Prof. Dr. Rexhep
Doçi
KISHA
ILIRE-SHQIPTARE E BAJËS SË MITROVICËS
Prej të gjitha 14 bajave (banjave) të
Kosovës këtë vendbanim të Mitrovicës po e rrokim në vështrim më gjerësisht,
sepse është me interes si për nga pozita
gjeografike ku gjendet, ashtu edhe për nga roli mesjetar që e ka luajtur për
çështje kombëtare shqipare dhe për gjuhën shqipe. Prej 4 vendbanimeve të
Mitrovicës me emrin Bâja-Banja, për të cilën e kemi fjalën, sipas
“Buletinit 37” për “Ekonomitë shtëpiake sipas vendbanimeve të KSA të Kosovës”
në vitin 1981, Banjska ka qenë dhe
mbase është banja me më së shumti banorë, që atëherë kishte më shumë banorë
serbë se shqiptarë. Ndërsa sot, pas luftës së fundit çlirimtare të përgjakshme
në Kosovë më 1989-1990, si duket, fare nuk ka tashmë banorë shqiptarë në Bâjë të Mitrovicës, të cilët fatkeqsisht
me dhunë dhe krime vrastare shumë prej tyre u përzunë nga fashistët ushtarakë e
policorë (milicët) serbë (të ndihmuar nga ushtarët ndërkombëtarë francezë
e të ndikuar nga politika ruse, ku gjatë
sundimit turk një asqer turk, me prejardhje shqiptare e kishte vrarë konzullin-kangjallozin
rus, sepse ky kishte vrarë fëmijë e pleq shqiptarë). Porse, siç do të shohim në
vijim, me dëshmi bukur bindëse, vërtetohet se banorët e parë të Bajës së Mitrovicës ishin
iliro-shqiptarë të mirëfilltë, po me kohë nën ndikimin e kishës krishtere
katolike-orthodokse në Bajë u asimiluan pjesa më e madhe në serbë. Prandaj, për
Kishën e Banjskës si kishë e zanafillës historikisht katolike-shqiptare flasin
disa fakte të pamohuara onomastike-gjuhësore dhe historike të pakontestuara.
Si hyrje për historikun e Kishës së Banjskës së Mitrovicës, po e
citoj shkurtimisht autorin V. Jagiq, i cili në Parathënie të Krisobulës së Shën
Shtjefnit të Parë të kurorëzuar ose Krisobulës
së Kishës së Banjskës të vitit 1318 (e zbuluar në Carigrad - Stamboll e e
botuar në Vjenë), shkruan: “Në krisobulë përmenden më shumë se pesdhjetë katunde, male dhe katune vllehe.
Kisha e Banjskës e Shën Shtjefnit (serb. Svetostefanskog-R.
D.) të parë të kurorëzuar ka filluar të ndërtohet sa ka qenë gjallë e ëma e
mbretit, por nuk është kryer derisa ka vdekut (më 1314)…Mirëpo, Krisobula e
Banjskës nuk ka mundur të shkruhet as më 1316, dhe as më 1317 po në vitin 1318.
Kisha ishte aq e përkryer dhe e pasur, saqë kronistët e përshkruajnë me
përkushtim, sidomos se ka qenë e mveshur me ar, dhe se te kisha ka mundur të
varroset vetë mbreti, mandej se ishte si dhuratë e trashëguar me emrin
Banjskë…”. Gjasët janë se Kisha e
Banjskës së Mitrovicës është
zbukuruar me ar pikërisht nga bashkëshortja e Shtjefnit, Martja Shqiptare, që
mendoj se ka lindur mu në Kishën e Banjskës. Kjo kishë ka qenë dhe është afër
Trepçës, ku përherë është nxjerrë me shumicë plumb, po edhe xehja e arit dhe
xehe të tjera, dhe kështu Martja këtë kishë ia ka përkushtuar pikërisht Zojës
së Bekur dhe Krishtit, figura këto krishtere katolike shqiptare, që kanë qenë
të skalitura në muret e kishës në fjalë,
e cila me pushtimin turk është kamufluar nga kishë katolike shqiptare në xhami
shqiptare.
Së pari, sipas Gaspër Gjinit katundin Kopiriq “Mbreti
Millutin rreth vitit 1314 ia bashkangjet manastirit të Banjskës. Kisha katolike
përmendet në të së pari më 1346, që katundi Kopiriq sot gjendet te Mitrovica”.
Pra, sipas kësaj të dhëne, më 1346 Kisha e Banjskës së Mitrovicës ishte ende
kishë katolike, dhe banorët e Banjskës ishin
shqiptarë të besimit katolik. Si kishë të hershme katolike shqiptare që nga
periudha romake parasllave, dëshmon edhe rrënoja e një kështjelle ilire në
katundin e Banjskës, ku gjendej apo gjendet edhe sot Kisha e Banjskës me rëndësi historike.
Së dyti, pra, për Manastirin apo Kishën e Banjskës së Mitrovicës, ekziston dokumenti mesjetar me
rëndësi të madhe “Krisobula e Banjskës” e vitit 1318, që e ka botuar jo vetëm
V. Jagiqi në Vjenë, po dhe Luba Kovaçeviqi në Beograd. Me këtë krisobulë të
vitit 1318, si akt normativ kishtar, gjasët janë se gruaja e Shtjefnit të Parë
të Kurorëzuar, përkatësisht e ëma e mbretit Dushan – Martja shqiptare e lindur
pikërisht në Banjskë të Mitrovicës
zotëronte prona të shumta apo më tepër se 50 katunde të krahinave të Kosovës,
si të Krahinës së Shalës së Bajgores, të Krahinës së Drenicës, të Podgurit
(Istogut) e të Klinës, si dhe në Mal të Zi ku gjendej vendlindja e Nemanjidëve
mbase në Ribnice afër Shkodrës. Prandaj, banorët e katundeve të këtyre
krahinave detyroheshin që me anë të organizimit të Kishës së Banjskës t’i
paguajnë tagra kësaj kishe, sipas krisobulës së vitit 1318, që në këtë krisobulë përmenden përplot katunde, toponime
e oronime, p. sh.: në anën e Shalës – Katundi
Fusha e Bajës, katundi Bistrica, katundi Orahovo (Rahova-R.D.), Rudari i
Madh si Rudarije, Selaci si Selçanica,
Boletini si Boletino, Koshtova si
Koshutovo, Mitrovica si Kisha e Shën Dimitrisë, Trepça si Trebça, Stantergu si Treg, Zveçani si Zveçaniem, Lumi Ibër si Ibr;
në anën e Llapushës katundet Rigjevë
e Gllarevë, po shfaqen edhe toponimet
e tjera, si Udha e Prishtinës, Udha e
Llapit, katundet e Vushtrrisë – Brusniku,
Gllavotini, Gumnishta, Mihaliqi, Plemetini, Prilluzha, Lumi Sitnica, mikrotoponimi
Shtëpitë e Muzakajve; në anën e
Klinës dhe të Istogut – Berkova si Bekovo,
Koshi si Koci, Përroi i Kujavçit,
Katundi Osojani në Kujavç, Katundi Polca, Poterçi (Pjetërçi) si Petreç, Katundi
Suhagërllë si Toka e Suhagërllës, një katund i Istogut si Suti, Katundi Shalinovicë, Katundi Tuçep, Katundi Valç, Katundi Zherovicë si Zhrenovica, pjesa malore e Drêthit
si Dren; katundet e Drenicës –
Baja e Skënderajt, Radisheva si Radobradi,
Çikatova si Çigotovo, Prekazi si Preki Llaz, Dobrashevci si Debrejevshtic, Morina si Moriani, Plluzhina si Plluzhin, Polaci si Poljance, Rakinica si Rakitu,
Runiku si Rudniki, Tushila si Tushimlja, Verbov’c, Malet e Çiçavicës
si Çiçaviqsko, lumi Klina si Knin
dhe një vend si Tinçan (mbase kemi të bëjmë me katundin e sotëm Ticë), dhe Drenica Veriore ndoshta është shënuar si Drenovik, etj.
Së treti, derisa Martja përmes Banjskës si vendlindje të saj apo si qendër kishtare krishtere, në
organizim me anë të Krisobulës (v. 1318) kishte si prona katundet e krahinave
të lartcekura, pronat në Mal të Zi (ku ishte vendlindja e Nemanjidëve) dhe përreth Perzerenit e Deçanit, sipas
Krisobulave të Deçanit (të v. 1330) më tepër i zotëronte burri i Martës,
Shtjefni i Parë i Kurorëzuar (sundoi gjatë v. 1331-1355), si dhe pasardhësi apo
djali i tyre Mbreti Dushan. Mirëpo, si
duket, mbretëresha shqiptare Martja
sundoi e i shfrytëzoi pronat e veta, po mbase pas vdekjes së burrit i zotëronte
edhe disa prona të burrit të saj, sepse Martja vdiq 30 vjet pas burrit, siç
kuptojmë nga mendimi i R. Grujiqit, që: “…e ëma e mbretit Dushan, si murgesha
Marta ka vdekur në vitin 1385 të erës sonë”.
