“Sheiku” mashtrues





Mbi 845 milionë euro ka arritur shuma e premtimeve që lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hashim Thaçi po i jep nëpër komuna të Kosovës, për investime kapitale, përgjatë dy javëve fushatë parazgjedhore.

Me këtë trend të premtimeve deri në përfundim të fushatës ai do të shterrë buxhetin prej 1.5 miliardë euro që ka Kosova. Të dhënat zyrtare të qeverisë, në krye të së cilës është ai vetë, tregojnë shifra të tjera të cilat dëshmojnë se kryeministri është duke manipuluar me votuesit potencialë.

Bazuar në linjat zyrtare buxhetore, i gjithë buxheti për investimet kapitale për të gjitha komunat e Kosovës është 126 milionë euro. Ndërsa premtimet e tij për 11 komuna kapin shumën prej 845 milionë euro.

Gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë, lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka premtuar se gjatë mandatit që vjen nëse i fiton zgjedhjet kandidati i partisë së tij Avni Kastrati do të investojë hiç më pak se 150 milionë euro, shumë kjo gati dhjetë herë më e madhe se shuma e investimeve që janë bërë gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit Kastrati.

Sipas raportit të buxhetit të Ministrisë së Financave (MF) shihet se buxheti për investime kapitale i kësaj komune për vitin 2013 ka qenë 3,8 milionë euro. Gjatë vitit 2014 do të jetë 3,9 milionë euro, si dhe gjatë vitit 2015 do të jetë 4 milionë euro.

Edhe në komunën e Prizrenit, apo Jerusalemit të PDK-së, siç e konsideron Thaçi këtë qytet, shuma e mjeteve të premtuara është hiç më pakë se 100 milionë euro. Mirëpo, sipas raportit të buxhetit të MF-së shihet qartë se buxheti i kësaj komune për investime kapitale gjatë këtij viti ka qenë 14,2 milionë euro, gjatë vitit 2014 do të jetë 14,3 milionë euro dhe në vitin 2015 do të jetë 14,4 milionë euro.

Po ashtu, lideri i PDK-së Hashim Thaçi gjatë hapjes së fushatës parazgjedhore të partisë së tij në Vushtrri ka premtuar investime në vlerë prej 80 milionë euro. Edhe në këtë komunë premtimet e lideri të PDK-së janë 8 herë më të larta se sa shuma e investimeve që ka ndodhur gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit aktual Bajram Mulaku. Sipas raportit të buxhetit të MF-së shihet i terë buxheti për shpenzime kapitale në këtë komunë sivjet ka qenë 3,7 milionë euro, gjatë vitit që vjen do të jetë 4,2 milionë euro dhe gjatë vitit 2015 do të jetë 4,1 milionë euro.

Edhe në komunën e Malishevës lideri i PDK-së ka premtuar investime prej 75 milionë euro nëse qytetarët e kësaj komune do t’i japin votën Isni Kilajt për ta drejtuar komunën edhe për një mandat. Mirëpo, buxheti i kësaj komunë për mandatin e kaluar ka qenë rreth 6 herë më i vogël se sa ky që e ka prezantuar tash kryeministri në fushatë.

Sipas raportit të buxhetit të MF-së shihet se në këtë komunë gjatë vitit 2013 të destinuara për shpenzime kapitale kanë qenë 2,8 milionë euro, gjatë vitit 2014 kanë qenë 2,9 milionë euro dhe gjatë vitit 2015 do të jenë 3 milionë euro.

Visar Rushiti nga Instituti “GAP” ka thënë janë disa komuna në të cilat gjatë këtyre ditëve është premtuar investime kapitale deri në 100 apo 150 milionë euro që do të bëhen gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, si komuna e Mitrovicës, e Prizrenit, Gjilanit dhe Vushtrrisë. Sipas tij, në Mitrovicë janë premtuar prej 100 deri 150 milionë euro investime, mirëpo sipas Kornizës Afatmesme Buxhetore, komuna e Mitrovicës do të ketë 14.6 milionë euro buxhet në vitin 2014, pak mbi 15 milionë në vitin 2015 dhe 15.3 milionë euro buxhet në vitin 2016.

“Në këtë buxhet, granti i përgjithshëm qeveritar bën pjesë me mbi 12 milion, derisa të hyrat vetjake me mbi 2 milionë euro. Për më shumë, në Mitrovicë është premtuar krijimi i katër mijë vendeve të punës dhe renovimi i stadiumit të qytetit duke e krahasuar pastaj atë me stadiumin e famshëm Wembley në Londër i cili ka kushtuar rreth 894 milionë euro” ka thënë ai para pak ditësh në një intervistë për gazetën “Zëri”. Sipas tij, vazhdon Prizreni me 33.6 milionë euro buxhet në vitin 2013, derisa janë premtuar 100 milionë euro investime, pastaj Gjilani, Vushtrria, ku në këtë të fundit janë premtuar 80 milionë euro investime derisa Vushtrria do të përmbyllë vitin 2013 me 12.6 milion euro buxhet, dhe sipas Kornizës Afatmesme të Buxhetit, do të ketë jo më shumë se nga 13 milion në vitet 2014 dhe 2015, dhe pak mbi 14 milion në vitin 2016.

845 milionë euro është shuma e mjeteve që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka premtuar se do t’i investojë në 11 komuna të Kosovës, nëse qytetarët do t’ua japin votat kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

127 milionë euro është totali i mjeteve për investime kapitalë në të gjitha komunat e Kosovës për vitin 2013.

126 milionë euro është totali i mjeteve për investime kapitalë në të gjitha komunat e Kosovës për vitin 2014.

130 milionë euro është totali i mjeteve për investime kapitalë në të gjitha komunat e Kosovës për vitin 2015.


Qyteti --------- Premtimet ------- Buxheti 2014 ------- Buxheti 2015

Mitrovicë --- 150 milionë euro 3,9 milionë euro 4,0 milionë euro

Gjilan --- 120 milionë euro 3,3 milionë euro 3,5 milionë euro

Prizren --- 100 milionë euro 14,3 milionë euro 14,3 milionë euro

Vushtrri --- 80 milionë euro 4,2 milionë euro 4,1 milionë euro 

Podujevë --- 80 milionë euro 5,8 milionë euro 5,9 milionë euro

Malishevë --- 75 milionë euro 2,9 milionë euro 3,0 milionë euro

Suharekë --- 70 milionë euro 4,7 milionë euro 4,9 milionë euro

Obiliq --- 60 milionë euro 1,2 milionë euro 1,2 milionë euro

Fushë Kosovë --- 60 milionë euro 2,3 milionë euro 2,3 milionë euro

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit