2013-12-23

Jeton Llapashtica & Kreshnik Bekteshi :Lufta e Kosovës nëpërmjet syrit të Gjergj Xhuvanit

Një ekip i përbërë prej rreth njëqind vetave nga Shqipëria, Italia dhe Kosova, përfshirë edhe aktorët, tash e sa muaj janë duke xhiruar skena të ndryshme të cilat në fund do të përbëjnë filmin më të ri për luftën në Kosovë “Engjëjt janë larg”. Përveç aktorëve që njihen si profesionistë dhe tematikës së filmit, projekti duket se do të dal i veçantë edhe për faktin se regjisori i njohur shqiptar, Gjergj Xhuvani, qëndron prapa tij. KultPlus sjellë detaje gjatë xhirimeve në Gjakovë



Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftojnë me ata serb pothuajse në çdo zonë e në çdo fshat të Kosovës, ndërsa policia, ushtria e grupet paramilitare serbe janë duke bërë çdo gjë që iu bie në mend mbi popullatën civile shqiptare.
Është viti 1999. NATO-ja ka nisur bombardimet e pothuajse secilit cak të ushtrisë serbe, ndërsa kolona të gjata me burra, gra, fëmijë e pleq depërtohen në Shqipëri. Janë me mijëra e mijëra njerëz që po ndiqen nga shtëpitë e tyre, të cilët, shumica prej tyre nuk shpëtojnë edhe prej dhunimit, ndërkaq, shtëpitë, e rralla shpëton pa u djegur.

Pamje nga filmi

Dhe, teksa luftimet vazhdojnë, bombardimet mbi ushtrinë serbe s’kanë të ndalur, dhe shqiptarët dëbohen masovikisht, mbi të gjitha, të shpëtuar nga vdekja. Një grua e re vepron krejt ndryshe, ajo bënë të pamundurën që të hyjë brenda saj. Dhe krejt këtë rrugëtim e bënë nga Italia drejt Kosovës.
Ajo ka një arsye të madhe për këtë.
Nga një marrëdhënie e dikurshme kishte pasur një fëmijë të cilin e kishte braktisë dhe i cili mbetet në një strehimore. Dhe, teksa fëmijë të shumtë nga gjithë Kosova po ia dalin që t’i ikin vrasjeve e torturave serbe, këtë fat nuk e ka fëmija i saj, i cili, së bashku me dhjetëra fëmijë të braktisur ka mbetur brenda katër mureve të një strehimoreje, pa kushtet elementare për jetë. Për ta është duke u përkujdesur vetëm një prift italian, që kishte shërbyer kohë të gjatë në Kosovë.
Në përpjekje për ta takuar fëmijën e saj, kjo nënë tejkalon çdo vështirësi, çdo rrezik e çdo plumb, ndërkaq, pas gjithë këtyre situatave arrin në strehimore.
Kjo është vetëm një sekuencë nga filmi për luftën në Kosovë që është duke u xhiruar, si projekti më i ri filmik i regjisorit Gjergj Xhuvani, i cili është edhe skenarist i filmit si dhe producentit Dritan Huqi. 
 
Qetësi, ata janë duke e xhiruar filmin!
Deri më tash është xhiruar rreth gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë përqind e filmit, ndërkohë që ngjarja zhvillohet në qytetin Bajram Curr, e në Tropojë ndërsa strehimorja dhe pjesa tjetër e filmit zhvillohet në Gjakovë.
Realisht, është objekti i vjetër i shkollës së muzikës në Gjakovë, i cili vetëm sa nuk është rrëzuar, dhe i cili është adaptuar dhe është mbushur me gjësende të vjetra, përfshirë edhe disa punime të fëmijëve, për tu dukur tipike si një strehimore “e shkretë”, e lënë pasdore nga shteti e shoqëria. Gjithçka është e atillë sa që lirshëm mund të bindesh se me të vërtetë je “kthyer në kohë”.
“Zoti mendon për të gjithë, mendo edhe ti për të. Jetimorja”, shkruan në hyrje të jetimores, mbishkrim ky që gjithashtu është punuar nga ekipi i cili është duke e bërë filmin.
Ekipi i KultPlus-it e ka kaluar një ditë të tërë pranë aktorëve dhe personave të tjerë të angazhuar në krijimin e filmit në fjalë, ku përveç fotografimit të skenave teksa xhiroheshin në ish-shkollën “Prenk Jakova”, gjithashtu ka bërë biseda veç e veç me disa nga aktorët e angazhuar, me regjisorin e producentin e filmit. 

