Beti Njuma :Besnik Mustafaj, t’i dorëzohesh letërsisë pas 6 viteve pas largimit të tij nga politika, shkrimtari boton romanin “Autoportret me teleskop”.

Gjashtë vite pas largimit të tij nga politika, shkrimtari boton romanin “Autoportret me teleskop”.

besnik mustafajIshte e marta e 24 prillit 2007 kur krejt papritur, ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, dha dorëheqjen. Një largim të cilit kuriozët dhe të gjithëdijshmit e panumërt u munduan t’i mveshin mijëra pse. Ndërsa skeptikët t’i gjenin diçka më të besueshme përtej justifikimit zyrtar në hollin e ministrisë. “Jam i lodhur nga ushtrimi i detyrës”, tha ministri, teksa zuri në befasi gjithkënd që nuk e kishte parashikuar, po as menduar ndonjëherë një dorëheqje të parevokueshme të njërit prej njerëzve më të afërt të Berishës. Sot, gjashtë vite pas largimit nga politika aktive, Besnik Mustafaj na heq çdo dyshim: Letërsia është arsyeja pse u largua nga politika. Dhe këtë e bën përmes faqeve të një romani voluminoz të cilin mbase nuk do ta kish shkruar po të kish vazhduar të qëndronte majë kolltukut të rehatshëm, por edhe të lakmueshëm të ministrit. Për një njeri të dhënë shpirtërisht pas politikës, por ca më tepër pas letërsisë, ishte e natyrshme të fitonte kjo e dyta. Do të kish qenë komode për Mustafajin të flirtonte me të dyja, duke u dhënë mundësi që të dyjave të përfitonin nga njëra-tjetra. Dhe nuk do të ishte i pari që do ta bënte këtë. Por kjo nuk ndodh me çdo shkrimtar, e aq më pak kishte gjasa të ngjante me Besnikun. Megjithëse humbjen e pushtetit politikani e përjeton shumë më dhimbshëm se humbjen e nderit! Mund t’i imagjinoj lexuesit kërshërorë që do t’i përpijnë faqet e këtij romani, i pagëzuar që tani si rikthimi i Besnik Mustafajit tek letërsia, një botë të cilën në të vërtetë ai nuk e ka braktisur asnjëherë. Është një vepër që autorit i ka marrë pesë vitet e fundit të jetës dhe që në mënyrë paradoksale e ka titulluar “Autoportret me teleskop”? Përse vallë këtë titull? Ndoshta sepse ka qenë i vetëdijshëm se në ballafaqim me lexuesit, kjo metaforë do të godiste po aq sa dhe çudiste. Vetë Mustafaj sqaron se nga një objekt që afron, teleskopin e ka shndërruar në një objekt metaforik që shërben për të parë diçka të largët, në rastin konkret, kohën e humbur në politikë. E pra, ky libër është një mea culpa për pesëmbëdhjete vitet e çuara dëm pa shkruar letërsi. Pesëmbëdhjetë vite në kërkim të kohës së humbur, e falë Zotit tanimë të gjetur. A nuk është kjo një shenjë e fortë e kthimit të fuqishëm të pushtetit të letërsisë te shkrimtari Besnik Mustafaj? Unë them se po. Lidhja e tij me letërsinë ishte e shkruar të ishte një destinacion pa kthim. Andaj, në “Autoportret me teleskop”, pavarësisht ftesës diku në faqet e fillimit, lexuesit, do të rreken të kuptojnë shumëçka nga Besnik Mustafaji i humbur. Kam frikë se ata nuk do t’i shmangen leximit të dyfishtë, atij të një vepre letrare të trilluar po aq sa dhe një leximi autobiografik, ku përmes rreshtave nënvetëdija dhe mbivetëdija e autorit janë një e vetme me atë të rrëfimtarit. Ballë për ballë, ish-politikani dhe shkrimtari Besnik Mustafaj në jetë, dhe alteregoja e tij në roman. Sepse personazhet e marrin në dorë librin dhe e shkruajnë vetë. Sakaq, autori kujdeset të sqarojë që në faqe të parë se ky roman i çmuar nuk është autobiografik, edhe pse një nga personazhet quhet Besnik Mustafaj. Sidoqoftë, Besniku autor dhe Besniku personazh kanë të vërtetën e tyre, të cilën sado të përpiqemi ta mbajmë larg, aq më shumë ajo do të afrohet, për t’u shkrirë befas në një e për të na dhënë dilemat e mëdha të Mustafajit. Janë dilemat e tij si autor, të cilat i ka përcjellë përmes personazhit me të njëjtin emër si i tiji. Janë dilemat e një shkrimtari që është në majën e piramidës politike e nga ajo majë guxon edhe të thumbojë eprorin e tij. Sepse “Shkrimtari Besnik Mustafaj ishte i lirë nga çdo detyrim vartësie ndaj eprorit të tij”. Janë dilemat e një shkrimtari që kërkon t’i shpëtojë mediokritetit të politikës, duke u zhytur në laboratorin krijues ku ka vend vetëm për eksperimente letrare, sikurse është edhe një pasazh erotik në libër, i pangjashëm me ato që Mustafaj ka shkruar deri më sot. Në roman ndodh një takimi i çuditshëm në hollin e një hoteli me këshilltaren e presidentit slloven. Besnik Mustafajit personazh, Ana B jo thjesht i rikujton Boshin, një roman të shkruar shumë vite më parë, porse identifikohet me personazhin femër të tij. Ana B është truku për zgjimin e kujtesës së shkrimtarit, çka sjell për pasojë edhe zgjimin e krenarisë së tij. Ajo është e panjohura që guxon të hedhë në koshin e plehrave si pa vlerë vetë kuptimin që Besnik Mustafaj i ka dhënë jetës së tij gjatë viteve të lirisë, por edhe gjate viteve në pushtet. Kjo grua, për më tepër joshëse, gjen çelësin për ta kompleksuar personazhin tonë duke i kundërvënë në mënyrë çarmatosëse Besnik Mustafajin ministër, një Besnik Mustafaj të përfytyrimit të saj. Besnikun shkrimtar që ai vetë e ka harruar, duke e hedhur si të panevojshëm në sirtarët e pluhurosur të kujtesës. A nuk i flakin rëndom gjërat politikanët, edhe vetveten, vetëm e vetëm për t’i shërbyer pushtetit? Duke u udhëhequr nga e vërteta e tregimit dhe vetëm nga ajo e vërtetë, Besnik Mustafaj përgjigjet se PO kur shkruan: “Ana B do të çuditej sa shumë isha larguar unë nga shkrimtari Besnik Mustafaj – autor i Boshit – gjatë viteve të ngjitjes në pushtet. Ajo do të më pyeste, duke më parë drejt e në sy, me një hije të rëndë në fytyrë, nëse një shndërrim i tillë u ndodh në përgjithësi njerëzve që marrin pushtet? Apo vetëm atyre të cilët ndryshojnë rrugën e jetës në një moshë të pjekur, për t’u kthyer drejt politikës? Fjala ishte për politikën e madhe, atë që jep pushtet të vërtetë”. Dhe pak më tej kur pohon se është marrë me politikë, me diplomaci, me një fjalë, i ka shërbyer vendit të tij, autori shkruan me një autoironi të hollë: “Edhe shkrimtar, edhe shërbyes! Ky njeri ka një keqkuptim të thellë me veten”. Me apo pa keqkuptime ca thërrime nga uni i shkrimtarit kanë mbijetuar, qoftë edhe ilegalisht, nëpër ca anekse të trurit, ku nuk ka depërtuar drita verbuese e ministrit. Ndaj mos u habisni kur të ndjeni sesi Besniku shkrimtar vuan i pushtuar befas nga një ndjenjë e thellë fajësie, të cilën politikani as që e kishte vënë re. Është një roman për thyerjet e tabuve dhe rrënjët e lirisë, në të gjitha kuptimet e saj, lirinë politike, mendore, lirinë seksuale, sidomos në Shqipëri. Po, sepse edhe zbulimi i trupit krahas zbulimit të botës ishte i ndaluar në diktaturë. Ndaj edhe në libër, Mustafaj na kujton se liria politike e shoqërisë e mbërrin plotërinë e vet vetëm kur e çliron trupin e individit, ashtu si dhe mendjen e tij.

Ky libër përmban në mënyrë simbolike ankthet, ngërçet dhe përpëlitjet e shpirtit të një brezi të plakur tanimë. Por proza e Mustafajit është gjithashtu e mbushur me vetëdije historike, vetjake po aq sa dhe publike për brezin e tij dhe të bashkëmoshatarëve që u rritën nën diktaturë dhe u burrëruan në liri. Personazhi Besnik Mustafaj ishte betuar se pushtetin e kishte dashur vetëm për të qenë i dobishëm në zgjerimin e lirive të të tjerëve, porse në mënyrë paradoksale kishte kufizuar liritë e tij. Dhe ja ku lind pyetja: Sa i përkushtuar për të zgjeruar liritë e të tjerëve mund të jetë dikush i cili nuk ka guxim të ushtrojë liritë e veta? Edhe kësaj pyetjeje, Mustafaji i përgjigjet shterueshëm në roman. Kur ndërmerr një eksperiment të tillë, pra të ngjizësh një roman si Besniku, pasi ke kaluar pesëmbëdhjetë vite larg të shkruarit letërsi, nuk mund të jesh i sigurt se çfarë do të bësh. Sepse arratisesh nga një regjim burgosës që është politika, për t’iu nënshtruar një tjetër regjimi akoma më skllavërues, sikundër është letërsia. Besniku e kaloi me sukses tranzicionin e pushteteve brenda vetvetes. Paçin të gjithë një Rilindje si e tij!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit