Janë 70 veta të cilët me stilin e shefit të shefave e “sillin dhe e pshtillin” biznesin në vend. Ata janë “boss-ët” e parasë kesh, janë financues të partive të mëdha dhe njëkohësisht përfitues nga paraja e shtetit.
Tregun e Kosovës e ka kapur ky grup, ndërkohë që me mijëra të tjerë kanë mbetur miniaturë e këtyre bizneseve gjigande. Secili prej tyre ka hise të madhe në treg dhe në këtë mënyrë vjelë miliona euro nga konsumatorët kosovarë.
Ata e furnizojnë gjithë Kosovën me mallra, e mbushin rreth 90 për qind të buxhetit të shtetit me rreth 900 milionë euro nga importet që i realizojnë. Ndërsa rreth 50 mijë biznese tjera aktive në vend, assesi nuk mund ta heqin epitetin e lojtarëve të vegjël në treg, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë.
Pra dhjetëra mijëra biznese vazhdojnë të mos kenë kurrfarë ndikimi në treg dhe në këtë mënyrë janë kontribuues me vetëm dhjetë për qind në mbushjen e arkës së shtetit.
Është paradoksale të mendohet se 70 biznese mbushin 90 për qind të buxhetit të Kosovës, ndërsa 50 mijë të tjera vetëm 10 për qind. Mirëpo, ky është realiteti dhe këtë e dëshmojnë edhe statistikat e Doganave të Kosovës, ku shihet se në krye të importuesve më të mëdhenj janë katër importuesit kryesorë të derivateve të naftës dhe importuesit e duhanit.
Padyshim se top importuesi i Kosovës është kompania “Ex Fis”, të cilës pa asnjë mëdyshje iu besua tenderi milionësh për furnizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me kerozinë.
Shtrohet pyetja se si të mos jetë kompania numër një në vend, kur për hir të saj vitin e kaluar iu ndërpre kontrata për furnizim me kerozinë njërës nga kompanitë më të mëdha në botë “British Petroleum”. Pra, për kompaninë “Ex Fis” nga Kosova u përzu “British Petroleum”, e cila shumë shpejt më pas edhe e ndërpreu linjën e rregullt të aeroplanëve nga Londra për në Prishtinë dhe anasjelltas, për shkak të dyshimeve me cilësinë e kerozinës dhe në këtë rast edhe për sigurinë e pasagjerëve.
Gjigandi anglez dhe botëror i aviacionit madje për disa muaj u furnizua me kerozinë në Kroaci, duke e rritur kështu koston e shpenzimeve, për shkak të dyshimeve në cilësinë e kerozinës nga kompania vendore.
Importuesi i dytë më i madh në vend është kompania “HIB Petrol”, e cila fiton pothuajse vazhdimisht të gjithë tenderët e institucioneve vendore për furnizim me derivate, ndërsa tenderi i saj me Policinë e Kosovës është duke u hetuar nga EULEX-i, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime prej qindra mijëra euro. Ndërsa në hotelin e saj luksoz “Emerald” të gjitha organizimet i bëjnë Ministritë e ndryshme të Qeverisë Thaçi.
Edhe kompania “Al Petrol” është pozicionuar shumë mirë në tregun e Kosovës, duke u radhitur kështu si kompania e tretë më e madhe në vend, ndonëse pak vite më parë flitej gjithandej se pronari i saj ndodhej me një gjendje të vështirë financiare.
Kjo kompani ka arritur t’i ketë 35 pika të shitjes së derivateve më moderne në gjithë Kosovën, shumica prej tyre të ndërtuara dhe të blera gjatë këtyre viteve të fundit.
Kjo është pasuri e madhe, marrë për bazë deklarimet zyrtare të naftëtarëve për fitimet e ulëta nga shitja e derivateve. Sipas tyre, nga një litër e shitur derivate ata fitojnë 1 cent, apo maksimum 2 centë.
Nëse kjo është e vërteta, nga rreth 50 milionë litra derivate të importuara gjatë vitit 2012 kjo kompani ka mundur t’i fitojë gjysmë milioni euro, apo më së shumti një milionë euro, nëse arrijnë t’i shesin derivatet me maksimumin e këtij fitimi.
Kështu që me një milion euro të fituara në vit, dhe nëse hiqen edhe shpenzimet tjera të kompanisë, nuk ka mundësi të ndërtohen çdo muaj pika të reja të shitjes së derivateve, ku shumica prej tyre e kalon shumën e përgjithshme të fitimit vjetor.
Të gjithë jemi dëshmitarë të fuqizimit rapid të disa biznesmenëve kosovarë, të cilët nuk tentojnë as ta fshehin lidhjen e tyre me partitë e fuqishme politike. Ata haptazi dalin në krah të liderëve partiakë, ua financojnë fushatat me miliona euro, gjë të cilën e dëshmon edhe raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare “Transparancy International”.
Për më shumë se një dekadë, ata kanë nisur të “bashkëjetojnë” me njëri-tjetrin, duke forcuar dyshimet se këta biznesmenë janë vetëm përfaqësues de jure të biznesit, ndërsa politikanët me ndikim, me gjasë janë pronarë “de facto” të bizneseve më të fuqishme në vend.