Një libër me dedikimin e Milan Kunderës/ Historia e “Valsit të lamtumirës”, librit që flet për Çekinë e viteve 1970, i blerë në tryezën e një bukinisti…
Alda Bardhyli
“Duke shpresuar se këtu do të gjesh sadopak lumturi…” Ky është dedikimi në frëngjisht që Milan Kundera i ka lënë më 13 maj të vitit 1981 një lexuesi të panjohur, në faqen e parë të romanit “Valsi i lamtumirës”. Libri, fletët e të cilit janë zverdhur nga koha, ndodhet prej kohësh në bibliotekën prej tre mijë librash të profesor Ferdinant Lekës, i cili e ka blerë atë te bukinistët në Itali. I tërhequr nga letërsia e Kunderës, linguisti dhe përkthyesi i njohur i italishtes, e bleu atë pa i vënë rëndësi dedikimit që ndodhej në faqen e parë. Muaj më vonë, teksa nisi të lexonte romanin në botimin frëngjisht, do të ndalej te dedikimi i faqes së parë, në fund të së cilit ishte firma e Milan Kunderës. Çdo libër ka brenda tij jo vetëm historinë që tregon, por dhe historitë e njerëzve që kanë dashur ta blejnë atë, të takimeve apo ngjarjeve që i kanë çuar drejt asaj zgjedhjeje. Kundera i uron lexuesit pa emër të gjejë sadopak lumturi, në atë kohë që përkon dhe me shpërnguljen e tij përfundimtare në Francë bashkë me të shoqen Vera, nga Çekia. Profesor Leka, e tërheq ngadalë nga biblioteka librin që e ruan si një thesar bri mijëra librave që ndodhen në çdo cep të kësaj hapësire të vogël. Si një lexues i vjetër, ai ka mbajtur shënime për çdo kapitull a faqe, gjë e cila duket në fund të librit, ku ka shënuar me laps dhe karakteristikat që ka gjetur pas çdo faqeje. Në faqen 143, ai shënon: “ndihet humanizmi i autorit”. Ashtu si ky libër me dedikimin e Kunderës, ashtu dhe këto shënime të lëna nga profesor Leka, janë shenja që i japin një tjetër vlerë këtij botimi. Romani është botuar nga “Gallimard” dhe është përkthyer në frëngjisht nga François Kerel dhe shoqërohet me një parathënie nga Elisabeth Pochoda. “Valsi i lumturisë” është botuar për herë të parë në gjuhën çeke në vitin 1972. Versioni frëngjisht i tij doli në vitin 1976 dhe më pas ai anglisht. Ky roman është një rrëfim për dashurinë dhe urrejtjen, dhënë përmes jetës së tetë personazheve që jetojnë së bashku në një qytet të vogël në Çekosllovakinë e vitit 1970. Për kritikët, ky është një libër që u drejtohet shumë shtresave. Dhe pse i ngjason një komedie, ndihen tone dramatike të situatës në të cilën shtrihet ngjarja. Kundera di të japë përmes humorit elegant, tema të ndjeshme për shoqërinë. 32 vjet nga koha e këtij dedikimi, ky roman është botuar në më shumë se 40 gjuhë të botës, dhe vazhdon të jetë një ndër librat më të botuar në SHBA. Libri vazhdon të quhet si tepër bashkëkohor, i ngjashëm me dedikimin e Kunderës, që nuk është zbehur nga koha.
Me Verën
Vitet nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën e Vera Hrabankovës. Dëgjon të njëjtën muzikë dhe të njëjtat piktura surrealiste ndodhen në muret e shtëpisë së saj në Montparnasse. Disa piktura janë të artistëve çekosllovakë, të cilat ajo dhe i ka pasur miq, disa të tjera të piktorëve të preferuar blerë në Galeritë e Parisit. Flokët e saj janë të shkurtër, ndërsa sytë vazhdojnë të ruajnë shkëlqimin e vajzës së dikurshme, që la gjithçka për t’i shkuar pas burrit që deshi. Ai ishte Milan Kundera. Kur mbërritën bashkë në Paris në vitin 1975, ajo nuk mund ta mendonte se nuk do të shpërnguleshin më asnjëherë prej tij. Ajo do ta linte disi pas dore karrierën e saj si kompozitore dhe do t’u përkushtohej shkrimeve të të shoqit. “Ai nuk mund të jetojë pa Verën”, thonë sot gazetarët që kanë mundur të futen në apartamentin e tyre në Paris. Ajo vazhdon të jetë pika e tij e lidhjes me botën, në një kohë kur ka hequr dorë nga çdo komunikim me median. Që pas marrjes së çmimit “Nobel”, Milan Kundera ka zgjedhur të heshtë dhe të flasë përmes librave që shkruan. Është Vera ajo që përmes gjesteve apo shprehjeje të lë të kuptosh se çfarë po ndodh tani, me burrin e rrallë të letërsisë, i cili i ka kaluar të 80-at. Pasditeve ai ulet në poltronin e tij dhe bashkë me të shoqen shijojnë çajin me filxhanët e blerë në Pragë. Shpeshherë në shtëpi i vijnë vizita nga miqtë e kohës së rinisë në Pragë, por edhe shkrimtarë të rinj çekosllovakë që duan të marrin bekimin nga Kundera. Kur ata lexojnë poezi në gjuhën çeke, atëherë Vera dhe ai zhyten në vitet e trazuara të rinisë. Kundera nuk është larguar asnjëherë nga atdheu i tij, pavarësisht se jeton në Francë. Në librat që ka shkruar dhe vitet e fundit mund ta gjesh shumë lehtë ndikimin nga vendi i tij i lindjes. “Unë nuk jam një pesimist dhe nuk dua të jetoj si i tillë”, i shkruante ai Philip Roth në një bashkëbisedim të gjatë për jetën dhe vdekjen. I lindur më 1 prill 1929 në Brno në Çeki, Kundera jeton në Francë që prej vitit 1975. Në vitin 1981 ai ka fituar nënshtetësinë franceze. Ai lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pianisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëmLeoš Janáček. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Më vonë ai studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund të gjenden në shumë vepra të tij. Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Brno më 1948. Më pas, ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë, ku u përqendrua në regjizurë dhe skenografi. Më 1950-n, Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardhezi të botës te ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhojë, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve marksiste dhe të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Më 1950, bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij “Pršelo jim štěstí” (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë “Žert” (Loja, 1967). Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956-n. Më 1970, ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kundera, së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Václav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989-s).
Kundera në shqip
“Shakaja” është një prej romaneve të njohur të Kunderës i cili është botuar në gjuhën shqipe nën përkthimin e Mirela Kumbaros dhe shtëpia botuese “Dituria”. Libri është një radiografi e sistemit komunist në Çekosllovaki. Një tjetër botim në shqip, Kundera e ka pasur në vitin 2004 nga “Vatra” me librin “Fati i Irenës” nën përkthimin e Gani Lekës. “Testamentet e tradhtuara” është një tjetër libër me ese i tij, i përkthyer nga Balil Gjini dhe i botuar nga “Pika pa sipërfaqe” më 2011. “Arti i romanit”, një libër ku Kundera flet mbi artin e të shkruarit është botuar më 2001, nën përkthimin e Adem Jakllarit, nga “Toena”. “Bota e teorive nuk është imja. Dua të nënvizoj se nuk kam as më të voglën ambicie teorike, dhe se ky libër nuk është veçse rrëfimi i një krijuesi të mirëfilltë. Vepra e çdo romancieri përmban një vizion të qartë të historisë së romanit, një ide që rreket të shpjegojë se ç’është romani. Është kjo ide mbi romanin, e qenësishme në romanet e mi, që më ka nxitur mua të provoj të flas”, shkruan ai në këtë libër. “Nostalgjia” është një tjetër roman i shqipëruar nga Jani Guxi, botim i “Albin”. Në libër flitet për Irenën dhe Jozefin të njohur dikur në Pragë, pa arritur të dashurohen, pas njëzet vjet emigrimi, pavarësisht nga njëri-tjetri, ndërmarrin një udhëtim për në atdheun e tyre, në Republikën Çeke. E vërteta e hidhur është se jo vetëm historia e tyre e dashurisë nuk rilind, por kthimi i tyre, në tërësinë e tij, për shkak të harresës, mungesës së kujtimeve, plakjes, brishtësisë të së tashmes, mbetet një zhgënjim.