2013-12-26

Lavdim Hamidi:Ministra sa Kina!



                           Lavdim Hamidi

Hashim Thaçi mund të krahasohet lirisht me homologun kinez Li Keqiang për numrin zëvendëskryeministrave dhe ministrave. Pavarësisht këtij krahasimi, Li është në krye të Qeverisë së një shteti shumëfish më të madh për nga numri i banorëve dhe nga një ekonomi shumë më të zhvilluar se e Kosovës, e cila viteve të fundit ka arritur të ngjitet në krye të listës së eksportuesve më të mëdhenj botërorë.

Me emërimin e ministrit të ri të Shtetit, Milan Zdravkoviq,numri i ministrave në Qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi ka arritur në 20, pa i llogaritur këtu edhe 6 zëvendëskryeministra dhe hiç më pak se 41 zëvendësministra.


Ndërsa qeveria kineze, e cila udhëhiqet nga Partia Komuniste ka 4 zëvendëskryeministra dhe 23 ministra, derisa për nga numri i banorëve jemi të pakrahasueshëm me Kinën, përkatësisht 1.35 miliardë banorë ka kjo e fundit, ndërsa Kosova nuk i ka as 2 milionë banorë.

Në një shtet të vogël si Kosova dhe të pazhvilluar ekonomikisht është i pakuptimtë që një qeveri të ketë 20 ministra dhe 41 zëvendësministra, apo 3 zëvendësministra në një Ministri, e cila realisht nuk ka punë as për njërin prej tyre.

Mirëpo, zgjerimi i qeverisë me ministra të rinj, duke ua plotësuar dëshirat e partnerëve të koalicionit, po bëhet vetëm për qëllime elektorale, duke i përdorur kështu institucionet shtetërore për mobilizimin e votave në prag të zgjedhjeve lokale e nacionale.

Para se të vendosë për rritjen e numrit të ministrave dhe zëvendësve të tyre, kryeministri Hashim Thaçi është dashur të mendojë më racionalisht në shpenzimin e parasë publike, duke e bërë riorganizimin e ministrive, pasi që edhe ashtu ka shumë të tilla që janë ngarkesë për buxhetin e cekët të Kosovës.

Vetëm për pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave, buxheti i Kosovës brenda vitit shpenzon rreth 1 milion euro në vit, pa i llogaritur këtu edhe shpenzimet për derivate, telefona,udhëtime zyrtare,..., të cilat hyjnë në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Këtë luks nuk e kanë as shumë vende të rajonit, të cilat janë shumë më të zhvilluara ekonomikisht se Kosova.

Mund të thonë pushtetarët tanë se ky krahasim është banal, pasi që Republika Popullore e Kinës udhëhiqet me dekada nga Partia Komuniste, ndërsa në Kosovë kemi një qeveri “demokratike”, një kryeministër të dalë nga zgjedhjet e lira dhe krahasimi me këtë shtet të largët aziatik është joreal, prandaj po ndalemi për krahasime edhe me vendet e rajonit.

Ta zëmë Qeveria e Sllovenisë, i cili shtet ka numër të njëjtë të banorëve me Kosovën, ka vetëm 3 zëvendëskryeministra dhe 10 ministri, ndonëse GDP-ja për kokë banori është dhjetë fish më e lartë se në Kosovë.

Ndërsa në Qeverinë e Kroacisë, e cila prej 1 korrikut 2013 është bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe që ka 4.3 milionë banorë, janë katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.

Pa u krahasuar kështu me Kinën, por me Kroacinë e Slloveninë, numri i ministrive në Qeverinë e Kosovës nuk do të duhej të ishte më i madh se dhjetë dhe në këtë mënyrë institucionet nuk do të shndërroheshin në “baushtellë” për partnerët e koalicionit dhe militantët partiakë. Dhe në prag të zgjedhjeve kryeministrit Hashim Thaçi nuk do të duhej t’i shkonte mendja për zgjerim të qeverisë, por për tkurrje të saj.

Sikur nisesh për sfilatë....





BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

Prishtina me më shumë spitale të zemrës se Cyrihu




Florim Cuculi, kardiolog në spitalin kantonal të Lucernit, deklarohet shpeshherë lidhur me situatën e popullatës me prejardhje shqiptare që jeton në Zvicër. Këtë herë ai ka folur në një intervistë për albinfo.ch për problemet me të cilat po ballafaqohet shëndetësia kosovare, sidomos në kardiologji.

Ai thotë se Kosovës nuk i duhen aq shumë klinika të zemrës, ku trajtohen sëmundjet koronare. Kardiologut shqiptar në Zvicër i pengon mungesa e kontrollit në Kosovë.

Se kush i mbikëqyr këto spitale, si është kualiteti i trajtimit? Intervenimet që bëhen a janë me të vërtetë të nevojshme apo bëhen thjesht për biznes? Ai në këtë intervistë për albinfo.ch ka folur edhe për biznesin me operacionet e vendosjes së stendave në zemër të pacientëve në spitalet private të Kosovës.

Albinfo.ch: Në çdo qytet të Kosovës ka një klinikë për trajtimin e sëmundjeve të zemrës... Vetëm Prishtina i ka 3 deri 4 spitale në një distancë 3 kilometërshe njëra nga tjetra. A ka nevojë Kosova për kaq spitale të zemrës, apo ndoshta edhe tërë rajonit i kishin mjaftuar?

Florim Cuculi: Supozoj që ju bëni fjalë për qendra ku trajtohet sidomos sëmundja koronare, d.m.th. diagnostikimin dhe trajtimi i arterieve të ngushtuara koronare me ballon dhe me stendë. Është e qartë se një qyteti si Prishtina nuk i duhen 3 apo 4 qendra të këtilla. Në qytetin e Zürichut ka 3 qendra ku bëhen intervenime të këtilla, por këtu bëhet fjalë për një qytet që ka një rrethinë prej 1 milion banorësh, e sidomos bëhet fjalë për një prej shteteve më të pasura në botë. Trajtimi i sëmundjes koronare kërkon një ekspertizë të veçantë, e kjo formohet vetëm me përvojë të madhe. Kuptohet që kur në secilën qendër nuk bëhen një numër i madh i intervenimeve, është vështirë të fitohet eksperienca e duhur.

Albinfo.ch: A do të thotë se kardiologjia ose kardiokirurgjia mund të jetë më shumë biznes sesa profesion human i një mjeku?

Florim Cuculi: Kjo është pyetje pak e vështirë, pasi që në një mënyrë është pyetje retorike dhe është e qartë që unë jam bërë mjek për të shëruar njerëzit, e jo për t’u pasuruar. Pastaj natyrisht që unë flas nga optika e një mjeku që punon në Zvicër dhe kam mirëkuptim për pakënaqësinë e mjekëve me rrogat e Ballkanit. Mirëpo, nga ana tjetër, në relacionin mjek-pacient çdo herë në qendër të vëmendjes duhet të jetë interesi i pacientit, e jo ai i mjekut. Unë i trajtoj pacientët e mi ashtu si do t’i kisha trajtuar prindërit e mi. Kjo më lejon të funksionoj më mirë, të themi pak më direkt, „me shpirt të pastër“.

Albinfo.ch: Operacionet me vendosjen e stendave në zemër të pacientëve në spitalet private janë shndërruar kohët e fundit në biznes mjaft profitabil për pronarët e spitaleve private dhe mantelbardhët që bashkëpunojnë me ta, si e gjykoni ju si kardiolog që jeni shkolluar dhe punoni në një spital të Zvicrës?

Florim Cuculi: Është e qartë që në një shtet të varfër si Kosova, ku rroga mesatare është ndoshta 300 euro, është e paarsyeshme të kërkohet për një intervenim disa mijë euro. Por, kjo është natyrisht edhe dobësia e shtetit, d.m.th e Qeverisë kosovare, pasi që nuk arrin që pacientëve t’u sigurojë një trajtim më të volitshëm shëndetësor. Çka më pengon mua edhe më shumë është mungesa e kontrollit. Kush i mbikëqyr këto spitale, si është kualiteti i trajtimit? Intervenimet që bëhen, a janë me të vërtetë të nevojshme apo bëhet thjesht biznes? Këto janë pyetje qendrore me të cilat duhet të merret Ministria e Shëndetësisë. Trajtimi duhet të bëhet sipas standardeve evropiane dhe për sëmundjen koronare duhet të konsultohen rekomandimet aktuale nga Shoqata evropiane e kardiologjisë.

Fenomeni i stendave të panevojshme ndodh edhe në vendet perëndimore

Albinfo.ch: Mediat kanë raportuar se për çdo pacient që e dërgojnë në këto spitale mjekët nga sektori publik përfitojnë deri në 500 euro, prandaj ka raste që pacientëve u vendosen stenda edhe pa qenë të nevojshme, si të vetëdijesohen pacientët që të mos jenë viktima të këtij biznesi?