Së katërti, për Kishën ose Manastirin si tempull
mesjetar shqiptar i Banjskës së Mitrovicës, monument apo qendër organizuese
krishtere katolike shqiptare në zanafillë, e më vonë si kishë orthodokse, dhe
më në fund si xhami islamike shqiptare, kuptojmë nga udhëpërshkruesi M.
Gjurgjeviq, i cili niset nga Sarajeva dhe i përshkruan disa vendbanime edhe me
shqiptarë në gjysmën e dytë të shek. XIX (v.1857-1878). Çështje shqiptare në
monografinë e M. Gjurgjeviqit për disa qytete, pos tjerash, janë: theksohet një
gjykatës shqiptar në një proces gjyqësor në gjykatën e Srebrenicës së Bosnjës
(d.m. th. deri vonë kishte shqiptarë edhe në Srebrenicë dhe rrethinë); një
kishë në Banjskë të Mitrovicës e
shndërruar në xhami (ndoshta kemi të bëjmë me Kishën me rëndësi në fjalë);
përshkruhet një aheng kafeneje me përfaqësues turq, që është mbajtur në
kafenënë e Taukbashqes në Prishtinë, të ruajtur prej ushtarëve (asqerëve) turq,
për t’u mbrojtur prej shqiptarëve; bëhet fjalë edhe për një meshë e mbajtur në
Kishën e Janjevës nga një klerik në gjuhën shqipe, etj. Dhe, ja si e përshkruan
M. Gjurgjeviq Banjskën e Mitrovicës dhe
Kishën e Banjskës e shndërruar në
xhami: “Atë ditë mbërrimë në mesditë në fshatin turk Banjskë. Edhe këtu ishte
banjë me ujë të nxehtë. Në Skaj të fshatit gjendej një xhami e prishur, me minaret të rrëxuar dhe të thyer
në gjysmë. U habita kur e pashë në pjesën e sipërme të xhamisë murin, ku
ndodhej fotografia (figura-R.D.) e Zojës së Bekuar me të birin (Krishtin-R. D.)
në duar. Ishte një skalitje e bukur e bërë në mur nga dora e një mjeshtri të mirë.
Zoja e bekuar kishte një shami të bardhë në kokë, një fustan ngjyrë të kuqe të
dheztë dhe një qafore, kurse Jezu Krishti i Vogël kishte një këmishë të bardhë
deri në gjunj dhe kurorën në kokë. Shihej qartë se këtu turqit dikur kishën e kishin
shndërruar në xhami dhe i kishin gelqerosur e fshehur figurat (të Zojës së
Bekuar e Krishtit-R. D.), e kur është vjetëruar dhe shkatërruar xhamia, koha
dhe shiu e kishin hequr gelqeren dhe ka dalur në dritë fotografia e së ëmës së
Zotit. Të njëjtën ditë ramë në konak në Mitrovicë”. Siç po shihet është një
pasqyrim real, mbreslënës dhe kuptimplotë i M. Gjurgjeviqit për Kishën në Banjskë ashtu siç e kishte parë, për ne
kishë shqiptare, që me mendimin e autorit fshati
turk Banjskë kuptojmë Banjskën të
banuar me banorë shqiptarë islamikë të islamizuar, e jo turq të ardhur prej
Turqisë. Po pushtuesi i pamshirshëm dhe shkatrrimtar turk e shndërron kishën
shqiptare katolike në xhami shqiptare, përmes së cilës banorët shqiptarë të
Banjskës i islamizon nga krishterë katolikë shqiptarë në banorë myslimanë
shqiptarë, kurse disa banorë të tjerë shqiptarë, si duket, mbetën krishterë
orthodoksë dhe me kohë u përcaktuan dhe asimiluan etnikisht në serbë. Katundi Banjskë,
që kishte bajë me ujë të nxehtë për
larje, ne mendojmë se vetë Mretëresha Shqiptare Martja të ketë urdhëruar,
si grua e madhërishme dhe e respektuar shqiptare, si dhe sundimtare e
plotëfuqishme, të ndërtohet kjo Kishë
e Banjskës e skalitur dhe pikturuar
me freska ngjyrërash të bukura prej ari të Trepçës, dhe që t’i përkushtohet
kryekëput Zojës së Bekuar dhe të birit të saj Zotit Krisht. Pastaj, me të
dhënën për katundin turk Banjskë, siç
thotë autori, duhet kuptuar për katundin me banorë shqiptarë, sepse atëherë
shqiptarët ishin islamizuar, dhe kishte filluar të përvetësohet fjala turk për shqiptar, ngase edhe sot aty-këtu dëgjohet ndër shqiptarë të
moshuaer thënia “n’kofsha turk!”, betim për në
qofsha mysliman i përkushtuar fetarisht e jo kombëtarisht.
