2013-12-30

Obelisku i Roland Lushit



Roland Lushi ka lindur në Korçë, më 15 maj 1955. Ka mbaruar shkollën e lartë dega Gjuhë-Letërsi, në Universitetin "Aleksander Xhuvani", Elbasan. Deri në vitin 1990 ka punuar në RTSH. Pas vitit 1990, drejton Shtëpinë Botuese "ADA" dhe boton revistën e përjavshme letraro-artistike "OBELISK". Është autor i filmit vizatimor për fëmijë "Kampioni", i librit "Lepurushi me nr.9-të dhe bashkautor në librin "Historiku Euro-2008".Bashkëautor në librin "100 poetë për dashurinë " Vëllimi i parë dhe ka përgatitur vëllimin e dytë të librit"100 poetë per dashurinë"(Flori Bruqi)


Jo! Jo! Nuk i kemi harruar thonjëzat, por duam që titullin e revistës ta afronim me imazhin e një përmendoreje fisnikërie për botuesin Roland Lushi. Prej pesë vjetësh, ai vazhdon të nxjerrë këtë revistë letrare ku është shpalosur krijimtaria letrare e autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nëse do të niseshim nga motivet dhe strategjitë e një biznesmeni, e vetmja gjë që nuk duhej të bënte Landi ishte të mos u hynte këtyre punëve.
Për ta bërë edhe më të besueshëm këtë mendim, kujtojmë se nga mbi njëqind shtëpi botuese dhe shtypshkronja që ka sot Tirana këtë “gabim” nuk e ka bërë asnjëra prej tyre. Ndaj edhe këtu, sikur ta mbyllnim, mund të quhej i plotë ky shkrim dhe e justifikuar ajo heqje thonjëzash në titull.
Kujtoj se para pesë vjetësh, kam botuar një shkrim me titullin “Më shumë se sa një revistë”, në të cilën shprehja emocionet dhe mbresat e një takimi që kishte organizuar Landi me bashkëpunëtorët e tij:
“Të shtunën në mesditë, si rrallë herë, poetë dhe shkrimtarë nga i gjithë vendi devijuan nga qendra e Tiranës për t’u takuar në një lokal të thjeshtë, diku pranë gjimnazit “Qemal Stafa”. Mikpritës ishte “Obelisku”, nga të paktat botime letraro-artistike që dalin sot. 31 numra janë botuar deri në këtë fund viti. Askush nuk e mendonte kur doli numri i parë, se do të ikej me të kaq larg.”
Në atë trokitje gotash, më shumë se sa për shëndetin e Landit, urohej për vazhdimësinë e botimit të revistës. Tani, pas pesë vjetësh, jo vetëm që Landi ndjehet më i rri por edhe revista shënon në kopertinë numrin152. Një mrekulli.



