​Prof.dr.Fatmir Sejdiu i gatshëm të kthehet në krye të LDK-së



Kush është Fatmir Sejdiu?


Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë, komuna e Podujevës, Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Podujevë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, më 1974, ku ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare, si dhe ka mbrojtur disertacionin e doktoratës. Ishte mësimdhënës në Fakultetin Juridik dhe në atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës me thirrjen e profesorit ordinar për 33 vjet me radhë. Për studime të thelluara ka qëndruar në Francë (Universiteti “Paris 2”, në vitin 1984, në Seksionin e Historisë së Institucioneve të Ekonomisë, Filozofisë dhe Sociologjisë të së Drejtës) dhe në SHBA (Arizona State University, për 4 muaj), si dhe ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore në universitete të tjera. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike – historike dhe juridike - kushtetuese, si dhe libra të veçantë nga këto fusha.

Më 28 qershor iu dha çmimi “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës në Shqipëri.


Fatmir Sejdiu ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor, në vitin 1991, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992 anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së. Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për pavarësinë e Kosovës të mbajtur më 1991.

Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese. Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, në të cilat cilësi është rizgjedhur sërish më 2004. Ishte, po ashtu, anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike dhe i Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese.

Më 10 shkurt 2006, Prof.Dr. Fatmir Sejdiu u zgjodh President i Kosovës. Më 9 janar 2008 u rizgjodh në mandatin e dytë President i Kosovës.

Komunikon në frëngjisht dhe anglisht. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Prishtinë.





Parashikimet për zgjedhjet i kanë dal thuajse në të gjitha komunat. Mendon se Isa Mustafa vet ka faj që e humbi kryeqytetin dhe edhe LDK-në nuk po e udhëheqë si duhet. Shprehet i gatshëm të kthehet në krye të kësaj partie dhe flet se kur ky ka kundërshtuar gjashtë pikëshin dhe se ka pasur të tjerë që e kanë pranuar atë. Në një intervistë për KosovaPress, ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e pranon për herë të parë se ka pasur njerëz që janë pajtuar me gjashtëpikëshin dhe asi që janë pajtuar me bisedime paraprake, e kjo po vërehet tani, e që sipas tij, nuk kanë qenë të autorizuar për këtë. Zgjedhjet e fundit i quan të mira dhe mendon se ka pasur këndellje të qytetarëve. Për Kushtetutën e vendit thotë se nuk duhet ndryshohet sipas kërkesave të pakicave dhe nëse bëhet është tejet e rrezikshme. Madje Sejdiu thotë se LDK-ja ende nuk e ka bindur me qëndrimet e saj për bisedimet dhe statusin dhe se mund të kthehet në krye të saj, nëse anëtarësia e LDK-së e kërkon. Për Ligjin për Amnisti thotë se do e ndryshonte dhe se duhet pasur kujdes me të.

Zgjedhjet lokale 2013

Pajtohet se ishte proces më i mirë dhe më i rregullt se të kaluarat dhe, po ashtu, e konsideron si një përgjigje reale për rrethanat dhe vullnetin politik të qytetarëve. Edhe KQZ-ja dhe institucionet e sigurisë mendon se patën ndikim, por, përmend çka ndikoi më së shumit. “Ka shumë faktor që kanë ndikuar, mbase lodhja e qytetarëve me ballafaqimin me rezultat tjetër nga ajo që mund të ketë qenë dhe që ka qenë realisht vullneti i tyre, e dyta mendoj se jemi në një fazë të re të zhvillimit shtetërorë dhe juridik të shtetit të Kosovës në kuptimin e një interesimi më real dhe më praktik të faktorëve të rëndësishëm me peshë që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve, por edhe të subjekteve politike që u është ngushtuar të them atyre që kanë pasur afinitete për të abuzuar me proceset apo partizanët e tyre si dhe e treta, mund të jetë element i rëndësishëm prezenca ndërkombëtarëve që ka qenë më e angazhuar se herët e mëparshme”, thotë ai. Uron që kjo përvojë e mirë e këtij lloji, edhe pse, sipas tij, lë shumëçka për të dëshiruar, që të bëhet më mirë, të jetë uvertyr për proceset e ardhshme zgjedhore në mënyrë që vullneti politik i qytetarëve të vijë në vend.

Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve lokale?

Fatmir Sejdiu vlerëson se fitues ishte qytetari dhe se partitë po flasin për shifra që nuk qëndrojnë. Përmend partitë me radhë ku thotë se PDK-ja ka pasur rënie e LDK-ja e ka humbur qendrën që secili do e donte, Prishtinën. Sejdiu vlerëson se qytetarët u janë përgjigjur kryetarëve të deritanishëm dhe se është hapur një mundësi e mirë që qytetarët të votojnë atë që duan. Thotë se Isa Mustafën e ka paralajmëruar duke e parë shkëputjen totale me qytetarët dhe mendon se këta të fundit i dhanë përgjigje për sjelljet që kishte. “Në shifra përfundimtare e shohim se ka ngritje dhe rënie, por ato nuk janë për të nxjerrë një kurajo të fuqishme siç janë tani. Këtë e gjejmë tek secila parti politike, ndonjë prej tyre ka shprehur pakënaqësitë e ndonjë e ka gjetur surprizën e parë se kemi një element të tillë. Shohim se tek PDK-ja nuk është ajo shifër e votuesve që ka pasur më herët, dihet rrethanat se çfarë ajo mund të ketë rezultuar për shkak të përplasjeve të mëdha, dihet edhe një rezultat pak më tjetër tek AAK-ja, po ashtu tek LDK-ja konsiderohet se është shtuar një numër i konsideruar i votuesve që duhet të lidhet edhe me numrin e shtimit të votuesve të përgjithshëm në Kosovë por është humbur kryeqyteti që është një nga qendrat më të rëndësishme që ka dhe ambicie ta mbaj secili subjekt politik dhe e treta që nga kjo të gjejmë një satisfaksion të përgjithshëm që duhet të mobilizohet secili nga subjektet për të plasuar idenë e vet dhe projektin e vet”, thotë ai.

Procesi i njohjeve!

Pranon se asnjëherë nuk ka pritur që të arrihen 100 njohje shumë shpejtë, por beson se vendet më të fuqishme e kanë njohur dhe sfidë kanë mbetur pesë vendet e BE-së. Thotë se zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe diplomacia edhe më aktive do ndikonin shumë në njohje të reja. Këshillon që të lihen lëvdatat e të punohet për njohje të vendit. “Ka edhe çështje që janë të varur nga puna jonë, them se shumë çështje që lidhen me zhvillimin e brendshëm që kanë të bëjnë me aspektet ekonomike, me aspektet e sundimit të ligjit edhe në aspektet e një diplomacie edhe më aktive në sferën ndërkombëtare duhet të punohet më shumë, gjë që ka munguar. Më shumë ka pasur rrahagjyksje sesa punë dhe kjo ka bërë dëme, dëme ka bërë edhe gara se kush po sjellë njohje më shumë. Për ne është e rëndësishme njohja e Kosovës jo për njerëzit trumbetues të takimeve apo garancive”, thotë ai.

Bisedimet!?

Kur flet për bisedimet, për herë të parë deklaron se ka pasur njerëz që kanë përkrahur gjashtë pikëshin dhe të tillë që kanë qenë pajtuar në bisedime paraprake të paautorizuara dhe jo mbi bazën institucionale. “Serbia ka pasur qëllim komprometimin e gjithë kësaj që kemi arritur deri më tani, realisht ka arritur që të bëjë pengesa të shumta, të shkaktojë pasoja të shumta dhe të mbaj pezull ecjen e proceseve tona të përgjithshme. Prandaj, në këtë kuadër unë them se ajo pjesë e trysninë ka qenë edhe më herët. Unë me këmbëngulësi kam qenë kundër asaj politike apo atyre ideve që kanë qenë të shfaqur në gjashtë pikëshin, këtë nuk e them se si i tillë tek disa vende nuk ka qenë ideja apo ndjenja e mirë, por ka pasur edhe në këtë kuadër ndonjë prej vendeve që mund të jetë një diçka që në një formë apo tjetër do të kapërcente këtë rubikon. Ka pasur bisedime, ka pasur të tjerë që janë pajtuar me idenë, e them për herë të parë, ka pasur të tjerë që i shohim tash në komunikimet e vonshme që në një formë apo formë tjetër kanë qenë pajtuar në bisedime paraprake të paautorizuara dhe jo mbi bazën institucionale që mund të ndërtohet edhe ndonjë mekanizëm tjetër që të rehatohen komunitet pakicë”, thotë ai. Nuk flet kush kanë qenë ata, por premton se një ditë do të shpalos edhe emrat e secilit. Kur flet për ndryshimet e Kushtetutës thotë se ajo mund të bëhet vetëm me vullnetin e shumicës së popullit. “Kushtetuat në procese normale mund të ndryshohet me atë që është vullnet i përgjithshëm i qytetarëve të vendit, të studiohet mirë ajo punë, nga të gjithë faktorët politik që e bëjnë vendin dhe në atë situatë të ipet një rezultat, por të bëhet Kushtetuta vetëm pse kemi një ide apo kërkesë të një grupi të caktuar dhe për atë hatër të bëhet dhe të ndryshohet karakteri i asaj që është ndërtuar deri tash, është e rrezikshme”, thotë ai.

Ligji për Amnisti

Sejdiu shpjegon se çdo ligj që Presidenti nuk e nënshkruan brenda tetë ditësh ai hyn në fuqi, por thotë se duhet pasur kujdes që me Ligjin për Amnisit të mos amnistohet krimi ekonomik, veprat penale të kryera në formën çfarë kanë qenë deri në asgjësimin fizik. “Unë them se jo të gjitha i mundëson kjo, por Gjykata duhet të ketë kujdes me seleksionimin normal dhe nxjerrjen, të themi, të mbështetësve të veprimtarisë së tyre në atë pjesë, e cila do të jetë reale e që është frymë e vet Ligjit... Do të këkroja ndryshime të këtij Ligji?

LDK-ja dhe angazhimi i tij

Presidenti Sejdiu thotë se partia e tij, megjithëse e kanë shpallur kryetar nderi, kjo nuk do të thotë se ai do pensionohet. Shprehet i gatshëm që të kthehet në krye të kësaj partie kurdo që është nevoja dhe vlerëson se kryetari aktual i saj, Isa Mustafa, përveç që ka humbur Prishtinën edhe ka zvogëluar numrin e asambleistëve në këtë komunë. Këshillon që t'i hapin sytë dhe të mos shikojnë statistikat që nuk janë tregues real dhe që LDK-ja të bashkojë gjithë energjitë e saj e të ecë më shpejtë. Ai nuk pajtohet që Ligji Zgjedhor ishte shkaktar për humbjen e Prishtinës, thotë se po me atë Ligj e fituan Gjilanin, Pejën e madje e rikthyen Suharekën. "Po mund të them se është një përgjigje, është një përgjigje, unë kam dhënë mendimin tim edhe në situata të mëhershme se duhet shumëçka të shkojë ndryshe. Nuk jam që të mos ketë të rinj, por jam ithtar i thellë i asaj që të mos jetë Lidhje e Re e Demokratike e Kosovës, që nënkupton në mendjen e ndonjërit që të shkëputet zinxhiri i traditës, i asaj lufte të madhe politike që kemi bërë në ndërtimin e saj dhe realizmin e projektit të përgjithshëm që është esencialisht idea e rugovizmit. Më vjen keq që duhet ta them, por sot nuk kanë guximin të flasin ata që gjithë ditën e lume flasin për rugovizimin po të përballen se cila është idea e vërtetë e rugovizimit. Nganjëherë them se mbase njerëzit mund të lodhen, me një qasje jo racionale dhe me diçka që nuk është esenca e vërtetë që LDK-ja e ka”, thotë Sejdiu. Ai deklaron se në degët e LDK-së nëpër Prishtinë ka debat të thellë dhe se dikush po tenton ta mbyll atë debatdhe po dilet me komunikata që gjithçka po shkon mirë, e kjo, sipas tij, po e dëmton partinë. “LDK-ja fatkeqësisht deri më tani nuk më ka bindur me qëndrimet e veta rreth statusit dhe rreth bisedimeve, cilësimet e tyre me një qëndrim jokonstant, qëndrim që ka lëviz. Nuk është për një parti e nevojshme që të ketë një pozicion sot dhe të lëviz nesër, një pozicion tepër radikal dhe nesër të del plotësisht i kundërt 180 shkallë tjetër, me këtë humbet serioziteti i partisë. Qëndrimet duhet të piqen me kohë”, thotë ai. Thotë se e donë LDK-në dhe e konsideron si shtëpi të tijën, por nuk merret me emrat se kush janë ata që nuk e duan. Por, sipas tij, ka shumë të tillë e që janë aty brenda.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit