2013-10-13

70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS



Nga Fritz RADOVANI: 


13  TETOR  1943



70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS





            Në Shqipni “rrêna i ka kambët e gjata”!..
            Plot 70 vjet që vazhdon me rrêjtë Shteti Shqiptar, Akademia e Shkencave dhe me té, të gjithë ata mercenarë historianë, që nuk e shkruejnë një rresht per bombardimin ma mizor të Luftës së Dytë Botnore, me 13 Tetor 1943, ora 13.13’ të drekës, ku u vranë 503 qytetarë të Tiranës nga Aleatët. Bombardimi filloi tek fusha e vjeter e aviacionit dhe vazhdoi per të gjatë rrugës së Kavajës, deri tek shtëpia e oficerëve (klubi i artistëve)...
            Tirana u la me gjak!
            Deri sot që po mbushen plot 70 vjetë të kësaj gjakderdhje të pashembullt, askush nuk ka tregue qellimin e vertetë të ideatorëve barbar kundrejt popullsisë së pafajshme të Kryeqytetit Shqipnisë Tirana... Dhe, as nuk duket kund “e verteta” e shemtueme e të gjithë atyne që e projektuen dhe zbatuen këte veper kriminale!
            Shqipnia e shkelun nga një pushtues tek tjetri...Pa i shpallë luftë “askujt”...dhe pa pasë pushtue KURRË një pëllambë tokë të huej, bombardohet kur sejcili asht me lugë në dorë, tue shty të shkreten kafshatë e tue mendue se “çka t’ bajmë per darkë”?
            Bombardohet një nga zonat ma të popullueme të Kryeqytetit, dhe nuk vritet asnjë “okupator”...vetem, kalimtarë dhe njerzë të ulun nder sofrat e bukës së drekës!
            Edhe sot mbi trotuarët e asaj rrugë perballë Kishës së Jezuitëve, janë nder pllaka gjurmët e ciflave të hjekuna të atyne bombeve që gjakosën një Popull të pafaj...
            Gati 15 vjet perpara kobra Nexhmije Hoxha, i pohon gazetares R. Xhunga, se “ne komunistët nuk kishim si të pohonim bombardimin nga Aleatët, se ne ishim me ta!”
            Sigurisht, as Aleatët, nuk kishin si të pohonin bombardimin e tyne mbi kokat tona të mituna...e mbi të gjithë Ata Shqiptarë, që per 47 vjet nuk e harruen atë “Gjak !”
            Vertetë u vranë e u masakruen me mija Burra... U interrnuen mija familje e humbën pergjithmonë nder kampet e shfarosjes komuniste, e edhe pse ikëm nga Europa me flamurin e “revolucionit”, terroristi Ramiz Alia deklaroi: “I kemi ruajtur lidhjet e vjetra si unë dhe shoku Enver...Edhe gjak do bëjmë...Pushteti është perjetësisht yni !”
            ***
            Ishe i vogel tre vjeç, në shtëpinë nr. 173...tue ngranë drekë me Baben dhe Nanen.
            Zhurma e uturima e avionëve si atëditë, vazhdon edhe sot në trunin tim...
            Në zbritje të shkallës Baba u vra! Nana filloi virrmen... Unë nuk kuptova asgja!
            Atë natë u nisëm per Shkoder dhe arrijtëm nga mesnata...
            Mbas dy o tre ditësh dikush në rrugë holli një bombë... U trondita nga krisma e saj dhe vrapova tek prehni i Nanës, shikova Nanën e topitun dhe kishe thirrë: “Gjak!”
            Unë kujtoj vetëm Fëtyren e tronditun të Nanës...po jo, thirrjen time “Gjak!”...
            Kujtoj, se kur fillova me u rritë dhe na dilte gjumi spontanisht nga shprazja e armëve në orët e para të ditës, në Zallin e Kirit, jo larg nga rruga Badra, ku jetonim...
            Automatikët e komunistëve godisnin në trunin tim gjithnjë thirrjen “GJAK !”...

            (Pjesa e parë...Vazhdon.) Melbourne, Tetor 2013.

2013-10-12

“Filozofi e Gjuhës” i Prof. Shezai Rrokajt, një vepër me vlerë në studimet shqiptare


Ymer Çiraku


Do t’i quaja ngjarje shkencore, botime të librave të karakterit fondamental, siç është Filozofi e gjuhës (Shtëpia botuese Arbëria), botuar kohëve të fundit, nga linguisti i njohur Prof. Shezai Rrokaj. Gjuha, si akt komunikimi, realizon, veç një morie referencash interkomunikative, edhe thurjen e dijeve filozofike të fushave të ndryshme, si: filozofi e historisë, filozofi e doktrinave juridike, sociale, religjioze, të artit etj. Por gjuha ndërkaq, ashtu siç ndërton me mjetet e saj doktrina filozofike e gjithçka tjetër të rrafshit të komunikimit human, edhe vetë – ndërtohet brenda një sistemi sui generis, mbi disa principe, që sado variuese, kanë një komandë qendrore (ta themi), që dëshmon sofistikimin dhe misterin e kësaj gjuhe, brenda zhvillimit të saj pa limit e shënjimeve, të ashtuquajtura arbitrare.

