2021-04-20

EDHE JU MOTRA MOS I PËRLOTNI SYTË(CIKËL POETIK NGA DESTAN BAJRAKATARI)

 


CIKËL POEZISH NGA PETI DESTAN BAJRAKTARI – PROFESOR - PRISHTINË




 nga NAXHIJE DOÇI-Prof. – Prishtinë -


(Destan Bajraktari-profesor (tani i ndjerë), ishte anëtar i LSHK, anëtarë i Shoqatës Mbarkombëtare të Shkrimtarëve për fëmijë-Tiranë, anëtar i Shoqatës së Folkloristëve Shqiptarë të Kosovës, si edhe bashkëpunëtorë i jashtëm i Institutit Albanologjik të Kosovës)

 

Destan Bajraktari - Prishtinë

 


73 DËSHMORËVE - (Poezi)

(me rastin e njëvjetorit të rivarrosjes së tyre në Therandë–1999)

 

Theranda ime, tani mos u vesh në zi,-

Edhe ju motra mos i përlotni sytë,

Që dëshmorët po i varrosim për së dytë,

Të cilët u flijuan për Atdhe e Liri!

 

Ja shtatëdhjetë e tri varret, në vërri

Tash do të mbulohen - me nga një dëshmor-

Dhe, mbi çdo tumë, do të vëmë kurorë,

Ku do të shkruhet: “Trim, ty të qoftë lavdi!”

 

O, i nderuar, që tani vjen për t’i parë,

Qofsh ti i huaj, ose qofsh shqiptar,

Në shenjë nderimi shtatin tënd përule!

 

Dhe thuaj: “Tash pushoni të qetë, o trima me fletë

Dhe ky dhe, mbi ju, u qoftë i lehtë!...

Dhe, në vendin e nderit, vëni ca lule!

(Poezi marrë nga libri: “Trojet e rrënuara”, Prishtinë, 2000, (f.5)

 


VENDLINDJA IME

 

Kam lindur n’Suharekë, rrëzë Gardhinës plakë,

Në fushën e gjërë-tokën bukanike.

Në lindje është Carraleva-Guri Rrumbullak,

N’perëndim Pashtriku-Malet Dinarike.

 

Në veri rrethohet me G(u)rabinë e Thatë,

E në jug me Malin Sharr-qytetin Prizren.

Ne, që kemi lindur k’tu, kemi pasur fat,

Se tërë këtij vendi era kopsht i vjen.

 

Në prill çel kajsia, molla, dardha-pjeshka,

Blerojnë livadhet-vreshtat me ardhi,

Mugullon shelku, plepi dhe çka ka bjeshka.

 

E vjeshtën e presin me shumë prodhime,

Por edhe me tufa bagëtish-dhen e dhi.

O kjo është Drinia-vendlindja ime

     -(Destan Bajraktari, “Përpjekjet tona”, Prishtinë, 1995, f. 20)

 


MOS I PENGONI SHQIPET TONA

O zogjtë e shqipes, që bredhni nëpër rrugë,

Dhe që rroni nga të tjerët-pa punë,

Mos i pengoni shqiptaret tona-me dhunë,

Se sjelljet tuaja na kthejnë në kohën me mugë!         

Se dhuna është e keqe-kurdoherë

 

Dhe një gjë që bëhet pa hiq dëshirë,

ajo kurrë s’ka për të dalë mirë

fëmijët tuaj kanë për të mbetur të mjerë

ju prijuni atyre në shkollë dhe në çdo vend

se kjo është ajo puna juaj me mend

që mund ta bëni për komb e atdhe.

 

Ju mos i merrni lakmi të paditurit

Dhe ndër të gjithë më të koriturit

Që nuk ka besë, nder as kurkund vend te ne

     -(D.Bajraktari,“Trysni e paparë mbi kombin shqiptar”, 2002, f. 19).



NË GARDHINË

Eci fushave dhe udhëve me kthesa

Ti ma hoqe lodhjen e endjeve të kota,

Duke më kthyer kah gjurmët, nga bota,

Edhe mendjen ma cyt te vetja-kah shpresa.

 

Tash jam ndalur në Gardhinën e stërlashtë,

I tretur n’mendime për t’kaluaren e saj,

Këtu me mbushën sytë lot, zemra m’rri n’vaj,

Sa jam i nxehtë brenda, aq i ftoftë jashtë.

 

Ah, këtu un’ çmallëm, këtu shpirt’risht pushoj,

Endem e çmendem botës – kudo e kahdo,

Por, veç këtu gjej prehje, se kam çka kujtoj.

 

Këtu jam si qershia, si arra me thelb;

Këtu gjithëkënd e dua – edhe më do;

Por edhe dikush m’ndrydh si të thatin me qelb.

-(Poezi (sonet) nga libri me poezi: “Ndodhi në stuhi”- Destan Bajraktari,

1995 – Prishtinë, (f. 19)

 

 


TRIMI I KOHËS SË VET

 

“Kush prin n’kohë të vet, - asht trim me fletë”,-

Kjo thënie vlen për Sejdi Bajraktarin,

Se qysh më njëqind e njëzet e tetë,

Ka shpërndarë libra shqip- me Syl’ Jasharin.

 

Kjo ish e ndaluar n’Jugosllavin’ e vjetër,

Më tepër se sa t’luftosh kundër pushtetit,

Se për atë të quanin cub – asgjë tjetër,

E për këtë – kundër popullit e mbretit.

 

Përkundër k’saj, ai i m’soi burrat shqip

I ndaloi shqiptarët t’mos dalin në Turqi,-

E qiti veten, me dhjetra herë, në zgrip.

 

Këtë trim të kohës, pra lipset, përkujtuar,

Duke i ngritur përmendore – n’vend të ti’

Si njeriut, që për komb të tij ka flijuar.

  -(Poezi (sonet) nga libri “Ngjarje të paharrueshme”,

-Destan Bajraktari - Prishtinë, 1997, (f. 23)

Sipas të dhënave në libër:

(1.Sejdi Bajraktari nga Suhareka (i ati i autorit), ka qenë i ikur në Shqipëri, prej 1921-1924. Ka banuar te Ahmet Qarri i hasit. Prej andej i ka sjellur librat shqip. Ka qene disa mandate kryetar komuneje në Suharekë, edhe i ndjekur dhe i burgosur. 2. Syl Jashari-Kuçi, kushëri i Sejdi Bajraktarit, ka qenë me të në Shqipëri edhe e ka ndihmuar në Suharekë, në shpërndarje të librave.).

-Përgatitur nga Naxhije Doçi, më 17. 04. 2021- Prishtinë

 

 

 

 

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...