2013-12-27

Simbioza e modernizimit ferrian

Rexhep Ferri.gif

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjedhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjedhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjedhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.

Tituj të veprave

Ndoshta ishte dashuri, Prishtinë: Gazeta "Rilindja", 1997
Atdheu im Torzo, Prishtine: Rilindja, 1998
Kuartet për harqe : partiturë, Autorët" Rauf Dhomi, Rexhep Ferri. Prishtinë, 2001
Frikë nga Guernika: roman, Tiranë: Onufri, 2004
Njeriu po kush tjetër: roman, Tiranë: Onufri, 2005
Shapo Albane: roman, Tiranë: Onufri, 2006
Humbës i lumtur, Tiranë : Toena, 2007

description

Akademik Rexhep Ferri, njëri prej artistëve më të shquar modernistë shqiptarë, të kujton pikërisht një lloj arkeologjie të mëngjesit (një mëngjes që për ta kuptuar duhet të rrëmosh thellë nëpër terrin e kohërave). Ky prezantim na çon drejt përmbajtjes të një studimi të thelluar mbi veprën e Rexhep Ferrit, me të cilin studiuesi i gjuhës pamore Gëzim Qendro kërkon në labirintet që krijon ky medium, në kontekstin e kohës dhe hapësirës duke e konsideruar si përfaqësues i periudhës së artit modernist të Kosovës.

Togfjalëshi "arkeologji e mëngjesit"

Megjithatë, Qendro ndalet për të kuptuar pse togfjalëshi "arkeologji e mëngjesit", prej së cilës ndan titullin dhe tharmin vendoset si "njëfarë tautologjie e metaforës së Bernardit të Shartrës (… ne shohim më shumë dhe më larg se paraardhësit tanë, jo sepse kemi vështrim më të mprehtë, apo se jemi më truphedhur, por sepse jemi ngjitur dhe qëndrojmë lart mbi shtatin e tyre vigan), sepse bart në vetvete tensionin e skajshëm semantik të paradigmës moderniste: ajo u shfaq si mëngjesi vezullues i një lloji të ri, pas shumë të tjerëve mbi të cilët kishte rënë muzgu e që tashmë ishin kyçur përgjithmonë në sarkofagun e historisë".
Sado e brishtë t'i ngjajë qasja e gjuhës pamore kushteve reale, përmes së cilës kalon ky medium në trojet shqiptare, Qendro vazhdon t'i rezistojë kaosit duke gjetur "rrugë të fshehta" hulumtimi (kurator ekspozitash, pedagog i lëndëve të gjuhës pamore, filozofi arti dhe histori arti, përkthyes) si kontribut në ndërtimin e një biblioteke moderne në të tilla shqyrtime kritike studimore. Prognoza që ndërton ky studiues e zhvesh punën e Ferrit nga tipizimi lokal duke e zhvendosur në një hapësirë më vizionare, në afrim të qartë me çfarë duhet identifikuar rasti përballë burimeve universale të gjuhës pamore.

Pa huazime nga disiplinat e tjera artistike

Prandaj, shpesh në artikulimin, apo gërmimin e tij për zbulime përafruese, na çojnë në të dhëna krahasuese me të njëjtin medium duke i takuar një territori më të gjerë. Në rastin konkret, piktori Rexhep Ferri kalon në hapësirën dhe kohën paralele të modernizmit përtej territoreve të këtushme.
"Në veprat e Rexhep Ferrit jo vetëm që nuk gjejmë huazime nga disiplina të tjera artistike, por përforcimi i zonës së kompetencës së pikturës së tij, shpeshherë, merr forma të skajshme, duke shtjelluar me zhdërvjelltësi teknike ato risi që transformuan rrënjësisht marrëdhëniet themelore të artit evropian: të artistit me realitetin, të hapësirës reale me atë piktorike, apo të kësaj të fundit me hapësirën kontekstuale, të imazhit me realitetin, të mediumit me teknikën dhe të plasticitetit modal me subjektin", shkruan Qendro.

