Lavdim Hamidi
Hashim Thaçi mund të krahasohet lirisht me homologun kinez Li Keqiang për numrin zëvendëskryeministrave dhe ministrave. Pavarësisht këtij krahasimi, Li është në krye të Qeverisë së një shteti shumëfish më të madh për nga numri i banorëve dhe nga një ekonomi shumë më të zhvilluar se e Kosovës, e cila viteve të fundit ka arritur të ngjitet në krye të listës së eksportuesve më të mëdhenj botërorë.
Me emërimin e ministrit të ri të Shtetit, Milan Zdravkoviq,numri i ministrave në Qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi ka arritur në 20, pa i llogaritur këtu edhe 6 zëvendëskryeministra dhe hiç më pak se 41 zëvendësministra.
Ndërsa qeveria kineze, e cila udhëhiqet nga Partia Komuniste ka 4 zëvendëskryeministra dhe 23 ministra, derisa për nga numri i banorëve jemi të pakrahasueshëm me Kinën, përkatësisht 1.35 miliardë banorë ka kjo e fundit, ndërsa Kosova nuk i ka as 2 milionë banorë.
Në një shtet të vogël si Kosova dhe të pazhvilluar ekonomikisht është i pakuptimtë që një qeveri të ketë 20 ministra dhe 41 zëvendësministra, apo 3 zëvendësministra në një Ministri, e cila realisht nuk ka punë as për njërin prej tyre.
Mirëpo, zgjerimi i qeverisë me ministra të rinj, duke ua plotësuar dëshirat e partnerëve të koalicionit, po bëhet vetëm për qëllime elektorale, duke i përdorur kështu institucionet shtetërore për mobilizimin e votave në prag të zgjedhjeve lokale e nacionale.
Para se të vendosë për rritjen e numrit të ministrave dhe zëvendësve të tyre, kryeministri Hashim Thaçi është dashur të mendojë më racionalisht në shpenzimin e parasë publike, duke e bërë riorganizimin e ministrive, pasi që edhe ashtu ka shumë të tilla që janë ngarkesë për buxhetin e cekët të Kosovës.
Vetëm për pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave, buxheti i Kosovës brenda vitit shpenzon rreth 1 milion euro në vit, pa i llogaritur këtu edhe shpenzimet për derivate, telefona,udhëtime zyrtare,..., të cilat hyjnë në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Këtë luks nuk e kanë as shumë vende të rajonit, të cilat janë shumë më të zhvilluara ekonomikisht se Kosova.
Mund të thonë pushtetarët tanë se ky krahasim është banal, pasi që Republika Popullore e Kinës udhëhiqet me dekada nga Partia Komuniste, ndërsa në Kosovë kemi një qeveri “demokratike”, një kryeministër të dalë nga zgjedhjet e lira dhe krahasimi me këtë shtet të largët aziatik është joreal, prandaj po ndalemi për krahasime edhe me vendet e rajonit.
Ta zëmë Qeveria e Sllovenisë, i cili shtet ka numër të njëjtë të banorëve me Kosovën, ka vetëm 3 zëvendëskryeministra dhe 10 ministri, ndonëse GDP-ja për kokë banori është dhjetë fish më e lartë se në Kosovë.
Ndërsa në Qeverinë e Kroacisë, e cila prej 1 korrikut 2013 është bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe që ka 4.3 milionë banorë, janë katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.
Pa u krahasuar kështu me Kinën, por me Kroacinë e Slloveninë, numri i ministrive në Qeverinë e Kosovës nuk do të duhej të ishte më i madh se dhjetë dhe në këtë mënyrë institucionet nuk do të shndërroheshin në “baushtellë” për partnerët e koalicionit dhe militantët partiakë. Dhe në prag të zgjedhjeve kryeministrit Hashim Thaçi nuk do të duhej t’i shkonte mendja për zgjerim të qeverisë, por për tkurrje të saj.