Së pesti, për Martën, të emën e Mbretit Dushan, se
vendlindja e saj ka qenë Baja e
Mitrovicës, flet tërthorazi edhe një dasmë e përshkruar nga studiuesi M.
Slipçeviqi në “Kongresin e XIV të Folkloristëve të Jugosllavisë në Perzeren”.
Kjo mbase ishte martesa e Martës shqiptare nga Banjska me Shtjefnin e Parë të
Kurorëzuar, për të cilin supozojmë se sikur ishte i lindur shqiptar në Ribnice
të Malit të Zit e Shkodra. Po i shkëpusim disa të dhëna origjinale që na i
ofron studiuesi nga Beogradi M. Gjurgjeviqi për këtë dasëm, martesë që bashkshortet
nga dy anë shqiptare bukur të largëta njëra prej tjetrës, njëri bashkshort
Shtjefni nga ana e Shkodrës, dhe tjetra Martja nga Banjska e veriut të sotëm të Kosovës. Për këtë dasëm (për ne dasëm
me tipare tilpike shqiptare-R.D.) studiuesi shkruan: “Më duket se këngën
popullore Martesa e mbretit Dushan, qyteti
Legjan është Shkodra, kurse mbreti i Zetës është Mihajli…Përmenden edhe emra
gjeografikë përreth rrugës Shkodër-Prizren, kah kanë shkuar krushqit, që
kalojnë mandej pranë Vushtrrisë. Nëpër të njëjtën rrugë dasmorët kthehen në
qytetin Legjan kah Prizreni, duke kaluar nëpër
Kosovë…, por ata nuk kanë qenë krushqit e mbretit Dushan, sepse ai gruan
e ka pasur nga Bullgaria”. Autori nga kënga popullore e sqaron fortë mirë
dëshminë, që Shtjefni i Nemanjidëve është i lindur në rrethin e qytetint
Legjan, dhe me të drejtë e identifikon me Shkodrën, sepse tek emri Legjan unë
shoh fj. il. shq. me zhvillimet fonetike: lad>led>ledh>legj
“mur”, që gjasët janë se ka të bëjë me murin e kështjellës mijëvjeçare të
Shkodrës (Vendlindja e Nemanjidëve ishte mbase Ribnice te Shkodra). Më tutje
autori tregon qartë se kënga nuk bën fjalë për dasmën e mbretit Dushan, se e ka
pasur gruan bullgare, po për dasmën e Stefan Nemanjës, të atit të Dushanit.
Krushqit nga Shkodra kalojnë kah Perzereni e Vushtrria, si duket e marrin nusen,
Marten e Banjskës së Mitrovicës, e, nëpër të njëjtën udhë të Kosovës dasmorët
kthehen kah Perzereni në qytetin Legjan (Shkodër), ku është martuar
Shtjefni(?).
Se gjashti, për Martën, si grua e Shtjefën Nemanjidit,
se ka lindur në Banjskë të Mitrovicës, na bëjnë me dije studiuesit, të cilët
shkruajnë se që të dy, grua e burrë janë varrosur në Banjskë të Mitrovicës, mbase në varret katolike të Kishës së
Banjskës, e shndërruar më vonë në xhami shqiptare, e pastaj përsëri dhe sot në kishë (manastir) (!). Kështu, V.
Jagiqi, botuesi i Krisobulës së Shtjefnit apo Banjskës (v. 1318), në
Parathënien e saj shkruan: “Këtu vet mbreti ka qenë varrosur, prandaj si pronë e
tillë është quajtur e Banjskës”. Sidomos autori malazez Radosllav Grujiqi bën
të ditur saktësisht për mbretëreshën me emrin Marte dhe Shtjefen Deçanin,
burrin e saj, që janë varrosur të dytë në varret e Banjskës, i cili këtë
njoftim e nxjerr nga mbishkrimi i epitafit apo gurit mbivarror të Martës, i
ndërtuar prej mermerit të bardhë e të bukur, siç shkruan: “Se e ëma e mbretit
Dushan, si murgesha Marte ka vdekur në vitin 6983 të formimit të botës, ose në
vitin 1385 të erës sonë”, ose se “përmendet menjëherë pas emrit të mbretit
Stefanit Deçanit si murgeshë mbretëresha Marte (Origjinal: I EGO KRALJICA
MONAHINJA)…”. Pastaj, R. Grujiqi vlerëson edhe që nga varret e Kishës së
Banjskës (më vonë e kamufluar dhe shndërruar në xhami) është marrë “guri
mbivarror në fjalë dhe, që të mos bjerë në duar të turqve, për t’u ruajtur
është dërguar në Shkup”.
Porse,
për të ëmën e mbretit Dushan, se ka qenë shqiptare na bën me dije sidomos
autori kroat Branko Horvat, i cili duke e cituar “Enciklopedinë jugosllave (I
154)” thotë troç: “E ëma e mbretit Dushan mbase ka qenë shqiptare”. Për Martën
e lindur dhe e varrosur në Banjskën e
Mitrovicës si banore shqiptare, kujtoj se dëshmohet bindshëm se edhe sot
shqiptarët, sidomos shqiptarët e konfesionit katolik në Kosovë dhe kudo, e
përdorin emrin Marte si emër të zakonshëm krishter shqiptar. Ndërkaq, Prof. E.
Çabej e shpjegon si latinizëm në gjuhën shipe, kurse Palok Daka e cilëson emër kaledarik në shqipe, i marrë nga
emri i kësaj dite: “Martë-a (nga e
martë)”.
Jo vetëm e ëma e mbretit Dushan Martja, ose bashkëshortja e Shtjefën Nemanjidit (Nemanjiqit) nga Banjska e Mitrovicë, që ka qenë e
besimit katolik shqiptar, po, sipas G. Gjinit, edhe Nemanjidët kanë qenë që nga
fillimi me tepër me përkatësi fetare katolike se orthodokse, për të cilën
çështje G. Gjini shkruan: “Kisha e Shën Pjetrit e Palit në Rashkë është
ndërtuar nga romakët para krishtërimit të serbëve. Krahinari Nemanja ka qenë i
krishter sipas ritit perëndimor në Ribnicë në Dukël, ku ka pasur vetëm klerikë
(priftërinj) latinë…, e më vonë, në bazë të disa studiuesve, është bërë
krishter edhe sipas ritit të lindjes në qytetin Ras”, e, edhe fëmijët e
Nemanjës, Shtjefni, Vukani, Rastku apo Sava “mbetën në lidhje të përhershme me
fenë katolike deri në vdekje, sepse serbët e kanë pranuar krishtërimin prej
shek. 9 e këndej, pra, prej vitit 867-874”.
Për lidhshmërinë e rrastë të tokave ilire-shqiptare
dhe të iliro-shqiptarëve ardianë të anës së Shkodrës, ku sundoi mbreti ilir
Diokleciani në shek. III-IV, viti 284-305 (“Dioklea e kishte marrë emrin prej
tij”), përkatësisht Duklës me iliro-shqiparët dardanë të anës së Dardanisë
veriore edhe gjatë mesjetës krishtere, me qendrën latine kishtare në Banjë të Mitrovicës, flet vendlindja e
Nemanjidëve në Ribnice te Shkodra. Pra, u tha se, pas G. Gjinit, në Ribnicë të Duklës e ritit perëndimor, që
në një mënyrë a tjetër edhe Nemanjidët ishin shqiptarë ashtu siç ishin atëherë
edhe bashkëvendesit e Martës shqiptare në Kosovë. Pastaj, se në krahun e
Shkodrës Nemanjidët ishin iliro-shqiptarë, sikur flasin të dhënat: “Në gjysmën
e parë të shek. XIV qenë Balshët, zotërit e fshatit Balëz, në lindje të liqenit
të Shkodrës. Një pinjoll i kësaj familje me emrin Balshë u shqua rreth mezit të
shek. XIV si zhupan i ushtrisë serbe të car Dushanit…Balsha i ndihmuar nga tre
djemtë, Strazimiri, Gjergji i I dhe Balsha i II, u ngritën mbi bujarët e tjerë
arbëreshë e sllavë dhe formuan një principatë me vehte, kryqendër e së cilës u
bë Shkodra”.
