2013-12-28

Nadie Ahmeti :Feride Rushiti: Në burgje ka edhe çmimore për narkotikët


Dhuna fizike nuk është e pranishme në burgjet e Kosovës, siç ishte më herët, por ka kontrabandim të celularëve e narkotikëve, tha për Radion Evropa e Lirë, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Feride Rushiti

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Rushiti, kushtet që mbretërojnë sot në burgjet e Kosovës, kanë qenë temë diskutimi jo rrallëherë në opinion. Këtu nuk është përjashtuar as çështja e dhunës fizike, që mund të jetë ushtruar ose jo në burgje, apo edhe qendra korrektuese. Keni ju informacione mbi këtë çështje?

FERIDE RUSHITI
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bashkërisht edhe me organizata të tjera dhe me institucionin e Avokatit të Popullit,
monitorojnë sistemin korrektues të Kosovës, po ashtu edhe qendrat e ndalimit apo stacionet policore, si dhe shëndetit mendor që nga viti 2006 dhe del me raporte vjetore.

Fatmirësisht, mund të themi, që për dallim prej viteve të mëhershme ose ndoshta vitit 2007- 2008, tani dhuna fizike nuk është element që dominon në sistemin korrektues të Kosovës. Megjithatë, mund të ketë ndonjë rast sporadik, të izoluar, mirëpo nuk është dukuri, e cila i përcjell këto institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
Në burgjet e Kosovës, gjithashtu thuhet se ka kontrabandim të telefonave celularë, substancave narkotike, e në disa raste edhe të armëve. A mund t’i konfirmoni këto pohime?

FERIDE RUSHITI
Siç e dini edhe ju, si medium, edhe mediumet tjera e kanë potencuar që ka edhe armë edhe mjete narkotike, edhe telefona komunikues, kështu që ne gjatë vizitave tona monitoruese nuk mund t’i investigojmë rastet, mirëpo ka pohime nga të burgosurit që ka edhe lëndë narkotike. Madje, kanë edhe çmimoren sa qarkullojnë, dihen edhe pavijonet se cilat janë ato më problematiket dhe mund të themi se thuhet që ka mjete narkotike.

Po ashtu, edhe për mjete komunikimi apo telefona, ka, pasi që edhe neve vetë si monitorues, kohë pas kohe ata na thërrasin dhe na shqetësojnë për çështje të caktuara. Kështu që, sipas pohimeve të të burgosurve dhe sipas kontakteve direkte, mendojmë që po.

RADIO EVROPA E LIRË
Po cilat janë ato pavijone, siç thoni ju, më problematiket?

FERIDE RUSHITI
Zakonisht janë pavijonet që kanë regjim standard apo regjim bazik, që nuk është pavijon me privilegje. Zakonisht, mbahen të burgosurit, të cilët vijnë në fillim, pastaj ata të cilët mund të kenë thyer rregullin e brendshëm, është Pavijoni 5, Pavijoni 3, që janë pavijonet më të diskutueshme në raport me gjetjet që i përmenda më herët - është fjala për Burgun e Dubravës.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni ndonjë kufi ligjor gjatë vizitave në Qendrat korrektuese apo të paraburgimit?

FERIDE RUSHITI
Qendra Kosovare për të Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës që nga viti 2008 ka lobuar për krijimin e mekanizmin kombëtar për parandalimin e torturës, mekanizëm ky i cili rrjedh nga protokolli shtesë i Konventës së OKB-së kundër torturës. Mirëpo, siç e dimë, Kosova nuk është nënshkruese e as ratifikuese e kësaj konvente, po ne si shoqëri civile, bashkërisht me KMDLNJ-në dhe institucionin e Avokatit të Popullit, kemi bërë një marrëveshje mirëkuptimi, me të cilën si trupa të përbashkët, bëjmë vizita.

Ndërsa, veçmas ne kemi një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Drejtësisë, pastaj me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, dhe atë për Punë dhe Mirëqenie Sociale që t’i vizitojmë këto institucione me paralajmërim.

Po e them me paralajmërim, pasi që institucionet korrektuese, të cilat menaxhohen nga Ministria e Drejtësisë, janë institucione që vizitohen me paralajmërim. Kurse, për dallim prej stacioneve policore, të cilat menaxhohen nga ministritë e tjera, ne kemi arritur që të sigurojmë qasje pa paralajmërim, domethënë ne mund të jemi aty 24 orë, varësisht prej mundësive që ne si organizatë i kemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mundësive, sa herë në javë apo në muaji, në çfarë periudhe kohore bëni vizita?

FERIDE RUSHITI
Zakonisht vizitat dallojnë për kah karakteri, domethënë ka vizita të rregullta apo sistematike që quhen, e që kanë karakter pak më afatgjatë kur vizitohet Burgu apo Qendra korrektuese e Dubravës që është ndër qendrat më të mëdha dhe është indikator për të gjitha qendrat tjera korrektuese, vizita do të jetë 3 ditë, do të jetë prej një ekipi multidisiplinar, i përbërë prej 5 apo 6 vetëve, kështu që kjo merr kohë më shumë.

Kurse, për vizitat e tjera, mund të jenë vizita ad-hoc, për shembull kemi informacion që po ndodh atje një shkelje apo kemi telefonatë nga i burgosuri apo familjari vetë dhe ne i informojmë institucionet korrektuese dhe shkojmë.

Vizitat bëhen kryesisht në baza mujore, dymujore, varësisht prej problematikës që e trajtojmë. Kështu që, jemi munduar që të gjitha qendrat të paktën dy herë brenda vitit i vizitojmë, por megjithatë ka pasur raste që janë vizituar më shpesh për shkak të problematikave që kanë pasur.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë telashet më të mëdha, sipas jush, në sistemin e paraburgimit, shkeljet të cilat ju si organizatë keni vërejtur?

FERIDE RUSHITI
Te paraburgimi, padyshim infrastruktura është një shqetësim që mbetet, por na gëzon fakti që edhe tani Qendra e paraburgimit në Gjilan është duke u ndërtuar dhe së shpejti edhe ajo do të jetë një qendër e re ku të paraburgosurit mund të vendosen në mënyrë të njerëzishme, për faktin se kushtet, të cilat ata tani i kanë pothuajse shumica e dhomave kanë probleme qoftë nga lagështia, ventilimi, ndriçimi. E njëjtë është edhe Qendra e Prishtinës.

Mos të harrojmë se Qendra e Prishtinës ka një infrastrukturë të atillë që është torturuese vetëm nga ana vizive e saj, po edhe për Prishtinën është menduar të krijohet një qendër e re paraburgimi, e cila do t’i kënaqte nevojat e të paraburgosurve, po ashtu, edhe të sistemit korrektues.

Pikë kryesore, e cila është problematike për Qendrën e paraburgimit është mbipopullimi. Mbipopullimi e ka karakterizuar këtë institucion edhe vitin e kaluar, e edhe këtë vit, ç’gjë paraqet problem për faktin që shumë herë është dashur që edhe të burgosurit edhe të paraburgosurit ta ndajnë qelinë - që është thyerje e të drejtave të njeriut për faktin që të burgosurit duhet të kenë një sistemim dhe trajtim krejt tjetër prej të paraburgosurve.

Kështu, shumë herë të paraburgosurit janë detyruar t’i dërgojnë edhe në Burgun e Dubravës, sepse këto qendrat tjera nuk kanë mundur t’i strehojnë. Pastaj, në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, të paraburgosurit ka pasur raste të flenë në dyshekë edhe gjatë periudhës së dimrit kur është ftohtë dhe ka lagështi etj. Pra, mbipopullimi ka qenë dhe mbetet ende një sfidë për sistemin korrektues të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A merren parasysh rekomandimet tuaja nga autoritetet kompetente?

FERIDE RUSHITI
Po, mund të them se tashmë si organizatë, edhe ne, edhe KMDLNJ-ja edhe Avokati i Popullit, kemi dalë çdo vit me raport publik që i ka potencuar gjetjet dhe njëkohësisht edhe rekomandimet. Dhe, na gëzon fakti që tashmë ne kemi arritur të krijojmë një dialog konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe të mos shihen raportet tona si diçka kritikuese, si diçka tendencioze, por të merren seriozisht nga këto institucione dhe të jetë një burim alternativ për mënyrën se si funksionojnë këto sisteme - qoftë shërbimi korrektues, qoftë shërbimet e tjera të cilat ne i monitorojmë.

Dhe, pa dyshim, mund të them lirisht që tani rekomandimet edhe implementohen po edhe është arritur të shihet një progres në qoftë se flasim në vija afatgjata, kur ne kemi filluar t’i monitorojmë këto shërbime.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...