2013-08-09

Heshtja e bukur e një poeti

Fatos Arapi/ Nga kritikat e Plenumit IV te poezia e pasviteve ‘90-të. Në Ditën Ndërkombëtare të Librit një udhëtim në jetën e njeriut, që me modestinë e tij nuk e ktheu asnjëherë kokën pas për të bërë akuza ndaj atyre që dikur e kritikonin…


Alda Bardhyli
Fatos Arapi del rrallë nga shtëpia, për të marrë rrugën për nga kafenetë e tij të preferuara, ku dikur ndante orë të tëra me miq. Vitet e fundit për shkak të moshës (84 vjeç) ditët e tij kalojnë në apartament bri librave… Kjo tërheqje e heshtur e poetit u mungon miqve, apo dashamirësve të vargjeve të tij. Toli (i biri) mund të flasë pafund për të atin. Si njohës i mirë i letrave ai e di, që Fatosi nuk është vetëm babai, por dhe poeti. Më shumë se 60 vjet krijimtari, Fatos Arapi më shumë se në vendin e tij vlerësimet i ka marrë nga kritika e huaj. Djaloshi që 64 vjet më parë u nis drejt Bullgarisë për të studiuar ekonomi, nuk do të ndahej asnjëherë nga ëndrra që kishte lindur qysh herët brenda tij, për të shkruar. “Letërsia ka qenë ëndrra ime, sepse qysh në fillim kam kërkuar të studioja për letërsi, por kishte qenë e pamundur”, do të shprehej ai kohë më parë. Në Sofjen e viteve 1949-1953 ku kreu studimet, ai përpiqej të lexonte çdo libër me poezi që i binte në duar. Djaloshi i gjatë, me flokët e hedhura lart e ndiente se letërsia ishte një ndjenjë nga e cila çdo ditë e më tepër do të bëhej i varur.  Para se të udhëtonte drejt Sofies ai kishte botuar disa vargje në gazetën “Letrari i Ri”. Puna e tij e parë ishte në vitin 1953 në Komisionin e Planit të Shtetit si Kryetar i Degës së “Artizanatit dhe Industrisë Lokale”. Në vitin 1954 ai u transferua në Teknikumin Financiar si mësues i asaj shkolle (Qyteti i Nxënësve) ku dha lëndët: Statistikë, Planifikim dhe Ekonomi Politike. Ai ka punuar pedagog i Ekonomisë në Institutin Bujqësor, po kështu gjatë viteve 1959 – 1966 ka qenë pedagog  i Ekonomisë Politike në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Në vitin 1966 u dërgua në qarkullim, në Vlorë, ku punoi si mësues i shkollës tetëvjeçare “Ismail Qemali”, rreth katër vjet (mars 1966 – gusht 1969).  Në vitin 1971 ai u emërua pedagog në Fakultetin Histori–Filologji. Në vitin 1973 (pas Plenumit IV) u dërgua në shkollën e  mesme të natës “Sami Frashëri”, Tiranë,  ku qëndroi 10 vjet deri më 1983. Në jetëshkrimin e shkruar prej tij ai thotë: “Nuk kam punuar në asnjë redaksi të Lidhjes së Shkrimtarëve. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve. Në vitin 1983, për arsye se pensioni, në bazë të rrogës së shkollës së natës, dilte shumë i vogël, më nxorën si shkrimtar në “Profesion të lirë” deri në vitin 1990. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie politike. Në vitin 1990 kam dalë në pension”. Kjo është jeta në kronologji e Arapit në Shqipërinë e tri kohëve të asaj të Luftës së Dytë Botërore (në një nga fotot e treguara nga i biri shihet Arapi ende fëmijë teksa rri në këmbë bri shtëpisë së djegur nga lufta, më të vëllain), komunizmin dhe Shqipërinë e sotme. Në këtë rrugëtim kohësh, poezia e tij është rritur në trajtën e saj të pandryshueshme, e lindur si një nevojë e së brendshmes, për të shprehur atë çfarë ka qenë në jetën e poetit. Fatos Arapi duket se ka qenë i njëjtë në të tri kohët dhe ajo çfarë ka ndryshuar nga njëra te tjetra ka qenë veç pamja e tij…” Sot ai është një nga zërat më përfaqësues dhe, pa dyshim, më moderni në panoramën e letërsisë shqipe bashkëkohore”, shkruan në studimin “Poezia jokonformiste e F. Arapit”, profesor Giuseppe Gradilone. Për studiuesin italian, lavdërimi më i bukur për poezinë e Arapit, është bërë pikërisht nga denigruesit e saj, të cilët e akuzonin se ishte në kundërshtim të hapur me normat e vendosura dhe të imponuara. “Në fakt, në procesverbalin e Plenumit XV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, që u zhvillua më 25 dhe 26 tetor 1965, argumentet e akuzës u kthyen në mënyrë të pavullnetshme në karakterizim të artit të tij. Sipas një logjike silogjiste, u nis nga refreni i zakonshëm mbytës: “Shkrimtari ose artisti, sidomos në kushtet tona, duhet të jetë tepër i qartë në shprehjet e tij. Ai shkruan dhe krijon për popullin. Në qoftë se populli nuk i kupton vjershat ose shkrimet, ose pikturën, ose skulpturën, ose muzikën e tij, këto nuk vlejnë asnjë grosh”, sqaruar më qartë: “Shkrimtari, që është bir i popullit, në qoftë se vepra e tij pajtohet me interesat e popullit, s’ka pse ta veshë shkrimin e tij me mjegull, me fraza të pakuptueshme, me alegori që krijojnë dyshime te lexuesi”. Pas këtyre parakushteve hyhet nga e përgjithshmja tek e veçanta: “Ndonjë shkrimtar i sëmurë, për të fshehur kundërshtimin e tij, ndënë maskën e novatorizmit, thyen e përmbys çdo rregull të shprehjes artistike, i paraqet mendimet e tij të rrumbullakosura në formë veze, që mund të kuptohen edhe kështu edhe ashtu – edhe për mirë edhe për keq. Ky tip ka kundërshtime me realitetin e aktualitetin tonë, por nuk guxon që ta thotë mendimin e tij haptas nëpërmjet fjalës artistike, sepse ka frikë, por me gjith’atë gjen forma ‘të përshtatshme’, ‘artistike’, forma ‘të reja’ për të shprehur mendimin e tij të dyshimtë”, së fundi emri i fajtorit: “Ja se ç’thotë, p.sh., Fatos Arapi në vjershat e tij të botuara nga N. SH. Botimeve “Naim Frashëri”: Shkoj nëpër rrugë të porsa çelura/dhe fishkëllej ndër buzë tani/këngët e mia që askush nuk i njeh…” Dhe më poshtë, në komentin që pason, vendimi i prerë:” D.m.th. ai është futur në “rrugë të porsaçelura” por që as këto rrugë të tija dhe as mendimet e tija s’i njeh kush, s’i njeh populli. Pse? Sepse ato janë të huaja për popullin.” Prova të tjera të dënimit: “Dhe më poshtë, ai konkludon: Lumturi tjetër/botës i duhet! Dhe më e drejtë/Dhe më njerëzore…” dhe komenti tjetër: ” D.m.th., sipas tij, te ne s’ka lumturi, sepse s’ka drejtësi, s’ka ndjenja njerëzore.”; së fundi: “Ose, në një tjetër vjershë: Un’erdha të kuptoj/që jeta është e bukur, e madhe sa shpeshherë,     në madhështinë e saj gëzim e frikë ndiejmë”. Këtu një hulumtim që kulmon në zgjedhjen nga ana e fajtorit ose të burracakllëkut ose të fajësisë: si në njërin rast, ashtu edhe në tjetrin, nuk ka rrugëdalje: ” D.m.th. se ai ndien gëzim, por ndien dhe shumë frikë në shoqërinë tonë. Pse të kesh frikë në qoftë se s’e ndien veten fajtor? Ose nga kush ke frikë? Frikë nga armiqtë e Atdheut? Atëherë s’je poet, por je frikacak. Frikë nga diktatura e proletariatit? Atëherë e ndien veten fajtor para saj. …Por me këto vargje që cituam, dhe me më shumë të tjera si këto, ai paraqet pikëpamjet politike të tij nëpërmjet fragmenteve të ndryshme, të mbira nëpër vargjet e tij si bari i keq në kopsht”.Arapi nuk i kishte mbushur ende të 30-tat kur vargjet e tij merrnin këto kritika në instancën më të lartë të shtetit të asaj kohe, ku kërkohej me ngulm pendimi. “Ky është një poet i ri, që ka bërë edhe ndonjë vjershë të mirë, ose afërsisht të mirë…Natyrisht ai mund të jetë i ndreqshëm akoma dhe ne duhet të përpiqemi që ta ndreqim, mbasi, fakt është që ai ka shkruar edhe ndonjë vjershë të mirë. Siç duket, ai ka konfuzion në trurin e tij. Por si mund shërohet vetëm nëpërmjet këshillave të urta dhe kritikave shoqërore, në qoftë se nuk ka vendosur që të shkojë më tej në konfuzionin ose kundërshtimin e tij politik e ideologjik”, thuhet në procesverbalin e Plenumit IV. Por ndërsa kritikat për hermetizëm vazhdonin për poezinë e Arapit, Dritëro Agolli do t’i dilte në mbrojtje. “Poeti F.Arapi në dy vëllimet e fundit “Vjersha” dhe “Ritme të hekurta” ka poezi të qartë. Tek-tuk ka vargje të errët. Në vend që edhe ndonjë varg hermetik që kishte, me kalimin e kohës ta qartësonte, në nja dy tufa me vjersha botuar në “Drita”, “Nëntori” etj., i ka shtuar. Majakovski, që vinte nga futuristët, nga i pakuptueshëm, u bë i kuptueshëm, Pol Eluari, që vinte nga dadaistët dhe surealistët, nga hermetik, u bë i qartë. Arti i vërtetë është arti i thjeshtë. E kam fjalën për thjeshtësinë në sferën e artit…Thjeshtësia nuk ka të bëjë me thjeshtëzimin. Janë dy gjëra të ndryshme”.  Dokumentet e nxjerra nga arkivi i kohës na shpalosin një jetë jo të lehtë të poetit, që ndryshe nga shumë shkrimtarë apo poetë pas viteve ‘90 vendosi të heshtë, të mos flasë për to. Me modestinë e tij, Arapi vijoi të bënte të njëjtën jetë, atë të një njeriu të dashuruar thellësisht me vargjet, duke shijuar deri në fund lirinë e tij, dhe pa kthyer kokën pas, për të bërë akuza për ata që dikur e kritikonin…Ky është poeti që shkruante për dashurinë, nën komunizëm, dhe kërkonte një lumturi tjetër për botën, në një kohë kur duhet të pranonte “lumturinë e jetës nën socializëm”. Pas viteve ’90, ai e jetoi në heshtje suksesin e tij. Në Shqipërinë që asnjëherë nuk shpëtoi prej tensioneve politike, pakkush u kujtua se ku ndodhet Arapi? As disa vite më parë kur ai mori kurorën e artë të Strugës një aktivitet i rëndësishëm në fushën e poezisë, disa nga poetët që janë vlerësuar me këtë çmim më vonë janë nderuar me çmimin “Nobel”, por askush nga shteti i tij nuk ishte aty atë mbrëmje. Ai nuk erdhi në Tiranë ta reklamonte çmimin e televizioneve, por bëri sërish të njëjtin ritual… Sot, në moshën 84-vjeçare, ai kalon ditët me mundimin e moshës në apartamentin e tij në Tiranë. Në Ditën Ndërkombëtare të Librit këto janë vetëm disa rreshta për të, poetin që e kemi ende gjallë mes nesh dhe që kujtohemi për të kaq rrallë…
Ante Popovski (1)
“Mendoj se rrallëkush nga komuniteti asketik i poetëve e di, se poeti Fatos Arapi ishte para dy vitesh fitues i Kurorës, se ekziston një libër i vëllimshëm e luksoz me poezitë e tij në maqedonisht, siç botohen rëndom poezitë e poetëve fitues. Në pikun e retorikës politike për integrimet tona, në kulmin e bumit të teknologjisë informative, askush s’e mori vesh sensacionin kulturor, që i bën nder letërsisë shqipe. Në vend të tyre – tejpërtej ekraneve e faqeve të gazetave, me një tmerr psikotropik, na shfaqen patësosur fytyrat e pacensuruara të politikanëve tanë. Dhe media shndërrohet çdo ditë te ne, pak e fije, në festë kainësh. Kush ia ka ngenë kulturës… ! »