Për prejardhjen e Nemanjidëve nga iliro-shqiptarët
ndihmon jo vetëm krishtërimi mesjetar, siç u pa më sipër edhe lidhshmëria
miqësore e martesës së Martës me Shtjefnin e parë të kurorëzuar, po kjo
origjinë ilire-shqiptare e Nemanjidëve përforcohet gjithashtu edhe me anë të
onomastikës pellasde-ilire-shqiptare në gjenealogjinë e Nemanjidëve. Pra, emrat
e të parëve të Nemanjidëve janë pellasdë-ilirë-shqiptarë, për të cilët emra kam
shkruar gjerësisht, e këta janë: “Anna, gruaja
e Shtjefen Nemanjës”, emër iliro-shqiptar;
Lik-Likije stërgjyshi i Nemaninjidëve gjithashtu emër ilir; Martja gruaja e
Shtjefën Nemanjës etj.
Duke përfunduar çështjen e këtyre 14 vendbanimeve të Kosovës të formuara nga
fjala latine balnea – balneum, siç u
pa që e shpjegojnë gjuhëtarët e njohur E. Çabej e P. Skoku si fjalë e periudhës
romake parasllave, kur nuk kishte gjurmë sllavae në Kosovë, po e shpreh
mendimin tim hipotetik, se fjala e shqipes bajë
mbase mund të jetë përzier edhe me ndonjë fjalë tjetër, nga shqipja baltë (?), kur dihet se një -l- e hershme në shqipe në shumë shembuj
ka dhënë –j-, si p. sh. il. shq. *bil>bijë; *balgë>bajgë “bagël”,
etj., dhe se dihet që uji përherë krijon baltë, pavarësisht a është ujë i
thjeshtë apo termik. Po për një zhvillim të tillë fonetik të mundshëm të
brendshëm të shqipes kërkohet studim më i thellë dhe i gjithanshëm. Prandaj,
sidomos është histori e bujshme e Banjskës
së Mitrovicës dhe banorëve të saj, siç ka qenë edhe bashkëfshatarja e tyre
- Mbretëresha Martja Shqiptare, përmes së cilës histori hidhet rreze në një
mënyrë a tjetër edhe në një mënyrë a tjetër edhe për historinë e popullit
shqiptar dhe të gjuhës shqipe kronologjikisht, me origjinë nga populli
pellasdo-iliro-shqiptar dhe bëhet e ditur për gjuhën kozmike të protoshqipes.
Po përfundoj se këto 14 vendbanime të lartpërmendura
me rrënjën bâj- (banj-) kanë prejardhje nga apelativi i gjuhës latine banja, të cilën iliro-shqiptarët e morën
në kohën romake, kur nuk kishte serbë në Kosovë, dhe i krijuan kronologjikisht
emrat e këtyre katundeve. Kështu,
banorët shqiptarë të këtyre banjave (po edhe banorët serbë të asimiluar nga
iliro-dardano-shqiptarë në serbë) e morën këtë fjalë banjë-bajë për këto vendbanime, siç thotë P. Skoku se u perhap në
kohën e latinitetit, apo si bën me dije Prof. E. Çabej në kohën antike. Kjo
fjalë, pra, po përsëris, u perhap atëherë kur s’kishte gjurmë sllave në Dardani
(Kosovë) e as në Siujdhesën ilire. Dhe, për fjalën latine bâjë (bânjë) se s’ka të
bëjë fare me serbishten (sllavishten) në Kosovë, po me shqipen parasllave, bën
me dije sinonimi kuptimor i fjalës sllave vrella,
që janë Vrella e Istokut dhe e
Lypijanit të krijuara si kalke nga fjala paraprirëse bânjë -bâjë, të cilat gjithashtu këto katunde kanë të bëjnë me
burime me ujë të nxehtë termik.
(Pjesë e shkëputur nga Vëllimi II i veprës së dytë në dorëshkrim: “VENDBANIMET E KOSOVËS ME RRËNJË
PELLASDE-ILIRE-THRAKE-SHQIPE…”.Fusnotat janë hequr nga ky fragment i librit në
fjalë).
-Prishtinë -24. 04. 2021