2021-01-26

JULIA VRAPI : Xhahid Bushati: Personaliteti i shkrimtarit të mos jetë mjeran, por të ketë vendin që i takon dhe respektin për vlerat që sjell

 


Xhahid Bushati: Personaliteti i shkrimtarit të mos jetë mjeran, por

Letërsia shqipe dhe kritika letrare për studiues të ndryshëm duhet të jenë më cilësore, edhe pse problemet që përballet krijimtaria nuk janë të pakta. Në muajin e parë të këtij viti shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati thotë se për letërsinë shqipe shpreson që të bëjë hapa drejt vlerave, sepse në raste të shumta kanë munguar. Për studiuesin Xhahid Bushati, personaliteti i shkrimtarit në vendin tonë të mos jetë mjeran dhe shpreson, që ai të marrë vendin që meriton me aktivitetin e tij. “Shpresoj, që dinjiteti dhe personaliteti i shkrimtarit shqiptar të mos jetë mjeran, por të ketë vendin që i takon, të respektohet për vlerat që sjell. E kam fjalën për krijuesin e vërtetë”, shprehet mes të tjerave studiuesi Bushati. Duke folur për problemet në fushën e letërsisë, Bushati thotë se duhet të ketë më shumë vëmendje edhe për bashkëpunimet me Kosovën për krijimtarinë letrare. Për studiuesin Bushati, urat e bashkëpunimit me Kosovën duhet të jenë të dukshme, sepse kanë munguar. “Duke shpresuar që t’i kthehemi normalitetit të jetës, për vitin 2021 që sapo kemi filluar, do të doja që letërsia shqipe të ishte më cilësore, të bënte hapa të mëtejshme drejt hierarkisë së vlerave, sepse në të shumtën e rasteve kanë munguar ato. Për një plotësim të mëtejshëm të portretit të kësaj letërsie, urat e bashkëpunimit me letërsinë që zhvillohet në Kosovë, të ishin më të dukshme, më të dobishme dhe më të shfaqshme. Përgjithësisht kanë munguar”, shprehet në një reagim të tij shkrimtari Xhahid Bushati. Herë pas here si autor Xhahid Bushati ka reaguar për problemet me të cilat përballen shkrimtarët në vendin tonë, por sipas tij pak bëhet për njohjen e zhvillimeve të letërsisë të Shqipërisë dhe asaj që shkruhet në Kosovë. “Më duket se zhvillimet e letërsisë shqipe, si Shqipëria, si Kosova nuk i njohin njëra-tjetrës. Pak përpjekje bëhen në këtë drejtim. Nuk mund të flasim për letërsinë shqipe pa e njohur të plotë atë. Gjithashtu pa njohur edhe krijuesit e talentuar, që jetojnë në Evropë e më larg. Mendoj, se letërsia shqipe do të jetë gjysmake. Kjo nuk është mirë”, vijon më tej shkrimtari.

Hapa para në krijimtari

 Jemi në muajin e parë të vitit 2021 për të cilin shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati thotë se pret që të evidentohen vlerat, që janë harruar. Sipas tij, në krijimtarinë tonë letrare kujtesa duhet të jetë më e pranishme, sepse do të shërbejë për një gjykim më realist të vlerave. “Në këtë vit pres që studimet letrare dhe kritika letrare të bëjnë më shumë hapa. Evidentimi i vlerave të traditës së harruar apo pak të studiuar të shumë fenomeneve letrare, të veprave apo krijuesve mbetet udhërrëfyese për këto shkenca. Kujtesa duhet të jetë më e pranishme dhe e dukshme, sepse produkti i zhvillimeve letrare në kohë e hapësirë, do të na shërbejnë për një gjykim më realist e jashtë standardeve shpesh të realizmit socialist, që mjerisht ende ka ndikim”, vijon më tej ai. Si autor Xhahid Bushati është i njohur dhe me krijimtarinë letrare për fëmijë, ku prej vitesh vazhdon të sjellë libra të ndryshëm. Ai thotë se sa i takon letërsisë shqipe për fëmijë, veçanërisht disa gjini, si: poezia, novela, romani të kishin kuota të reja rreth problematikave të jetës së fëmijëve. “Kjo sepse, aktualisht këtë letërsi, por veçanërisht atë parashkollore dhe shkollore, të mos e kërcojnë botimet pa vlerë e komerciale, didaktike me shabllonizmat e moralizimet steriotipe, etj. Pra, letërsia shqipe të ketë frymëmarrje më të gjerë jetësore”, shprehet Bushati. Si autor Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas viteve ’90 është nderuar me çmime kombëtare të organizuar në konkurse të ndryshme letrare dhe artistike, që janë organizuar nga institucione, por dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, si dhe nga organe të ndryshme letrare- artistike. Xhahid Bushati shkruan poezi, prozë, merret me publicistikë e studime të letërsisë.