Ali Aliu
“Poezia e fatos Arapit, ta theksojmë edhe një herë, është regjistruesi më i shqetësuar, më mbresëlënës dhe dramatik i meskohës shqiptare, i kohës bosh, i kohës mushkë, që lëviz së prapthi. Ajo identifikohet përmes parashenjës së përhershme të shkallëzimit dramatik, si edhe me konfliktin me zërin e vet – me shpresën e vet të zhgënjyer, me kohën dhe pakohën, me fatin dhe fatlumin në duart e tiranëve“

Në foto : Fatos Arapi dhe Petro Marko
Vlorë, 25 dhjetor 1942.
Fatos Arapi (në këmbë mbi rrënojat e shtëpisë së djegur nga pushtuesit. Ulur, vëllai më i vogël.

Blushi: Letërsia të jetë e depolitizuar

Ben Blushi



Letërsia e shqipe dominon tregun e botimeve në Shqipëri. Nëse vetë botuesit apo shkrimtarët janë shprehur se në vend botohet më shumë letërsi e huaj, shifrat e publikuara dje, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, tregojnë të kundërtën. Sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare, në Shqipëri gjatë vitit 2012 janë botuar gjithsej 1675 libra. Prej tyre, 545 janë letrarë, të grupuar si më poshtë: 127 tituj nga autorë të letërsisë botërore dhe 373 tituj nga autorë të letërsisë shqipe (veprat e letërsisë shqipe janë gati trefishi i veprave të letërsisë botërore). Tridhjetë e një tituj janë literaturë kritike. Nga 127 titujt e letërsisë botërore, 23 janë nga letërsia e traditës (gati trefish më shumë janë veprat e letërsisë bashkëkohore). Nga 373 titujt e letërsisë shqipe, 23 janë nga autorë të traditës. Letërsia për fëmijë zë 39 tituj, nga të cilët 19 janë autorë të përkthyer nga letërsia botërore dhe 20 janë shkruar nga autorë shqiptarë. Klasifikimi në gjini letrare i të gjithë veprave të botuara në Shqipëri në vitin 2012 nxjerr dominante poezinë në letërsinë shqipe me 201, nga 373 gjithsej dhe prozën në letërsinë e përkthyer me 120 nga 127 gjithsej. Por shifrat e larta të botimeve shqip nuk justifikojnë “ujërat” që mund të gjenden në to. Vetëm një pjesë e konsiderueshme e këtyre botimeve mund të kenë vlera të mirëfillta letrare. Ndryshe nga vite të tjera, Dita Ndërkombëtare e librit u shoqërua me një sërë aktivitetesh. Ajo nisi me promovimin e librit “Luani i Epirit-Ali Pasha dhe Suli” i autorit Spiro Mela nga Akademia e Athinës në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Për këtë botim referuan drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, dhe studiuesi Moikom Zeqo. Ministri i Kulturës, Visar Zhiti, mblodhi në një tryezë në “Frends Book House” botues të ndryshëm për të diskutuar mbi librin. “Është libri që na mbledh, pikëtakim ky i kohëve dhe brezave, i të shkuarës me të ardhmen. Libri në vetvete ka vetëm të tashme, çastin e leximit, të shndërruar në përjetësi, teksa tani na jep mundësinë të kremtojmë e të shkëmbejmë mendime, pikëpamje e emocione”, tha Zhiti. Duke qenë se simboli i kësaj dite është dhurimi i librave, Ministria e Kulturës dhuroi një fond të konsiderueshëm botimesh të financuara prej saj me karakter albanologjik, disa prej bibliotekave si ajo e Qytetit Studenti, Fakultetit të Filologjisë në Tiranë, bibliotekave publike në Lushnjë, Shkodër, Durrës, Korçë, Berat, Elbasan, Fier, Muzeut Historik Kombëtar, ambasadave, si dhe bibliotekave të burgjeve. Një sërë aktivitetesh për librin ka mbajtur dje dhe Fakulteti i Histori Filologjisë. Ambientet e fakultetit ishin të mbushura me stendat e shtëpive botuese që çdo vit ftohen të ekspozojnë në këtë ditë. Dita e librit nisi me një memoriam për dy profesorët e ndjerë të këtij fakulteti, prof. Myzafer Xhaxhiu dhe prof. Nexhip Gami. Më pas, në një “Takim me Lasgush Poradecin”, e bija Marie Gusho dhe profesorët Bardhyl Matraxhiu dhe Kastriot Gjika folën mbi vlerat e poezisë së tij. Në këtë ditë, ky departament prezantoi dhe disa botime të profesorëve që japin mësim prej vitesh në të, si libri i prof. Floresha Dado “Andon Zako Çajupi: jeta politike dhe vepra letrare”, “Bota Shqiptare 2012”, Dhurata Shehri: “Statusi i kritikës”, “Albas 2013”, Agron Gjekmarkaj: “Letërsia fantastike e Kadaresë” dhe Vjola Isufaj “Rikthim i mitit në veprën e Ismail Kadaresë”. Një tryezë e rrumbullakët ku u prezantua dhe revista e studimeve albanologjike « Letra 4 », mblodhi në një debat , shkrimtarë, gazetarë të kulturës, Ndër temat më të ndjeshme të sjella para vëmendjes nga të pranishmit, ishin problemet me të cilat hasen sot letërsia dhe botimet shqipe. Mungesa e përkthimeve cilësore, apo mungesa e një kritike më të specializuar për librin, orientimi i lexuesve drejt librit, e drejta e autorit etj., ishin disa nga temat e diskutuara. I pranishëm në tryezë, shkrimtari Ben Blushi, tha se kjo ishte hera e parë që pas mbarimit të studimeve 20 vjet më parë që ngjiste shkallët e këtij fakulteti. Blushi mbajti një qëndrim kritik ndaj departamentit të letërsisë që, sipas tij, duhet të rikthejë vëmendjen nga autorët shqiptarë. Gjykimi i një shkrimtari shqiptar pas viteve ‘90, sipas tij, gjykohet kryesisht nisur nga jeta e tij. Duke kërkuar ndarjen e shkrimtarit prej veprës, Blushi i ka kërkuar fakultetit të qëndrojë i depolitizuar, duke u ngritur në nivelin që i takon një institucioni të tillë të letrave. Duke bërë paralelizma me kohën e studimeve të tij, ku shumë autorë e shumë çështje ishin të censuruara, Blushi kërkoi më shumë vëmendje ndaj studentëve, duke edukuar një brez që do të rritet me një tjetër dimension mendimi në fushën e kritikës, apo leximit. Dita e librit kulmoi me një tryezë diskutimi mbi librin më të fundit të shkrimtarit Ismail Kadare “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”. Persida Asllani, e cila shoqëron me një parathënie këtë botim, foli mbi magjinë e prozës së Kadaresë. Ndërsa Afërdita Cesula, nga shtëpia botuese “Onufri”, tha se ky ent botues është duke përgatitur botime të tjera nga ky shkrimtar, të cilat janë marrë sërish nga arkivi i tij, si dhe më vonë do të përgatitet një përmbledhje nga ditari i tij.

“Në shtratin e tij kurrë s’kam lexuar”


Nën regjinë e Sesilia Plasarit, në skenën e Teatrit të Komedisë u dha premiera e komedisë “Kasollja e vogël”
ne shtratin e tij
Çfarë është tradhtia? Cili është morali i një lidhjeje? André Roussin, dramaturg bashkëkohor francez e ka ngritur gjithë teatrin e tij mbi pyetje që kërkojnë tu japin përgjigje çështjeve të ndjeshme të shoqërisë sot. Historitë e tij, në dukje të thjeshta, herë plot humor, thumbojnë thellë vese njerëzore, të hershme sa dhe vetë teatri. Historia që ai tregon në “Kasollen e vogël” që erdhi në skenën e Teatrit të Komedisë premierë të dielën nën regjinë e Sesilia Plasarit, në dukje duket e thjeshtë dhe argëtuese. Është historia e një çifti parisien. Një financier i suksesshëm dhe bashkëshortja e tij e bukur, ish-këngëtare dhe miku i tyre i ngushtë, i cili ishte dhe i dashuri i gruas. Prej gjashtë vitesh Suzana (Ina Gjonçi) jetonte një lidhje dashurie të fshehtë me shokun e ngushtë të bashkëshortit të saj Marti (Lulzim Zeqja). Nëse një ditë pas një aventure në det nuk do të kishin përfunduar në një ishull të vetmuar, jeta e tyre do të vazhdonte si më parë… takime të fshehta, orë të tëra dashurie, ndërsa Filipi (burri, që interpretohet nga aktori Genc Fuga) ndodhej në punë… Por mbetja në ishull do t’i vendosë ata përballë të vërtetës. Ankthi i të dashurit që s’mund të duronte teksa e dashura e tij ndante shtratin mbrëmjeve me të shoqin, do ta detyronte atë t’i thoshte atij të vërtetën. “Prej 6 vitesh Suzana është e dashura ime”, i thotë ai, mikut të vjetër, duke e detyruar me argumente të pranojë një marrëveshje gati-gati ekstreme. Për sa kohë jetojnë në ishull, ata do ta ndajnë Suzanën, një javë njëri dhe një javë tjetri. Në mungesë të shoqërisë dhe rregullave të moralit shoqëror, kjo duket jo vetëm zgjidhja e vetme, por edhe një fund i lumtur. Tashmë të tre mund t’i gëzohen parajsës tokësore dhe të jetojnë bashkë si një familje e lumtur. Por duket se kjo nuk është zgjedhja e duhur për dashnorin, i cili sërish nuk mund të pranojë prekjet dashurore të të shoqit. Në fund të aventurës së tyre në ishull, para se një anije t’i shpëtojë, një tjetër i mbijetuar trazon jetën e tre personazheve. Është kuzhinieri i anijes (Florian Agalliu), i cili shfaqet sikur është i biri i një mbreti fisesh të egra, dhe në këmbim të lirisë kërkon të flejë me Suzanën në kasolle. Pas kësaj ngjarjeje shtohen pikëpyetjet në mendjen e dashnorit, mbi të dashurën e tij. “Fakti që ajo shkoi aq lehtë me kuzhinierin, duke menduar se ai ishte i biri i mbretit, do të thotë se ajo e ka bërë edhe më parë këtë. Na ka tradhtuar të dyve”, i thotë ai mikut të tij… Gjuha e përdorur nga Roussin në këtë komedi është e thjeshtë, dhe depërton menjëherë te publiku. Tri personazhet kryesore të tij ishin zgjedhur me kujdes nga Plasari, duke e sjellë në një formë tepër reale fabulën. Në rolin e bashkëshortit të tradhtuar, Genci Fuga solli një interpretim mbresëlënës, duke u futur thellë nën lëkurën e Filipit, e duke e sjellë atë ashtu si Roussin e kishte krijuar. Skenografia e Genc Shkodranit, i jepte një tjetër dimension të dashur skenës, duke sjellë një ishull të vërtetë. Rëra, por edhe pemët e bananes, ideja e një topi të madh që ngjasonte herë si hënë e herë si diell, u shkonte dialogëve dashurorë. Aktorja e re, Ina Gjonçi, për gati dy orë ishte gruaja që jetonte mes pasionit të dy burrave, rol të cilin duket se Plasari nuk kishte gabuar në zgjedhje. Tepër energjike në skenë, Gjonçi ishte një grua e lirë, e gatshme për të bërë kompromise, dhe për të fshehur me stil atë çfarë ajo donte me të vërtetë… Lulzim Zeqja arriti të sillte një dashnor të shqetësuar, ashtu si në të vërtetë janë të gjithë ata që dashurojnë vërtet. “Kasollja e vogël”, një zgjedhje e Plasarit, tregoi se përtej veprave të njohura klasike të dramaturgjisë botërore, publiku ka nevojë të shohë dhe teatrin bashkëkohor, atë që ndoshta nuk filozofon, por sjell në skenë jetën në formën e saj më të thjeshtë. Kjo komedi është një akuzë plot stil për moralin dhe dëshirat njerëzore. Roussin vë në gojën e personazheve fjali të cilat kërkojnë të shpjegojnë dhe pikëpyetjet që ngre teatri i tij. “Në shtratin e tij kurrë s’kam lexuar”, thotë Suzana, teksa i tregon të shoqit mbrëmjet që ka ndarë me të dashurin. Jo pa qëllim, një libër është pjesë e skenografisë, ku gruaja mbrëmjeve mbështet kokën në gjoksin e të shoqit, dhe kthen shtratin që duhet të ishte i pasionit në orë leximi… Vepra shtron pyetje mbi natyrën njerëzore, raportin e individit me veten dhe bashkësinë, marrëdhënien në çift etj., të cilat mund të përmblidhen në dilemën e madhe filozofike: Të kesh apo të jesh? Çfarë është më e rëndësishme? Këtë përgjigje Roussin ia lë shikuesit ta thotë, teksa e ka ftuar të shohë brenda një martese…

Katër të burgosura luajnë teatër

Në një kohë kur teatri duket se e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe të rinjtë përballen gjithnjë e më tepër me mure për të qenë pjesë e tij, regjisorja Rozi Kostani ka zgjedhur një pjesë metaforike për t’i folur shqetësimit të kohës. “Dikush i famshëm”, komedia e Doug Larson, do të sjellë së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar historinë e katër të burgosurave, që gjenden një ditë në skenën e një teatri

Jane Evelyn Atwood


Ato janë katër të burgosura: Dona, Mejsi, Rexhi dhe 12006. Në një sallë të vjetër teatri të ditëve të sotme, që është ende i pasistemuar nga shfaqja e një nate më parë, ato dërgohen për të pastruar, të shoqëruar nga dy gardianë (Komandanti dhe Gasi). Pasi nisin të pastrojnë dhe Komandanti del për të kryer një punë, ato marrin vesh nga gardiani (të cilit i pëlqen njëra prej të burgosurave), se i kanë sjellë këtu për Terapi nëpërmjet Dramës, një kontratë që burgu ka nënshkruar me Ministrinë e Kulturës dhe që, përveç se për të marrë donacione, komandanti i burgut do ta shfrytëzojë këtë rast për të promovuar librin e tij (që e ka shkruar me ndihmën e disa shkrimtarëve, por që në fund të fundit mban emrin e tij). Ndërkohë që “pëlqimi” i ndërsjellë mes gardianit dhe Mejsit rritet, ato zbulojnë se aty do të vijë një aktore (Melinda) me famë e teatrit, si e dënuar, sepse në shfaqjen e fundit ajo ka vrarë të gjithë trupën e aktorëve. Kështu që do të jetë ajo që do ta drejtojë me to shfaqjen e Terapisë nëpërmjet Dramës, me të cilën drejtori do të promovojë librin e tij. Pasi aktorja vjen në sallë dhe të burgosurat kanë zbuluar goxha shumë për gjithë këtë aktivitet “promovues për burgun”, ato të kryesuara nga “hakeri i kompjuterëve” vendosin ta shfrytëzojnë shfaqjen për t’ia mbathur nga burgu. Në aktin e dytë vazhdon puna për të përgatitur shfaqjen sipas tekstit të përzgjedhur dhe njëkohësisht të burgosurat zhvillojnë planin e arratisjes. Vijojnë provat me tekstin në situata komike të përplasjes së aktores me famë dhe grave të burgut, deri sa në mbrëmje, kur largohen për të fjetur, aktorja i thotë Donës se edhe ajo e di planin e tyre dhe do të jetë pjesë e atij plani për t’u arratisur bashkë me to.
rozi kostaniNë aktin e tretë realizohet arratisja e tyre… Ky është subjekti i shkruar nga dramaturgu bashkëkohor amerikan Doug Larson, të cilin regjisorja Rozi Kostani e ka zgjedhur për ta ngjitur më datat 7, 8, 9 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar. Në një kohë kur teatri duket se e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, dhe të rinjtë përballen gjithnjë e më tepër me mure për të qenë pjesë e tij, regjisorja Kostani ka zgjedhur një pjesë metaforike për t’i folur shqetësimit të kohës. Vepra e Larson dhe pse e përshkruar me situata komike, është një vëzhgim i hollë i realitetit të sotëm, ku “pazare” dhe situata nga më absurdet mund të gjenden dhe në teatër. Në një kohë kur liria duket se po humbet gjithnjë e më tepër terren, vepra vjen si një homazh për të. “Burgu nuk është vetëm ajo çfarë jetojnë këto katër të burgosura, por atë e gjejmë kudo në jetë, në kushtëzimin e lirisë që i bëjmë njëri-tjetrit në çdo sekondë, në shoqëri, në punë etj.”, thotë Kostani. Liria ndonjëherë është në psikikën tonë.
rozi kostani


Kostani, bashkë me aktorët që ka zgjedhur për këtë shfaqje: Ema Andrea, Albana Kocaj Sancolli, Valina Mucolli, Marsela Lena, Gert Ferra, Arjeta Dhima, ka nisur prej disa javësh provat. “Jam me fat që po punoj me një ekip që e ka me dashuri këtë shfaqje. Zakonisht bëjmë prova dhe dy herë në ditë”, thotë Kostani. Ideja e saj është të sjellë një shfaqje që është bashkëkohore jo vetëm në tekst, por edhe në ide regjisoriale. “Unë dua të thyej murin e katërt, pasi shfaqja do të luhet jo vetëm në skenë që prezanton gratë mes ‘figurës artistike’ dhe asaj që janë në të vërtetë duke krijuar çaste komike”, thotë Kostani. Në këtë akt interesant aktoret e vërteta do të humbasin në publik, duke realizuar kështu dhe arratisjen e tyre në kërkim të lirisë së munguar dhe do të jetë publiku ai që do të shndërrohet në to. “Arratisja e personazheve në këtë dramë i ngjason pak dëshirës që kemi çdo ditë për t’u arratisur nga pak nga vetja apo nga të tjerët”, thotë Kostani. Dramaturgjia e Doug Larson zgjedhur prej saj, është ndër më bashkëkohoret sot në teatrin amerikan. I lindur më 1971-shin, në Uashington, ai i ka kushtuar jetën të shkruarit, duke jetuar i izoluar nga media, duke mos pasur as televizor në shtëpinë e tij. Kontaktet e tij me shtypin pothuajse nuk ekzistojnë, pasi Larson ka zgjedhur të flasë vetëm përmes pjesëve që shkruan. Pjesën e tij të parë dramatike e shkroi në moshën 13-vjeçare, dhe mbi 30 pjesë në krijimtarinë e tij i përket dramaturgjisë për fëmijë. Komedia “Dikush i famshëm”, që do të ngjitet në fillim të qershorit në skenën e Teatrit Kombëtar, ka pasur 12 produksione ndërkombëtare.