Simbioza e modernizimit

Përndryshe, ky vështrim kritik i referohet simbiozës së modernizmit njësoj siç e trajtojnë dhe e njohin fenomenet paraardhëse në Evropë, si koncepte të njohura botërisht.



"Rastin për t'u ngjitur mbi "supe viganësh" e patën të parët artistët që jetonin në anën perëndimore të "vijës së re të Teodosit", që do të ndante vertikalisht trojet shqiptare gjatë shekullit XX. Kjo sepse shteti shqiptar lehonë, pas një periudhe turbullirash shoqërore që pasuan shpalljen e pavarësisë, mundi gjithsesi të arrinte njëfarë zhvillimi ekonomik dhe kulturor, veçanërisht gjatë mbretërimit të Zogut I; nga gjysma e dytë e viteve '20 deri në pushtimin italian më 1939. Tekefundit, historia e artit është edhe njëfarë arkeologjie mëngjesesh, ku cilido brez shfrytëzon përvojën e atyre që jetuan përpara tij për t'i dhënë kuptim dhe substancë mëngjesit që sapo ka nisur për të, duke nxituar të lërë gjurmën e tij përpara perëndimit", shkruan Qendro në lëndën hyrëse, të vëna në dispozicion nga shtëpia botuese "Dituria", prej nga është mbështetur për botim kjo vepër

Përgatitit Agjencioni Floripress/Flori Bruqi


------------------------------------------------

Midis atdheut dhe vetvetes, Rexhep Ferri ka zgjedhur një rrugëtim që i përshkon të dyja. Dhembja e atdheut ka qenë e ngjashme me dhembjen që ndiente mbrëmjeve teksa shihte sytë e trishtuar të së ëmës që nuk qeshën kurrë. Çdo të hënë ajo priste një shenjë shpresëdhënëse nga Daja Peshk. “Hatixhe, kam disa lajme nga Malësia e Gjakovës. Shabanin e ke gjallë… Nëna nuk e di në e besoi, por u gëzua. Daja Peshku, duke pirë cigaren e vazhdonte rrëfimin… 

Rexhep Ferri - piktura (1)
Komunizmi i ka ditët e numëruara. Nuk e ka të gjatë. Shpejt do t’i humbë fara. Me këto mashtrime nëna e kalonte javën, derisa vinte e hëna tjetër. Pastaj gënjeshtra tjetër”. Tani vite më vonë, Rexhep Ferri i kujton ato mashtrime për nënën si diçka të mirë, si një terapi, për një grua që i duhej të kapej diku për të mbajtur familjen dhe fëmijët, qoftë kjo dhe gënjeshtër. Në atë kohë askush nuk e dinte se çfarë kthese do të merrte historia. “Nëna në ëndrrat e saj e kishte edhe një ëndërr edhe një besim, ku njeriu mund të mbështet shpresën, shpëtimin.

Rexhep Ferri - piktura (2)
 Karakteri i saj ishte kodi i ruajtjes, kodi i shpëtimit. Vetëm në sajë të sakrificës dhe të mirësisë së saj jemi rritur me kujdes. Gjatë, shumë gjatë si e ruajti atë shpirt nuk e di. Me besimin e vet të madh i kalonte të gjitha vështirësitë e heroinës”, kujton sot Ferri. Besimi i saj do ta bënte të kuptonte se gjithmonë ka shpresë, fije shkëndije për të arritur atë që dëshirojmë. 

Rexhep Ferri - piktura (3)

Lufta i kishte çuar nga Plava në Pejë, nga Peja në Babaj të Bokës, nga aty në Gjakovë. Ishte koha e miqësive të rrejshme, atëherë kur shqiptarët mes Tiranës dhe Prishtinës besonin në iluzionin e dashurive të tepruara. Në këtë tablo historike, Rexhep Ferrit, vetëm një adoleshent nuk i mbetej gjë tjetër veçse të kapej fort pas librave dhe ngjyrave.



 Shumë shpejt do ta kuptonte se mes tyre mund të gjente zgjedhjen për t’iu larguar të gjithave, dhe syve të trishtë të nënës. Pas përfundimit të shkollës së mesme të artit në Pejë, ai u nis për studime në Shkollën e Artit në Beograd për të studiuar pikturë ku u diplomua në vitin 1966. Ferri i përket brezit të atyre artistëve që hodhën piketat mbi atë çfarë do të përfaqësonte arti pamor në Kosovë pas viteve ‘60. Në një situatë jo të lehtë politike në Kosovë ai do t’i përfundojë studimet përmes shumë rreziqesh. 
Rexhep Ferri - piktura (4)

Sot, gjithçka nga ajo kohë i vjen në formën e kujtimeve të ngjashme me ngjyrat që hedh në telajo. I kujtohet profesor Pavle Vasiqit, thënia e tij, kur ai i druajtur hyri në klasën ku rrinin arsimtarët. “Eja Ferri, pse po hyn aq turpshëm. Ti më je më i moçëm se grekët në Ballkan”. I kujtohet, Marta, fjalët e saj se “Ruaje zemrën, mos e jep lehtë”.





Qeshja e saj, kur ai i fliste për të dashurat e Modelianit, ngjyrën e kuqe, fjalët e profesor Rajkut kur u ndal para pikturës së tij e i tha “Ferri nga piktura në pikturë, pjesa e dytë e sfidave po të pret. Të çlirohesh nga vetvetja e prapë të mbetesh vetja. Procesi nuk është i lehtë. Nga sfidat mësohet shumëçka. Koha para se të kthehet në famën e vet kërkon magji…”. Frikën për të pikturuar portretin e Martës. “Për të larguar frikën shko në Muzeun e Luvrit në Paris dhe bëje një fotografi me Mona Lizën. Ajo gjatë fotografimit mund të thotë: ”A do kesh kohë sot për mua?! Për suksesin tim, për famën time!”. E ti, duke shprehur rebelimin e krijuar nga rebelimi thuaj: “E dashura zonjë e madhe e romantikes, buzëqeshja jote është diçka që nuk e prisja. Shkurt: tani njoha edhe një grua. Sot botën po e sundon afërsia artistike”. Këto kujtime Rexhep Ferri nuk ia ka lënë vetëm kujtesës. Ashtu si piktura shkrimi ka qenë një tjetër fuqi brenda tij, e cila shpeshherë kërkonte të dilte në sipërfaqe. Vitet e fundit shkrimi është më tepër brenda tij.
Rexhep Ferri - piktura (6)

 Teksa Tirana është e zhytur në shi, ai nuk di ta shpjegojë, këtë ndjesi të hershme. Në duar mban librin “Portreti në monedhë”, i cili sapo ka dalë nga tregu në Prishtinë, që është në një farë mënyre portreti i tij artistik. Një portret që ka dalë nga tabloja e një pikture e është shndërruar në fjalë pafund, për të treguar jetën e një të riu, mes pasioneve të mëdha dhe atdheut. Kjo jetë ndihet dhe në tablotë e mëdha që prej disa ditësh ndodhen në sallën kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në ekspozitën e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka “Afër dhe larg”.




 Arti i Rexhep Ferrit ndryshon nga arti i piktorëve të brezit të tij në Shqipëri. “Në Kosovë ne edhe pse ishim nën robëri, kishim fatin të kemi lirinë e mendimit artistik. Ish-Jugosllavia nuk e kishte dogmën e komunizmit në Shqipëri. Ne kishim një dritare të hapur nga Europa dhe filluam të krijojmë një art me mesazhe moderne duke qenë bashkëkohorë me kohën në të cilën krijuam”, thotë Ferri. Akademia e Beogradit ku ai dhe një brez i tërë piktorësh të Kosovës dhe vendeve fqinje studioi ishte e njëjtë me Akademinë e Brerës në Itali, apo De Bozaro në Paris. Pedagogët vinin nga e njëjta shkollë, çka i bënte studentët e tyre të ndiheshin sikur ishin diku në Perëndim. 

Rexhep Ferri - piktura (5)
Ky qe fat për Ferrin, një fat që ai e reflektoi në pikturat që krijoi. “Është e dhembshme që kjo liri nuk ishte në Shqipëri, por parullat e komunizmit”, thotë Ferri. Por në ato vite ai e ëndërronte Shqipërinë, jo vetëm për faktin se këtu ishte babai i tij, i cili e la 8 vjeç dhe do ta shihte vetëm pas 35 vitesh kur ishte 40 vjeç, por se Shqipëria ishte si një totem për Kosovën. “Në ato vite isha i verbër të shihja dramën e popullit shqiptar gjatë atyre viteve.



Edhe Enver Hoxhën e donim pasi e lidhnim me Shqipërinë e nuk e dinim atë çfarë ndodhte këtu”, kujton Ferri. I kujtohet një vizitë në Shqipërinë e viteve 1974, vizita në studion e Abdurrahim Buzës, dhe frikën e tij për çdo bisedë… Rexhep Ferri i përket atij brezi artistësh që kanë shumë për të treguar…


Ai zgjodhi pikturën dhe të shkruarin, si një formë për t’u thënë të gjitha përmes ngjyrave dhe fjalëve, edhe pse Ballkani ku ai jeton vazhdon të jetë vendi i dramave njerëzore. “Për artin tim nuk dua të flas, sepse arti është më shumë se një reagim, për ne që i takojmë kohës. Gjithmonë duam që koha të na sjellë mitet, mjegullat, legjendat. Sepse aty ku ka mjegull e legjenda ka dhe art”, thotë Ferri. E gjithë këtë rrugëtim drejt artit ai ia dedikon nënës, vështrimit të saj që edhe sot pas kaq vitesh i shfaqet si një tablo, ngjyrat e së cilës nuk mund t’i prishë koha…
 
Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966.
ekspozita
Akademiku dhe njeriu i letrave të Kosovës, piktori Rexhep Ferri prej disa ditësh ka hapur një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, kuruar nga Suzana Varvarica Kuka. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Rexhep Ferri, u lind në Kukës, më 10 tetor 1937.



 Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar së bashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në Galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.



Rexhep Ferri u përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Ai kapërceu me shumë sukses kahet e forta e ndikuese të tyre dhe arriti të ketë gjuhën e tij pamore. Ajo spikat për imazhin e pastër figurativ, ku subjekti i nisur tretet si një mbresë e lënë dhe mediumi imagjinar merr pushtetin kryesor dhe dallon i pangatërrueshëm në mesin e pasurisë së pafund të eksperiencave ndërgjegjësore figurative.

Puthjet me Verën…
Vera, me çdo gjë që kishte, përpiqej të bëhej e nesërmja ime. Të qenët femër është ngarkesë, dehje dhe shtrirje që kërkon një burrë. Unë edhe pse e kisha kaluar pragun e naivitetit të djalërisë i mbylla sytë. Një kohë të gjatë kot isha frikësuar. Pas disa sekondave apo minutave dëgjova diçka prapë si thirrje. Nga leximi i ëndrrave kisha kuptuar se zemrën e Verës e kisha pushtuar, por guximin ende jo. Duke iu përgjigjur thirrjes shpejt dola nga naiviteti dhe frika.



Verën në duart e mia duke e parë si skulpturë dhe duke e vlerësuar si arkeologji, ishte mendim se isha duke rënë në dashuri. Në ato momente Vera më ofrohet. Donte dhe ajo të hynte në mua edhe unë të hyja tek ajo. Nga puthjet, nga gjinjtë, ngrohtësia na hyri pak më thellë mes kofshëve. Me kënaqësinë që nuk e kisha përjetuar.



Deri në atë moment nuk kisha pasur marrëdhënie seksuale me asnjë femër. Nuk e di se si më erdhi e nga më erdhi guximi. Rastin nuk e lashë vetëm në duart e fatit. Nga Fati ende kisha frikë. Fati nuk kthehet po e lamë për një ditë tjetër. Nuk është e thënë se duhet të jetë vetëm i bardhë. Në atë moment mua më iku truri. Vera duke kthyer kokën në anën tjetër u ndal. Filloi të mbyllet. Aty ishte fillimi i kohës që e kuptova se paska qenë larg e afër fillimi i jetës sime të re…(Alda Bardhyli)
(nga kujtimet)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...