Eqerem Canaj, një poet-shkrimtar me një individualitet të befasishëm




Prof.Dr.sci. Eshref Ymeri



Kishte shumë të drejtë zoti Broz Simoni

Më 2 tetor 2013 unë pata botuar në faqen e internetit një artikull me titull “Rruga e mundimeve e ndërakademikëve të papunë”, në të cilin ndalesha në problemin e rishikimit të kodit drejtshkrimor të gjuhës shqipe, të cilit i paska hyrë një grup ndërakademikësh dhe merrja në analizë veprën shkencore të prof.dr. Rami Memushaj me titull “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”, të botuar në Tiranë në muajin shtator që lamë pas. Në atë artikull unë nënvizoja edhe faktin që, për faj të Akademisë së Shkencave, ne sot nuk kemi një fjalor të pasur të gjuhës shqipe, të paktën me 100 mijë fjalë.



             Rami Memushaj 

Ndaj artikullit tim kishte reaguar me të drejtë zoti Broz Simoni, i cili, në rubrikën “Komente” të gazetës internetike “Tribuna Shqiptare” të moderatorit dhe të publicistit të nderuar atdhetar të diasporës shqiptare, zotërisë Ajet Nuro, theksonte se mjaft fjalë të bukura të dialektit të gegërishtes mungojnë në fjalorin e gjuhës shqipe. Madje ai citonte edhe fjalë konkrete.





Pas këtij reagimi të zotit Broz Simoni, menjëherë më erdhën ndër mend ca rreshta të një kënge të bukur popullore të trevave të Labërisë, në të cilën figurojnë ca fjalë që nuk hasen në asnjë fjalor:
Në atë këngë bëhet fjalë për një debat të nënës me të bijën, e cila, në mbarim të ditës, kur sapo kishte rënë errësira, del nga shtëpia fshehurazi, pa lejen e nënës (se babai ishte me bagëti në mal), dhe shkon të takojë të dashurin e saj në një lëmë aty pari.

Kur kthehet, nëna e pyet se ku ishte dhe e bija i tregon të vërtetën. Dhe, në debat e sipër, sipas tekstit të këngës, nëna, e inatosur, i thotë:

Ç’më thua, moj bijë, moj nure,
Ç’është ky haber që më prure,
Ç’paske bërë kështu, moj thure,
Ç’paske bërë, moj sulë, moj natë,
Do të të qortojë yt atë.

Siç shihet, vetëm në një strofë me pesë vargje, gjenden tri fjalë që nuk figurojnë në asnjë fjalor: thure, sulë dhe natë. Që të tria këto fjalë kanë të njëjtin kuptim, janë sinonimike. Me fjalë të tjera, moj thure (moj sulë, moj natë) do të thotë: moj derëzezë, moj fatkeqe, moj korbë, moj e mjerë, moj qyqe, moj e shkretë, moj e zezë.

Për “zhvarrosjen” e pasurisë leksikore të gegërishtes, ka bërë një punë të përmasave akademike zoti Mehmet Elezi, duke botuar para disa vjetësh një fjalorë të pasur me 41 mijë fjalë. Po sa e sa fjalë të dialektit të toskërishtes vazhdojnë të mbeten “të varrosura”?!

Ndërhyrja e zotit Broz Simoni, më bëri të sjell në kujtesë veprën letrare të poet-shkrimtarit të talentuar vlonjat, zotërisë Eqerem Canaj, një krijues i thjeshtë ky si e vërteta, për të cilin kritika “e madhe” letrare e Tiranës, deri tani nuk e ka thënë fjalën e vet.

Që këtu e ca vite të shkuara pata lexuar romanin “Njeriu me nofulla të hekurta” të këtij poet-shkrimtari me një individualitet origjinal. Më pas pata lexuar përmbledhjen me tregime dhe novela me titull “Legjenda e Marsidës”, librin “Romani i një urtaku” dhe tani së fundi romanin “Metastazë në blu” dhe përmbledhjen poetike “Gjethi i kuq”.

Poet-shkrimtari Eqerem Canaj e ka lidhur vërtetësinë e realitetit që përcjell në veprën e vet me shtresëzimet e një stili të papërsëritshëm që e shpërfaq me një shpirt krijues të jashtëzakonshëm. Gjuha e tij vjen e përfton disa shtresëzime stilistikore që ndërkëmbehen herë me finesën e gjuhës së latuar letrare, herë me rrëfimtarinë e pasur të gjuhës dialektore. Kësisoj realiteti shqiptar i përcillet lexuesit përmes një mjedisi gjuhësor të kristalizuar.

Në të njëjtën kohë, në veprën e tij dalin në spikamë të gjitha ngjyrimet semantike dhe ekspresive të regjistrit gjuhësor.

Veç kësaj, duhet theksuar domosdoshmërisht frymëzimi tepër karakteristik që e dallon poet-shkrimtarin Eqerem Canaj tek endet në krahët e fantazisë së tij krijuese. Frymëzimi i tij nuk është gjë tjetër, veçse një ndjesi e gjallë, një dhuratë qiellore, një rreze drite e dërguar nga Hyjnia.

Si një krijues me një talent të veçantë, Eqerem Canaj mbetet poet edhe në prozë, e cila të mahnit me elegancën e saj. Frymëzimi i tij lind nga kontaktet me jetën që i nxit pasionin krijues, i cili, si prushi mes hirit, vjen e përflaket nga flladi i fantazisë.

Kjo është edhe arsyeja që në prozë-poezinë e tij çdo fjalë lind një mendim, çdo mendim na jep një tablo, çdo tablo na nxit një ndjenjë, çdo ndjenjë na përcjell një shprehje herë të hyjnishme, herë të përndezur, herë plot freski.

E reja ose e pazakonta e ndjenjave që shpreh ky autor në krijimtarinë e vet, qëndron në faktin se ai, me shprehjet, ngjasitë, ndjenjat apo tablotë që përcjell me penën e vet, i lë lexuesit gojëhapur deri në mahnitje.
Fjala ka një autoritet të jashtëzakonshëm në penën e këtij poet-shkrimtari. Sqima e tij është befasuese në përzgjedhjen e fjalëve. Fjala e tij është tërësisht e tabanit kombëtar.

Krijimi i fjalëve të reja me brumin e shqipes sonë hyjnore duhet të shërbejë si shkollë për të gjithë krijuesit tanë të rinj. Pasuria leksikore që sjell në gjuhën shqipe ky autor i talentuar, duhet të tërheqë vëmendjen e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Sot, për fat të keq, nuk organizohen më ekspedita gjuhësore për skedimin e fjalës shqipe. Megjithatë, qëmtimi i fjalëve të reja nga veprat e këtij shkrimtari, nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së sektorit të leksikografisë të Institutit të lartpërmendur.

Santa Barbara, Kaliforni
26 dhjetor 2013

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)