Humori kundër diktaturave të sotme

Diktatorët nuk janë të njohur për sensin e tyre të humorit, por kjo nuk i ndalon komedianët të qeshin me ta edhe pse rrezikojnë burgun. Rezistenca e tyre humoristike po tërheq vëmendje ndërkombëtare.
Për komedianin Zarganar nga Myanmar, humori është mburoja dhe arma e tij njëkohësisht. Gjatë kohës së diktaturës, në vendin e tij nga viti 1962 deri 2010, ai ishte i persekutuar nga autoritetet, por publiku nuk rreshti asnjëherë së adhuruari shakatë e tij. Emri i tij i vërtetë është Maung Thura, por ai zgjodhi emrin artistik Zarganar.
“Amerikanët thonë ‘ne kemi një burrë pa këmbë që ka ngjitur malin Everest’. Britanikët thonë ‘ne kemi një burrë pa krahë që kaloi me not Atlantikun’. Por burmezët thonë ‘kjo nuk është asgjë! Ne kishim një lider pa tru që udhëhoqi për 18 vjet!’”. Për këtë barsoletë, Zarganar u dënua me 59 vite burg në vitin 2008, por kjo nuk e ka ndaluar atë të vazhdojë të qeshë dhe të bëjë të tjerët për të qeshur me humorin e tij.
E qeshura rebele
Komediani gjerman Michael Mittermeier është bërë një nga miqtë më të ngushtë të Zarganar. Kur Mittermeier mësoi për fatin e Zarganar, bëri gati valixhet dhe udhëtoi drejt Myanmar për t’u bashkuar me regjisorin Rex Bloomstein për të bërë një dokumentar për komedianin e arrestuar.
“Ai më kërkoi nëse mund të mbështesja miq të tij që ishin futur në burg për shkak të barsoletave të tij. Pa hezituar, unë u përgjigja po”, kujton Mittermeier.
Bloomstein dhe Mittermeier vizituan burgun ku mbahej, por autoritetet zbuluan kamerat e tyre dhe ata u detyruan të largoheshin nga vendi.
Në atë moment, Mittermeier pothuajse humbi shpresat se Zarganar mund të lirohej ndonjëherë. Por në vitin 2011, me ndihmën e “Amnesty International”, komediani burmez fitoi lirinë dhe vazhdoi me barsoletat e tij rebele.
E qeshura forcon njerëzit
Por pse komedianët duhet të vuajnë kaq shumë në regjimet autoritare? Sociologu Anton C. Zijderveld, i njohur për librin e tij “Soziologie des Humors” (Sociologjia e Humorit), ka studiuar rolin e humorit në shoqëri.
“Humoristi luan me vlerat e shoqërisë. Kjo krijon tensionin që prodhon barsoletat”, shpjegon Zijderveld. Por të luash me vlerat e regjimeve autoritare është si të luash me zjarrin.
Sipas Zijderveld, humori politik nuk mund të ndryshojë shoqërinë, por efekti psikologjik i tij është shumë i rëndësishëm.
Regjimi sirian arrestoi dhe torturoi në vitin 2011 karikaturistin Ali Ferzat. Ai u akuzua se me vizatimet e tij ofendonte Presidentin Bashar al-Assad dhe iu thyen gishtat për t’i dhënë një mësim. Tani ai jeton në azil, në Kuvajt, dhe i shëruar tërësisht ai ka vizatuar si kurrë më parë.
Çdo komedian ka armët e tij sekrete
Vetëm pak njerëz në botë kanë forcën dhe talentin të vënë në lojë diktatorët. Kabaretisti gjerman, Fatih Cevikkollu, thotë se ka respekt të madh për kolegët që ngrenë zërin kundër regjimeve autoritare.
“E qeshura është mënyra më e mirë për të treguar dhëmbët”, thotë Cevikkollu. Në programet e tij, Cevikkollu shpeshherë kritikon qeverinë gjermane, por më pas nuk ka asnjë pasojë negative. “Në vende të tjera është më e vështirë. Në Turqi, për shembull, komentet politike mund të jenë të rrezikshme, sepse mund të arrestohesh ose kërcënohesh”, thotë komediani me prejardhje turke.
Në Kinë karikaturistët duhet të veprojnë në anonimitet, duke firmosur karikaturat e tyre në internet me një simbol dhe jo pseudonim. Karikaturisti i njohur në internet si Fengxie (gaforrja e çmendur) ka arritur të çajë censurën.
Rëndësia e humorit
Zarganar ishte me fat. Pas lirimit nga burgu, ai ka dhënë shfaqje me Mittermeier në Londër, Berlin dhe Dublin, ku ishte i lirë të qeshte me absurditetet e regjimit të Mynimarit.
Sot, vendi i tij ka nisur procesin e demokratizimit dhe Zarganar është duke ndihmuar në këtë proces me themelimin e një instituti kulturor që do të mbështesë dhe trajnojë komedianët e ardhshëm. Ai e bën këtë sepse mendon se arti i humorit është shumë i rëndësishëm në një shoqëri. 

“Katër ditë në burg si Bujari”(SHQIP)

Ergin Zaloshnja, një vepër mbi historinë personale. Arrestimi i gabuar në dhjetor të 2007-s nga policia italiane duke e ngatërruar me një person tjetër
112444. Ky është numri që artisti i ri, Ergin Zaloshnja, mbajti për katër ditë në trup në Burgun Sollicciano në Firence. Ishte 3 dhjetor i vitit 2007. Ai ndodhej në Aeroportin e Firences për të udhëtuar drejt Tiranës, ku do të merrte pjesë në konkursin e përvitshëm, atëherë ndërkombëtar “Onufri”, ku ndalohet nga policia, i dyshuar se ishte “Bujari”, pseudonimi i një krimineli shqiptar që kërkohej në vendin fqinj për prostitucion e krime të tjera. Pavarësisht protestës, Ergini do të kalonte katër ditë jo të lehta në Burgun e Sollicciano-s, duke i përsëritur vetes vetëm një fjali që e thoshte edhe gjatë seancave të marrjes në pyetje “Unë nuk jam Bujari”. Gati gjashtë vjet më pas, kjo ngjarje ka lënë ende gjurmë në jetën e tij. Pavarësisht sqarimit nga ana e Gjykatës, shumë gjëra nuk do të ishin më si më parë në jetën e të riut shqiptar që sapo kishte përfunduar Akademinë e Arteve në Firence. “Jeta ime, nga ajo ditë mori një drejtim tjetër. Edhe pse kanë kaluar vite nga ajo histori, ende disa njerëz e vënë në dyshim këtë gjë”, thotë ai. Prej vitit 2008 ai do ta kishte të vështirë të merrte lejet e zakonshme të qëndrimit në Itali, pasi historia ende nuk ka gjetur zgjedhje. “Sa herë më duhet të kaloj kufirin, më duhet të shpjegoj statusin tim”. Në ekspozitën “Ky është udhëtimi”, ai e ka kthyer në art këtë histori, si një mënyrë për të treguar se ndonjëherë fati të sjell histori e ngjarje në të cilat nuk e ke imagjinuar kurrë veten. Bashkë me një tekst ku tregon historinë e tij, në anglisht dhe italisht, Ergini ka lënë në një letër numrin 11244 që i jepet çdo vizitori në këtë ekspozitë. Vepra e tij, është një protestë mbi ironinë e fatit, por dhe për drejtësinë… Veprat e Erginit tashmë nuk mund ta shmangin protestën dhe ato orientohen drejt një teme, pranimin e së vërtetës, e cila shpesh është e vështirë për t’u pranuar. Ja rrëfimi i tij në vepër: “Më 3 dhjetor 2007, unë Ergin Zaloshnja ndodhesha në Aeroportin e Firences të merrja fluturimin LZ272 më 20:30 për të udhëtuar drejt Tiranës, për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të arteve figurative ‘Onufri 2007’. Gjatë kontrollit të zakonshëm të pasagjerëve unë u ndalova nga oficeri i policisë nën një akuzë tepër serioze: shfrytëzim prostitucioni nën pseudonimin Bujar. Bota u shemb për mua. Kështu unë u gjenda i përfshirë në një procedim penal nga Gjykata e Napolit. Bujari, djali i dyshuar kishte kryer krime serioze. Rreth tij kishte përgjigje dhe nuk kishte asnjë dokumentacion apo foto që të tregonte imazhin e tij. Kështu u arrestova. Pavarësisht protestës sime që kishin të bënin me një identitet të gabuar, si rezultat i neglizhencës dhe çmendurisë së organeve hetuese ata vepruan pa bërë ndonjë hetim të vërtetë mbi personin tim. Unë u dërgova menjëherë në burgun Sollicciano. M’u sekuestrua gjithçka kisha me vete: një axhendë, çelësat, një ‘Nokia’, një kartë ‘Vodafone’, një videokamera, 38 CD të ndryshme dhe DVD dhe 1 laptop. Ata më çuan në një qeli të veçuar, ku ndjenja disa ditë dhe mbaja numrin :11244 RIMC. Kur kontrolluan bagazhin tim, oficerët u habitën me ato çfarë gjetën: Një libër: ‘Ekonomia dhe tregu i artit’, një katalog arti, ngjyra të ndryshme për punët e mia. Kur hapën kompjuterin, desktopi shfaqi punën që unë kisha përgatitur për ekspozitë: ‘Flamuri europian i varur në një pemë në një ishull në mes të lumit Arno’. Sigurisht që kjo nuk ishte ajo çfarë ata prisnin. Ata e kishin krijuar tashmë profilin tim. ‘Bujari’. Ata kishin një dosje të thirrjeve telefonike të tij dhe të bashkëpunëtorëve por jo një fytyrë. Unë qëndrova në burg deri më 21 dhjetor 2007. Pas shqyrtimit nga Gjykata e Napolit e rastit tim dhe hetimeve paraprake ata urdhëruan lirimin tim të menjëhershëm. Por gjatë kohës që qëndrova i mbyllur në burg dhe gjatë kohës që merresha në pyetje, unë i përsëritja vetes këtë fjali ‘Unë nuk jam Bujari’. Ky nuk është numri im, është numri i tij”.

“Viktimë të modernitetit”

Skenarët që kanë dominuar filmat shqiptarë pas viteve ‘90-të. Ylljet Aliçka: “Shpeshherë, shumë skenarë shqiptarë për hir të iluzionit ose për të pasur sukses jashtë Shqipërisë e perceptojnë formën e përmbajtjen sipas klisheve e stereotipave që mbizotërojnë rëndom në opinionin e huaj për Shqipërinë, që për hir të së vërtetës, edhe kanë dhënë rezultat, por është një kompromis afatshkurtër (historitë e vajzave që ikin nga shtëpia e kthehen në prostituta, emigracioni…


Kur Ylljet Aliçka krijoi tregimin “Parullat”, nuk e mendonte se ai tregim vetëm disa faqe i hedhur në letër disi shpejt, do të kthehej në një nga skenarët më përfaqësues të periudhës gati 50-vjeçare të izolimit komunist në Shqipëri. Simbolika që ai kishte zgjedhur përmes nxënësve që detyroheshin të shkruanin me gurë parulla nëpër kodra duke i thurur lavdi regjimit në fuqi, do të tërhiqte shumë shpejt regjisorin Gjergj Xhuvani, i cili deri në atë moment i kishte besuar vetëm penës së të atit, shkrimtarit të njohur Dhimitër Xhuvani për subjektet e filmave të tij. Por “Parullat” e Aliçkës do ta bënin Xhuvanin të krijonte menjëherë në mendje subjektin e gatshëm të një filmi. Ishte viti 2001, ku dhe pse gati një dekadë shkëputje nga kornizat e soc-realizmit në art, kinematografia shqiptare ende nuk kishte mundur të sillte një film me subjekt nga ajo periudhë. Xhuvani niste kështu fillimin e trilogjisë së tij kinematografike me temë diktaturën, që do të vazhdonte më pas, me filmin “I dashur armik” dhe “Lindje, Perëndim, Lindje”. “Me këtë film mbylla ciklin e komunizmit për t’iu rikthyer temave aktuale. Ndihem i qetë që e përfundova këtë trilogji. Nëse e kam mbyllur mirë apo keq, u takon të tjerëve ta gjykojnë”, është shprehur regjisori gjashtë vjet më parë, në premierën e “Lindje, Perëndim, Lindje” . Por, “Parullat”
vijon të jetë filmi më përfaqësues i temës së diktaturës në kinematë europiane. Xhuvani ishte i pari që zbuloi në prozën e re të Aliçkës, grimcat e një skenaristi të ardhshëm. 13 vjet më pas, Aliçka e sheh karrierën e tij të lidhur ngushtë mes shkrimtarit dhe skenaristit. Vetëm disa vite pas “Parullave”, ai shkruan një tjetër skenar për regjisorin Artan Minarolli “Lutjet e dashurisë” (ose Kronikë provinciale). Filmi sjell një histori sa komike aq edhe reale të periudhës së tranzicionit. Në qendër të filmit është historia e një piktori i cili interpretohet nga Tedi Papavrami, i cili pasi kthehet në vendin e tij dashurohet me një vajzë (Arta Dobroshi). Të dy të rinjtë bien pre e mentalitetit të kohës, i cili nuk i lë të jetojnë të qetë. Skenari i këtij filmi do të vlerësohej dhe si skenari më i mirë në Festivalin e Filmit të Europës Juglindore në Paris disa vite më parë. Grishjen nga tregimet e Aliçkës e pati dhe regjisori i njohur serb Goran Paskaleviç. Pasi pa filmin “Parullat” ai lexoi në frëngjisht një libër me tregime të Aliçkës, dhe u ndal tek tregimi “Çifti”. Historia e këtij tregimi ishte e thjeshtë: një çift bashkëshortësh nga fshati që një ditë udhëtojnë të dy drejt qytetit, të ftuar në një dasmë. Burri, tipik malësor që kurrsesi nuk mund të ulej para së shoqes, gjatë kohës që i zë nata në një nga lulishtet e qytetit, për herë të parë në jetën e tij bën një gjest, duke u kujdesur për të. Tipari ballkanik i karaktereve të këtij tregimi do ta bënte Paskaleviç të takonte skenaristin shqiptar për të nisur projektin e parë kinematografik shqiptaro-serb i cili do të përfundonte më pas me një tjetër bashkëskenarist me Paskaleviç. “Patëm këndvështrime që nuk u përputhëm”, tha Aliçka mbi këtë bashkëpunim që do sillte në ekranizim jetët e dy popujve që historikisht nuk e kanë dashur njëri-tjetrin. Gjashtë vite si ambasador në Paris nuk e kanë shkëputur nga shkrimi. Thotë se ka në duar projekte të reja midis të cilave dhe shkrimi i një skenari ku regjisori do të jetë i huaj. Lidhja me skenarin e ka bërë Aliçkën të jetë më i lidhur dhe me kinematografinë, duke e njohur më mirë gjuhën e saj. Një nga pikat në të cilat është kritikuar shumë kinemaja shqiptare pas viteve ‘90 kanë qenë dhe skenarët. Ideja për t’u marrë me tema të mëdha, ka sjellë një shkëputje të kinemasë nga temat e thjeshta, nga ato tema që Hollivudi prodhon çdo ditë. Kinemaja duket sikur është shkëputur nga njeriu, dhe kërkon të përcjellë vetëm ide. Nëse i hedhim një sy 31 filmave artistikë të prodhuar nga Qendra Kinematografike këto 23 vite, temat që dominojnë më shumë janë emigracioni, prostitucioni, komunizmi, ndërsa mungojnë temat dashurore, aq të kërkuara në kinema apo marrëdhëniet e thjeshta njerëzore, gjë që ka qenë prezente në filmat e prodhuar para viteve ‘90, pavarësisht skematizmit që kanë pasur. Për Ylljet Aliçkën, ajo çfarë ka ndodhur me subjektet e ofruara nga kinemaja këto vite ka brenda dhe anën pozitive dhe riskun. “E mira është se ka një dinamizëm. Eksperimentimi, kërkimi i formave ka dhe anën pozitive brenda, por edhe riskun, i cili qëndron në rënien në skematizëm apo formalizëm”, thotë ai. Ajo çfarë shihet shpesh në filmat shqiptarë të këtyre viteve është ikja nga origjinaliteti i veçantisë shqiptare. “Shpeshherë, shumë skenarë shqiptarë për hir të iluzionit ose për të pasur sukses jashtë Shqipërisë e perceptojnë formën e përmbajtjen sipas klisheve e stereotipave që mbizotërojnë rëndom në opinionin e huaj për Shqipërinë, që për hir të së vërtetës, edhe kanë dhënë rezultat, por është një kompromis afatshkurtër (historitë e vajzave që ikin nga shtëpia e kthehen në prostituta, emigracioni…). Dakord këto janë pjesë e realitetit, por jo krejt esenca e kompleksitetit të realitetit shqiptar”, thotë Aliçka. Shkrimi i skenarëve është shkollë më vete, në vendet ku kinematografia është në kohët e saj të arta. Skenaristët orientohen drejt subjekteve më të kërkuara, drejt atyre që prekin sa më shumë shikues. Në idenë e temave të mëdha këto vite janë përfshirë edhe regjisorët e rinj, të cilët kanë prezantuar prodhimet e tyre të para kinematografike. “Ka një dinamikë eksperimentimi e kërkimi, madje dhe provokimi, e cila në një mënyrë apo një tjetër evoluon në vlera të qëndrueshme artistike. E kam fjalën për një brez të ri që po guxojnë të vënë në dyshim format e konsoliduara”, thotë Aliçka.

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...