Florim Cuculi: Në rast se kjo ndodh me të vërtetë, atëherë ky fenomen tragjik duhet të merret me shumë seriozitet. Një keqpërdorim kaq flagrant i interesave të pacientit nuk duhet toleruar. Mjeku i përgjithshëm duhet ta dërgojë pacientin te kardiologu kur do ketë nevojë, e jo për shkak se përfiton 500 euro. Por, për të qenë më korrekt, duhet thënë se fenomeni i stendave të panevojshme ndodh edhe në vendet perëndimore, sidomos në Amerikë, ku mjekët paguhen privatisht, d.m.th sa më shumë stenda, aq më shumë të holla. Në fakt, lexoj kohë pas kohe raporte ku në Amerike i gjykojnë mjekët, sepse kanë vendosur stenda pa nevojë. Për fat të mirë, punoj në një vend ku rroga është fiks dhe nuk jam i varur nga numri i stendave të implantuara.

Albinfo.ch: Pacientët që detyrohen të shkojnë nëpër këto institucione shëndetësore private për ndërhyrje kirurgjike në zemër duhet të kenë me vete së paku rreth 5000 euro, e cila shumë mund të dyfishohet në shumicën e rasteve, nëse kërkohet vendosja e më shumë se 3 stendave, si të evitohen dukuritë e tilla?

Florim Cuculi: Këtu ekziston një keqkuptim i madh edhe nga ana e pacientëve. Përfitimi më i madh nga intervenimet me stenda është i vërtetuar te pacientët me infarkt. Aty me të vërtetë pacientit i dhurohen vite jete. Por, këto intervenime duhen bërë shpejt nga mjekë me përvojë të madhe. Për fat të keq, kjo lëmi nuk është e zhvilluar mirë në Kosovë dhe në Maqedoni. Gjatë pushimeve të verës në Kërçovë dhe atje kur ke pësuar infarkt të nisin për në Shkup. Por, ka vonesa aq të mëdha sa që kur pas 90 minutash do mbërrish në Shkup, infarkti tashmë ka mbaruar, d.m.th ata që shpëtojnë në shumicën e rasteve shpëtojnë sepse patën fat. Për sëmundjen koronare stabile, d.m.th. dhimbja në gjoks jashtë fazës së infarktit nuk ka punime shkencore që vërtetojnë se pacienti do të jetojë më gjatë. Bëhet fjalë për trajtim simptomash, e jo për zgjatjen e jetës, d.m.th. për shkaqe prognozash. Për
pacientët me sëmundje koronare stabile, p.sh. dhimbje në gjoks për disa muaj apo vite, është më mirë të provohet stabilizimi me medikamente. E kur nuk funksionojnë medikamentet, atëherë bëhet kateterizimi dhe implantimi i stendave.

Albinfo.ch: Nga ana tjetër, në Kardiologjinë Invazive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thonë se në institucionet publike shëndetësore ka mungesë të mjeteve harxhuese (stendave) dhe për këtë arsye pacienti është i detyruar të shkojë në institucione private?

Florim Cuculi: Kjo është pak e çuditshme. Nuk e njoh gjendjen konkrete të atjeshme, por QKUK duhet të funksionojë 24 orë në ditë. Nuk e di a punojnë të punësuarit e QKUK-së edhe në spitalet private, por kjo duhet ndaluar rreptësisht. Mjeku duhet të vendosë a do punojë privatisht apo në një institucion akademik.

Albinfo.ch: Çmimet e shërbimeve në sektorin publik janë dukshëm më të ulëta se në sektorin privat. Për një koronarografi në QKUK pacientët paguajnë 150 euro, ndërsa në sektorin privat çmimi i këtij shërbimi shkon në 700 euro. Ndërsa implantimi i një stende është 350 euro në publik, dhjetëfish më lirë se në sektorin privat, ku çmimi arrin në 3500 euro deri në 4000, a janë këto çmime reale për pacientët e Kosovës?

Në Zvicër për një koronarografi ndoshta paguhet privatisht 3000 franga, por bëhet fjalë për shtetin më të pasur në botë

Florim Cucli: Nuk e kuptoj pse çmimi për një koronarografi duhet të jetë 700 euro, pasi që është diçka e thjeshtë. Në Zvicër për një koronarografi ndoshta paguhet privatisht 3000 franga zvicerane, por bëhet fjalë për shtetin më të pasur në botë. 4000 euro janë definitivisht tepër për standardin e Kosovës. Por, këtu sigurisht edhe nuk ka konkurrencë. Është e mundshme që klinikat private janë marrë vesh për çmimet, d.m.th. kanë bërë një kartelë dhe aplikojnë çmime artificialisht të larta.

Albinfo.ch: Shumica e vdekjeve shkaktohen nga sëmundjet e zemrës, prandaj sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kemi të bëjmë me një problem shumë serioz, ku numri i pacientëve është shumë i madh, atëherë pse nuk u kushtohet rëndësi pacientëve me sëmundje të këtilla?