Gjuhët pësojnë në mënyrë të pashmangshme zhvillime, dhe nëpër këtë rrugë zhvillimesh, ato ndërkaq largohen nga fazat më të hershme, aq sa krijojnë mjegulla që vijnë nga instancat e largëta e për pasojë, vështirësi për të vështruar qartazi nëpër rrjedhat diakronike të ciklimeve të tyre. Por janë ekzistuese sistemet bazale mbi të cilat ngrihen e funksionojnë gjuhët (sado jo lehtësisht të kapshme), njohja dhe studimi i të cilave krijon mundësi për të hulumtuar në itinerarin e këtyre universeve. Autori i beson fort tezës të ardhur që nga Hajdegeri se gjuhët janë streha e qenies së njeriut: mu aty projektohet gjithë arsenali i vetëdijes dhe pavetëdijes së tij, që do të thotë se studimet gjuhësore nga kahje të ndryshme, e bëjnë më të mundur edhe njohjen e njeriut integralisht.

Qarkullojnë teori të ndryshme mbi lindjen e gjuhëve: që nga ato me burim hyjnor e deri tek ato mbi një fillesë tek një vatër e pastaj përhapje centripetale, apo mbi lindje në disa vatra njëherësh e pastaj kryqëzime e zhvillime të pandërprera të tyre… Brenda këtij misteri, studiuesit janë endur e vazhdojnë të enden gjatë, duke hulumtuar e hamendësuar dhe autori i librit e shpalos hartën interesante të kësaj problematike, duke dëshmuar edhe pikëpamjen e vet. Si në këtë rast dhe në të tjera, ai nuk priret nga përfundimet kategorike, por ndërton sistemin e komunikimit të hapur e jo të mbyllur shkencor, që është prirje e shkencës dinamike e jo statike apo kanonike.

Problematikën e filozofisë së gjuhës, autori e sheh që nga antikiteti: me dijetarë të shquar si Platoni, Aristoteli, Stoikët, duke vazhduar me Tomas Akuinin e pastaj me Dekartin, Hajdegerin, Sosyrin, Jakobsonin, Comskin, Lakan, Fuko etj. Libri, duke qenë një pranëvendosje e shumë orientimeve dhe shkollave filozofike për çështje të gjuhës, arrin të shquajë mirë kontributet thelbësore të tyre, që i bëjnë dhe përfaqësues dinjitarë të teorive të mëdha, mjaft impresionuese, dhe për këtë arsye, të ndjekura nga dishepuj të shquar. P.sh. Sosyri vështrohet si themelues i strukturalizmit në gjuhësi, Gadameri si projektues i konceptit të ciklit hermenautik mes tekstit dhe interpretuesit (vështruar si raport dialogjik), Çomski për trajtimin e kompetencës gjuhësore, Lakani për zgjerimin e teorisë frojdiane deri në konceptin se pavetëdija është e strukturuar në gjuhë, ku njeriu e ka humbur mjaft protagonizmin e tij. E vërteta është se brenda një kornize të limituar, siç është formati i një libri, ka shumë personalitete, me tezat përkatëse të përfaqësuara prej tyre, që krijojnë një informacion të ngjeshur e gati të presuar në libër, në pamje të parë – i vështirë për t’u zotëruar në nivelin e përvetësimit të sigurt. Gjykoj, se autori e ka konceptuar në mënyrë të ndërgjegjshme kësisoj: me synimin që të nxitë reflektimin dhe hulumtimin e pavarur, të cilit i shërben bibliografia e pasur rekomanduese dhe referencat e dendura nëpër gjithë kapitujt. Ndërkaq, libri e ka të synuar dhe karakterin enciklopedik, d.m.th. sjelljen e informacionit të sistemuar, rreth çështjeve më të mprehta të filozofisë së gjuhës.

Librin e shoh të shkruar me një frymë. Kjo, e kuptuar si vrull i autorit për të hulumtuar e hedhur në letër me ritmin e lartë të punës, gjë që dhe personalisht e kam ndjerë nga kontaktet me të, ku ka qenë mjaft prezente tema e hartimit të këtij libri. Por të shkruarit me një frymë, e kuptoj, para së gjithash, të realizuarit e saj si vepër me konceptualitet të brendshëm, konseguent e vijues. Sado të ndryshme konceptet e paraqitura, në libër nuk krijohet kurrsesi ndjesia e një kolazhi mekanik tezash e doktrinash mbi filozofinë e gjuhës. Në thelb, studiuesi ka për prijës konceptin se në udhën e tij, njeriu është i shoqëruar përherësisht nga një proces gjuhësimi, (më duket i gjetur ky term), përmes të cilit ai realizon njohjen e vetvetes dhe njohjen e mjedisit.

Libra si ky i drejtohen një rrethi të gjerë specialistësh, jo vetëm nga gjuhësia, për vet karakterin interdisiplinar të qasjes së studimit. Ndihet volumi i madh i shfletimeve dhe sidomos ligjërimi i karakterit abstragues, që kanë sjellë lodhjen e mundimin, por autorit kjo punë e ngulët i është shpërblyer paq me një kontribut të çmuar që na ka sjellë, aq më shumë, një kontribut i ri që pasuron tipologjinë e studimeve tona, deri në formatin e një vepre të plotë.

Kujtimet për Shqipërinë të austriakut Kaser në një libër

"Shqipëri-Austri reflektim historiografik" është ndër botimet e fundit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, i promovuar sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ky botim, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, përmban kujtimet e pedagogut të Universitetit të Vjenës, Karl Kaser, si e shihte ai ndryshimin e sistemeve në Shqipëri, sa gjasa kishte që të derdhej gjak si në Rumani, turmat e të rinjve që kërkonin të iknin dhe i luteshin t’u rregullonte një vizë, etj.
Kujtimet për Shqipërinë të austriakut Kaser në një libër
Në vitin 1987, Karl Kaser, historian i ri asokohe i Europës Juglindore, shfrytëzoi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe ngurrimin e gjithë kolegëve të tij për të ardhur në vendin e vetëm komunist e ateist në botë. Gjithçka pa gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri ai i hodhi në ditar. Socializmi që gjeti në Shqipëri, ishte makth. Nuk u besonte dot syve, kur shihte një vend në varfëri ekstreme. Njerëz të veshur keq, që nuk guxonin t'i flisnin, pasi kishin frikë se dënoheshin, mungesa e etikës, hotelet, restorantet, rrugët, pallatet, gjithçka dukej si një kthim pas në kohë.

Sipas Kaser, të paktën gjysmë shekulli më pas. E megjithatë, Kaser u kthye edhe në vitin '88, '89 deri në '92-shin, çdo vit nga 2-4 javë, duke parë nga afër ndërrimin e sistemeve në Shqipëri. Shënimet e tij, të mbajtura më shumë se 20 vjet më parë, ai i ka botuar tashmë në librin “Shqipëria njëzet vite më parë- kujtimet e një historiani austriak”.

Këto kujtime janë përfshirë në botimin më të fundit të Qendrës së Studimeve Albanologjike “Shqipëri-Austri: Reflektim historiografik”.


O.Univ.-Prof. Dr.phil. Karl Kaser

Position: 
  • researcher@UniGraz
Phone: 
+43 (0)316 380 - 2352
Biography: 
Karl Kaser is professor for Southeast European History at the Karl-Franzens-University of Graz/Austria, where he received his PhD in 1980, was promoted to professor 1985 and appointed to full professor 1996. His major work and research projects have been focussing on historical-anthropological fields such as history of family, kinship, and clientelism as well as gender relations in the Balkans.
CV: 
Country expertise: 

Gjuha shqipe, Shezai Rrokaj: Domosdoshmëri redaktoret në institucione



Nisur nga gabimet e shumta që administrata bënë në shkresat zyrtare, Dekani i Fakultetit Histori-Filologji Profesor  Shezai Rrokaj mbështet nismën e Kryministrit Edi Rama për punësimin e korrektoreve në institucione pasi gjuha shqipe është gjuha e shtetit dhe duhet shkruar saktë.

Akademiku Shezai Rrokaj mbështet idenë e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorëve , madje ai e quan domosdoshmëri. Gjithashtu Rokaj kërkoi që të bëhet e detyrueshme dhënia e provimit të gjuhës shqipe i ndarë në maturën shtetërore.

Nisur nga debatet e fundit për ndryshimin e standadrit të gjuhës shqipe Rrokaj shprehet se kjo nuk duhet të ndodhë. Sipas tij duhet që Gjuha dhe ky standard duhet të zgjerohen dhe përmirësohet brenda potencialit të tij dhe jo të bëhen ndryshime nisur nga krahinat apo rreshtimet politike.


Në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u përkujtuan profesori i Gjuhësisë Menella Totoni në 3 vjetorin e ndarjes nga jeta.

Jorgo Bulo: Mos falsifikoni, Çajupi nuk ka poezi perverse

Jorgo Bulo.gif
Jorgo Bulo.është Akademik, i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë  1980.
Mban titullin Profesor Doktor.

Janë bërë në modë sot në jetën tonë kulturore disa tipa grafomanësh diletanto-gazetaro-amatorë, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, në klimën e një rrumpalle të përgjithshme. Reagimi profesional ose mungon, ose është i zbehtë për t'i vënë fre kësaj dukurie që përhapet e zë vend si pa kuptuar, duke krijuar një "kulturë", a më mirë një antikulturë lirie spekulimesh dhe dezinformimi të opinionit publik, një terren lulëzimi të diletantizmit e zhvlerësimi të standardeve profesionale në kërkimin shkencor, duke rrënuar dhe seriozitetin e medias e të botimeve në fusha të ndryshme, por sidomos në fushë të historisë e të kulturës kombëtare. Kjo na detyron të merremi me rastin e botimit kohët e fundit në disa faqe kulturore të një poezie me titull "Kënga e kandarit" a "Elegji në pleqëri, për të shkretën djalëri", që i atribuohet poetit të shquar A.Z. Çajupit. Nuk është hera e parë që Çajupit i atribuohen ose krijime të ashtuquajtura "adespotë", d.m.th. pa zot, ose krijime "me zot", por të paidentifikuara nga botuesit, gazetarët a redaktorët e faqeve përkatëse kulturore, për shkak të mungesës së përgatitjes së tyre filologjike dhe historiko-kulturore për ta bërë një gjë të tillë. Disa raste të kësaj kategorisë së dytë i kemi denoncuar duke vënë në vend të vërtetën. Rasti i fundit i vjershës "Kënga e kandarit", i përket kategorisë së parë të teksteve "adespote". Një tekst i tillë "pa zot", sipas filologes italiane Luçia Çezarini Martineli, "mund të krahasohet lehtë me një qen rrugësh, me një bastard me racë të papërcaktuar" që i lihet në derë "vjedhurazi" një botuesi si një tekst "fals", d.m.th. si një tekst që i atribuohet qëllimisht një autori të ndryshëm nga ai i vërteti", i cili në rastin tonë nuk dihet kush është. Në këto raste "viktima" e supozuar si autor i tekstit është zakonisht një personalitet i njohur, me emër, sepse falsifikatori a mistifikatori ka interes të përfitojë nga ky "zbulim". Dhe përfitimi në rastin konkret nuk është i vogël, është "zbuluar" e vënë në qarkullim një poezi e panjohur e një poeti të shquar, e A.Z.Çajupit (!?).
* * *
"Kënga e kandarit" nën okelon "Poezi të zgjedhura nga A.Z. Çajupi" botohet në faqe kulturore, krahas poezive, a fragmente poezish erotike të poetit Zagorit, si një plotësim i repertorit të vjershave të tij për dashurinë. Këto gjashtë poezi janë të njohura si krijime të poetit, të përfshira edhe në botimin e veprës së plotë të tij, çka nuk vë në dyshim autorësinë e tyre. Por botimi në këtë faqe i "Këngës së kandarit", e panjohur deri sot si vepër e Çajupit, do të kërkonte disa argumente që do të provonin se është vepër e tij. Fjala vjen, cili është burimi nga është marrë poezia, a ekziston një dorëshkrim autograf i saj, a ka ndonjë të dhënë të drejtpërdrejtë a të tërthortë nga autori për "pronësinë" mbi të, ç'arsye dhe argumente ka botuesi që ta besojmë se kjo poezi i përket Çajupit. Asnjë shpjegim, asnjë argument, asnjë shënim qoftë edhe hipotetik; përkundrazi, poezisë i jepet statusi si vepër e Çajupit njëlloj si poezive të njohura të tij, si "Kopshti i dashurisë" e të tjera.
Është e qartë se bashkëpunëtori i gazetës, redaktori i faqes a gazetari përkatës, kushdo qoftë personi që ka marrë përgjegjësinë ta paraqesë "Këngën e kandarit" si vepër të Çajupit, e që nuk dihet pse mbetet anonim, nuk ka në dorë as burime arkivore, as burime bio-bibliografike, as argumente filologjike e historiko-letrare, asnjë provë që të provojë se poezia është e Çajupit. Në qoftë se do t'i kishte, duhet t'i përdorte për të qenë korrekt me autorin e supozuar e me lexuesin dhe bindës për "zbulimin" e tij.
* * *
Në kushtet e mungesës së këtyre të dhënave botuesi do të duhej të bënte "ekspertizën" a "ADN"-në e tekstit, d.m.th. analizën e tekstit, të gjuhës, të stilit, dhe të gjithë përbërësve të tij. Por as këtë nuk e bën, ose se nuk është në gjendje ta bëjë, ose se rezultati i kësaj ekspertize do të ishte kundër tij dhe kundër aventurës së tij.
