Vendi i ngjarjes ku humbi jetën deputeti Sokol Olldashi është zhbërë dhe tjetërsuar në mënyrë përfundimtare. Disa foto të siguruara dje nga DITA tregojnë se pikërisht në trajektoren e shpatit ku është zhvendosur automjeti i deputetit të ndjerë janë djegur të gjitha ferrat dhe bimësia ndërsa pak më poshtë, në rrugën ku u gjet i përmbysur automjeti, një fadromë ka gërryer dhe zhbërë të gjithë sipërfaqen e rrugës dytësore disa ditë më parë. Këto ndërhyrje në vendin e ngjarjes mund të konsiderohen dhe pa ndonjë peshë apo rëndësi në kushtet kur hetuesit dhe ekspertët kanë përfunduar me kohë këqyrjen e vendit të ngjarjes, por …mund të mos jetë tamam kështu.
Një ndërhyrje precize
Skena e vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti i Olldashit ndahet në tre pjesë. E para është rruga kryesore ku makina devijoi, më pas vjen shpati i pjerrët dhe i mbushur me bimësi të cilin makina e Olldashit dhe më pas vjen dhe pjesa e tretë që është rruga dytësore ku automjeti u gjet i batuar dhe i përmbysur. Pikërisht në shpatin me bimësi është kryer djegia e ferrave dhe në rrugën ku u gjet automjeti i përmbysur një fadromë disa ditë më parë ka bërë gërryerjen e sipërfaqes së saj. Nuk dihet nëse kanë qenë veprime të autorizuara( të paktën ndërhyrja e fadromës si rregull duhet të ketë qenë e tillë për sa kohë që komuna përkatëse ka detyrën të kontrollojë çdo ndërhyrje në rrugët e komunës). Nga ana tjetër djegia e bimësisë në shpat, pikërisht në perimetrin dhe trajektoren që ka përshkruar automjeti nuk mund të ketë qenë diçka e rastësishme, pasi në këto ditë me reshje nuk është dhe aq e thjeshtë t’i vësh flakën bimësisë në atë vend.
Ndërhyrja dhe hetimi
Ka pasur një ngacmim konstant dhe një qëndrim shumë kritik mbi punën e realizuar në vendngjarje nga hetuesit e këtij aksidenti dhe ekspertët që u pajtuan prej tyre. Pasi doli raporti zyrtar autoteknik mbi shkaqet e aksidentit, inxhinieri dhe profesori i dinamikës Arben Meçaj publikoi në DITA një raport alternativ mbi dinamikën e lëvizjes së automjetit të Olldashit nëpërmjet të cilit kishte vërtetuar disa pasaktësi të raportit zyrtar. Meçaj kishte zbuluar se në shpat, mes ferrave, automjeti kishte ndaluar dhe pasi ka ndaluar ka ecur mbrapsht deri në buzën e kanalit dhe më pas është përmbysur në rrugën dytësore të fshatit. Në vendin mes ferrave ku automjeti ishte ndalur përpara se të ecte mbrapsht, Meçaj nga vëzhgimi privat në terren gjeti dhe një telajo dekorative të parakolpit të Benz-it të Olldashit, e cila ishte një provë e pa-administruar nga hetuesit. Këto zbulime të Meçajt vinin në pikëpyetje serioze saktësinë e raportit të ekspertëve zyrtarë dhe nxisnin ri-ekspertimin e vendit të ngjarjes në të gjitha dimensionet dhe kërkesat që imponon një hetim zyrtar serioz. Por pas djegies së shpatit dhe gërryerjes së rrugës dytësore çdo ri-ekspertim bëhet i pamundur tashmë. Skena e vendngjarjes është tjetërsuar, përfundimisht.
