Nga William Hague/Kosova:Një shikim përpara në 2014

David Lidington

  Nga William Hague

BE-ja ka pritje të larta si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova. Siç ka nënvizuar edhe sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, Britania e Madhe dëshiron që të shohë të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë duke luajtur rol të plotë në BE. Dialogu duhet të vazhdojë me shpejtësi. Të arriturat deri më tani dhe negociatat e ardhshme do të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme tek jeta e njerëzve nga të dyja anët e kufirit


Me të drejtë, Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor e uroi si Kosovën ashtu edhe Serbinë për përparimin që kanë shënuar në normalizimin e raporteve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Përparimi i bërë ka qenë një e arritur mbresëlënëse. Personalisht kam përgëzuar të dy liderët për guximin e tyre politik dhe mënyrën e të menduarit përpara në këtë proces. Ajo që është arritur deri më tani e meriton njëmend epitetin “historike”.

Ndikimi pozitiv që ka dialogu në afrimin e të dyja shteteve me BE-në tashmë është më se i qartë – Këshilli Evropian gjatë qershorit nisi negociatat e Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA). Krahas marrëveshjes për normalizim, të arritur në Bruksel më 19 prill, kemi pasur edhe marrëveshje të tjera, të cilat mbulojnë energjetikën, telekomunikacionin, policinë dhe zgjedhjet lokale në Kosovë.

Unë e përshëndes fuqimisht vullnetin e të dy kryeministrave për ta vazhduar angazhimin. E di se negociatat kanë qenë nganjëherë të vështira. Zbatimi duhet të mbetet një proces i vazhdueshëm dhe të dyja palët duhet të vazhdojnë ta luajnë rolin e tyre në realizimin e zotimeve.

Zgjerimi i BE-së ka shumëçka për t’i ofruar Kosovës. Por ngjashëm, Kosova ka shumëçka për t’i ofruar BE-së. Puna e madhe që po bëhet për të përmbushur kushtet e MSA-së dhe liberalizimit të vizave është mbresëlënëse dhe pasqyron vendosmërinë e politikanëve, shërbyesve civilë dhe shoqërisë më të gjerë civile për ta përmirësuar cilësinë dhe zbatimin e ligjeve në sundimin e ligjit dhe në bizneset. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e standardeve evropiane, por edhe në përmirësimin e jetëve dhe perspektivave për qytetarët e Kosovës.

Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor po ashtu priste përparim të mëtejmë më 2014 nga të gjitha shtetet e përfshira në zgjerim. Krahas zotimeve të bëra në dialog, e di se kjo do ta përfshijë edhe ambicien nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian për finalizimin e negociatave të MSA-së qysh në verë të 2014-s. Këshilli po ashtu i bëri thirrje Kosovës që të përqendrohet tek reformat zgjedhore dhe reformat e mëtejme ekonomike, ashtu si edhe përmirësimin e administrimit publik, gjyqësorit, si dhe çështjeve të lidhura me tregtinë dhe tregjet e brendshme.

Pas zgjedhjeve të suksesshme lokale, më ka dhënë shumë kurajë progresi i konsiderueshëm gjatë transferimit të ish-oficerëve të Ministrisë së Brendshme serbe që vepronin në Kosovën Veriore në Policinë e Kosovës dhe shpresoj se do të vazhdojnë përpjekjet për marrëveshjet rreth integrimit të gjyqtarëve serbë në gjyqësorin e Kosovës. Britania e Madhe mezi pret të shohë formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, e cila, siç është përcaktuar në mënyrë të qartë në Marrëveshjen e prillit, do të veprojë nën ombrellën institucionale të Kosovës. Ajo do të jetë aktive në zhvillimin ekonomik, arsimimin, shëndetësinë, ashtu si edhe çështjet e planifikimit urban dhe rural, duke përkrahur anëtarët e saj që të ofrojnë shërbime më të mira, ashtu si edhe të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e komunitetit serb të Kosovës.

Dhe, në vend të krijimit të një strukture të ndarë apo konkurruese të pushtetit, ajo përfaqëson një mundësi për bashkëpunim me strukturat e qeverisë qendrore, posaçërisht Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Për Serbinë, përpjekjet e mëdha të përmbushjes së secilit kapitull për anëtarësim pritet të fillojnë. Këshilli i dhjetorit ishte i qartë rreth synimit përfundimtar për raportet midis Serbisë dhe Kosovës; arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve përmes një marrëveshjeje obliguese ligjore, para se Serbia të aderojë në BE.

Edhe Kosova duhet që të vazhdojë punën rreth zgjerimit, përfshirë atë në kuadër të dialogut. Do të ketë shumë punë për ta arritur normalizimin, për t’u siguruar se marrëveshjet tashmë të arritura do të zbatohen dhe për të vazhduar përmirësimin e raporteve fqinjësore me Serbinë.

BE-ja ka pritje të larta si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova. Siç ka nënvizuar edhe sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, Britania e Madhe dëshiron që të shohë të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë duke luajtur rol të plotë në BE. Dialogu duhet të vazhdojë me shpejtësi. Të arriturat deri më tani dhe negociatat e ardhme do të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme tek jeta e njerëzve nga të dyja anët e kufirit.

Mbesim përkrahës të fuqishëm si të Kosovës, ashtu edhe Serbisë. Mezi e pres 2014-n, derisa të dyja shtetet ndihmojnë që të sigurohet një e ardhme stabile dhe me perspektivë për qytetarët e tyre, duke vazhduar rrugët e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE.



(Autori është ministër britanik për Evropën)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit