Prof. Dr. Rexhep
Doçi
KISHA ILIRE-SHQIPTARE E BAJËS SË MITROVICËS
Prej të gjitha 14 bajave (banjave) të Kosovës këtë vendbanim të Mitrovicës po e rrokim në vështrim më gjerësisht, sepse është me interes si për nga pozita gjeografike ku gjendet, ashtu edhe për nga roli mesjetar që e ka luajtur për çështje kombëtare shqipare dhe për gjuhën shqipe. Prej 4 vendbanimeve të Mitrovicës me emrin Bâja-Banja, për të cilën e kemi fjalën, sipas “Buletinit 37” për “Ekonomitë shtëpiake sipas vendbanimeve të KSA të Kosovës” në vitin 1981, Banjska ka qenë dhe mbase është banja me më së shumti banorë, që atëherë kishte më shumë banorë serbë se shqiptarë. Ndërsa sot, pas luftës së fundit çlirimtare të përgjakshme në Kosovë më 1989-1990, si duket, fare nuk ka tashmë banorë shqiptarë në Bâjë të Mitrovicës, të cilët fatkeqsisht me dhunë dhe krime vrastare shumë prej tyre u përzunë nga fashistët ushtarakë e policorë (milicët) serbë (të ndihmuar nga ushtarët ndërkombëtarë francezë e të ndikuar nga politika ruse, ku gjatë sundimit turk një asqer turk, me prejardhje shqiptare e kishte vrarë konzullin-kangjallozin rus, sepse ky kishte vrarë fëmijë e pleq shqiptarë). Porse, siç do të shohim në vijim, me dëshmi bukur bindëse, vërtetohet se banorët e parë të Bajës së Mitrovicës ishin iliro-shqiptarë të mirëfilltë, po me kohë nën ndikimin e kishës krishtere katolike-orthodokse në Bajë u asimiluan pjesa më e madhe në serbë. Prandaj, për Kishën e Banjskës si kishë e zanafillës historikisht katolike-shqiptare flasin disa fakte të pamohuara onomastike-gjuhësore dhe historike të pakontestuara.
Si hyrje për historikun e Kishës së Banjskës së Mitrovicës, po e citoj shkurtimisht autorin V. Jagiq, i cili në Parathënie të Krisobulës së Shën Shtjefnit të Parë të kurorëzuar ose Krisobulës së Kishës së Banjskës të vitit 1318 (e zbuluar në Carigrad - Stamboll e e botuar në Vjenë), shkruan: “Në krisobulë përmenden më shumë se pesdhjetë katunde, male dhe katune vllehe. Kisha e Banjskës e Shën Shtjefnit (serb. Svetostefanskog-R. D.) të parë të kurorëzuar ka filluar të ndërtohet sa ka qenë gjallë e ëma e mbretit, por nuk është kryer derisa ka vdekut (më 1314)…Mirëpo, Krisobula e Banjskës nuk ka mundur të shkruhet as më 1316, dhe as më 1317 po në vitin 1318. Kisha ishte aq e përkryer dhe e pasur, saqë kronistët e përshkruajnë me përkushtim, sidomos se ka qenë e mveshur me ar, dhe se te kisha ka mundur të varroset vetë mbreti, mandej se ishte si dhuratë e trashëguar me emrin Banjskë…”. Gjasët janë se Kisha e Banjskës së Mitrovicës është zbukuruar me ar pikërisht nga bashkëshortja e Shtjefnit, Martja Shqiptare, që mendoj se ka lindur mu në Kishën e Banjskës. Kjo kishë ka qenë dhe është afër Trepçës, ku përherë është nxjerrë me shumicë plumb, po edhe xehja e arit dhe xehe të tjera, dhe kështu Martja këtë kishë ia ka përkushtuar pikërisht Zojës së Bekur dhe Krishtit, figura këto krishtere katolike shqiptare, që kanë qenë të skalitura në muret e kishës në fjalë, e cila me pushtimin turk është kamufluar nga kishë katolike shqiptare në xhami shqiptare.