Nga një vështrim i shpejtë me një sy të vëmendshëm kuptohet qartë se "Kënga e kandarit" është një bejt që nuk ka lidhje me krijimtarinë e Çajupit, me profilin e tij poetik dhe me ligjërimin e tij poetik. Nuk do të ndalem në këtë të fundit sa i përket "Këngës së kandarit" ku bie në sy një thyerje që vjen nga përzierja e tipit të ligjërimit popullor me atë libresk. Do të mjaftonte vetëm një krahasim i leksikut të këtij teksti, me leksikun poetik të Çajupit, për të kuptuar hendekun kohor midis tyre, çka dëshmohet nga prania e njësive leksikore, të cilat nuk i përkasin korpusit të fjalorit poetik të Çajupit. Kemi mundur të verifikojmë e të veçojmë plot 19 fjalë, duke filluar nga fjala kandar që në titull të poezisë, e duke vazhduar me: Aleti, bandill, turfulloj, bythëzbuluar, patëllxhan, i rraskapitur, sisëplota, sisëmëdha, shurrë, virgjëresha, meazallah, qofte, taze, sejmen, kuplara, bionde, meskëputura dhe persiane, fjalë që nuk figurojnë në asnjë tekst poetik a në prozë të Çajupit, e që, siç kuptohet nga kjo listë, edhe pa i verifikuar, një specialist i kupton se nuk janë tipike për fondin leksikor të veprës së tij.
* * *
Ka një varg në tekstin adespot të "Këngës së kandarit", që nuk mund të mos i bjerë në sy një lexuesi të zakonshëm, jo më një specialisti që guxon të "zgjidhë" çështjen e autorësisë së tij.
Në strofën 5 të tekstit të botuar lexojmë:
"Po sot ç'ka që është mërzitur
Trup e shpirt i rraskapitur"
Ky vargu i fundit nuk mund të mos tingëllojë si një reminishencë nga F.S. Noli. Le të kujtojmë vargun e tij të njohur 'Trup e shpirt i sakatosur', të poezisë "Anës lumenjve" shkruar më 1930, kur Çajupi ishte në shtratin e vdekjes (ai u nda nga jeta në korrik të atij viti) dhe botuar prej Nolit për herë të parë më 1943 tek "Dielli" e pastaj te "Albumi" më 1948, fakt që e bën absurd çdo hamendje për një ndikim të Çajupit prej poezisë së Nolit. Kjo dëshmi e një distance kohore të dukshme, tregon se "Kënga e kandarit" është një prodhim i vonë, si të thuash i kohës sonë, jo i kohës së Çajupit. E kemi dëgjuar dhe e kemi të regjistruar nga disa "qejfli" bejtesh liçensioze, në disa variante, me ndryshime herë-herë të dukshme, çka tregon se "Kënga" ka bërë jetën folklorike, siç bëjnë zakonisht krijimet e poetëve anonimë popullorë. Pra "Kënga e kandarit" ka vite që qarkullon si një krijim anonim folklorik, por asnjë çajupolog a thjesht botues nuk ka kuturisur ta përfshijë në veprën e plotë të Çajupit, e cila ka njohur disa botime e ribotime këtu dhe në Prishtinë. Këtë kuturisje, me një mungesë të plotë përgjegjësie dhe serioziteti, e mori përsipër ta bëjë një anonim, mistifikator sharlatan, në mos dashakeq, duke i atribuuar poetit një bejt ordiner si një mish të huaj në krijimtarinë e tij. Çajupi është një poet i madh, edhe erotik, por elegant; ai nuk është as një poet banal e vulgar, as një poet pervers.
* * *
Edhe sikur bejti në fjalë të ishte a të jetë një vepër me vlera antologjike, akti i atribuimit të saj një poeti vepër e të cilit nuk është, përbën një veprim të palejueshëm, amoral dhe joprofesional. Krijuesit e mëdhenj nuk kanë nevojë për një "bamirësi" të tillë. Përkundrazi, morali dhe dinjiteti i tyre nuk pranon as t'u preket "fëmija" i tyre, për ta bërë "më të bukur", jo më të pranojnë fëmijën e huaj, që ua lë në derë dikush si me qenë gjoja fëmija i tyre. Le të kujtojmë me këtë rast marrëdhënien e Sami Frashërit me botuesin e veprës së tij në Bukuresht. Ai kishte maninë të ndërhynte "për t'ia ndrequr" Samiut tekstet e shkrimeve të tij. I revoltuar nga kjo, shkrimtari dhe shkencëtari i madh i shkruante botuesit të tij se "çdo njeri do djalën e ti, pa le të jetë i shëmtuar e i dobëtë, më mirë se sa doçnë e së shoqes të bukur e të shëndoshë". Aq më keq kur Çajupit botuesi i "Këngës së Kandarit" nuk i ka "dhuruar" një fëmijë aq të bukur e të shëndoshë.
Në qoftë se botuesi i "Këngës së kandarit" bën atë që s'e ka bërë, d.m.th. paraqet argumente dhe prova bindëse se ky krijim është i Çajupit, ne do t'i kërkonim ndjesë publikisht, përndryshe, me ndjenjën qytetare dhe me përgjegjësinë e një studiuesi dhe botuesi të veprës së Çajupit, pse jo dhe me të drejtën e një trashëgimtari familjar të saj, do të kërkonim nga autori i këtij falsifikimi të lypte ndjesë publike për dëmin moral që i ka shkaktuar me këtë veprim poetit të "Baba Tomorit".
Duke përfunduar këto radhë dëshiroj t'i kujtoj tufës së falsifikatorëve dhe mistifikatorëve, një mësim të nxjerrë nga përvoja e shkencës filologjike, se "falsi i përkryer, është si krimi i përkryer" nga që "falsifikuesi lë gjithmonë ndonjë gjurmë që e tradhton", sado të përpiqet t'ia përshtatë tekstin e falsifikuar stilit të autorit që ia atribuon.
* * *
Si u tha që në krye, u detyruam të ndërhyjmë me këtë shkrim meqë nuk është fjala për një a dy raste të izoluara, por për një fenomen të përhapur, për një epidemi nga e cila lëngon sot kultura e "lajmeve kulturore", duke i kthyer ato në një lëndë konsumi të përditshëm thashethemesh.

