2021-03-10


ATSH/ RAI (Radiotelevisione Italiana) dhe Radio-Televizioni Shqiptar kremtuan sot, në videokonferencë, nënshkrimin më të fundit të rinovimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me kohëzgjatje trevjeçare, si hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të një veprimtarie e të një marrëdhënie tashmë të konsoliduar prej shumë vitesh, njoftoi sot ambasada e Italisë në Tiranë.

Në mbledhjen e sotme morën pjesë, ndër të tjerë, Marcello Foa, President i Rai-t, Simona Martorelli, drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Çështjeve Europiane (RIAE) nga pala italiane dhe Thoma Gëllçi, drejtor i përgjithshëm i RTSH-së dhe Kleart Duraj, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në RTSH, nga pala shqiptare. Të pranishëm në takimin virtual, ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Prania e Presidentit të RAI-t, Marcello Foa, dëshmoi vëmendjen në rritje të RAI-t drejt Shqipërisë.

Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, falënderoi presidentin Foa “që pranoi, që prej ardhjes sime vitin e kaluar si edhe duke shprehur gatishmëri të madhe, ftesën time për të forcuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë. Ky rinovim dhe ky takim virtual hedhin themelet për bashkëpunime të mëtejshme, për një rikthim të RAI-t në Shqipëri në të gjitha fushat, mbi të cilin Ambasada nuk do të ndalojë së punuari me angazhimin maksimal”.

Presidenti Foa shprehu entuziazmin e tij për rinovimin e memorandumit dhe gatishmërinë e tij, edhe personal, në thellimin dhe mbajtjen gjithmonë hapur të kanalit të komunikimit e bashkëpunimit midis Rai-t dhe Shqipërisë. Ai vlerësoi si veçanërisht pozitiv bashkëpunimin e vënë në jetë për kremtimin e tridhjetë vjetorit të momentit kur dhjetëra mijëra shtetas shqiptarë mbërritën në brigjet italiane, një moment historik i përbashkët që televizioni publik italian e ai shqiptar do të mund të kremtojnë e dokumentojnë bashkërisht.

Drejtuesit e RAI-t pranuan me entuziazëm ftesën e ambasadorit italian për zhvillimin e veprimtarisë në fushën përkatëse çka do të mundësojë hulimtimin e bashkëpunimeve të reja e më të ngushta.

Prania e ministres Margariti vuri në pah vlerën kulturore të bashkëpunimit midis Rai-t dhe RTSH-së dhe, teksa nënvizoi punën e kryer nga RTSH-ja në vitet e fundit, shprehu vlerësimin e saj për veprimtaritë rrëfyese të pabesueshme që RAI është në gjendje të transmetojë mbi bukuritë e Italisë, një aftësi për t’u treguar – edhe e mbi të gjitha brezave më të rrinj – rrënjët, historinë, artin dhe kulturën e vendit të saj. “Ky Memorandum është një rilidhje, ndihem si dëshmitare e një martese”, u shpreh ministrja Margariti.

Në fjalën e saj, Ministrja vuri theksin mbi “borxhin që ne të gjithë u kemi brezave të rinj” për të mbështetur shpërndarjen më të gjerë e më efikase të historisë e kulturës sonë, duke vlerësuar në këtë mënyrë të gjitha produktet kulturore që Rai do të vërë në dispozicion për Shqipërinë, por edhe formimi, nga ana e RAI-t, e teknikëve shqiptarë që të mund të punojnë dhe çdo lloj bashkëpunimi në këtë kuptim, në interes të fëmijëve e të rinjve shqiptarë”.

Mbi rëndësinë thelbësore të formimit u shpreh edhe drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së Gëllçi, i cili shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin shumë të ngushtë që RAI ka treguar gjatë viteve të fundit.

Memorandumi parashikon bashkëpunimin në fushën e media-s (radio, televizion, internet, etj..), marrjen dhe shkëmbimin e programeve të radio-s dhe ato televizive, të filmave, dokumentarëve, etj., bashkëpunim në trajnimin e profesionistëve dhe në shkëmbimin e njohurive teknike dhe/ose profesionale (konferenca, ëorkshop-e, etj.) në fushën e komunikimit, pjesëmarrjes në festivale dhe evente kulturore radiofonike e televizive, shkëmbimin e eksperiencave nëpërmjet kryerjes së vizitave të planifikuara.

Memorandumi i ri, i përpunuar në vijim të konsultimeve me institucionet shqiptare, ka si përparësi të rrisë shkëmbimin e produkteve kulturore mbi bukuritë historiko-artistike italiane, të produkteve për fëmijë e të rinj, dhe forcimin e vazhdueshëm të programeve argëtuese. Formimi i gazetarëve dhe teknikëve televizivë shqiptarë në Itali, edhe pranë Shkollës së gazetarisë në Perugia (për shembull, teknika të regjistrimit digjital, gazetari kulturore dhe rrëfim i sportit, teknika të filmimit të shfaqjeve televizive, etj.), konfirmohet të jetë një themel tashmë i ngritur, që do të fuqizohet më tej për produkte kulturore specifike (dokumentarë mbi trashëgiminë kulturore).

Gjatë konferencës dhe kontakteve të vazhdueshme midis RAI-t e RTSH-së janë propozuar, gjithashtu, një sërë nismash që RAI mund të realizojë për të kremtuar 30-vjetorin e sbarkimit të anijes Vlora në Bari, ndodhur më 8 gusht 1991. Nismat do të mund të përmbajnë reportazhe dhe emisione të ndryshme, shkëmbime përmbajtjesh dhe kremtime, e do të dakordësohen me Ambasadën italiane në Shqipëri dhe me RTSH-në. Në mënyrë të veçantë, RAI do të mund të propozojë programe, të marra nga arkivat e tij, të cilat tregojnë këtë moment historik.