Së pari, sipas Gaspër Gjinit katundin Kopiriq “Mbreti Millutin rreth vitit 1314 ia bashkangjet manastirit të Banjskës. Kisha katolike përmendet në të së pari më 1346, që katundi Kopiriq sot gjendet te Mitrovica”. Pra, sipas kësaj të dhëne, më 1346 Kisha e Banjskës së Mitrovicës ishte ende kishë katolike, dhe banorët e Banjskës ishin shqiptarë të besimit katolik. Si kishë të hershme katolike shqiptare që nga periudha romake parasllave, dëshmon edhe rrënoja e një kështjelle ilire në katundin e Banjskës, ku gjendej apo gjendet edhe sot Kisha e Banjskës me rëndësi historike.
Së dyti, pra, për Manastirin apo Kishën e Banjskës së Mitrovicës, ekziston dokumenti mesjetar me rëndësi të madhe “Krisobula e Banjskës” e vitit 1318, që e ka botuar jo vetëm V. Jagiqi në Vjenë, po dhe Luba Kovaçeviqi në Beograd. Me këtë krisobulë të vitit 1318, si akt normativ kishtar, gjasët janë se gruaja e Shtjefnit të Parë të Kurorëzuar, përkatësisht e ëma e mbretit Dushan – Martja shqiptare e lindur pikërisht në Banjskë të Mitrovicës zotëronte prona të shumta apo më tepër se 50 katunde të krahinave të Kosovës, si të Krahinës së Shalës së Bajgores, të Krahinës së Drenicës, të Podgurit (Istogut) e të Klinës, si dhe në Mal të Zi ku gjendej vendlindja e Nemanjidëve mbase në Ribnice afër Shkodrës. Prandaj, banorët e katundeve të këtyre krahinave detyroheshin që me anë të organizimit të Kishës së Banjskës t’i paguajnë tagra kësaj kishe, sipas krisobulës së vitit 1318, që në këtë krisobulë përmenden përplot katunde, toponime e oronime, p. sh.: në anën e Shalës – Katundi Fusha e Bajës, katundi Bistrica, katundi Orahovo (Rahova-R.D.), Rudari i Madh si Rudarije, Selaci si Selçanica, Boletini si Boletino, Koshtova si Koshutovo, Mitrovica si Kisha e Shën Dimitrisë, Trepça si Trebça, Stantergu si Treg, Zveçani si Zveçaniem, Lumi Ibër si Ibr; në anën e Llapushës katundet Rigjevë e Gllarevë, po shfaqen edhe toponimet e tjera, si Udha e Prishtinës, Udha e Llapit, katundet e Vushtrrisë – Brusniku, Gllavotini, Gumnishta, Mihaliqi, Plemetini, Prilluzha, Lumi Sitnica, mikrotoponimi Shtëpitë e Muzakajve; në anën e Klinës dhe të Istogut – Berkova si Bekovo, Koshi si Koci, Përroi i Kujavçit, Katundi Osojani në Kujavç, Katundi Polca, Poterçi (Pjetërçi) si Petreç, Katundi Suhagërllë si Toka e Suhagërllës, një katund i Istogut si Suti, Katundi Shalinovicë, Katundi Tuçep, Katundi Valç, Katundi Zherovicë si Zhrenovica, pjesa malore e Drêthit si Dren; katundet e Drenicës – Baja e Skënderajt, Radisheva si Radobradi, Çikatova si Çigotovo, Prekazi si Preki Llaz, Dobrashevci si Debrejevshtic, Morina si Moriani, Plluzhina si Plluzhin, Polaci si Poljance, Rakinica si Rakitu, Runiku si Rudniki, Tushila si Tushimlja, Verbov’c, Malet e Çiçavicës si Çiçaviqsko, lumi Klina si Knin dhe një vend si Tinçan (mbase kemi të bëjmë me katundin e sotëm Ticë), dhe Drenica Veriore ndoshta është shënuar si Drenovik, etj.
Së katërti, për Kishën ose Manastirin si tempull mesjetar shqiptar i Banjskës së Mitrovicës, monument apo qendër organizuese krishtere katolike shqiptare në zanafillë, e më vonë si kishë orthodokse, dhe më në fund si xhami islamike shqiptare, kuptojmë nga udhëpërshkruesi M. Gjurgjeviq, i cili niset nga Sarajeva dhe i përshkruan disa vendbanime edhe me shqiptarë në gjysmën e dytë të shek. XIX (v.1857-1878). Çështje shqiptare në monografinë e M. Gjurgjeviqit për disa qytete, pos tjerash, janë: theksohet një gjykatës shqiptar në një proces gjyqësor në gjykatën e Srebrenicës së Bosnjës (d.m. th. deri vonë kishte shqiptarë edhe në Srebrenicë dhe rrethinë); një kishë në Banjskë të Mitrovicës e shndërruar në xhami (ndoshta kemi të bëjmë me Kishën me rëndësi në fjalë); përshkruhet një aheng kafeneje me përfaqësues turq, që është mbajtur në kafenënë e Taukbashqes në Prishtinë, të ruajtur prej ushtarëve (asqerëve) turq, për t’u mbrojtur prej shqiptarëve; bëhet fjalë edhe për një meshë e mbajtur në Kishën e Janjevës nga një klerik në gjuhën shqipe, etj. Dhe, ja si e përshkruan M. Gjurgjeviq Banjskën e Mitrovicës dhe Kishën e Banjskës e shndërruar në xhami: “Atë ditë mbërrimë në mesditë në fshatin turk Banjskë. Edhe këtu ishte banjë me ujë të nxehtë. Në Skaj të fshatit gjendej një xhami e prishur, me minaret të rrëxuar dhe të thyer në gjysmë. U habita kur e pashë në pjesën e sipërme të xhamisë murin, ku ndodhej fotografia (figura-R.D.) e Zojës së Bekuar me të birin (Krishtin-R. D.) në duar. Ishte një skalitje e bukur e bërë në mur nga dora e një mjeshtri të mirë. Zoja e bekuar kishte një shami të bardhë në kokë, një fustan ngjyrë të kuqe të dheztë dhe një qafore, kurse Jezu Krishti i Vogël kishte një këmishë të bardhë deri në gjunj dhe kurorën në kokë. Shihej qartë se këtu turqit dikur kishën e kishin shndërruar në xhami dhe i kishin gelqerosur e fshehur figurat (të Zojës së Bekuar e Krishtit-R. D.), e kur është vjetëruar dhe shkatërruar xhamia, koha dhe shiu e kishin hequr gelqeren dhe ka dalur në dritë fotografia e së ëmës së Zotit. Të njëjtën ditë ramë në konak në Mitrovicë”. Siç po shihet është një pasqyrim real, mbreslënës dhe kuptimplotë i M. Gjurgjeviqit për Kishën në Banjskë ashtu siç e kishte parë, për ne kishë shqiptare, që me mendimin e autorit fshati turk Banjskë kuptojmë Banjskën të banuar me banorë shqiptarë islamikë të islamizuar, e jo turq të ardhur prej Turqisë. Po pushtuesi i pamshirshëm dhe shkatrrimtar turk e shndërron kishën shqiptare katolike në xhami shqiptare, përmes së cilës banorët shqiptarë të Banjskës i islamizon nga krishterë katolikë shqiptarë në banorë myslimanë shqiptarë, kurse disa banorë të tjerë shqiptarë, si duket, mbetën krishterë orthodoksë dhe me kohë u përcaktuan dhe asimiluan etnikisht në serbë. Katundi Banjskë, që kishte bajë me ujë të nxehtë për larje, ne mendojmë se vetë Mretëresha Shqiptare Martja të ketë urdhëruar, si grua e madhërishme dhe e respektuar shqiptare, si dhe sundimtare e plotëfuqishme, të ndërtohet kjo Kishë e Banjskës e skalitur dhe pikturuar me freska ngjyrërash të bukura prej ari të Trepçës, dhe që t’i përkushtohet kryekëput Zojës së Bekuar dhe të birit të saj Zotit Krisht. Pastaj, me të dhënën për katundin turk Banjskë, siç thotë autori, duhet kuptuar për katundin me banorë shqiptarë, sepse atëherë shqiptarët ishin islamizuar, dhe kishte filluar të përvetësohet fjala turk për shqiptar, ngase edhe sot aty-këtu dëgjohet ndër shqiptarë të moshuaer thënia “n’kofsha turk!”, betim për në qofsha mysliman i përkushtuar fetarisht e jo kombëtarisht.
