2013-12-26

Mbi të zhdukurit dhe zhdukësit

Lumir Abdixhiku Nga Lumir Abdixhiku

Sikur Serbia t’i dënonte kriminelët që i strehon edhe sot; t’i zbulonte varret masive që i ka mbuluar me asfalt e zhavorr; të shprehte pendesë e keqardhje për sjelljet e veprat çnjerëzore; të kthente e paguante plaçkën e marrë nga këtu; e të mos shprehte pretendime shfarosëse edhe sot e kësaj dite ndaj Kosovës - ndoshta dhe do ta meritonte Evropën. Por s’e bëri asnjërën e s’ka ndërmend ta bëjë asnjëherë. Nderon kriminelët, mohon varret, thërret luftën e pretendon Kosovën; dhe prapë ecën për në Evropë
Shikoni njerëzit rreth jush. Shikoni mirë njerëzit rreth jush. I ndieni? I shihini? I prekni? Kthehuni në kohë pas - plot 14 vite pas. Kujtojeni luftën, frikën, guximin e gjithçka tjetër të tmerrshme, të trishtë, të shthurur në mes. Kujtojeni dhe kuptojeni se sa me fat është secili prej nesh. Me fat, meqë secili nga ta e ne mundur të ishte lehtësisht njëri nga 1700 të zhdukurit kosovarë që nuk mund të ndihen, shihen e preken sot. E pothuajse secili prej jush mund të ishte në pritje të gjetjes së mbetjeve të tyre; një shenjë kujtimi për të shfryrë gjithë mallin e mbledhur në kaq vite.

***



Këtë javë, siç dhe e do rëndom paradoksi i relacioneve me të zhdukurit, Kosova kishte marrë ndoshta lajmin më të mirë që mund të merrte – pra gjetjen e mbetjeve mortore në Rudnicë – dhe potencialisht qetësinë e disa prej familjeve të pafat. Paradoksale se si një tragjedi kaq rrëqethëse bëhet eventualisht lajm i mirë.



Në të vërtetë, gjetjet e Rudnicës së Rashkës nuk ishin noveliste për askënd. Nëpërmjet pamjeve të regjistruara satelitore kërkuesit kishin kohë që po shihnin një paradoks tjetër; vendi ku dyshohej të ishin varrosur shqiptarët kishte ndërruar pamje krejtësisht; dhe për më tepër ky ndryshim po ndodhte mu gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Ky vend ishte shndërruar nga një kënetë e moçalishte në një rrafshinë të mbushur me dhe e gur. Sinqerisht, kujt do t’i binde në mend që në kohë bombardimesh të merrej me ndërrime të pamjeve të peizazheve kot së koti; përveç nëse diçka tmerruese, turpëruese e trishtuese provohej të fshihej – një varr, shumë të vrarë, shumë krime.



Në vitin 2005 autoritet serbe kishin prodhuar shfaqjen teatrale më çnjerëzore të mundshme. Në përgjigje të informacioneve të mbledhura nga pala kosovare, në aktrim e sipër, serbët kishin gërmuar – në sy të medieve lokale e botërore – një ditë të tërë. Triku megjithatë ishte se gërmimet ndodheshin plot 200 metra larg vendit ku mendohej se ishte varri masiv. Ishte veçse një përpjekje patetike për të shtyrë gjetjen.



E në patetizëm dhe më të thellë dhe në sjellje dhe më çnjerëzore, autoritetet serbe kishin asfaltuar gjithë vendin. Aty më pas kishin ndërtuar një ndërtesë dykatëshe ku qëndronte – për ironinë e gjithë mizërisë – kompania e mirëmbajtjes së rrugëve me emrin “Kosmet Put”. Nën ndërtesë, nën parking e nën asfalt, besohej se ishin së paku 250 kosovarë të zhdukur.



Se përpjekjet serbe për të mbuluar me çdo kusht gjetjen ishin në tentativë rritëse, u kuptua në ditën e parë kur Departamenti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës kishte arritur atje për të mos gjetur asnjë mjet gërmues që do të bënte gërmimin. Në të vërtetë, po të mos ishte insistimi i vazhdueshëm i palës kosovare, bashkë me presionin e datës për anëtarësim që Serbia pret ta marrë këto ditë, vajtje-ardhjet tona për e nga atje do të ishin të zakonshme. Interesante se si Serbia përdor në vazhdimësi veprat e vrasjes, dhunimit, krimit e dehumanizimit si karta relacioni me BE-në; si nuk u mësua asnjëherë Evropa me ta.



Përtej vrasjeve e varrosjeve pa frikë nga njeriu e nga Zoti, nuk arrij të kuptoj as natyrën e fshehësve të vrasjeve; jo nga individë aksidentalë, por nga një sistem i tërë shtetëror serb i vënë në funksion të kamuflimit; diçka shumë larg vlerave të shekullit të ri – çfarë shteti është ky?! Kur provoj të kuptoj se pas gjetjes së katër trupave në vetëm 80 centimetra nën ndërtesë, pra kur kuptoj se themelet e ndërtesës në fjalë – të ndërtuar së voni – mund të jenë vënë “fjalë-për-fjalë” mbi trupat e vdekur, dhe se asnjë njëri në gjithë këtë vrasje, varrosje, kamuflim e ndërtim nuk është shprehur për 14 vite publikisht as edhe me një fjalë, ndiej jo mllef, jo urrejtje, jo inat, por vetëm keqardhje - keqardhje për një vend me të krisur e maniakë boll. Në një vend si Serbia ku gjithkush di për sasinë e rakisë në frigoriferin e tjetrit, të mos dish për një varr masiv me 250-400 kosovarë, për një asfaltim, një parking e një ndërtesë mbi të, është e barabartë me probabilitetin e një topi bore në ferr – atje ku do të digjen e piqen në përjetësi secili prej pjesëmarrësve në këtë tmerr.



***



Në një vend normal, lajmi i gjetjeve mortore të qindra të vrarëve, do të trajtohej si tragjedi nacionale. E në kohë tragjedish, liderët afrohen me popull, qëndrojnë me popull, udhëheqin një popull; është tragjedi, dreqi e marrtë!



Kryeministri ynë, nëse asgjë tjetër, është dashur që në shenjë respekti e dhimbjeje për gjetjen e 250 trupave në varrin masiv të Rashkës, t’i ndërpresë pa hezitim të gjitha takimet, bisedimet, qeshjet, dorështrëngimet e dalldisjet e tjera në Bruksel - të gjitha me shkaktuesit e tragjedisë madje - të marrë fluturimin e parë të mundshëm nga atje, e të kthehet në vendin e tij për të qëndruar afër me popullin e tij. Ai do të duhej të udhëhiqte e mbështeste personalisht gjithë ekipet tona investiguese në Rashkë; tamam siç bëjnë burrështetasit e tjerë në kohë të tragjedive. Janë 250 prej tanëve që po kthehen si mbetje mortore në shtëpi; çfarë tjetër mund të jetë më e rëndësishme se kjo?!



Kryeministri mund t’i ketë këshilltarët më me pamend të mundshëm – dhe nuk dua të besoj se vetë ai nuk i di rendet – e Kosova mund t’i ketë diplomatët më të paaftë të mundshëm; sikur një gjetje e tillë të ndodhte në relacion të kundërt, pra në Kosovë me serb e jo në Serbi me shqiptarë, vendi ynë nuk do të shihte dritë për jetë e mot.



Gjithsesi, për të mos bërë një tragjedi në betejë politike, them të mbajmë mend mirë e gjatë relacionet që i kemi me fqinjët tanë veriorë. Nuk kanë ndërruar fare, janë të njëjtët. Dikur kanë vrarë e varrosur masivisht, tash i fshehin e nuk i tregojnë vrasjet e varrosjet masive.



Për më tepër, dhe fatkeqësisht, aspak nuk ka ndërruar as relacioni i keqardhjes evropiane ndaj Beogradit; siç u bë publike edhe vlerësimi pozitiv nga BE për Serbinë. Sikur Serbia t’i dënonte kriminelët që i strehon edhe sot; t’i zbulonte varret masive që i ka mbuluar me asfalt e zhavorr; të shprehte pendesë e keqardhje për sjelljet e veprat çnjerëzore; të kthente e paguante plaçkën e marrë nga këtu; e të mos shprehte pretendime shfarosëse edhe sot e kësaj dite ndaj Kosovës - ndoshta dhe do ta meritonte Evropën. Por s’e bëri asnjërën e s’ka ndër mend ta bëjë asnjëherë. Nderon kriminelët, mohon varret, thërret luftën e pretendon Kosovën; dhe prapë ecën për në Evropë. E pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj ecjeje është se ajo u mundësua vetëm falë Qeverisë së vendit tim me gjithë mbështetësit parlamentarë e të paguximshëm të tjerë. Në këmbim përfunduan me 10 kryetarë paralelë, dy pika doganore të pavarura, një fond, gjykatë e polici autonome dhe një mijë e një telashe të tjera për gjeneratat që vijnë. Çfarë pazari i tmerrshëm!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...