Ligor Shyti u lind në Përmet me 29/12/1957. Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe shërbimit ushtarak, iu përkushtua karierës ushtarake, prej së cilës u shkëput prej një aksidenti të rëndë automobilistik, që e bëri të jetojë mbi një karrige me rrota. Pas korrikut të vitit 1991 i është kushtuar artit dhe letërsisë.
Në pranverën e vitit 2000 doli në qarkullim libri i tij i parë i titulluar: “Çmimi i Faljes”, roman dhe më pas, në vitin 2003, doli libri i dytë “Letër nga Ferri”, roman; “Françi, mbesa e kapitenit”, roman (2007); “Në aerodromin e ëndrrave të mia”, lirika, 2009; “Ishte Eliana”, roman, 2012.
Ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme lokale, kombëtare të poezisë dhe fabulës dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme si brenda vendit dhe në Itali e Greqi. Romani “Letër nga Ferri” është shpallur nga Lidhja ndërkombëtare e krijuesve “Pegasi”, me qendër ne Gjirokastër, si vepra më e arrirë e vitit 2005. Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në shtypin e përditshëm lokal dhe atë kombëtar, si dhe në Kosovë, Sh.B.A. dhe Italinë e jugut. Kohët e fundit është paraqitur në shtyp edhe si përkthyes i gjuhës italiane. Tregime: “Detektivi”,tetor, 2006; “Kuqoja”, qershor, 2008; “Ledia”, maj 2009, “Shkruar për Rozën” qershor 2013.
Publicistikë:
“Në qendër të të gjitha gjërave qëndron Mirësia”, maj, 2000
“Kosina dhe kosinaret në vite”, shkurt, 2007.
“Bastioni” i socialistëve në Përmet, u shkërmoq”, janar, 2007.
Botime në gjuhë të huaja:
Romani “Françi, mbesa e kapitenit”, përkthyer dhe botuar në Greqisht, italisht.
Cikël me poezi, botuar ne revistën italiane “Artisti a Confronto”në qytetin e Motolas (TA). “Në qendër të të gjithave qëndron mirësia”, botuar në anglisht, revista “Mirësia”(2000).
Rolin e tij në letrat shqipe dhe vlerësimin kombëtar për të;
Është një zë i njohur në letërsinë shqipe dhe më tej. Prezantimi i krijimtarisë së tij në shtypin mbarëshqiptar me veprat e tij në prozë:
“Çmimi i Faljes”,
“Letër nga Ferri”,
“Françi, mbesa e kapitenit”
dhe “Ishte Eliana”,
poezi: “Në aerodromin e ëndrrave të mia”,
si dhe publikimi i vazhdueshëm në tregun mediativ të cikleve me poezi dhe tregimeve ne shtypin letrar shqiptar si:
Tregime:
“Detektivi”,tetor, 2006.
“Kuqoja”, qershor, 2008.
“Ledia”, maj 2009,
“Shkruar për Rozën” qershor 2013
NJËQIND VJET PA GJUMË
Tani, mund të fle gjumë pafund
Nën flladin e erës shqiptare
që shpirtin më përkund.
Vitet që ikën…
ma prishën ëndrrën.
Njëqind vjet luftëra, vrasje,
copëtime dhimbjesh të kota.
Dhe krahu i prerë që s’e harrova kurrë.
Tani, krahët i kam njëlloj, si dikur,
Fluturoj si një shqiponjë e re,
edhe pse jam tepër e vjetër,
sa vetë bota.
Njëqind vjet dashuri pa dashuri.
Njëqind vjet liri pa liri.
Njëqind vjet ëndrra pa gjumë.
Tani, do të fle,
do të shoh ëndrra më shumë.
Ëndrra, liri, dashuri, kudo anembanë,
nga Shkupi, në Prishtinë, gjer në Tiranë.
Tani, do të fle gjumë si dikur,
shqiponja ime dykrenare
do të fluturojë kudo… lart, larg,
me të sajin flamur.
DUKE PRITUR AGIMIN
Kisha kohë pa e pritur agimin në prill
Dhe zërin e bilbilit s’e dëgjoja
Një qyqe më zuri papritmas gafil
Më ftoi të dilja… me të të lodroja
Një hënëz e vetmuar mes yjesh që ndrijnë,
yjet…
dashuria ime e parë,
e dinë, që çmendem pas saj,
me njeri-tjetrin pëshpërijnë:
Ky qenka i marrë!
Prej kohësh… as shiu rrobat s’mi lag
që rrezes së diellit t’i nder për t’u tharë
se fati, s’më deshi as mua, as hënën,
prandaj në prill na gjen duke qarë.
Me lotët që rrjedhin si pika e vesës
Agimeve të mia mëngjesesh prilli
Do shkruaj një këngë pa vargje, pa rreshta,
Kënduar në maj duke pritur agimin.
KËRKOJ NJË EMËR…!
Një emër dua t’i vë qenies sime,
por nuk mundem.
Kërkoj rreth meje, jashtë meje,
brenda meje,
por… përsëri s’e gjej dot.
Jam një trup pa emër, pa qenie.
Të paktën kohën dua ta di,
epokën time,
por… s’mundem.
Jam një qenie pa kohë,
që kërkon të dijë kur lind dhe perëndon Dielli im?
Por… nuk mundem.
Nuk ka Diell.
Ka vetëm errësirë
me pak dritë hëne që s’të ngroh.
Jam një trup me pamje të ashpër
dhe shpirt të brishtë,
që thyhem atëherë kur s’duhet,
dhe qëndroj stoik kur betejën e kam humbur.
I tillë jam unë,
që kërkoj një emër të ri,
për një kohë tjetër,
për një Botë tjetër.
ME SYTË E TU
Me sytë e tu,
Mund të pikturoj qiellin pa re
Me sytë e tu,
mund të pikturoj detin pa valë
Me sytë e tu,
mund të rri orë, ditë, muaj,
pa thënë asnjë fjalë.
VETËM PËR TY
Vetëm për ty do këndoja si bilbili,
Do udhëtoja gjatë për tek ti,
Por, nëse për ty do të bëja gjithçka,
Mos më kërko, që vetëm për ty të shkruaj poezi.
Më kërko, për ty të shkoj dhe në Hënë,
Me not do të kaloja edhe detin,
Por, nëse për ty, do të rrotulloja edhe Globin,
Mos më kërko, që për ty të nis kurbetin.
Më kërko të të fal dashuri
Dhe dhimbje të marr prej dhimbjes tënde,
Por, nëse do që vetëm për ty të flas,
Mos më dërgo n’ato kuvende.
Poet i mirë, apo i keq
Ti mund të thuash çfarë të duash
Por, nëse për ty un veç do shkruaj
Për poezinë, jam i huaj.
Të shkojmë një ditë të festojmë,
Në fushë, në det, apo në mal
Një shishe verë, një laps dhe letër
Vetëm për ty, nuk shkruaj tjetër.
Vetëm për ty pranë një burimi
Në një lëndinë me lule shumë
Ditlindjen tënde do festojmë
Vetëm për ty do shkruaj unë.
NË KALTËRSINË E DETIT TËND
Në kaltërsinë e detit tënd
seç shoh një ngjyrë bluergjënt
një hënë e bukur,
ca sy të shkruar,
një formë zemre me gurë të çmuar.
Në kaltërsinë e detit tënd,
një zë,
një emër,
bluergjënd.
Në kaltërsinë e detit tënd
një lulerozë, gonxhe e vaditur,
ku vijnë ca zogj për ta soditur.
Në kaltërsinë e detit tënd,
nuk kam më fjalë,
…ngelem pa mend.