Mrekulli që i ka rrënjët tek ajo dëshirë e hershme e Landit: Ah, sikur të nxjerr një botim letrar.
Kush tjetër më shumë se një krijues ia di vlerën realizimit të kësaj ëndrre. Landi është nga gazetarët e hershëm që prej vitesh ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar. Është autor i botimit të ilustruar për fëmijë “Lepurushi me numër 9”; skenarist i filmit vizatimor “Kampioni”; bashkautor i botimit sportiv “Euro 2008”, ku jepet historiku i plotë statistikor i të gjitha kupave, të dhënat e skuadrave pjesëmarrëse, stadiumet, statistikat dhe formacionet e të gjitha ndeshjeve të kombëtares sonë në edicionet pjesëmarrëse; bashkautor i vëllimit të parë me lirika shqiptare dhe botërore “100 poetë për dashurinë”. Ndërkohë, është duke përgatitur vëllimin e dytë.
Pasioni i kësaj krijimtarie sigurisht që ka qenë nxitja kryesore për të sjellë në jetë “Obeliskun”. Fillimisht hapi shtypshkronjën e tij modeste, por tepër cilësore. Interesi personal e bënte që të ndjehej mirë në shtimin e titujve të librave të botuara. Por, meraku i hershëm e mundonte dhe ngacmonte për të nxjerrë sa më parë revistën. Jo për vete, por për të tjerët. Në një nismë të tillë kaq të vështirë dhe serioze kuptohet që punët e mira bëhen me shokë shumë. Ai mbajti për vete pjesën më të vështirë – atë të përballimit të shpenzimeve, shtypjen dhe shpërndarjen në të gjithë vendin. Ftoi disa nga miqtë e tij, emra të njohur në fushën e krijimtarisë letrare dhe u besoi drejtimin e revistës duke përzgjedhur lëndën që do të botohej në çdo numër.
Entuziazmi dhe jehona e “Obeliskut” ishte e menjëhershme. Pritej me padurim nga krijuesit e diela, dita kur dilte revista. Nga java në javë shtohej numri i autorëve që dëshironin të botonin krijimet e tyre. Nëse në numrat e parë mungonte përzgjedhja pas disa muajve filloi të shfaqej qejfmbetja. U shtuan faqet e revistës, u zvogëlua edhe germa e shkrimit dhe përsëri dosjet me shkrime të pabotuar ishin plot. Në faqet e këtij botimi letrar dinjitoz donin të ishin të gjithë.
Nëse dikush në këto çaste ka lëshuar buzëqeshjen ironike në shenjë mosbesimi, unë po rendis vetëm autorët që kanë pasur fat të botojnë në numrin 132 të “Obeliskut”: Naum Prifti, Betim Muço, Robert Zend, Ramiz Gjini, Frederik Reshpja, Aleksandër Bllok, Agim Spahiu, Iliriana Sulkuqi, Anton Çefa, Bllaga Dimitrova, Dritëro Agolli, Eugjen Eftushenko, Blez Sendrar, Fatime Kulli, Xhevahir Spahiu, Elinda Marku, Faruk Myrtaj, Faslli Haliti, Merita Mccormack, Grigor Jovani, Vaid Hyzoti, Luigj Çekaj, Roland Gjoza, Visar Zhiti, Dalan Luzaj, Nase Jani, Nexhip Ejupi, Julia Gjika, Roland Musta, Janaq Pani, Adnan Mehmeti, Kostaq Duka, Nikolla Spathari, Luan Xhuli, Pjetër Jaku, Puntorie Ziba, Sami Milloshi, Kristaq Turtulli, Adem Harxhi dhe Kolec Traboini. Plot 40 poetë dhe shkrimtarë! 40 mysafirë në bujarinë dhe fisnikërinë e Roland Lushit. Askush nga ne nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë kaq shumë miq në një javë.
Hajde po deshe dhe quaje të marrë këtë botues që vazhdon të nxjerrë me humbje “Obeliskun”?! Një lumturi dhe kënaqësi të tillë nuk ka shans ta përjetojë edhe një miliarder!
Për këtë gjë ka vuajtur deri para pesë vjetësh Roland Lushi! Ndryshe nuk mund të na thoshte gjatë bashkëbisedimit tonë me aq qetësi dhe siguri, se: “Obeliskun” do e botoj deri sa të kem qindarkën e fundit në xhep.
Kundrejt kësaj “trimërie” dhe sakrifice të këtij botuesi qëndron, natyrshëm, indiferenca jonë. Edhe një fjalë të mirë përtojmë ta shkruajmë për të vlerësuar dhe mbështetur këtë fisnikëri. Por më shumë se për fjalën e mirë “Obelisku” ka nevojë edhe për mbështetjen financiare. Bëhet fjalë për një botim letrar nga të vetmit në tregun shqiptar. Nuk ka të çmuar dhe të paguar dobia e këtyre faqeve tek promovon dhjetëra krijues të rinj që do të jenë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm. Të gjithë e kemi dëshiruar dhe përjetuar me emocion çeljen e një dritareje të tillë. Pas atij botimi të parë që kemi parë në faqet e një gazete apo reviste jemi ndjerë dikushi. Edhe nëse vite më pas nuk jemi bërë vërtetë dikushi të paktën ajo dritareje na ka frymëzuar për të shkruar, për të besuar dhe shpresuar…
Është për të ardhur keq, por krahasimi bën më superior atë sistem në promovimin dhe kujdesin për talentet e reja. Po! Ideologjik dhe skematik ishte, por fjalën e kemi për zbulimin dhe jo injektimin. Ndaj të moskeqkuptohemi dhe të vazhdojmë më tej mendimin. Organet letrare vite më parë viheshin në dispozicion të talenteve që kur fëmija ishte në kopsht. Botimet e tjera e afirmonin ose e mënjanonin. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët me emër të letërsisë së sotme në këto organe janë prezantuar për herë të parë.
Pse të mos kishim edhe sot “Fatosin” dhe “Pionierin” e demokracisë dhe të fjalës së lirë që do të prezantonte talentet e ardhshme shqiptare?! Ja po pranojmë justifikimin e mungesës së titujve nga ana e shtetit por pse nuk mbështetet ky botim serioz që për fat del në saj të pasionit dhe “çmendurisë” së botuesit.
Dhe jo vetëm kaq! Katër herë i është drejtuar Rolandi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ta mbështetur financiarisht në një projekt që synon nxitjen e krijimtarisë letrare të të rinjve. Krejt modeste ka qenë shuma e kërkuar sa na vjen turp ta themi. Por dhe aq të paturpshëm janë treguar ata zyrtarë sa as përgjigje nuk kanë denjuar t’i kthejnë “Obeliskut”.
Gjithsesi, kjo revistë ka vijuar rregullisht botimin. Madje, për çdo fund viti ka organizuar edhe konkurse duke nderuar me çmimet përkatëse shkrimet më të mira. A nuk do të ishte më e këndshme dhe me interes që fituesit t’i jepej edhe një trofe apo shpërblim simbolik? Thënë ndryshe do të ishte nxitje dhe mirënjohje nga shteti dhe shoqëria për një penë të artë që në të ardhmen do të ushqejë kulturën kombëtare.
Flasim për të mbështetur të rinjtë kur edhe të rriturit janë lënë rrugëve. Nëse vite më parë, ishte një ndërtesë me emrin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nga ku dilte edhe e përjavshmja “Drita”, tani i gjithë ky komunitet ka mbetur pa një seli dhe në errësirë. Nuk është thjesht ironi fati, por dëshmi e kohës që sot aty ndodhet ministria e kulturës. Ta gëzojë, por të paktën të mos ligështojë. Mirë bëhet që sponsorizohen konkurse për bukuritë fizike, veçse edhe më e dobishme do të ishte nëse nxitet dhe mbështetet mençuria krijuese.
Me siguri që edhe këto fjalët tona do të bien në vesh të shurdhët. Gjë që Landi e ka ditur para se ne t’i hidhnim këtu. Por nëse me këto rreshta nuk arrijmë t’i lehtësojmë sadopak atë peshë të rëndë që ndjen nga botimi i “Obeliskut” deshëm ta inkurajonim dhe falënderonim në vazhdimësinë e këtij misioni fisnik. Urojmë që të mos i shterojë as qindarka e fundit që do t’i mundësojë botimin e revistës. Kështu edhe më shumë do të zbehet titulli i revistës në vazhdimësi, por obelisku i Roland Lushit do të hijeshohet në madhështi.

Agron Sejamini

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...