2013-12-26

Hajnia si standard




                                 Enis Veliu

Vidh, abuzo dhe në fund avancohu në një pozitë tjetër, jashtë institucionit ku i ke bërë këto veprime të jashtëligjshme. Tashmë kjo është bërë standard në vendin tonë.

Shumëkujt kjo mund të mos i besohet, por një gjë e tillë ka ndodhur, dhe po ndodh në vazhdimësi.Shumë zyrtarë të lartë të shtetit, sa janë në pushtet po e vjedhin arkën e shtetit, po e vjedhin pronën publike, po shkatërrojnë kompanitë private duke iu marrë përqindje për tenderë, dhe në fund nuk i japin llogari askujt për veprimet që kanë bërë.

Rasti më i freskët dhe i veçantë është i Ahmet Shalës, i cili tash e një kohë përfaqëson shtetin e Kosovës në Japoni
. Ky i fundit disa herë është kritikuar e akuzuar për transformim të jashtëligjshëm të ndërmarrjeve shoqërore në pronë private.

Mirëpo, ky me bekimin e shefit (Hashim Thaçi) vazhdon të qëndrojë komod në shtetin më të zhvilluar në botë, edhe pse imazhi që përfaqëson ai mund të fundosë edhe më shumë Kosovën sidomos në aspektin ekonomik.

Ambasadori Shala edhe më tutje vazhdon të mos e çajë kokën, edhe pse zërat kundër tij po shtohen çdo ditë e më shumë.
Sa herë që shkruhet, apo edhe flitet për të, ai gjithmonë hesht, pasi që asnjëherë nuk ka pasur argumente për të mbrojtur veprimet e tij, e sidomos gjatë kohës sa kishte qene drejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).

Një dosje prej më shumë se 2000 faqesh për privatizim të jashtëligjshëm të ndërmarrjes bujqësore industriale “Suhareka” po në këtë qytet ka kohë që është dorëzuar në prokurorinë vendore dhe atë të EULEX-it.

Por, dosje të tillë për ish- shefin e privatizimit janë në përgatitje e sipër, pasi që ndërmarrjet e privatizuara sipas procedurave ligjore është e vështirë t’i gjesh edhe pse deri më tash janë privatizuar mbi 500 sosh.

Rezultatet e privatizimit në Kosovë kane qenë të kundërta më ato të çdo shteti të rajonit, por edhe më gjerë.

Privatizimi në vend solli zvogëlim të vendeve të punës, pasi që shumë ndërmarrje në të cilat kanë punuar qindra punëtorë, u shndërruan në qendra tregtare, apo edhe në disa raste ato u rrënuan krejt për t’u lëshuar vendin komplekseve të larta banesore.

Kryeministri Thaçi disa herë është munduar që t’i tregojë opinionit se nuk ka gisht në drejtësi. Mirëpo, realiteti thuajse gjithmonë ka qenë ndryshe. Thaçi gjithmonë i ka mbrojtur miqtë e tij, edhe pse ata i kanë bërë 100 të zeza këtij shteti.

Ahmet Shala duhet ta mbrojë veten për akuzat që po i behën atij për shkatërrimin e qindra ndërmarrjeve shoqërore që janë shitur në mënyrë të jashtëligjshme gjatë procesit të privatizimit, e jo ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Japoni.

Prania e tij në korin diplomatik të vendit, edhe më shumë do t’ia rrënojë imazhin vendit tonë karshi shteteve tjera të botës, e sidomos karshi atyre që ende nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...