Florim Cuculi: Kardiologjia invazive, d.m.th. puna që e bëj unë, vjen më në fund. I rëndësishëm është preventiva, për shembull, pirja e duhanit apo diabeti. Për fat të keq, këtu ekziston problemi. d.m.th. fokusohemi tepër në fund të problemit, e jo te fillimi. E them këtë si kardiolog invaziv që merrem çdo ditë me këtë sëmundje. Njëkohësisht Kosovës i duhet një qendër e fortë invazive universitare, një qendër që ka kualitet të mirë, ku vijnë rastet më të vështira nga i gjithë vendi.

Albinfo.ch: Janë disa spitale, të cilat janë të licencuara nga MSH-ja në Kosovë, ndërsa të tjerat punojnë pa kriter, si guxojnë të drejtohen pacientët në spitale të tilla?

Florim Cuculi: Do të më interesonte të informohem se çfarë kriteresh kanë plotësuar edhe këto spitale të licencuara për të qenë në listën e Ministrisë së Shëndetësisë. Këtu duhet një kontroll rigoroz, p.sh. duhet të dihet morbiditeti dhe mortaliteti i pacientëve që trajtohen në spitale të këtilla. Nuk e përjashtoj mundësinë që disa nga spitalet të ofrojnë edhe kualitet të mirë, por për momentin është si „wild west“. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë duhet të merret përgjegjësia, d.m.th. të ndalohet trajtimi në spitalet pa licencë.

Albinfo.ch: A po e sfidon Shkupi Prishtinën, ngase atje nuk është raportuar për raste të tilla si “klinika të vdekjes”, e kështu me radhë.

Florim Cuculi: Natyrisht që kjo ka të bëjë me përvojën dhe në Shkup ka vite që bëhen këto intervenime. Nuk e di sa funksionon kontrolli në Shkup, por e di që edhe Maqedonia është shtet i korruptuar. Për fat të keq, edhe pse në Kosovë dhe në Maqedoni dinë që unë ekzistoj si kardiolog, mua nuk më kanë thirrur kurrë për ndihmë. Por, kjo ka të bëjë pak edhe me mentalitetin tonë, e ndoshta edhe pak nga frika, që ndoshta mos po iu bëj konkurrencë në të ardhmen. Nuk e di saktësisht dhe nuk dua as të spekuloj më tepër. Por, është e sigurt që unë nuk jam i vetmi që mund të kontribuojë atje dhe besoj se është detyrë e mjekëve të Kosovës dhe të Maqedonisë të na ftojnë t’u ndihmojmë në projekte konkrete.

MË FAL ÇAMËRI



          Rasim Bebo

Gëzuar festat e fund vitit 2013 dhe mbarësi për vitin 2014 ! Edhe unë Veneta, që jam në vitet e dekadës së tetë, flas me indinjatë: Më fal Çamëri !...
Shkrim nga Veneta Çallpani: “U bë kohë që ndiej lëngatë dhe dhimbjen tënde, toka ime e shënjtë. U bë kohë që shikoj simptomat e sëmundjes e cila më bën të ndihem keq. Dhe ndonjëherë ndihem kaq e pa fuqishme, madje edhe kundrejt fjalës, e cila fatmirësisht apo fatkeqësisht është arma ime më e fortë. Ndihem e pa fuqishme edhe ndaj mendimeve, të cilat aq sa më japin forcë, aq edhe më bllokojnë, madje ndonjëherë më marrin frymën”. Kam shkruar dhe shkruaj për ty Çamri, por zëri im mbetet si zë në shretëtirë edhe kur librat e mija kushtuar për ty Çamëri, hiqen nga rafti librarisë dhe çojnë poshtë në budrum, bile ka raste që “Libraria Agolli” në Tiranë nuk i pranon as t’i shikojë dhe jo t’i vendosë në raftë. Kaluan plot 70 vjet, prej vitit 1944 deri 2014, që Çamërisë i është vënë drasa e varrit, fill pas Enver Hoxhës deri te Ramiz Allia dhe në keto vjetë të demokracisë nga dy partitë PS dhe PD, që nuk duan të miratojne Rezolutën Çame, se janë bërë palë me grekun dhe me një përulje të pështirë dhe të neveritshme të qeverisë dhe të Akademisë së Shkencave duke i dhenë priotitet tej mase minoritetit grek që perfaqëson 0.87% te popullatës greke të ardhur para 200 vjetëve me trastën e lypësit dhe me shatin në sup, për të punuar tokat e gjirokastritëve në Dropull dhe në Vurgun e pronarëve të Delvines si bujq çifçinj. Ndërsa për Çamërinë Shqiptarë të djegur, të vrarë, të therur, të çderuar dhe së fundi të dëbuar, që nga viti 1944 të ardhur të raskapitur të drobitur, aq sa Kllogjeri në jug të Konispolit u kthye në një vend varrimi masiv, i çamëve pleq dhe fëmijë që nuk duronin dot, urinë dhe të ftohtit. Enver Hoxha i ka ndjekur Çamët më keq se greku: duke përdorur diskreminim dhe inskenime gjyqesh kundra çameve duke pushkatuar dhe burgosur pa faj, vetëm pse ishin çamë. Kjo pasqyrohet sot, kur në Shqipëri ka afërsisht gjysëm milioni çam dhe në parlamet ka 5 deputetë çam dhe asgjë nuk bëhe për rezolutëmn Çame. Ka akoma më keq, kur në Shqipëri vinë autoritete të qeverisë greke dhe thonë plot gojën se “Çamërinë nuk e njohin”. Kjo është një shuplakë e madhe që i jep greku Shqipërisë për pjesën e saj të Çamërisë me 15.000 km2., qeverisë, Akademisë së Skencave, pesë deputetëve çamë dhe 500.000 çamëve në Shqipëri. Për kujtesë: Përpara 10 vjetëve parlamenti dhe qeveria greke dërgoi rezolutën se “Çamëria nuk egziston”, të cilën e bëri të njohur në OKB, BE, dhe në Kongresin Amerikan. Parlamenti dhe qeveria shqiptare u tallën me “Rezolutën Çame” dhe peshkopi grek që ka uzurpuar Kishën Noliane, përplas duartë nga gëzimi.
Edhe unë Venetë. Që jam në vitet e dekadës së tetë, flas me indinjatë: Më fal Çamëri ... !
Nga Veneta Çallpani: “Çfarë mund të bëj unë për të shpëtuar nga kjo gjëndje Çamëria ime? ... Ah, sa do të doja të ishte vetëm e imja, kështu nuk do të lejoja askend të të lëndojë, nuk do të lejoja kurrë që ambicjet dhe etja për pushtet të coptojë dhe të luaje me ty, me njerëzit e tu, me dhimbjen dhe historinë tënde. Çfarë mund të bëj unë?! Do të doja shume të isha politikane, të kisha pushtet vetëm një minutë, sa për të pranuar atë rezolutë të krijuar nga ata që realisht të duan. ... Por nuk mundem, prandaj të kërkoj falje. Nuk mundem të bëhem si ata. Unë jam thjeshtë një vajzë, (edhe unë autori i këtij artikulli, sot jam një plak i ndjekur e i survejuar dhe i ndaluar për të shkruar. Librat që kam shkruar për ty, Çamëri janë të moshës 74 vjeçare e këndej. shën. im) që nga dashuria jote marr guzimin të qajë, të shaj, të vuajë, të flasë, të bërtasë dhe të shkruaje për ty. Më fal që mosha ime nuk më jep të drejtën të jem në parlament, por atyre kush ua jep të drejtën të luajnë me ty?! Vërtet mund të mos e pranojnë atë rezolutë, ama kjo gjë kurrë nuk mund të mohojë egzistencën dhe historinë tënde... Ndoshta një ditë, ata të cilët sot, me indiferencën e tyre hedhin poshtë një të vërtetë dhe një hap të guximshëm drejt saj, ata që sot heshtin kundrejt një padrejtësie, një ditë do të ankohen sërish, do të kërkojnë drejtësi, por atëhere mund të jetë shumë vonë...” Më fal Çamëri... Të lutem më fal që jam vetëm Një...” (Gazeta “ILLYRIA”, 19-12-2013, f. 15).
Jo Veneta jam edhe unë me ty. Mëso Veneta: se Ideatori platformës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, ka marrë mbështetjen e gjërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i takon projektit për kufijtë natyral të Shqipërisë dhe zhbërjes së Konferencës famëkeqe të Londrës. Platforma për Shqipërinë Natyrale, e cila ka trazuar Sërbinë, Maqedoninë sllave, Greqinë dhe Malin e Zi, ka gjetur mbështetje nga faktorë të rëndësishëm në SHBA.
Prej disa kohësh qarkullon në mediat amerikane, harta për bashkimin e trevave Shqiptare, produkt i ekspertëve të CIA amerikane, parashikohet ndreqia e padrejtësive historike ndaj Shqiptarëve. (Dossier< “Bota Sot”, NEËS, 12-12-2013, 07:33.) Mëso Veneta: Janullatosi është më shumë i avancuar, në vazhdimin e misionit të Shën Kozmait për greqizimin e Shqipërisë. Citojmë historianin Zhan Klod Faveirial: “Murgu Kozma, ka qënë tepër rrënimtarë për kombin shqiptar. Fakti ishte se ky ishte një agjent politik, duke shkuar nga fshati në fshat, nuk predikonte ungjillin, por kërcënonte me shkishërim nga patriakati grek të gjithë shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht. Arevantini thotë, se ai predikonte edhe kundër çifutëve, dhe se çifutët e denoncuan tek Kurt Pashë Berati dhe ky dha urdhër për ta vrarë duke e ngulur në hu, më 24 gusht 1779”. (“Historia e Shqipërisë”, f. 389). Janullatosi për nder të priftit Kozma (1714-1779) ka ndërtuar kisha të Kozmait në Mursi-Sarandë, Livadhja, në Aliko, Vrisera, Himarë, Çarçovë etj., në mirënjohje për punën e këtij prifti për asimilimin e shqiptarëve në shekullin e XVIII. Këto kisha nuk janë të rastësishme, por janë gur themeli për të shkruar historinë greke, se gjoja Greqia shtrihet deri aty ku shkeli këmba e Shën Kozmait. Gjatë këtyre dy dekadave Janullatosi ka ndërtuar 150 kisha të reja me stilin grek. (Gazeta “Dielli”, Janullatosi vazhdon misinin e Kozmait, 22-12-13) Prof. Dr. Eshref Ymeri shkruan: “...Gjatë gjashtëmujorit që vjen , Tirana zyrtare do të ndodhet nën presione të vazhdueshme të karnavalshtetit grek për falje hapësirash detare, për ngritje varrezash të tjera ushtarësh agresorë grekë, bashkë me manastiret dhe memorialet në ndërtim të tyre, që nga Karaburuni e deri në Elbasan, Pogradec e Korçë për të ashtuquajturat të drejta të minoritetit grek në Shqipëri, ... për vënien përsipër të gurit të rëndë Çështjes Çame, për përjetësimin e pushtetit të kishës shoveniste greke në Shqipëri ...” (//tribuna shqiptare.net/, 17-XII-2013). U kerkojmë falje të gjithë atyre të moshuarve që vdiqën me maraz, që nuk u kthyen në vatrat e tyre në Çamëri. A ka dhimbje më të madhe kur posta greke kufirit të kthen mbrapa moshatarët çamë, se nuk e njohin Çamërinë? Kur greket vinë me qindra e qindra për pelegrinazhe te varrezat e shqiptarëve të marrë kockat për ushtarë grekë. Aka më keq se kaq, të kësaj qeverie tradhëtare, që nuk i kërkon grekut reciprocitet. Atëhere mblidhuni çamë, unë do të jem i pari për të shkuar në Çamëri te shtëpitë tona, se të gjithë na ndjekin pas, kjo u pa me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, se sa patriotë dhe të bashkuar jemi . Disa muaj më parë, nisi firmosja e një peticioni për shfuqizimin e vendimeve të Konferencës kriminale të ambasadorëve në Londër, e cila në vitin 1913 coptoi trojet shqiptare, duke ua dhënë fqinjëve si dhurata. Peticioni, ka marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe nga e gjithë bota. Koha punon për Shqipërinë Natyrale, moj e respektuara Veneta !... Prandaj beso dhe shpreso, ashtu si gjithë ne, që jetojmë me shpirtin çam brenda shpirtrave tanë !...
Rasim Bebo Addison Çikago dhjetor 2013.

LETËRNJOFTIMET BIOMETRIKE TË KOSOVËS – TAKSË E TREFISHTË PËR QYTETARIN / KONSUMATORIN TAKSAPAGUES.


QEVERISË SË KOSOVËS / KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS MPB-së MAP-it MPMS-së MEF-it KOMISIONEVE PARLAMENTARE TË KUVENDIT TË KOSOVËS OMBUDSPERSONIT KMLDNJ-së MTI-së, DIVIZIONIT PËR MBROJTJEN E KONSUMATORIT DREJTORISË SË PËRGJITHËSHME TË PK AGJENCISË SË REGJISTRIMIT CIVIL MEDIUMEVE TË INFORMIMIT DHE GAZETARËVE

Qytetarët e Kosovës, konsumatorë / klientë të shërbimeve të Institucioneve / të Administratës shtetërore, pas problemeve procedurale e teknike, pas ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit Nr. 03/L-099 për letërnjoftime, më 09. Dhjetor, 2013 filluan të pajisen me letërnjoftime biometrike.


LNj biometrik përmbushë edhe kushtin për liberalizmin e vizave.

Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për letërnjoftime me numër Nr. 03/L-099 thuhet se është harmonizuar me kushtetutën dhe instrumentet ligjore. Por, nuk është thënë se është konsultuar qytetari / klienti / konsumatori taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit të Republikës së Kosovës. Nuk kemi njohuri të jetë mbajtur konsultimi / debati publik me komunitetin ose jo ?! Nëse për pagesën është vendosur në bazë të “ kontratës “ njëpalëshe atëherë del se nuk ka bazë juridike dhe si e tillë është e paqëndrueshme.

Më gjërësisht lexoni në attach.


25.12.12013.

Org. KONSUMATORI, Kosovë, Prishtinë.
Selatin Kaçaniku, kryetar ( ekspert për të drejtat, intereset dhe dinjitetin e konsumatorit; Mësimdhënës në Arsimin e lartë ).
ok.kosova@gmail.com,
044/200-458,

 ----------------------------
Qytetarët e Kosovës, konsumatorë / klientë të shërbimeve të Institucioneve / të  Administratës shtetërore, pas problemeve procedurale e teknike, pas ndryshimit  dhe plotësimit të Ligjit Nr. 03/L-099 për letërnjoftime, më 09. Dhjetor, 2013  filluan të pajisen me letërnjoftime biometrike.                                                                   Ministria e Punëve të Brendshme solemnisht filloi lëshimin e letërnjoftimeve biometrike të identitetit  të cilat i përmbushin kërkesat e fundit teknologjike dhe të sigurisë, të domosdoshme sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) dhe implementimit të protokolleve të sigurisë së lartë, siç është Supplemental Access Control (SAC).

LNj biometrik përmbushë edhe kushtin për liberalizmin e vizave. 
Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për letërnjoftime me numër Nr. 03/L-099 thuhet se është harmonizuar me kushtetutën dhe instrumentet ligjore. Por, nuk është thënë se është konsultuar qytetari / klienti / konsumatori taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit të Republikës së Kosovës. Nuk kemi  njohuri të jetë mbajtur konsultimi / debati publik me komunitetin ose jo ?!                                                     Nëse për pagesën është vendosur në bazë të “ kontratës “ njëpalëshe atëherë del se nuk ka bazë juridike dhe si e tillë është e paqëndrueshme. 
Kompania e kontraktuar nga MPB për furnizimin me letërnjoftime biometrike është kompania gjermane Giesecke & Devrient. Çmimi i përgjithshëm i projektit është 7 milionë e 800 mijë euro. Çmimi që do të paguaj akcili qytetar aplikant për t u pajisur me letërnjoftim biometrik është 10 € ndërsa kostoja e prodhimit nuk është bërë publike. Kostoja e prodhimit të LNj është shumë më e ulët dhe mundëson diferencë të konsiderueshme në çmim / kosto. Kjo diferencë në çmim do t i sjellë përfitime materiale / finansiare MPB-së e cila nuk është e regjistruar për të bërë biznes.                                                                                                                            
Na lejoni ta dëshmojmë këtë:                                                                                                              Çmimi i përgjithshëm i projektit është 7 milionë e 800 000 € ndërsa përafërsisht  1.8 MLN banorë të Kosovës që do të pajisen me këto dokumente të reja. Nëse llogarisim 1.8 milion banorë x 10 € për një letërnjoftim = rezulton se MPB do të inkasojë 18 MLN €, shifër që shfaqë  koston e përgjithshme të këtij projekti.

Duke u mbështetur mbi faktet le ta kemi parasyshë edhe faktin se Qeveria, sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë gjermane, do të paguaj 7.8 MLN € para të taksapaguesve të Kosovës, për të pajisur qytetarët e Kosovës me letërnjoftime biometrike. Llogaria e re rezulton kështu: 18 MLN € – 7.8 MLN € të kontraktuara = 10.2 MLN € suficit / profit nga ky projekt!

Sipas kësaj matematike del se Buxheti i Shtetit do të përfitojë nga realizimi i këtij projekti shumën prej 10.2 MLN € në kurriz të taksës që do ta paguajnë qytetarët e Kosovës. Nëse kemi parasyshë edhe faktin se klienti / konsumatori taksapagues është kontribuesi kryesor edhe për arkën e MPB-së; Se duhet të paguajë edhe për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për LNj biometrik; Se qytetarët / klientët / konsumatorët nga viset rurale kanë edhe shpenzime tjera atëherë nuk është vështirë të llogaritet se LNj biometrik na kushton  shumë më shtrenjtë seq është deklaruar.
Qeveria e Kosovës, nëpërmes trajtimit interaktiv të çështjes, e në veçanti MPMS është, dashtë t i ketë parasyshë kategoritë sociale. Një familje ( mesatare me 6 anëtarë ) e cila merr 45 €/muaj do ta ketë barrë të rëndë ndarjen e mbi 80 € për t u pajisur me LNj biometrik – që është dokument i obligueshëm personal !  Asgjë më lehtë nuk do ta kenë as kategoritë tjera, as pensionistët, të cilëve, pasi të furnizohen me medikamentet e nevojshme ju mbetet mjerisht pak para për t u pajisur me LNj biometrik, për ta rimbushur Arkën e Shtetit ( lexo MPB-së ) e për t i mbuluar, në të shumtën e rasteve, edhe shpenzimet e paarsyeshme.                           
Ka forma e trajta, nëse duam, për të gjetur zgjidhje të duhur. Ka mundësi për të ulur koston. Nëse do të na jipej rasti edhe ne si qytetarë e Shoqëri Civile, në veçanti si klientë të shërbimeve në fjalë, konsumatorë taksapagues, do të “ shkrinim mend “ dhe me kënaqësi do t i ndihmonim Qeverisë, MPB-së, ARC-së, MPMS-së.                                                                                                            Kategoritë sociale duhet liruar nga pagesa ndërsa kategoritë me aftësi pagese nuk duhet detyruar me çmime të larta. Sepse, e thamë, MPB-ja nuk është e regjistruar për biznes dhe edhe ashtu varet nga taksat tona me të cilat e gjenerojmë Buxhetin e Republikës së Kosovës nga e cila finansojmë edhe MPB-në, edhe Komunat, edhe ARC-në, edhe…                                    
Qeveria e Kosovës, MEF-i e ATK-ja, MTI-ja duhet t i konsultojnë Ligjet në fuqi dhe të shqyrtojnë e shpjegojnë të drejtën e bërjes ose jo biznes me LNj biometrike të MPB-së në raport me qytetarin / klientin / konsumatorin taksapagues dhe gjenerues kryesor të Buxhetit të Kosovës ?!
25.12.12013.

Org. KONSUMATORI, Kosovë, Prishtinë.
Selatin Kaçaniku, kryetar ( ekspert për të drejtat, intereset dhe dinjitetin e konsumatorit; Mësimdhënës në Arsimin e lartë ).
ok.kosova@gmail.com,

044/200-458,

Maqedonia do të përfshihet nga trazira dhe protesta masive


Maqedonia do të përfshihet nga trazira dhe protesta masive














Maqedonia është një nga vendet që në vitin 2014 mund të përfshihet nga trazira sociale dhe protesta masive.
Prestigjiozja britanike “The Economist” shkruan në një analizë të saj se arsyet që mund të nxjerrin njerëzit në rrugë janë papunësia, tensionet etnike, pabarazia sociale dhe rënia e të ardhurave.
Maqedonia bën pjesë në grupin 56 vendeve me rrezik të lartë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe  Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania, raporton agjencia e lajmeve INA.
Ndërkaq, Greqia dhe Bosnjë Hercegovina cilësohen si vende me rrezik shumë më të lartë, konkludon revista e njohur britanike “The Economist”, në rangimin e saj të fundit për rreziqet botërorë gjatë vitit të ardhshëm.
Laza Kekiç nga Njësia e Inteligjencës e “The Economist”, thotë se rënia e të ardhurave dhe papunësia e lartë nuk kanë sjellë gjithnjë protesta. Por kur problemet ekonomike shoqërohen me elementë të tjerë, rreziku për destabilitet është i lartë. Këto elemente qeveria e dobët, pabarazia sociale, niveli i ulet i shërbimit social apo tensionet etnike. Theksohet se veçanërisht erozioni i besimit tek qeveritë dhe institucionet, pra një krizë e demokracisë, janë shkaqet kryesore që po shkaktojnë trazira kohët e fundit.
Njësia e inteligjencës ka matur rrezikun e trazirave sociale në 150 vende, duke i ndarë në 5 kategori. Ato me rrezik tepër të lartë, me rrezik të lartë, të mesëm, të ulet dhe shumë të ulët.
Teksa nënvizon se fatet e ish –presidentit egjiptian Muhamet Morsi dhe të kryemistrit tunizian Ali Larajed janë pika referimi, “The Economist” ngre pyetjen se kush do të jenë udhëheqësit që do të paguajnë për politikat dhe qëndrimet e tyre? Pra ku do të shpërthejnë protestat vitin e ardhshëm?
Në krahasim me pesë vjet më parë, 19 vende më shumë janë shtuar në kategorinë e rrezikut të lartë, nga Lindja e Mesme, në Afrikën e Veriut, Europa Jugore dhe Ballkani, si rajone veçanërisht të ndjeshme.
Këto parashikime nuk janë të pagabueshme, -vëren “The Economist”. Por revista shpjegon se Tajlanda ishte identifikuar si vend me nivel të mesëm të rrezikut për protesta dhe ditët e fundit protestuesit rrethuan shtëpinë e kryeministrit, pas demonstratave që shpërthyen në nëntor vetëm se Dhoma e Ulet e Parlamentit kaloi një projekt –ligj te debatueshëm për amnistinë.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...