2013-12-23

ASHAK-Fjalori Enciklopedik të Kosovës


Ka përfunduar faza e parë e projektit afatgjatë për hartimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, në të cilin janë përfshirë të gjitha seksionet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami ka deklaruar se projekti i punimit të Fjalorit Enciklopedik është ndarë në dy faza të cilat sipas tij janë të domosdoshme për tri arsye.

Ai ka thënë se arsyeja e parë ishte se një fjalor enciklopedik për Kosovën, paraqitej si nevojë më emergjente, në mungesë të një botimi të këtillë me të dhëna burimore për vendin. Ndërkohë, arsyeja e dyta ishte se duke realizuar një projekt më të vogël bëhet e mundur që në proces e sipër të krijoheshin edhe strukturat institucionale dhe profesionale, të domosdoshme për një punë afatgjate enciklopedike dhe arsyeja tjetër, siç ka thënë Islami, është se duke realizuar projektin e fjalorit enciklopedik, krijohet baza e të dhënave për punën e mëtejshme enciklopedike.

Në hartimin e këtij projekti afatgjatë të ASHAK-ut, raporton kultplus, është punuar edhe në tri versione të fjalësit të zërave. Versioni i parë përfshin 6945 zëra, versioni i dytë 5992 zëra si dhe në versioni e tretë përfshihen 6040 të tilla.

“Tash jemi në fazën kur kemi përfunduar hartimin e fjalësit të zërave te Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, logjistikën mbështetëse e kemi, puna do të funksionalizohet këtu në qendrën leksikografike enciklopedike te akademisë, e kemi edhe mbështetjen financiare të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës. Në platformën për hartimin e enciklopedisë, fjalorit enciklopedik e kemi thënë shprehimisht se të drejtën ekskluzive të posedimit të shfrytëzimit dhe të publikimit të të dhënave të krijuara përmes këtij projekti e ka vetëm Akademia e Shkencave”, ka thënë Islami.

Ndërkohë, akademiku Mehmet Kraja, i cili është kryeredaktor i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, ka theksuar se puna rreth këtij fjalori, ka filluar me miratimin e projektit nga strukturat e Akademisë dhe me hartimin e platformës. Ai ka deklaruar më tutje se sipas kësaj platforme, ngritja e strukturave organizative është bërë në bazë të planit afatgjatë të Enciklopedisë së Kosovës.

“Së këndejmi, strukturat e ngritura pranë Akademisë janë struktura të Enciklopedisë së Kosovës, të cilat aktualisht janë të angazhuara në një projekt fillestar, më emergjent dhe më të përshtatshëm për t’u realizuar në këtë fazë. Këto struktura janë, Bordi, Këshilli, Redaksia dhe redaksitë e fushave të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Veçmas u desh një punë e gjatë organizative për ngritjen e redaksive të fushave. Të tilla janë plot 24, me nga një redaktor dhe dy anëtar redaksie.”, ka thënë në fund Kraja.

Bashkëpunëtorët e angazhuar në këtë projekt janë kryesisht anëtarë të Akademisë, ose profesorë dhe punëtorë të njohur shkencorë të UP-së dhe të instituteve shkencore të shtetit të Kosovës. Krahas shqipes një pjesë e Fjalorit Enciklopedik do të botohet edhe në gjuhën angleze.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...