Alice Munro,shkrimtarja 82-vjeçare fituese e çmimit Nobel për Letërsinë


Shkrimtarja 82-vjeçare fituese e çmimit Nobel për Letërsinë


Shkrimtarja kanadeze Alice Munro, është fituesja e çmimit nobel për letërsinë për vitin 2013. Ky çmim iu dha shkrimtares 82 vjeçare me motivacionin si mjeshtre e prozës kontemporane.

Alice Munro është njëkohësisht edhe fituese e çmimit Man Booker Prize në vitin 2009.

Shumë prej librave të Munro përqendrohen në vendlindjen e saj, kontene Huron të Ontarios, në Kanada, teksa fokusimi i saj rajonal është një prej aspekteve kryesore të rrëfimeve të saj.

Shumë kritikë e krahasojnë peisazhin që ajo përshkruan me atë të shkrimtarëve të pjesës jugore të Shteteve të Bashkuara.


Alice Munro, shkrimtarja 82-vjeçare kanadeze, është fituesja e çmimit Nobel në letërsi/ Në vitin 2005, ajo shkroi një tregim kushtuar femrave shqiptare “Virgjëreshat shqiptare
Alice Munro
Alice Munro, shkrimtarja kanadeze, është fituese e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2013. 82-vjeçarja është bërë kështu gruaja e 13 që fiton këtë çmim të madh letrar. E tërhequr vitet e fundit nga të shkruarit, për shkak të moshës dhe humbjes së të shoqit, për Munro, ky çmim ishte një rikthim në gjënë që kishte dashur më shumë në jetë, të shkruarin. Peter Englund, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze, e quajti atë një “mjeshtre të shkurtër bashkëkohore”. Shkrimtarja nuk e priste këtë vlerësim. Kur ishte e re, e kishte ëndërruar kaq herë çmimin Nobel, por në këtë moshë, nuk e di ç’të bëjë me të. Megjithatë ishte diçka tepër e bukur. Ajo u shpreh e lumtur dhe nuk reshte së falënderuari Akademinë Suedeze, kur e bija i tha se ishte fituesja e çmimit të madh. Munro nuk ndodhej në shtëpinë e saj por kishte shkuar tek vajza për vizitë, e cila e zgjoi në orën katër të mëngjesit për t’i dhënë lajmin. “Më duket e pabesueshme. Më duket një gjë e mrekullueshme, nuk mund ta përshkruaj, është më shumë se ç’mund të them. Vërtet do të dëshiroja që kjo t’i shtyjë njerëzit ta konsiderojnë tregimin e shkurtër si art të rëndësishëm, e jo vetëm si diçka për të eksperimentuar derisa ta shkruani romanin tuaj”, tha Munro. Çmimi ka vlerën prej 8 milionë koronash, ose rreth 900 mijë euro.
Alice Munro (3)Munro ka nisur të shkruajë që në adoleshencë. Përmbledhjen e parë me tregime të shkurtra e shkroi në vitin 1968, i cili u bë menjëherë fitues i çmimit “Governor”, një çmim i lartë letrar në Kanada. Po ky sukses e ndoqi dhe librin e saj tjetër “Jeta e vajzave dhe grave” më 1971. Në vitin 1978, ajo botoi librin “Cili mendoni se jeni”, i cili u botua menjëherë në shumë gjuhë të botës, duke e renditur shkrimtaren përkrah emrave të njohur të letërsisë bashkëkohore të kohës. Nga viti 1979-1982 ajo mori një tur udhëtimesh nga Australia, në Kinë dhe në Skandinavi. Ajo mori një rezidencë si shkrimtare nga Universiteti britanik i Kolumbias. Në vitet 1980-1990, ajo botoi çdo katër vite nga një përmbledhje me tregime. Për Munro kanë shkruar pothuajse të gjitha faqet letrare, duke evidentuar ndjeshmërinë në prozën e saj. Historitë e saj duken kaq të zakonta, por të përfshijnë me stilin që Munro i ka shkruar. Në vitin 2009, ajo boton librin “Kaq shumë lumturi”. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin Man Booker International dhe gjithashtu The Commonwealth writer. Munro është shkrimtarja e parë kanadeze që ka marrë çmimin prestigjioz që nga Saul Bellow, i cili e fitoi në vitin 1976. Në letërsinë e shkruar prej saj, Munro i ka kushtuar vëmendje edhe Shqipërisë. Femrat shqiptare, historitë që ka lexuar për këtë vend, e kanë frymëzuar atë të shkruajë më 2005-n librin me tregime “Virgjëreshat shqiptare”. Një ashpërsi e re, një ndjesi pështjellimi e kaosi në jetën qytetare, një përkohësi në marrëdhëniet burrë-grua, veçanërisht në martesë. “Shkrimtarja Alice Munro ka merituar të gjithë trofetë e mundshëm letrarë. Personazhet janë shpesh nën frikën e anktheve. Parakalimi i herëpashershëm i personave të gjymtuar që shfaqet në shumë nga këto tregime, duket si metaforë e gjymtimit mendor që ka infektuar kohën tonë”, thuhet në prezantimin që i bëhet librit në shqip përkthyer nga Pirro Dollani dhe botuar nga “Ideart”. “Kam shkruar dikur një rrëfim rreth Shqipërisë, që më ka pëlqyer shumë. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë”. Kështu është shprehur për këtë tregim në një intervistë të saj, për gazetën prestigjioze New York Times. Tregimi “Virgjëresha shqiptare”, është botuar fillimisht më 1994-n në revistën The New Yorker.

Alice Munro (1)Në vitin 1951, Alice u martua me James Munro me të cilin pati tri vajza, Sheila, Katerina dhe Xheni. Sheila ndërroi jetë 15 orë pas ardhjes në jetë. Në vitin 1953, shkrimtarja nisi të bëjë biznes duke hapur një librari të madhe, Munro Books, e cila ende funksionon në Viktoria. Në vitin 1972, ajo dirvorcohet nga i shoqi. Pas kthimit në Ontario, ajo vazhdon të shkruajë dhe njihet me gjeografin Gerald Fremlin, me të cilin martohet më 1976-n. Jeta përkrah Gerald duket se ka qenë e bukur për shkrimtaren, e cila i qëndroi pranë deri disa muaj më parë, kur ai u nda nga jeta. Ikja e të shoqit e bëri Alice të kishte frikë nga vetmia, dhe pse kur ishte e re e kërkonte shpesh dhe i pëlqente të rrinte me ditë e muaj të tërë vetëm.
Në vitin 2002, vajza e saj Sheila botoi një libër me kujtime nga jeta e saj pranë një mamaje shkrimtare.
Alice Munro ka qenë gjithnjë një figurë interesante për kritikët. “Unë nuk kam mbajtur asnjëherë ditar. Thjesht kujtoj ngjarjet dhe njerëzit që kam takuar në jetën time”, shprehet ajo në një intervistë të dhënë vite më parë. Mamaja e saj ka qenë një frymëzim i përhershëm për Munro. “Mamaja ime është një figurë e rëndësishme në atë çfarë unë jam sot. Jeta e saj kaq e vështirë dhe e trishtë shpeshherë dhe forca e saj për t’ia dalë mbanë më kanë frymëzuar. Nuk ishte e lehtë për të të më rriste”, shprehet Munro. Shkrimtarja e preferuar e saj dhe që ka ndikuar në librat që ka shkruar është Eudora Welty me librin “Mollë të arta”. Edhe pse në letërsinë e saj është një zë për të mbrojtur gruan, Alice është shprehur se nuk ka dashur asnjëherë të kthehet në një feministe. “Nuk më duket e vështirë të jesh një burrë, – shprehet ajo, por nuk kam dashur të kthehem në një feministe, thjesht të tregoj gjërat ashtu siç janë dhe përmes punës sime të kem mundësi të mbaj familjen dhe dëshirat e mia”. Në letërsinë e Munro-s takon gra, të cilat takojnë në jetë dashuritë e gabuara dhe Munro thotë se nuk i ka shpikur këto histori, por thjesht i ka riprodhuar.

