2013-12-26

Shqipёri : Sekretet e Lazaratit apo ‘Peshqit e mëdhenj’ përfitojnë.

Sekretet e Lazaratit
Krejt e qetë në pamje të jashtme, por e penduar thellë dhe me lotët ndër sy. Kështu shfaqet Merita B., 42 vjeçe, gruaja nga Lazarati, e cila duket se po mban mbi supe peshën e rëndë të përgjegjësisë së fshatit të vogël, i konsideruar si ‘njolla e zezë’ e Shqipërisë. Meritën e gjejmë në ambientet e burgut 325 në lagjen “Ali Demi”, ku vuan dënimin për kultivim lëndësh narkotike. “Ja ‘bëmat’ e Lazaratit, po i vuaj unë. ‘Peshqit e mëdhenj’ përfitojnë. Shteti e lë vetë Lazaratin në atë gjendje dhe policia nuk do që të ndërhyjë. Po të duan, për 24 orë e bëjnë shkrumb e hi”, - thotë Merita.
Në fakt, shumicën e kohës qëndron e heshtur dhe vëzhgon me kujdes çdo lëvizje. Duket se diçka e mundon, mbase fakti që ndodhet prapa hekurave për mbjellje hashashi, në një kohë kur në Lazarat, ditën për diell, nën sytë e të gjithëve, madje dhe policisë, ‘peshqit e mëdhenj’, siç i cilëson ajo, korrin ‘frytet’ e një biznesi të madh që gjeneron miliona. “Përse nuk ndërhyn policia? E dinë vetë ata, nuk duan, jo se nuk munden”, - këmbëngul Merita, e cila befas, vendos të flasë, të ndajë me të gjithë historinë e saj, që e mban të kyçur prapa hekurave, në një kohë që në qeli duhej të ishin ‘baronët’ e drogës, që mbajnë të “ngërthyer” fshatin, citon Ballkan Web.


(Foto: Merita B.)

Nëna e dy fëmijëve është e ndërgjegjshme se ka kryer krim dhe me kokën ulur thotë se do ta vuajë këtë dënim, por shfryn kur shprehet se “në Lazarat të gjithë mbjellin hashash, por vetëm unë vuaj burgun”. “Nuk duhej të isha vetëm unë në burg. Nuk pata asnjë përfitim”

Merita, për çfarë akuze je dënuar? Jam dënuar për kultivim bimësh narkotike. Jam nga Lazarati, po vuaj fajet e një fshati.

Prej sa kohësh ndodheni në burg? Jam dënuar në vitin 2007 dhe jam arrestuar në vitin 2012.

Pra pesë vite keni jetuar në arrati. Si arrinit t’i fshiheshit policisë? Nuk kam jetuar në arrati. Kam jetuar në shtëpinë time në Lazarat. Policia thoshte se jam në arrati, unë kam qenë në shtëpi. Më arrestuan pas pesë vitesh, atëherë kur deshën ata, jo se unë fshihesha. Atëherë kur u interesoi, erdhën dhe më arrestuan. Pastaj arrestimi im ndodhi dhe për politikë. Unë gjithmonë kam mbështetur të majtën, Partinë Socialiste, dhe më gjetën mua, më morën.

Ju jeni nga Lazarati, nga fshati që nuk besoj të ketë njeri të mos ketë dëgjuar për të. A mund të na rrëfeni se çfarë ndodh në atë fshat? 
Unë e kam pranuar se kam mbjellë hashash. E mbolla në fshat, aty ku të gjithë mbjellin hashash. E bëra nga halli, sepse kisha burrin të shtruar në spital në Selanik dhe mendova se ishte e vetmja zgjidhje për të bërë lekët për kurimin e tij. Por vetëm unë jam këtu në burg, po vuaj dënimin. Ndërsa ‘peshqit e mëdhenj’ janë të lirë, edhe pse kanë përfituar e përfitojnë nga hashashi i Lazaratit.

Çfarë ju mundon më shumë këtu në burg? Më mundon fakti se po vuaj fajet e një fshati.

Duke qenë nga Lazarati, ju e njihni shumë mirë fshatin. Kaq e vështirë është të ndërhyjë policia? Policia nuk do të ndërhyjë. Po të dojë, e bën shkrumb e hi fshatin për 24 orë. E lënë vetë ata, e dinë fort mirë përse.

Sipas jush, përse ndodh kjo? Për mendimin tim policia nuk do të ndërhyjë, sepse vetë shteti përfiton nga droga e Lazaratit. ‘Peshqit e mëdhenj’ marrin përfitime dhe, kush bën burg? Ai që është i pambrojtur. Unë e mbolla vërtet hashashin, por nuk mora asnjë përfitim.

Kush janë këta ‘peshqit e mëdhenj’? E di policia kush janë. Unë nuk mund ta them një gjë të tillë, nuk mund të flas për emra.

Keni frikë? Nuk kam frikë nga askush. Kam frikë vetëm nga Zoti. Por, policia i di të gjitha. Shteti e lë vetë Lazaratin në atë gjendje.

Po politika, ka lidhje me Lazaratin? Patjetër që po, sepse të gjithë marrin pjesën e tyre, por s’më takon mua të flas me emra.

Sipas policisë, ndërhyrja në Lazarat është shumë e vështirë. A ndodh realisht kështu? Nëse do, shteti ndërhyn në Lazarat e kudo; besoj se nuk është në interesin e “peshqve” që të ndërhyhet.

Përse qenka kaq e vështirë të ndërhyhet në Lazarat?!  Pasi të vuani dënimin, do të ktheheni të jetoni në Lazarat? 
Patjetër që po! Aty kam shtëpinë, kam jetën time. Aty do jetoj, por kurrë nuk do ta përsëris atë gabim që më shkatërroi tërë jetën. As nuk e mendoj të mbjell më kanabis. Është një gabim që e bëra një herë dhe po e vuaj, edhe pse jam gruaja e vetme që po e vuaj. Ne u dënuam plot 26 vetë, por vetëm unë erdha në burg.

Çfarë ju mungon më shumë nga jeta jashtë? Familja, dy fëmijët e mi. Por më shumë më shqetëson fakti se vajza ime 16 vjeçe është në moshën më delikate dhe nuk më ka mua pranë.

Ke shpresë për falje nga presidenti? Nuk shpresoj aspak, pasi akuza për të cilën jam dënuar konsiderohet e rëndë. E kam bërë kërkesën, por jam e ndërgjegjshme që nuk e përfitoj. Gjithsesi, shpresa si i thonë vdes e fundit.  /GazetaShqiptare/Indeksonline/

Prej ditës që jeni arrestuar, keni përfituar leje shpërblyese? Kam përfituar ulje dënimi, kam marrë dhe leje shpërblyese. Isha në shtëpi kur ndodhi arratisja në burgun e Drenovës. Kisha tri ditë që kisha dalë. Nuk e mbarova dot lejen, më thanë që duhej të kthehesha dhe u ktheva.

Si e kalon kohën në burg? Jam e punësuar në bibliotekë dhe më duket sikur aty e kaloj kohën më mirë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...