Në 85-vjetorin e lindjes së akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave do të propozojë rikandidimin e tij për çmimin Nobel në Letërsi. Ky vendim do të njoftohet në një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore” që do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”. Lajmi është bërë me dije në një njoftim për mediat nga Akademia e Shkencave.
“Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”. Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.
Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Pirro Misha, dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, , me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.”
Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.