2021-01-26

Behar Gjoka: Autori në letërsinë shqipe është pa të drejta, nuk ka vlerësim

 NGA JULIA VRAPI

Behar Gjoka: Autori në letërsinë shqipe është pa

Në javët e fundit të këtij viti, por nuk ka qenë i lehtë dhe për autorët me krijimtarinë letrare. Edhe pse nga institucionet janë bërë me dije projekte, që sipas tyre kanë pasur në fokus autorin dhe librin shqip, sërish problemet me të cilat u përballën shkrimtarët nuk kanë qenë të pakta. Studiuesi Behar Gjokja, në një reagim të tij kur jemi në muajin e fundit të këtij viti thotë se në një kohë pandemie problemet nuk janë pak dhe është një kohë e vështirë. Sipas tij kjo nuk duhet harruar, dhe si autori dhe gjithë shoqëria janë në një kohë të vështirë pandemie. “Gjatë këtij viti po të nisesh çfarë është thënë në media duket sikur është bërë nami. Por realisht unë mendoj, si letërsia, si autori dhe si e gjithë shoqëria jemi në pandemi, dhe të mos harrohet kjo rrethanë”, thotë studiuesi Gjoka, në një reagim të tij këtë muaj të fundit të 2020. Duke folur për çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti me librin dhe autorët në vend, studiues Behar Gjoka vijon më tej se ka një zmadhim të gjërave që bëhen, ku ndalet dhe tek panairi i librit disa kohë më parë. “Ka një zmadhim gjeometrik të gjërave që janë bërë formalisht dhe të realizimeve konkrete, ku mjafton të thuash se çfarë ishte panairi i librit këtë vit dhe e ke marrë përgjigjen, për sa i përket marrëdhënies me librin për këtë periudhë që jemi”, shprehet më tej studiuesi Behar Gjoka. Sërish në qëndrimin e tij studiues i cili reagon herë pas here për letërsinë dhe autorët me problemet e tyre, thotë se këta të fundit nuk kanë të drejta. Sipas Behar Gjokës, autori në vendin tonë nuk është i vlerësuar. “Autori tek ne nuk ka të drejtën e tij. Si qenka i vlerësuar autori? Autori në letërsinë shqipe është pa të drejtë autori. Si qenka i vlerësuar?”, thotë studiuesi Gjoka.

 Letërsia det ku kridhesh

Por në lidhje çfarë ka ndodhur me krijimtarinë letrare, sipas studiuesit Gjoka letërsia, ose arti i fjalës, siç emërtohet ndryshe është vrapim me pengesa. “Shumë e nisin garën e lirë për dështim apo suksese. Pak, fare pak, mbërrijnë zenitin, madje aty arrijnë ata që nuk e menduan kurrë, ata që patën vetëdijen e kërkimit. Është ajo situata e vetëdijes së pavetëdijshme, që të ndih me shtegtuar në mes telave me gjemba, që e qarkëzojnë atmosferën, jo vetë shkrimin, tekstin, pra ligjërimin. Zbulimin e vlerës, e pranisë së shenjës letrare, e mundëson akti i leximit, si një proces i hapur, ose rileximi, që ka gjasa të vërë në dyshim edhe leximin e secilit prej lexuesve”, shprehet ai në një status të tij. Gjoka vijon se marrëdhënia me letërsinë, nga fillesa e në vijim, e sidomos në kohën kur secili është ekspert jashtë fushës së vetë, ka gjalluar dhe do të vijojë ekzistimin e vetë, në zgrip gati të pazbërthyeshëm. “Si mundësi kushdo ka gjasa të shkruaj, por jo të gjithë mbërrijnë te përçimi i vlerës, që me domosdo kapërcen autorin dhe kohën e tij. Shkrimi unik letrar, në poezi, prozë, dramatikë, apo metatekstet mbi letërsinë, kritika, eseja dhe studimi letrar, kërkojnë dhe shqiptojnë thelbe të përveçme shkrimi. Letërsia para së gjithash lyp talentin, që nuk ka mundësi që të jetë i shpërndarë të secili njeri. AND-ja letrare, e vështruar në gjithëkohësi dhe gjithëhapësi, ka qenë bujare, por jo dorëlëshuar. Pra, majat letrare janë të shumta, porse janë të shtrira në kohë dhe hapësirë, e secili brez, madje secili njeri, në njëfarë kuptimi i zbulon”, thotë studiuesi Behar Gjoka në pohimin e tij. Në pikën e dytë, studiuesi shton se lexues i letërsisë është kushdo, madje mjerë ai njeri, që rreket të merret me shkencë, histori apo filozofi, e të mos kridhet në hapësirat e pamatshme të saj. Megjithatë sipas Gjokës, në mes leximit për kënaqësi, dhe leximit si akt zbulues dhe depërtues në vlerat e tekstit, ka dallim. “Leximi kënaqësidhënës, vërtet është më i lirë, jashtë detyrimit të “shpjegimit” dhe zbërthimit të tekstit dhe ligjërimit letrar. Nga ana tjetër, leximi zbulues, kritik, studimor, marrëdhënien me tekstin e lë të lirë, si një proces i pambyllur, në gjithëkohësi. Marrja përsipër e zbërthimit, e kalon masën e gjasës, leximi nuk është akt trimëror, është akt përndritje dhe përjetimi, me bindjen se letërsia bart enigmën e pamundësisë për ta shpjeguar, në secilin grimëz, e këtu qëndron magjia e letërsisë, si limfa ku strehohet qenia, sidomos fryma shpirtërore”, shprehet Gjoka. Në përfundim të reagimit të tij, studiuesi Behar Gjoka thotë se në letërsi e vlen të kridhesh edhe pse nuk di not, së paku për ta lexuar, se shkrimi po nuk e dimë se është zonë e minuar, i kemi hyrë detit me këmbë.