* * *
Ekspertiza e Meçajt: Hetuesit duhet të shkojnë sërish në vendngjarje
Rreth dy javë më parë në DITA u botua një raport profesional mbi dinamikën e aksidentit të Sokol Olldashit. Raporti u hartua nga inxhinieri dhe pedagogu i fakultetit të Inxhinierisë për lëndën e Dinamikës së Lëvizjes së Trupave, Arben Meçaj. Është pikërisht lënda dhe shkenca që interpreton shkaqet e lëvizjes së trupave në situata dhe rrethana të caktuara. Pasi është njohur me ekspertizën zyrtare Autoteknike për aksidentin e deputetit Sokol Olldashi, në mënyrë vetjake, Arben Meçaj është angazhuar për të studiuar këtë ekspertizë zyrtare dhe për të bërë llogaritjet e veta sa i përket dinamikës së aksidentit. Në përfundim të përllogaritjeve Meçaj na ofroi një raport voluminoz, me interpretime dhe tabela përllogaritjesh dhe një gjuhë tepër teknike të cilat i ofrojmë sot të përmbledhura për lexuesit.
Meçaj ka marrë në shqyrtim dhe ka përllogaritur daljen e automjetit nga rruga kryesore, duke zbuluar se duhej një shpejtësi më e madhe se 53km/orë që mjeti i Olldashit të dilte nga rruga për shkak të kthesës. Kur në fakt është e vërtetuar shkencërisht se shpejtësia e mjetit në momentin e daljes nga rruga ka qenë më e vogël se 53km/orë. Sipas studimit të Meçajt, pasi ka dalë nga kthesa, mjeti i Olldashit ka ecur në shpatin e pjerrët por ende pa mbërritur në skarpatin e kanalit i cili ndodhej në fund të shpatit, në një distancë rreth 2.25 metër nga ky skarpat mjeti ka ndaluar, pra shpejtësia e mjetit është bërë Zero. Këtu në këtë vend ku zbulohet se mjeti ka ndaluar plotësisht Meçaj gjatë matjeve në terren ka gjetur në këtë vend dhe një copëz dekorative të parakolpit të Mercedesit të Olldashit, të cilën hetuesit nuk e kishin administruar. Por si u zhvendos mjeti nga pika ku ndaloi deri në kanal ku dhe i ndodhi përmbysja? Meçaj në ekspertizën e tij thotë se automjeti ka ecur me marsh “indietro” për 2.25 metër duke shtuar se nga inspektimi i vendit të ngjarjes dhe gjurmët e lëna në terren kjo është e vetmja mundësi për ta çuar mjetin buzë skarpatit të kanalit, nga ku ka ndodhur dhe rrokullisja, pra përmbysja e mjetit. Sipas Meçajt kjo zhvendosje në këtë segment prej 2.25 metër është dhe pika dhe rezultati i pathënë në raportin zyrtar dhe sipas tij përbën një moment që ndryshon tërësisht dinamikën e ngjarjes dhe rrethanave e për pasojë dhe saktësinë e hetimit. Të gjitha këto zbulime të reja sipas Meçajt e bëjnë të pavlefshëm raportin zyrtar autoteknik të administruar nga prokuroria dhe sjellin nevojën për rindërtimin e dinamikës së aksidentit dhe këqyrjen e re të vendit të ngjarjes që me sa dukej nuk ishte “situr” siç duhej nga hetuesit. Më poshtë po paraqesim disa nga konkluzionet e raportit alternativ të hartuar nga Meçaj:
-Automjeti mund të rrokullisej vetëm me shpejtësi mbi 95 km/h
Automjeti me të cilin lëvizte Sokoli është Benz S550 4Matic. Është për tu habitur fakti që në Aktin e Ekspertizës Autoteknike në asnjë rast nuk jepet tipi i automjetit. Paraprakisht cilësojmë se automjeti Benz S550Matic është një automjet me cilësi tepër të veçanta teknike, veçanërisht të lidhura me sigurinë e lëvizjes. Ky lloj automjeti ka qendër rëndese tepër të ulët pasi është 4×4. Këto dy tregues i japin këtij lloj Automjeti një shkallë të lartë sigurie gjatë lëvizjes në kthesë dhe në shpate . Me këto tregues ky lloj automjeti përmbyset dhe rrëshqet në kushte tepër specifike të gjeometrisë së terrenit dhe dinamikës së lëvizjes së Automjetit. Ky lloj automjeti posedon një lartësi 147cm( Qendra e Gravitetit është e ulët, jo më shumë se 65 cm nga toka), një gjerësi(distance gomash prej 187 cm) dhe gjatësi ( Para-prapa Kolp) prej 511 cm si dhe peshë rreth 2.050 kg. Me këto tregues , referuar formulave standarde të llogaritjes në kthesë, dalja nga kthesa për efektin fizik të rrokullisjes rrotull gomave të jashtme (dhe kjo vetëm nëse goma pengohej në rrëshqitje ) do të ishte e mundur vetëm për shpejtësi mbi 95.0 km/orë.
-Automjeti ka ndaluar plotësisht (në piketën 8) pa mbërritur tek skarpati i kanalitRrëshqitja në shpat varet nga pjerrësia e shpatit, por dhe koeficienti i fërkimit rrotë- shpat. Por për të konkluduar mbi këtë fenomen është e nevojshme të analizojmë lëvizjen e mjetit nga piketa 3-4(fillimi i daljes nga rruga) deri tek piketa 8(vendi ku ndalon mjeti ende pa mbërritur tek kanali) . Në këtë trajektore , lehtësisht në terren, konstatohet se kemi ruajte gati të pacenuar të trajektores së automjetit nga trajektorja e lëvizjes në bankinë. Spostimi është thjesht gjeometrik ( kalohet nga një plan horizontal në atë të pjerrët me pjerrësi rreth 45 gradë ). Pra në këtë trajektore nuk konstatohet rrëshqitje e automjetit në shpat. Këtë fakt e konstaton dhe ekspertiza kur shprehet “vazhdimi i gjurmës është i vazhdueshëm pavarësisht pjerrësisë së shpatit”. Në këtë trajektore konstatohet dhe një fenomen tjetër. Edhe pse automjeti lëviz në shpat të pjerrët edhe pse ai në fillimin e lëvizjes së tij në shpat ka një shpejtësi rreth 10-12 km orë dhe një nxitim jashtëqitës prej 0.117 m/s2, ai vetëm 8m nga momenti i daljes nga bankina mjeti ndalon pikërisht në drejtimin e lëvizjes së paracaktuar nga trajektorja e lëvizjes në bankinë. Pra në piketën 8 automjeti ka ndaluar lëvizjen në drejtimin para. Ky fakt tregon qartë se terreni ka ofruar një rezistencë të madhe në drejtim të lëvizjes. Shkaku i kësaj rezistence është popullimi i madh i shpatit me bimësi ferrë tepër intensive . Jo pak i rëndësishëm ka qenë dhe tipi i automjetit 4×4. Të dy së bashku kanë përballuar me sukses momentin më të rrezikshëm të përmbysjes apo rrëshqitjes së automjetit në shpat pas daljes nga bankina .
-Shiriti i parakolpit u gjet 1 muaj pas ngjarjes (në vendin e “Piketës 8” ku ndaloi automjeti)Aq e “butë” ka qenë rënia në shpat si rrjedhim i kësaj rezistence dhe tipit të automjetit (4×4 ), sa parakolpi i automjetit nuk ka pësuar asnjë dëmtim. I vetmi dëmtim në parakolp është shkëputja prej tij e një shiriti nikelati (zbukurimi) në ballorin e parakolpit , element i cili për ironi të hetimeve për ngjarjen aktualisht ndodhet në dorën time . Është një element i cili u gjet prej meje para tre ditësh gjatë inspektimit të hollësishem të gjurmëve të automjetit në terren. Ky element është gjetur fiks në vendin ku ekspertiza ka vendosur piketën numër 8 e cila ndodhet në distancë rreth 2.25 metër distancë nga skarpati i kanalit, pra mjeti ka ndaluar plotësisht duke u ndodhur në shpat dhe në një distancë prej 2.25 metër nga pika e skarpatit të kanalit ku ekspertiza e nxjerr si pikën ku ndodhi dhe momenti i përmbysjes së mjetit. Vendi ku automjeti ndalon lëvizjen (Piketa 8) ndodhet rreth 2-2.25 m larg nga skarpati vertikal ( 90gradë) i kanalit ku ndodhen gjurmët e automjetit dhe në të cilin realizohet përmbysja . Kjo situatë parashtron për zgjidhje pyetjen: Si u përshkrua distanca prej 2 deri në 2.25m nga piketa 8 deri tek skarpati?
-Ekspertiza zyrtare nuk shpjegon zhvendosjen drejt kanalitNëse gomat kanë arritur në Piketat 13 -14(buza e skarpatit të kanalit dhe vendi ku u gjetën shenjat e gomave të makinës) përmbysja është absolutisht e mundur. Energjia e mundshme e automjetit, energji që e ka sjellë atë deri tek skarpati nuk është ajo kinematike e marrë nga lëvizja në rrugë (kjo energji zerohet në piketën 8). Ajo mund të jetë vetëm potenciale e siguruar pikërisht në këtë pikë. Pra energji e fituar në piketën 8 vetëm pasi automjeti është ndalur më parë në këtë piketë në distancë 2.25 metër nga skarpati i kanalit. Pra llogaritjet sugjerojnë që e vetmja mundësi për kalimin e automjetit nga piketa 8(vendi ku u ndal) në piketat 13-14(skarpati i kanalit ku nisi përmbysja) është vetëm ajo e energjisë potenciale. E shprehur në term të thjeshtë kjo situatë është ekuivalente me një automjet i cili ndodhet në pozicion pingul me shpatin dhe fillon lëvizjen në skarpat duke rrëshqitur anash për efekt të peshës dhe pjerrësisë së skarpatit . Mundësi tjetër e kalimit nga pozicioni në piketën nr.8 në skarpatin e kanalit është një përmbysje nga pozicioni piketa 8 e automjetit kundrejt aksit Goma të Djathta–Tokë dhe fluturimi apo thjesht prekja e brezit të shkurreve, duke përfunduar direkt me goma në skarpatin e kanalit.
Sesi mund të ketë ndodhur ky fenomen, teoria e dinamikës së lëvizjes nuk jep shpjegim.
Sesi mund të ketë ndodhur ky fenomen, teoria e dinamikës së lëvizjes nuk jep shpjegim.
- Automjeti pasi ka ndaluar eci me “marsh indietro” deri tek kanaliReferuar skenarit planimetrik por dhe terrenit në vend-ngjarje, rezulton se kalimi nga piketa 8 drejt atyre 13 – 14(pra nga vendi ku automjeti u ndal në ferra deri tek skarpati i kanalit) është realizuar me lëvizje mbrapsht të automjetit . Asnjë teori lëvizje nuk mund të sugjerojë këtë mënyrë lëvizje. Automjeti është Matik- Automatik. Sa me sipër këto cilësi të automjetit vështirësojnë çdo logjikë të lëvizjes pas të automjetit. Së pari automjeti ka lëvizur me marrsh para(ekspertiza zyrtare nuk identifikon marshin), ndërkohë që lëvizja në skarpat sugjeron se rrotat kanë qenë aktive të katërta. Se dyti, tek piketa 8 automjeti vërtetë ka ndaluar por ai nuk do të jetë fikur (cilësi e kamios automatike ). Kjo situatë bënë që vetë automjeti 4×4 jo vetëm në kushte të motorit të shuar, por në kushte të atij të ndezur me marsh para nuk lejon absolutisht lëvizje prapa. Kjo tipologji mekanike nuk mundëson lëvizje të lirë mbrapsht, përveç rrëshqitjes nën një kënd jo më të madh se 30 gradë (rreth 45 gradë është skarpati por lëvizja mbrapa nuk është sipas skarpatit por me një farë këndi me të). Kjo lëvizje rrëshqitese mund të realizohet vetëm në kushtet kur koeficienti i fërkimit Tokë-Goma është më i vogël se 0.5. Dhe në këtë rast nuk kemi rrokullisje gomash mbi teren, por rrëshqitje me fërkim që padyshim për efekt të peshës jo të vogël në çdo gomë( rreth 550kg për gomë) do të linte gjurmë rrëshqitëse në terren. Këto gjurmë nuk konstatohen. Ndërkaq shpejtësia e makinës në këtë moment kur mjeti ndodhet në pikën 8 është ZERO (ky fakt evidentohet dhe nga ekspertiza zyrtare).