2013-12-27

Kondomi për femra: Shpikja që po rikthehet në vëmendjen e të gjithëve

I nisur si një produkt pothuajse i dështuar, kondomi femëror apo femidomi po gjen përdorim të gjerë, duke u dhënë femrave avantazh në procesin e njohur si “negocimi për kondomin” dhe mbrojtje më të mirë nga sëmundjet
William Kremer, BBC
Kondomi për femra doli fiasko kur u hodh në treg fillimisht rreth 20 vjet më parë, por ai nuk u zhduk kurrë tërësisht dhe tashmë disa kompani po hyjnë në lojë me produkte të reja. A mundet që ai të fillojë të përdoret?
Emri formal i produktit qe FC1, megjithëse shumë prej nesh e njohën atë si Femidom, apo Reality, dhe shakaxhinjtë i vunë nofka nga më të ndryshmet, çanta plastike, çorapja e erës apo balona me ajër të nxehtë…
Dy dekada më vonë, Meri an Liper (Mary Ann Leeper) ende duhet të shohë pjesën gallatë të këtyre batutave. “Unë besoj në këtë produkt”, thotë ajo. “Unë besoj gjithashtu se gratë do të dëshironin të ishin në gjendje të kujdeseshin për veten. Ne ishim naive, ose së paku unë me siguri isha naive”.
Liper qe presidente e Chartex, kompania që prodhoi FC1. Para lëshimit, pati një atmosferë kurioziteti dhe pritshmërie, por ata të angazhuar e nënvlerësuan faktin sesa jofamiljare do të qe mjeti i rrëshqitshëm dhe i madh për konsumatorët në Europë dhe SHBA.
Liper mendon se reagimi negativ filloi me një artikull të vetëm kritik në një revistë të famshme grash në SHBA.
“Ai lajm qe lajmi kryesor që shkaktoi një efekt domino”, thotë ajo. “Qe tronditëse për mua, me thënë të vërtetën. Pse duhet të bësh shaka me një produkt që do t’i ndihmonte vajzat e reja të qëndrojnë të shëndetshme, që do t’i mbronte ato nga infeksionet e transmetuara në rrugë seksuale, si dhe nga shtatzënia e padëshiruar?”
Për të qenë të saktë, FC1 kishte një farë defekti në dizenjo. E krijuar me poliurethane, qe pak i zhurmshëm gjatë seksit, dhe qe e pashmangshme që nga kjo të lindnin ngjarje komike që nga krevati do të tregoheshin e ritregoheshin.
Në vitet e para, pasardhësja e kompanisë Chartex, Kompania Female Health, mendoi të mbyllej, por në vend të kësaj vendosi të zhvillonte një program edukativ. Pastaj një ditë më 1995, Liper mori një telefonatë nga një grua e quajtur Dejsi, përgjegjëse për programin e Zimbabvesë kundër përhapjes së HIV dhe AIDS.
“Ajo tha, ‘unë kam një peticion në tryezën time të firmosur nga 30 mijë gra që kërkojnë që ne t’u japim kondomin femëror’”, rikujton Liper.
Ky qe fillimi i një partneriteti që e dërgoi kondomin femëror në një pjesë të madhe të botës në zhvillim. Projekte në Nigeri, Kamerun dhe Mozambik për të shpërndarë kondomin femëror përmes parukerive të grave mundësoi shitjen e tyre dhe më e rëndësishmja, shpjegimin se si funksionojnë.
Pasardhësi i FC1, FC2 – i prodhuar me lateks sintetik që nuk bën zhurmë gjatë fërkimit – është shumë më i suksesshëm nga sa mendojnë shumë në Perëndim. Ai tashmë është i disponueshëm në 138 vende, shitjet janë dyfishuar që nga viti 2007 dhe Female Health po realizon fitime që prej tetë vitesh.
Shumica dërrmuese e shitjeve janë në katër vende – bën të ditur agjencia amerikane e ndihmave USAID, OKB-ja dhe ministritë e Shëndetësisë në Brazil dhe në Afrikën e Jugut. Donatorët dhe zyrtarët e shëndetit janë shumë të etur të zbulojnë çdo gjë që u jep grave mundësi më të mëdha në procesin e njohur si “negociata për kondomin” me burrat.
Kondomët femërorë kanë edhe avantazhe të tjera. Ato mund të vendosen shumë orë para seksit, gjë që do të thotë se nuk ka zhvendosje vëmendjeje në momentin vendimtar dhe as nuk është e nevojshme që të hiqen menjëherë pas seksit. Për gratë, ky është një mjet mbrojtës më i mirë ndaj infeksioneve, për shkak se vulva është pjesërisht e mbuluar nga unaza e jashtme që e mban pajisjen në vend.
Eksperienca e përdoruesve qe goxha e mirë.
Një vëzhgim i vitit 2011 zbuloi se 86 për qind e grave qenë të interesuara për të përdorur këtë metodë dhe 95 për qind thanë se do t’ua rekomandonin shoqeve.
“Shumë njerëz raportojnë se kondomët femërorë e forcojnë kënaqësinë seksuale”, thotë Saskia Haskin (Husken) nga një program për shpërndarjen e kondomit femëror nëpër botë. Për burrat, ato janë më të ngushtë sesa kondomët e tyre. Për gratë, unaza e madhe e kondomit, e cila mbetet jashtë vaginës, mund të jetë gjithashtu simuluese.
Në Afrikë, disponueshmëria falas e kondomëve femërorë në klinika ka sjellë që ato të bëhen modë. Gratë kanë filluar shpesh të heqin unazën fleksibël nga pajisja dhe ta përdorin atë si byzylyk. “Nëse je romantikisht e disponueshme atëherë ke një byzylyk të ri për të dhënë shenjën”, thotë Marion Stevens nga një organizatë aktiviste për shëndetin e grave. “Nëse je në një marrëdhënie afatgjatë, byzylyku yt është i vjetër dhe i rënë”.
Mejiva Ede, nga shoqëria për Shëndetin Familjar në Nigeri, thotë se ndërsa meshkujt janë shpesh të eksituar nga mundësia për seks pa kondomët e zakoneshëm, gratë ngurrojnë fillimisht kur e shohin për herë të parë kondomin femëror.
“Ata e shohin dhe thonë ‘pra – ju po thoni se unë duhet ta vendos atë brenda meje?’”, thotë ajo. Skuadra e Ede përdor një manekin për të treguar se si përdoret kondomi dhe e krahasojnë këtë punë me përdorimin e një telefoni të ri – duke habitur fillimisht, por duke bindur më pas.
Në shumicën e vendeve të zhvilluara është ende imazhi i 20 viteve më parë për t’u kapërcyer. “Mendoj se problemi është se kur e hap pakon, ato janë sakaq të hapura – nuk janë si kondomët mashkullorë që janë të paketuar thjesht dhe saktë dhe pastaj hapen”, thotë Maks Beksinska një pedagoge universiteti në Afrikën e Jugut. “Në fakt ato janë me të njëjtën gjatësi me kondomët e meshkujve kështu që nëse i krahason të dy të hapur, nuk ka dallim”.
Beksinska është autorja e një testi klinik, përfundimet e të cilit u publikuan te revista Lancet mbi krahasimin e tri modeleve të reja të kondomëve femërorë: Kondomi Femëror, sakaq i disponueshëm në Kinë dhe që së shpejti do të shpërndahet në Afrikën e Jugut, është produkt i një pune 17-vjeçare të Path një organizate të specializuar në novacione shëndetësore – e cila ka testuar më shumë se 50 versione. Jashtë ambalazhit, ai është më i vogël sesa FC2. Duket më shumë si tampon, ku shumica e kondomit është mbledhur përreth një kapsule polivinili, e cila tretet brenda vaginës.
Produkti Cupid është i disponueshëm në Indi, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Është me aromë vaniljeje dhe me varietete ngjyrë rozë apo ngjyra natyrale. Aktualisht është modeli i vetëm përveç CF2 që është pranuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për blerje nga sektori publik. Një version më i vogël synon tregun aziatik për testime.
Produkti Va Wow, njësoj si Cupid, mban një kunj që i ndihmon përdoruesit ta vendosin më lehtë dhe për të shmangur rrëshqitjen. Studimi i Lancet, tregon se që të gjitha nuk janë më pak të qëndrueshme sesa FC2 dhe kjo i rrit shanset e tyre për t’u pranuar nëpër botë.
Kondomë femërorë të ridizenjuar janë sakaq të disponueshme apo do të hidhen në treg së shpejti.
Në Kolumbi, një produkt i njohur si Air Condom përdor një xhep të vogël ajri për të ndihmuar vendosjen.
Edhe në SHBA po bëhen përpjekje për të hedhur në treg një produkt të tillë.
Produkti po zhvillohet nga një njeri që filloi të punojë në këtë fushë, pasi mori HIV në vitin 1993 si pasojë e një kondomi mashkullor të çarë. Pas kësaj ai u kushtoi vëmendje të veçantë shakave mbi FC1. Ai po synon të heqë qafe shakanë e qeses plastike duke dizenjuar një kondom femëror që ka formën anatomike të femrës.
Synimi është që duke qenë një produkt intim për një eksperiencë të ndarë mes dy njerëzve duhet që të ketë një formë tërheqëse si për burrat, ashtu edhe për gratë. Produkti që pritet të hidhet në SHBA do të realizohet me silikon dhe rrjedhimisht mund të jetë i ripërdorshëm.
Saskia Haskin thotë se është e rëndësishme që çiftet të kenë mundësi të zgjedhin produktin në rast se dëshirojmë të shohim të ardhme për kondomin femëror.
“Ka nevojë për varietete”, thotë Haskin. “Disa gra parapëlqejnë një produkt, disa një tjetër dhe burrat gjithashtu. Ne nuk jemi të njëjtë dhe duam gjëra të ndryshme”.
Edhe një studim i vitit 2010 e nxjerr këtë në dukje. Studiuesit u kërkuan 170 grave në Afrikën e Jugut të provonin tri lloje të ndryshme kondomësh femërorë. Pas nëntë javësh, ata zgjidhnin të mos përdornin më dy nga tri llojet duke zgjedhur atë që i pëlqente më shumë. Pothuajse të gjitha kishin zgjedhur se njëri prej varianteve u pëlqente më shumë.
Gjithsesi fakti është se 20 vjet kanë kaluar dhe kondomi femëror nuk ka arritur ende suksesin e kondomit mashkullor – ai përdoret ende në vetëm 0.19 për qind të blerjeve botërore të kondomëve dhe kushton rreth 10 herë më shtrenjtë. Gjithsesi, këto fakte nuk e tronditin besimin e iniciatorëve të prodhimit të kondomit femëror.
Mari An Liper shpjegon se si ajo kuptoi se bëhej fjalë për një lojë që do të vijonte për shumë vite.
Disa javë pas nxjerrjes në shitje në mënyrë shumë negative të FC1, një burrë nga kompaniaTampax shkoi të flasë me të. Ai tha se kësaj kompanie nuk i qenë dashur vite, por dekada para se të bindnin mjekët të rekomandonin tamponin dhe gratë të bindeshin se nuk qenë të çuditshme si mjete.
“Ai më tregoi mua grafikun e të mësuarit”, rikujton Liper.
“Dhe unë thashë ‘o Zot, mos më thuaj! Unë duhet të pres për kaq shumë kohë? Nuk e di nëse do të mund të mbijetoj për kaq gjatë!’”
Por nismëtarët e kondomit femëror ende duhet të presin për të parë produktin e tyre të gjithëpranuar dhe të gjithëpërdorur.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...