulqinit, te Budva e te Shën Stefani i saj, deri te i bukuri Herceg Novi, në fund të kufijve malazez. Dhe të pyesësh: Çfarë ka ky shtet më shumë se Shqipëria?
Ndoshta është mënyra e të jetuarit, gjeni dhe konceptet e një populli të njohur si dembel, ose ashpërsia me të cilën është zhvilluar populli malazez, që për ne shqiptarët ka qenë po aq njëlloj sa serbët që i kemi njohur mirë, ose lidhjet e kamotshme me Evropën plakë, që këtë vend e kanë bërë më të ndryshëm se sa tokën e shqipeve. Ose ndoshta fati që ata kishin tjera raporte me Perandorinë Osmane, ose fatin e kishin një Njegosh, apo edhe mungesën e një Hoxhe gjakpirës. Mund të ketë një mijë arsye pse populli "dembel" malazez dhe vendi i tyre, kanë shkuar disa hapa përtej fqinjit jugor Shqipërisë. Apo se ndoshta ata kanë qenë më të gjezdisur.
Shkodranët thonë: Ma mirë i shetitun se i ditun! Shqiptarët nuk e kanë pasur fatin të kenë shëtitur nëpër dynja, ose edhe ata pak shqiptarë që kanë mundur të dalin nga toka me gjemba, nuk janë kthyer kurrë më. Kjo mund të jetë arsyeja pse Shqipëria, me gjithë hapat gjigantë të saj në 20 vjetët e fundit, nuk po arrin të bëhet si fqinji i saj as sot. Nuk po arrin të bëhet as si Kosova madje, e lëre më si Maqedonia apo Mali i Zi.
Ulqini shqiptar, ani se bishti i turizmit në Mal të Zi, pas shumë vitesh e sërish po rikthehet në vendin që mbledh kosovarët e shqepur, dikur edhe kosovarët me pak pare. Sot Ulqini është i shtrenjtë, bile më shtrenjtë se çdo vend tjetër turistik në rajon, sepse ka një magji që e tërheq një popull proletar, të paepur e kosovar.
Në perlat e Malit të Zi, në Budvë a në Herceg Novi, sigurisht se mund të kalosh një pushim me më pak pare se në Ulqin. Por Ulqini ka “plazhin e parajsës" që nuk e ndërrojmë as për njëmijë grosh. Ose është mikpritja ulqinake që të thanë në shpatull për pesë euro dhe ta "mposhtë" shqiptarinë vetëm për pak euro më shumë.
Punë e madhe pse mikpritja ulqinake, lë shumë për të dëshiruar, sepse çmimi i kujtimeve që të jep qyteti i vjetër dhe dritaret e kalasë qindravjeçare, është i pallogaritshëm.Kohët kanë ndryshuar dhe Ulqini tashmë flet edhe shqip, shkruan shqip, dhe të rrjep shqip, por boll që mysafirët e preferuar të tij, janë kosovarët e jo "beogradjani" si dikur.
Shqipëria në të shkuar dhe në të kthyer, ndërkaq, sikur ka filluar ta vrasë veten dhe sa prej nesh që kalojmë rrugëve të saj. Por pavarësisht kësaj, gjysmën e pushimit s’ka zot që na ndalë të mos e kalojmë në Vlorë.Cubat le ta bëjnë punën e tyre, por Vlora dhe Ulqini, më shumë se det janë qytete të bashkimit shqiptar. Ne kemi nevojë të pushojmë shqiptarçe!

Arbër Selmani-“Tafë kusuri”, rrëfimi mbi Agimin që la kusur





Gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk do t’i donte mysafirët. Ishte nervoz dhe madje kjo ishte arsyeja që shumë prej njerëzve i kishte larguar nga vetja. Për asgjë në botë ai nuk do ta hapte telefonin apo t’i kushtonte vëmendje i pari cokatjeve në derë.

Kafenetë e rakisë i preferonte e madje nuk mund ta konceptonte një njeri normal e mbi këtë tokë që nuk pi alkool. Me pesë fëmijë, atij nuk do t’i pengonte të kthehej vonë në shtëpi.

Madje ishin po këto momente kur Agim Qena ishte më humani i njerëzve, duke treguar historitë, përlarjet e tij jashtë shtëpisë, gotat e rakisë dhe fytyrat e shëmtuara që kishte parë nëpër qytet. Momentet kur ai ishte i dehur, prodhonin edhe situata komike dhe të kujtuara në harmoninë familjare.

Krijuesi i stripit komik të famshëm“Tafë kusuri” kishte qindra arsye të nxirrte vrer mbi këtë personazh komik e karikaturist, dhe po këtij projekti madhor duket se ia kushtoi tërë jetën. Hana Qena, njëra nga pesë fëmijët e tij, në tetëvjetorin e vdekjes së babait tregon se ndihet e distancuar në raport me të. “Kemi pasur raport më të distancuar, më të përmbajtur. Ai gjithmonë është ankuar shumë, për gjithçka.

Shumë gjëra m’i ka mësuar qysh e re, ndryshe prej fëmijëve të tjerë, dhe mendoj se si personalitet i krijuar sot shumë gjëra më rrjedhin nga mësimet e tij”, tregon Qena.

Hana, regjisore, 17-vjeçare kur i vdiq babai, thotë se ishte ëndërr e babait të saj që ajo të merrej me “Metamorfozën” e Kafkës apo “Idiotin” e Dostojevskit. Qena gjithçka kishte nisur në moshën 18-vjeçare, ndërsa deri në mesin e të 50-ve kur edhe vdiq është mishëruar me lajme të tmerrshme që më pas i nxori në “Tafë kusuri”.

Karrierën e karikaturistit e filloi në Mitrovicë, atje ku kishte njohur gruan e tij. “Kjo ishte femra më e bukur në Mitrovicë, përshkruar sipas tij”, tregon Qena, vajza e Agimit. Karikaturisti nuk kishte si të lejonte gabimet drejtshkrimore, përplasjen e pirunëve edhe pa dashje në sofrën e bukës apo ngrënien e tepërt të bukës.

“Ai nuk e ka konsideruar asnjëherë veten si fytyrë publike, e ke parë edhe në kafenetë e zakonshme. Ka qenë i drejtpërdrejtë, shumë selektiv dhe kritikues e i sinqertë dhe ndoshta kjo edhe e ka larguar prej njerëzve. Edhe me fëmijët e tij ka pasur raport të fortë. Arti i asaj kohe në Kosovë nuk ka çuar peshë për sytë e tij, krejt për çka ai ka folur ka qenë “Tafë kusuri”. Kur gjyshja e kritikonte, ai thoshte “Unë mantia s'di me bo”. Ambientin ku ka punuar në shtëpi e ka dashur ashtu, të rrëmujshëm”, tregon Hana Qena.

“Por edhe për shumë gjëra nuk i ka interesuar. Më kujtohet, njëherë krejt banorët e banesës kemi dalë jashtë për shkak të një tërmeti, ka qenë i vetmi që nuk ka lëvizur”, tregon Qena.

Të shtunën, në tetëvjetorin e vdekjes së Agim Qenës, krejt çka kujtohet është çmimi “Boemi i Mitrovicës”, i vetmi në tetë vite mungesë të krijuesit të “Tafë kusurit”. E shtuna në Prishtinë duket më sportive se e diela, dhe si jo për të parin personazh asnjë koleg e institucion nuk ka vendosur ta kujtojë figurën e “Tafë kusurit”.

“Në momentin kur ka vdekur, kanë ardhur shumë njerëz të na shohin. Shumica na kanë treguar se çfarë babai kemi pasur e sa krenarë duhet të jemi me të, por një pjesë e mirë e tyre as nuk i kemi njohur. Ata s’e kanë njohur as talentin e Agimit, por besoj kjo ndodh tek ne tani dhe nuk është më e çuditshme”, tregon Qena.

Ajo dhe motra e tre vëllezërit e saj autorin e kanë thirrur në emër. “Agimi nuk është kujtuar nga të tjerët në momentet e këqija të jetës së tij, prandaj nuk po kujtohet as sot. Ka shumë kohë që ne si familje dëshirojmë t’ia botojmë një libër”, tregon Qena.

“As Meli Qenës nuk i është ndarë çmim nga Ministria e Kulturës, në këtë rast as Agimit.Ne si familje ndoshta jemi të fundit që duhet t’ua përkujtojmë të tjerëve figurën e Agim Qenës”, vazhdon Qena.

Një pjesë e arkivit të Qenës gjendet në shtëpi, e të tjera i ka arkivi i qytetit, “Rilindja” e Radio Televizioni i Kosovës, ku Agim Qena kishte punuar pas përfundimit të luftës.

“Agimi nuk më ka rrahur kurrë, më duket se më ka konsideruar shumë të mençur. Ai ka pirë shumë duhan, katër pako cigare në ditë, kur i kanë mbetur edhe 20 cigare ai ka bërë panik. E ka dëgjuar aq shumë ‘Deutsche Wellen’ saqë edhe sot mendoj se diku në shtëpi dëgjoj zërin e radios”, tregon Qena.

Qena ka qenë fëmija i nëntë në familje, me kumbarë Josip Broz Titon. Asokohe, shtimi i familjes ishte i bereqetshëm. Agimi për pak ka mundur të quhet Ndërtim, ndërsa shoqëri të madhe ka pasur me Muharrem Qenën, në të njëjtën mëhallë.

Hana po ashtu është menduar të quhej Rukie, njësoj si nëna e Agimit. Ka qenë Agimi ai që nuk ka lejuar një gjë të tillë. Ameriko Vespuqi ishte vajza e vogël, Vesa, ndërsa Bizmarku ishte Hana, për Agimin.

“Rrallë e kemi dërguar në mbledhjet e prindërve. Është përlarë shumë me profesorët dhe ka gjetur gjithmonë gabime në libra, më pas është ankuar pse ne mësojmë prej këtyre librave. Ka qenë pak romantik megjithatë, nuk e kujtoj që i ka blerë nënës ndonjë unazë. Atij i është gjest i çuditshëm blerja e dhuratave”, vazhdon Qena.

Ajo kujton lojën “Kapti Qkllapti”, kur ai i kapte vajzat e nuk i lëshonte, i detyronte që ato të sforcoheshin për t’u ndarë nga gishti i tij. Ai në ndërkohë, vazhdonte me lajmet e cigaren, shoqëri kjo e pandarë për figurën që solli revolucionin komik.

“Në kohën kur doli interneti, atij i është dukur absurde se unë mund t’ia dërgoj “Tafë kusurin” me imell. Kur ia kam dërguar diku, ai ma ka dhënë edhe personalisht që ta dërgoj fizikisht, sepse kurrë nuk ka besuar në sigurinë e internetit”, thotë Qena.

Banesa e Qenajve, asokohe, ka qenë e mbushur plot “Tafë kusuri” në muret e saj. “Në ditët e fundit të jetës së tij, u sëmur shumë dhe nuk pranonte të shkonte në spital.

Madje kishte kërkuar as të mos përkujtohej në gazetë. E kujtoj ditën kur ka vdekur, është zgjuar në mëngjes dhe i ka thënë nënës “Shpëtova edhe këtë herë”. Njëfarë ndriçimi i ka përshkuar fytyrën dhe në dy minutat e ardhshme ai ka vdekur”, tregon Hana Qena, vajza e madhe e Agimit.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...