- Në pajtim me Rregulloren për Çmim Kombëtar Letrar dhe Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore Letrare, Ministria e Kulturës e Kosovës fton krijuesit që të aplikojnë për çmimet letrare.
Ministria e Kulturës e Kosovës ka bërë ftesë publike krijuesve që janë të interesuar për të konkurruar për çmime në fushën e letërsisë.
Drejtuesi i Departamentit të Kulturës në këtë ministri, Kamuran Goranci, ka bërë të ditur se konkursi ka për qëllim të stimulojë procesin letrar artistik dhe të promovojë vlerat kulturore letrare.
Ai ka njoftuar se Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i jepet krijuesit të dalluar për vepër jetësore, i cili me krijimtarinë e vet ka lënë gjurmë të thella në fushën e letërsisë.
Ndërsa Çmimet Vjetore Letrare ndahen për librat më të mirë të botuar brenda vitit 2013 në fushën e prozës, poezisë, kritikës letrare e eseistikes dhe për librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Konkurrimi për Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” bëhet përmes nominimit nga institucionet dhe asociacionet kulturore dhe arsimore në vend. Ndërsa konkurrimi për çmimet vjetore, mund të bëhet edhe individualisht nga vet krijuesit dhe përkthyesit.
Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bën juria profesionale e përbërë nga 5 anëtarë.