Objekti ku është xhiruar një pjesë e filmit "Engjëjt janë larg"

Dhe, sapo t’i ofrohesh asaj që në shikim të parë duket si një jetimore e vërtetë, hasë në fëmijë që gjithashtu duken si jetimë të lënë pas dore – të veshur me rroba të vjetra, të pakrehur, e pa përkujdesje.
“Bëni qetësi, janë duke xhiruar filmin”, janë fjalët e para që ata ua thonë mysafirëve nga Prishtina, pavarësisht, se me ta po takohen jashtë objektit.
Dhe derisa këta dymbëdhjetë fëmijët që janë përzgjedhur nga një audicion prej dymijë fëmijëve për të qenë pjesë e strehimores, gjegjësisht, të filmit, sillen me vëmendje, në katin e dytë të strehimores, aktorja kosovare Teuta Krasniqi që e luan rolin e nënës që kërkon fëmijën e saj dhe aktori italian, Rinaldo Roko, që në film është prifti Mario, të cilët janë pjesë të asaj skene të filmit.
Përveç këtyre dy aktorëve, në filmin që ndonëse nuk është vendosur përfundimisht, emrin fillestar e ka “Engjëjt janë larg”, do të luajnë edhe aktorët tjerë, si: Fatmir Spahiu, Hysen Binaku, Myrvete Kurtishi, Kumrije Hoxha e Ndriçim Xhepa. 
 
Filmi xhirohet në Tropojë, Bajram Curr e Gjakovë
Producenti, Dritan Huqi, thotë se kanë vendosur që ngjarjen ta zhvillojnë në Gjakovë, përveç tjerash, ngase ky qytet është i lidhur direkt me pjesë tjera të Shqipërisë.
“Këto janë zonat më tipike në periudhat e luftimeve, sepse këtu kanë qenë pjesët më të ashpra të luftës dhe ne e kemi zgjedhur këtë vend për të xhiruar qoftë edhe nga pikëpamja tjetër vizuale, për shkakun se është një qytet i vjetër dhe ka një imazh që nëpërmjet saj ka se çka t’i tregoj tërë botës”, thotë ai.
Më e rëndësishmja e filmit, siç thotë ai, është fakti se filmi do të shfaqë një atmosferë të luftës nga fytyra e fëmijëve. 

Dritan Huqi, producent i filmit
“Në fund të luftës të gjitha personazhet dalin të ndryshuar, sepse kanë përjetuar një situatë tejet të vështirë dhe kanë mbijetuar në luftë”, thotë shkurt ai, duke dashur që detajet e filmit t’ia lë premierës.
Por, si u bë që një ekip nga Shqipëria të marrë përsipër krijimin e një filmi për luftën në Kosovë. A do të thotë kjo se aktorët, regjisorët e skenaristët nga Kosova janë të vonuar në krijimin e një filmi për luftën në Kosovë, dhe gjithashtu kanë dështuar për ta bërë një projekt të tillë. Producenti Huqi ka një përgjigje.
 
Filmat e mirë për luftën, bëhen shumë vite pas luftës
“Nuk besoj që gjërat e mira bëhen direkt, është mirë që disa gjëra të ftohen. Ndoshta jemi të vonuar te dokumentarët për sa i përket trajtimit të kësaj çështje, ndërsa filmi artistik është një gjë tjetër. Unë them që sa më shumë vite kalojnë aq më shumë të vërtetë mund të jemi për disa fakte, se edhe nganjëherë e kalojmë masën. Ne jemi rritur në një lloj sistemi në Shqipëri që Luftën e Dytë Botërore e ngritëm në kult dhe i mbivlerësuam personazhet e partizanëve në filmat shqiptar, vetëm për ta krijuar idenë e heroit. Distancimi në kohë do t’i ftohë mendjet e krijuesve për të realizuar filma me përmbajtje sa më të vërtet”, thotë ai. 
Filmi, premiera e të cilit pritet të jepet në vjeshtën e vitit të ardhshëm deri më tash është mbështetur nga institucionet e Shqipërisë, të cilat kanë ndarë mbi treqindmijë euro për të, ndërkaq, producenti Huqi beson se pak a shumë të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe institucionet e Kosovës, mbase në kohën kur do të ketë konkurs të hapur për projekte.
“Filmi në këtë moment është një koproduksion shqiptar me atë italian, ku është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë dhe nga një producent italian. Është një trupë shqiptaro-italiane, ndërkohë kasti i aktorëve është kryesisht nga Kosova. Filmi është i ndërtuar në aksentin e Kosovës, ku flitet gegërishtja e këtij vendi, por ka edhe disa skena në gjuhën italiane”, tregon Huqi.
Në realizimin e këtij filmi janë të angazhuar rreth njëqind veta, ndërkohë që pjesa tjetër e xhirimeve do të bëhet në Tropojë, për tu rikthyer sërish në Kosovë, për xhirimet tjera, në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Qëllimi ynë nuk është të nxitë reagime politike. Filmi është tërësisht i ndërtuar nga një strukturë artistike dhe lëvizë me emocionet, nuk është film që merr përsipër për të treguar se lufta ka pasur këto apo ato shifra. Filmi në vetvete përmban një situatë emocionale të disa fëmijëve të cilët në kushtet e një lufte në njëfarë mënyre detyrohen të mbijetojnë”, thekson producenti Huqi.
Xhuvani: Me çdo detaj po e përkujtojmë luftën e Kosovës
Ndryshe nga producenti i filmit, regjisori Gjergj Xhuvani thotë se arsye pse kanë vendosur që të xhirojnë filmin në Gjakovë, dhe jo në një qytet tjetër është fakti se në këtë qytet mund të hasësh në lagje që pothuajse nuk kanë ndryshuar asgjë nga paslufta, të dëmtuara, të shkatërruara, e të pariparuara.
“Ndoshta filmi mund të realizohej edhe në Mitrovicë, për arsye të historisë, sepse një pjesë e jetimores ishte në këtë qytet. Por, mendoj që filmi ka karakter përgjithësues. Mendoj që Gjakova përmbushte dy cilësi, e para nga ana vizive është shumë më autotentike, ende këtu shihen gjurmët e rrënojave të shtëpive të djegura, kështu që filmi tingëllon më i vërtet, dhe e dyta, mendoj për tragjeditë e pësuar të cilat i ka pasur i gjithë populli i Kosovës, në veçanti Gjakova ka pasur shumë njerëz me jetë të humbur, që meriton këtë lloj filmi në një lloj homazh”, thotë ai. 

Gjergj Xhuvani, regjisor i filmit
 
Njëri nga regjisorët më të mirë shqiptar thotë se asnjëherë në karrierën e tij nuk ka pasur rast të bëjë film të lehtë, ndërsa thekson se i tillë është filmi për luftën në Kosovë.
“E kam bindjen se sa më i vështirë të jetë filmi në realizim, aq më i këndshëm bëhet për spektatorin. Tërë përkushtimi, vuajtja dhe brenga kthehet në një vlerë, them se është si puna e lindjes së një fëmije. Kinemaja është lindja e një fëmije që është produkt i filmit që bëhet nga shumë nëna dhe të gjithë se bashku vuajmë, kjo vuajtje është çelësi që na bën të ruajmë këtë unitet që në kinema kthehet në unitet stilistik”, nënvizon ai,
Shumica e aktorëve në këtë film janë nga Kosova. Xhuvani thotë se është shumë i kënaqur me aktrimin e tyre, ndërsa jap arsyet e tij pse ka vendosur që filmin ta bëjë me aktorë nga Kosova dhe jo me të Shqipërisë.
“Ka një gjë të rëndësishme në kinema, ku është e vërteta artistike. Nuk mundemi të vijmë deri të kjo e vërtetë në rast se ne do të merrnim aktorë si të thuash nga Shqipëria, për të luajtur personazhet e filmit që janë nga Kosova, për arsyen e gjuhës dhe atë të përjetimit. Ne vërtet jemi një komb, por kemi specifika të veçanta në trevat tona, ku është gjuha dhe dialekti shumë i rëndësishëm. Dhe, një gjë që është tejet e rëndësishme është memoria artistike, sepse janë pikërisht këta aktorë të cilët e kanë përjetuar luftën në mënyrën më direkte dhe reale. Përjetimi i tyre, vjen në mënyrë më organikë, në mënyrë të vërtet. Ndryshe do të aktronte një artist nga Shqipëria që do ta përjetonte disi më lehtë, dhe ndryshe e përjeton një aktor nga Kosova, të cilët japin përjetimet e tyre duke dhënë vërtetësi dhe emocion skenave”, nënvizon ai.

Madje, ai kujton se si disa ditë më parë derisa është xhiruar një skenë e depërtimit të qytetarëve, një grua ka kaluar aty pari dhe ka filluar të qajë, duke deklaruar se gjithçka po ia kujton momentet emocionale të luftës në vitin 1999.
“Tradita e do që filmi të shfaqet (premiera) në vendin e origjinës. Vendi i origjinës është Kosova, kështu që unë mendoj që premiera do të jepet në Kosovë. E kam bindjen kësi soji dhe kështu do të bëhet”, thotë ai. 
 
Aktorët: Luajmë role të vështira, por jemi të nderuar
Edhe aktorët që do të luajnë në këtë film ndjehen të nderuar me rolet që iu kanë besuar. Gjatë një bisede të shkurtë, në mes të xhirimit të dy skenave, Teuta Krasniqi, thotë se fakti që regjisori i filmit është Gjergj Xhuvani ka bërë që mos ta diskutojë fare pjesëmarrjen në këtë film.
“Roli im është shumë i veçantë për arsye se prej momentit që e kam lexuar skenarin, komplet skenari, komplet ideja më ka bërë për vete, e sidomos roli që është shumë sfidues. E në fakt, ky do të mbetet roli më sfidues për mua, mirëpo, nuk kam pasur asnjë hezitim të pranojë, duke e pas parasysh faktin se çfarë regjisori është Gjergj Xhuvani edhe faktin se secili aktor e ka ëndërr të punojë një herë me të. Fatmirësisht, unë kam pasur fatin të jem e përzgjedhura e këtij regjisori, nuk kam hezituar, dhe momentalisht jam duke e jetësuar ëndrrën time të kamotshme për të qenë pjesë, dhe jo vetëm pjesë, por të kem rolin kryesor në një film çfarë jemi duke e xhiruar”, thotë ajo. 

Teuta Krasniqi, aktorja kryesore në filmin e Xhuvanit
 
Aktorja Krasniqi thotë se “Engjëjt janë larg”, do të dalë një film shumë i mirë dhe si i tillë do të ketë sukses të jashtëzakonshëm, edhe jashtë Kosovës.
Ndërkaq, aktori italian Rinaldo Roko, thotë se roli që luan është i vështirë për të, ngase, siç thotë ai, është një histori e një prifti që gjendet në mes të luftës për tu përkujdesur për dymbëdhjetë fëmijë që jetojnë në një jetimore.
Shumica e skenave në filmin ku shfaqet italiani Roko janë në gjuhën shqipe. Ndërsa vetë aktori thotë se po e ka, siç thotë ai pak si shumë të vështirë këtë. 

Aktori italian, Rinaldo Roko
“Kam punuar me Gjergjin dhjetë vjet përpara. Atëherë më shumë nuk flisja se që flisja. Për një aktor të aktrosh dhe të flasësh në një gjuhë që nuk është e vetja është shumë e bukur, është një sfidë në vete. Nuk diskutohet që është më mirë të flasësh gjuhën që e njehë, por mua më ndihmon fakti që si do që vjen puna, personazhi në film është një italian, por që e ka të vështirë ta flas gjuhën shqipe, do me thënë, edhe ajo e folmja gjysmake e shqipes është pjesë e personazhit”, thotë ai, duke shtuar se shpeshherë gjatë xhirimeve hasë në situatë ku partneri që i flet i drejtohet në gjuhën shqipe, ai vetë flet në atë italiane, ndërkaq, asnjëri dhe as tjetri nuk kuptohen. 

Fatmir Spahiu, aktor
Ndërkaq, aktori tjetër nga Kosova, Fatmir Spahiu, thotë se realizimi i filmit në fjalë e ka një rëndësi të veçantë, ndërsa thekson se vazhdimi i filmit varet edhe nga fondet që do të ndahen nga institucionet e Kosovës.
“Por, për mua si aktor është ndjenjë e veçantë për të punuar me një regjisor siç është Gjergj Xhuvani, edhe pse roli im është episodik, eksperienca është e shkëlqyer. Mendoj që ky film dhe kjo ide nuk trajton vetëm luftën, por ka diçka më shume se kaq, pra dramën njerëzore”, deklaron ai. 
Gazetarët dhe fotoreporteri i KultPlus ka qëndruar pranë ekipit që është duke e bërë filmin dy-tre ditë para se të përfundojnë xhirimet e këtij sezoni për të nisur në pranverën e vitit të ardhshëm. Një pjesë e këtij ekipi ka me muaj që është vendosur në Gjakovë, duke u bërë “banorë” të Kosovës, dhe rrjedhimisht duke qëndruar larg familjarëve të tyre. Por, asnjëra nga këto elemente nuk është sfida e madhe për ta. Temperaturat e ulëta deri në minus gjashtë-shtatë gradë celsius, që për shqiptarët e Kosovës nuk paraqesin ndonjë problem të madh, për ekipin italiano-shqiptar përbënë, mbase, problemin më të madh.
“Shiko si më janë qarë gishtërinjtë. Thua se i kam prerë me ndonjë thikë të prehtë”, thotë njëri nga punëtorët, teksa pyet se si ka mundësi që kosovarët ta përballojnë këtë “të ftoftë të madh”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...