2021-03-10

Në një vit pandemi, humben 50 mijë vende të punës dhe bie cilësia në arsim


Përveç në shëndetin publik, pa dyshim pandemia ka ndikuar dukshëm edhe në rënien ekonomike në Kosovë, në rënien e cilësisë në arsim, mbylljen e mbi 10 mijë bizneseve dhe humbjen e mbi 50 mijë vendeve të punës.

Kështu është thënë sot në tryezën e organizuar nga Instituti për hulumtime sociale “Paragon” me temën “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregun e punës, sfidat si dhe pritshmëritë”.

Florian Aliu nga ky Institut gjatë prezantimit të hulumtimit theksoi se pandemia ka ndikuar që për rreth 150 mijë punëtor në sektorin privat ende kanë vështirësi t’u sigurohen pagat. Teksa ka shtuar se rritja e të hyrave në buxhetin e shtetit ka ndikuar tërheqja e 10 përqind të Trustit.

“Ndikimi i pandemisë shprehur në numra tregon se afër 50 mijë punëtorë kanë humbur vendin e tyre të punës, dhe afër 10 mijë biznese të vogla dhe të mesme kanë falimentuar. Por, mbi 150 mijë punëtorë hasin ende në vështirësi në paga. Të hyrat e shtetit janë rritur me zbutjen e masave dhe ndihmën nga pakot ekonomike. Në janar të vitit 2020 janë 111 milionë euro të hyra në doganë, kurse në janar të vitit 2021 kemi një rritje në 123 milionë euro të hyra në doganë. Kjo vjen si rezultat I futjes në treg të 200 milionë euro nga Trusti, rritja e konsumit dhe fuqizimit të konsumatorit”, theksoi ai.

Ndërsa, Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomisë së Kosovës, cili tha se 64 përqind është rënia e të hyrave në gastronomi ose siç tha ai 20 milionë dëmet në këtë sektor për shkak të masave shtrënguese që ishin ndërmarr për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Vranica po ashtu tha se 11 mijë punëtorë kanë humbur vendet e punës në gastronomi.

“Ne, sipas të dhënave publike të Agjencisë së Statistikave në tre mujorin e dytë 2020 sa I përket qarkullimit kemi 64 përqind rënie si sektor, ku në shifra I bie që rreth 20 milionë euro kemi pësuar dëme. Kjo shifër është e madhe duke marrë parasysh edhe impaktin e sektorit të gastronomisë në ekonominë e vendit, pra duke qenë punëdhënësi numër 3 më i madh në vend[…]andaj, që nga fillimi e deri më tani është dashur që të ketë një qasje më proaktive sa i përket konsideratës ndaj këtij sektori kaq të zhvilluar. Dëmet nuk kanë qenë vetëm këto. Ne kemi pasur edhe një raport hulumtues të cilin e kemi realizuar më 23 nëntor të vitit 2020, dhe këto të dhëna kanë qenë mjaft shqetësuese ku kemi parë që të 89 përqind e bizneseve deri në tetor kanë punuar me humbje, vetëm 11 përqind e tyre kanë qenë në gjendje rentabile”, theksoi Vranica.

Edhe Fisnik Dukolli nga Instituti “Paragon” tha se në periudhën e pandemisë Covid-19 tash e një vit ka pësuar gjithashtu edhe cilësia në arsim, dhe tërë zinxhiri ekonomik, me mbyllje të bizneseve dhe humbje të vendeve të punës.

Dukolli tha se përveç sektorit të gastronomisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, ka pësuar mjaft edhe sektori medial në Kosovë.

“Pa dyshim që pandemia në vendin tonë ashtu si në krejt botën ka ndikuar dukshëm në rënien ekonomisë, duke prekur pothuajse të gjithë sektorët e jetës sonë, ku më pak e ku më shumë. Gjithsesi nga kjo pandemi ka pësuar një rënie mjaft të madhe cilësia në sektorin e arsimit si dhe efikasiteti në shërbimet e administratës shtetërore dhe lokale. Pandemia ka ndikuar negativisht në tërë zinxhirin ekonomik duke prekur të gjithë grup moshat dhe të punësuarit aktiv në tregun e punës në sektorin privat për të manifestuar në mbylljen e bizneseve, por edhe humbje të vendeve të punës. Duke marrë parasysh se Kosova ka një treg të punës kryesisht në ofrimin e shërbimeve, sektorët më të rënduar dalin të jenë gastronomia dhe ndërtimtaria, por që impakt negative kemi pasur shumë edhe në prodhimtari, transport, turizëm, agrobiznes dhe në tregun medial”, tha Dukolli.

Disa nga rekomandimet për institucionet kompetente, të cilat ky Institut mendon që janë të vlefshme, është ndërtimi i një sistemi të fortë shëndetësor, forcimi i skemës për mbrojte sociale dhe ekonomike, rritje e sistemit të mbrojtjes për punëtorët dhe të drejtat e tyre si dhe mobilizimi I burimeve financiare për transformimin ekologjik të ekonomisë.