E varfër skajshmërisht, me papunësinë më të lartë, me një edukim që kërkohen investime të menjëhershme, probleme me ligjin, me energjinë, me ndotje të mjedisit, e madje edhe me status politik, është vlerësimi që i jep Kosovës, Banka Botërore përmes raportit të saj “Country Snapshot”, publikuar në tetor të këtij viti.
Raporti thotë se papunësia e lartë dhe mungesa e punëve cilësorë janë shkaktarët që Kosova të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër në Evropë, ku populli jeton me të ardhura të pasigurta.
Edhe atëherë kur ofrohet puna, kushtet e tregut janë të pafavorshme sidomos për të rinjtë dhe gjininë femërore, ku shkalla e punësimit te të rinjtë është vetëm 9,8 për qind.
Edhe kësaj here, në raport kërkohet nga institucionet e vendit për të përmirësuar ekonominë e vendit, i duhet të shtojë përpjekjet e saj në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit. “Për të rritur ekonominë, Kosova duhet të vazhdojë të fokusojë përpjekjet e saj në
forcimin e sundimit të ligjit. Kështu do të thërriste investimet, si një prej pikave kyçe për rritjen e ekonomisë”, thuhet në raport.
Megjithatë Kosova thuhet se që nga tremujori i dytë i vitit 2011 ka bërë progres në aspektin ligjor dhe në strukturat institucionale me synim për të përforcuar ekonominë e tregut, reforma këto që janë mbështetur nga projektet e financuara nga Banka Botërore, e si rrjedhojë ka reflektuar që Kosova të ngritët më lartë në raportin ndërkombëtarë “të bësh biznes”.
Por, pavarësisht kësaj, Raporti “Snapshot Kosova”, nuk harron të tregojë se në Kosova vazhdon të ketë klimë jo të favorshme për bizneset dhe krahasuar me rajonin janë shumë më keq.
“Institucione të dobëta, moskapacitete, paqartësi pronësore, regjimi i komplikuar vazhdojnë të jenë pengesa në aktivitetet e sektorit privat formal”, thuhet në raport.
Madje raporti kritikon edhe infrastrukturën rrugore e sistemin e transportit, ndonëse Qeveria mburret në investimet që po i bën në këtë drejtim.
“Sistemi i transportit është i papërshtatshme për nevojat e biznesit dhe tregtisë dhe nuk janë përkojnë me standardet evropiane. Jo çuditërisht, siguria rrugore mbetet një prej probleme më të mëdha në Kosovë”, thuhet ne raport.
Sistemi arsimor është vlerësimi tjetër ku raporti jep kritika tepër të larta.
Në Raporti thuhet se sistemimi arsimor i Kosovës vazhdon të mos i pajisë studentët me kurrikulat adekuate përmes të cilave do të kontribuonte në krijimin e aftësisë së punës sipas kërkesave të tregut.
“Kosova ende shpenzon shumë pak në këtë sektor, më pas se sa mesatarja e të gjitha vendeve në Evropë. Sistemi arsimor ka nevojë për të përmirësuar cilësinë, në të gjitha nivelet”, thuhet në raport.
Nuk le pa përmendur edhe energjinë, për çka thotë se problemet në këtë sektor janë një prej pengesave që nuk po pengojnë zhvillimin e bizneseve dhe për prurjen e investitorëve.
E jo vetëm kaq, Kosova vazhdon ë ketë probleme edhe me ndotjen e ajrit, sidomos në zonat urbane, thuhet në raport.
Nuk mbetet pa u përmendur edhe statusi i Kosovës, ku sipas këtij raporti statusi i pazgjidhur i saj mbetet pengesë kyçe për arritjen e objektivave të vendit në integrimet e saj politike dhe socio-ekonomike.