Integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO dhe liberalizimi i vizave do të jenë prioritet i diplomacisë kosovare. Ky ishte vlerësimi që krerët më të lartë të Kosovës dhanë në në konferencën e dytë të ambasadorëve që u zhvillua në Prishtinë.
Mirëpo kryeministri Thaçi ka thënë se është pikërishtë BE-në e cila me një politikë jo të drejtë ndaj qytetarëve të Kosovës, ka izoluar të drejtën e tyre në lëvizjen e lirë.
“Kështu që me shtetet që ende nuk e njohin Kosovën, ne do të këmbëngulim edhe njohjen e shtetit tonë që të përpiqemi të kërkojmë paraprakisht ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike, njohjen e pasaportave të Kosovës, heqjen e vizave dhe krijimin në mënyrë të ndërsjellë të zyrave ndërlidhëse me këto vende për çka edhe kemi oferta.
Të gjithë e dinë mirë që një ndër problemet më të mëdha dhe sfida kryesore me të cilën përballet politika jonë e jashtme, është izolimi i shtetasve të Kosovës nga regjimi i vizave.
Ne sot jemi në rrugën e duhur të liberalizimit të vizave në zonën Shengen të Bashkimit Europian.
Ky është një izolim plotësisht i padrejtë dhe ne kemi implementuar kriteret e nevojshme të kërkuara nga Brukseli, por ne nuk do të mjaftohemi me kaq dhe sot ne vendosim si prioritet heqjen e vizave nga më shumë vende të botës që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, deklaroi Thaçi.