Një analizë e BIRN-ite të dhënave nga llogaritë e faqeve të Facebok-ut dhe Instagram-it të qindra kandidatëve që garojnë për një post në parlament në zgjedhjet e 25 prillit, tregon se Partia Socialiste në pushtet ka një ndërveprim më të lartë me votuesit se opozita.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, pandemia e COVID-19 dhe masat e distancimit social i kanë detyruar partitë që të kufizojnë mitingjet dhe grumbullimet masive politike. E megjithatë, një garë e ethshme për të bindur votuesit po zhvillohet në botën virtuale të rrjeteve sociale.
Shpërndarja më e gjerë e internetit, në krahasim me katër vite më parë, si dhe rritja e numrit të përdoruesve të mediave sociale i ka shtyrë partitë politike dhe kandidatët për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që t’i përdorin ato si platformat kryesore politike të komunikimit.
Afrim Krasniqi, drejtues Institutit për Studime Politike, thekson se fushata aktuale zgjedhore ka krijuar një situatë paradoksale.“Në kushte pandemie që jemi ne media sociale është e një rëndësie të jashtëzakonshme, e një rëndësie më të madhe se sa në një situatë normale,” thotë Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM.
“Politika përdor teknologjitë e reja të komunikimit por një pjesë e madhe e shoqërisë nuk ka akses në internet ose nuk ka njohuritë e duhura për përdorimin e mediave të reja,” tha ai.
“Nga ana tjetër, listat e partive janë dominuar nga kandidatë të ardhur jo për shkak te meritokracisë së brendshme, por nga “jashtë” bazës, me imponim nga lart, ndaj këta të fundit e kanë më të lehtë të komunikojnë përmes mediave sociale ku auditori është më i gjerë sesa të bazohen tek strukturat e tyre të partive ku duhet të investohen për tu pranuar si kandidatë dhe më pas për të bërë fushatë,” shtoi ai.
Avantazhi i Partisë Socialiste maksimizohet nga investimi afatgjatë në llogaritë virtuale të liderit të saj si dhe numri i lartë i postimeve dhe videove të ngarkuara me propagandë elektorale; një pjesë e së cilave trumbeton arritjet gjatë qeverisjes 8-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër godet me sulme karakteriale ndaj krerëve të opozitës.Një analizë e BIRN e të dhënave nga llogaritë e faqeve në Facebook dhe Instagram të qindra kandidatëve që garojnë në zgjedhje, faqeve zyrtare të partive politike dhe degëve të tyre vendore, tregon se Partia Socialiste dominon me numrin total të ndërveprimeve në rang kombëtar në këto dy platforma komunikimi, duke lënë pas Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste në Integrim.
Dominanca e PS-së në rang kombëtar udhëhiqet nga niveli i lartë i ndërveprimeve në faqet sociale të kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, gara virtuale mes kandidatëve në rajone të ndryshme të vendit, nuk është gjithmonë në favor të partisë në pushtet.
Të dhënat janë mbledhur nga 85 mijë postime në Facebook dhe Instragram të bëra në dy javët e para të fushatës zgjedhore – nga 26 marsi deri më 9 prill – nga 756 llogari të partive, degëve të tyre lokale, kandidatëve dhe zyrtarëve të ndryshëm partiakë ose të zgjedhur vendorë.
“Se si funksionon algoritmi i Facebook nuk e di askush, por ideja është që sa më shumë të shpërndahet dhe bisedohet rreth një postimi, aq më shumë do dali në ‘newssfeed’-et e personave,” tha Anxhelo Lushka, nga ‘Open Labs Hackerspcace’, një komunitet aktivistësh në Tiranë që promovojnë teknologjitë e hapura dhe privatësinë në rrjetet kompjuterike.Për mbledhjen e të dhënave, BIRN përdori ‘Crowdtangle’, një aplikacion në pronësi të Facebook. Aplikacioni mbledh të dhëna sa herë një përdorues i Facebook komenton, ndan ose reagon ndaj një postimi, duke matur popullaritetin e tij nëpërmjet një metrike të quajtur ‘shuma totale e ndërveprimeve.’
“Sa më shumë persona ta ndajnë, aq më shumë do shfaqet si postim,” theksoi ai.
Të dhënat e mbledhura përfshijnë postimet e bëra nga kandidatët dhe partitë në faqet e tyre publike në Facebook dhe Instagram. Këto të dhëna nuk përfshijnë postime në llogari private ose në grupe të mbyllura në Facebook ose Instagram.
Për shembull, një koment i lënë në faqen e kryeministrit në Facebook përllogaritet si një ndërveprim, përtej faktit që ai mund të jetë me ton pozitiv apo negativ nga një mbështetës apo kundërshtar politik.Analizimi i të dhënave të ‘ndërveprimeve totale’ në rrjete sociale nuk është një matës i përsosur i mundësisë së një kandidati apo partie politike për të fituar zgjedhjet parlamentare.
Megjithatë, këto të dhëna janë tregues të rëndësishëm mbi mënyrën se si po tejçohet mesazhi propagandues gjatë fushatës zgjedhore nga partitë dhe kandidatët e tyre për deputetë.
PS dominon në rang kombëtar
BIRN analizoi të dhënat nga 320 llogari sociale në Facebook të kandidatëve për deputetë në zgjedhje. Në analizë u përfshinë të gjithë kandidatët që kishin një faqe publike gjatë periudhës së monitoruar – mes së cilëve 120 kandidatë nga Partia Socialiste, 110 kandidatë nga Partia Demokratike, 74 kandidatë nga Lëvizja Socialistë për Integrim dhe pjesa tjetër nga Bindja Demokratike, Nisma Thurje dhe kandidatë të pavarur.Në rang kombëtar, Partia Socialiste ka një ndërveprim më të lartë në rrjetet sociale, në krahasim me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Gjatë dy javëve të para të fushatës, të gjithë kandidatët në zgjedhje postuan 11,830 postime në Facebook dhe realizuan 7.88 milionë ndërveprime. Gati gjysma e postimeve ose 48.78% e tyre u bënë nga kandidatë të Partisë Socialiste, 37.02% nga kandidatë të PD dhe 11.27% nga lista e kandidatëve të LSI.
Partia Socialiste udhëheq me numrin e ndërveprimeve totale në Facebook gjatë dy javëve të para të fushatës, me 4.11 milionë ndërveprime, e ndjekur nga PD me 3.45 milionë ndërveprime dhe LSI me 243.7 mijë ndërveprime.