FATMIRA NIKOLLI-Dokumenti, si hetohej Xhevahir Spahiu nga regjimi




E nisur si një detyrë e thjeshtë gjimnazi, Fiona Kopali mundi në fund të realizojë një libër-album ku parakalojnë Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, etj., përmes relikeve si fotot, shkrimi i dorës apo intervistave me autoren. Një fragment është përshkrimi i takimit me Kadarenë në shtëpinë e tij: "...Ju jeni gjimnaziste, ë? - Po, tek 'Gjuhët e huaja'. Nxënësve u ka rënë ca interesi për të studiuar gjuhë të huaja. Në Shqipëri dëgjoj kudo: ka rënë, ka rënë.... Çfarë është ngritur në Shqipëri?! Epo, - i thamë, - nxënësit nuk njohin vargjet e Poradecit, por dinë përmendësh këngë mediokre. Kjo është një dukuri e njohur botërore, por është për të ardhur keq. Brezi i ri po helmohet nga ky bombardim. I takon atij ta ndryshojë këtë Shqipëri. Nga ky brez pritet, por kur ky ushqehet me banalitete... I treguam edhe idenë për t'i përmbledhur në një libër intervistat dhe ai shprehu dëshirën që kjo intervistë të mos botohej në ndonjë gazetë...

Një nga gjetjet më interesante në libër është zbulimi i jetës së poetit Xhevahir Spahiu në një moment delikat, kur u kritikua nga Enver Hoxha për prirjet "moderniste". Publikohet një dokument antologjik për raportet e shkrimtarit me diktaturën, hartuar nga policia e fshehtë e asaj kohe. Është fjala për të famshmin simpozium shkencor me temë "Klasikët e Marksizëm-Leninizmit dhe rakia", i formuluar si shaka e hidhur e poetit për ideologjinë totalitare. Në një copë letër, Xhevo kishte shkruar: "Simpozium për rakinë", dhe rreshtoheshin disa "tema" e "kumtesa", si :

1) Ç'kanë thënë klasikët e Marksizëm-Leninizmit për rakinë;

 2) Lufta kundër ideologjisë borgjeze që nënvlerëson rolin e rakisë në revolucion... 

3) Etimologjia e fjalëve "raki" e "zamzane", etj.

Dokumenti

Dokumentit autentik që botohet i plotë në libër hedh dritë mbi vështirësitë e poetit në regjimin komunist. Ai mban datën 1 qershor 1979 dhe është miratuar nga zv.ministri i Punëve të Brendshme, Feçri Shehu. "Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës (fjalë e palexueshme, mbase kryesuar) nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton në ngarkim të Xhevahir Spahiut, kanë dalë këto materiale. I pandehuri Fadil Paçarami ka deponuar: Në poezi hermetike, të cilat në vetvete paraqisnin paqartësi, linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe paraqisnin keqkuptime, e ide të shtrembëta tek lexuesit. Më të dhënë për këtë çështje kanë qenë Fatos Arapi e Xhevahir Spahiu. Kjo është tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kohët e fundit në vendin tonë....

Ajo shkaktoi pasoja të rënda në ndarjen e brezave të krijuesve, dhe në hedhjen luftë mes tyre... Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë dhe Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme".

Nga Floripress


Skeda:Xhevahir Spahiu.JPG

Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar.Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letëresi shqipe.Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë.
Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Tituj të veprave


Mëngjes sirenash (1970)
Ti qytet i dashur (1973)
Vdekje e perendive (1977)
Dyer dhe zemra të hapura (1978)
Bashkohësit (1980)
Agime shqiptare (1981)
Zambakët e Mamicës (1981)
Kitaristët e vegjël (1983)
Nesër jam aty (1987)
Heshtje s´ka (1989)
Dielli i lodrave (1990)
Poezia shqipe (1990)
Kohë e krisur (1991)
Udha (2005)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...