Së pesti, për Martën, të emën e Mbretit Dushan, se vendlindja e saj ka qenë Baja e Mitrovicës, flet tërthorazi edhe një dasmë e përshkruar nga studiuesi M. Slipçeviqi në “Kongresin e XIV të Folkloristëve të Jugosllavisë në Perzeren”. Kjo mbase ishte martesa e Martës shqiptare nga Banjska me Shtjefnin e Parë të Kurorëzuar, për të cilin supozojmë se sikur ishte i lindur shqiptar në Ribnice të Malit të Zit e Shkodra. Po i shkëpusim disa të dhëna origjinale që na i ofron studiuesi nga Beogradi M. Gjurgjeviqi për këtë dasëm, martesë që bashkshortet nga dy anë shqiptare bukur të largëta njëra prej tjetrës, njëri bashkshort Shtjefni nga ana e Shkodrës, dhe tjetra Martja nga Banjska e veriut të sotëm të Kosovës. Për këtë dasëm (për ne dasëm me tipare tilpike shqiptare-R.D.) studiuesi shkruan: “Më duket se këngën popullore Martesa e mbretit Dushan, qyteti Legjan është Shkodra, kurse mbreti i Zetës është Mihajli…Përmenden edhe emra gjeografikë përreth rrugës Shkodër-Prizren, kah kanë shkuar krushqit, që kalojnë mandej pranë Vushtrrisë. Nëpër të njëjtën rrugë dasmorët kthehen në qytetin Legjan kah Prizreni, duke kaluar nëpër Kosovë…, por ata nuk kanë qenë krushqit e mbretit Dushan, sepse ai gruan e ka pasur nga Bullgaria”. Autori nga kënga popullore e sqaron fortë mirë dëshminë, që Shtjefni i Nemanjidëve është i lindur në rrethin e qytetint Legjan, dhe me të drejtë e identifikon me Shkodrën, sepse tek emri Legjan unë shoh fj. il. shq. me zhvillimet fonetike: lad>led>ledh>legj “mur”, që gjasët janë se ka të bëjë me murin e kështjellës mijëvjeçare të Shkodrës (Vendlindja e Nemanjidëve ishte mbase Ribnice te Shkodra). Më tutje autori tregon qartë se kënga nuk bën fjalë për dasmën e mbretit Dushan, se e ka pasur gruan bullgare, po për dasmën e Stefan Nemanjës, të atit të Dushanit. Krushqit nga Shkodra kalojnë kah Perzereni e Vushtrria, si duket e marrin nusen, Marten e Banjskës së Mitrovicës, e, nëpër të njëjtën udhë të Kosovës dasmorët kthehen kah Perzereni në qytetin Legjan (Shkodër), ku është martuar Shtjefni(?).
Se gjashti, për Martën, si grua e Shtjefën Nemanjidit, se ka lindur në Banjskë të Mitrovicës, na bëjnë me dije studiuesit, të cilët shkruajnë se që të dy, grua e burrë janë varrosur në Banjskë të Mitrovicës, mbase në varret katolike të Kishës së Banjskës, e shndërruar më vonë në xhami shqiptare, e pastaj përsëri dhe sot në kishë (manastir) (!). Kështu, V. Jagiqi, botuesi i Krisobulës së Shtjefnit apo Banjskës (v. 1318), në Parathënien e saj shkruan: “Këtu vet mbreti ka qenë varrosur, prandaj si pronë e tillë është quajtur e Banjskës”. Sidomos autori malazez Radosllav Grujiqi bën të ditur saktësisht për mbretëreshën me emrin Marte dhe Shtjefen Deçanin, burrin e saj, që janë varrosur të dytë në varret e Banjskës, i cili këtë njoftim e nxjerr nga mbishkrimi i epitafit apo gurit mbivarror të Martës, i ndërtuar prej mermerit të bardhë e të bukur, siç shkruan: “Se e ëma e mbretit Dushan, si murgesha Marte ka vdekur në vitin 6983 të formimit të botës, ose në vitin 1385 të erës sonë”, ose se “përmendet menjëherë pas emrit të mbretit Stefanit Deçanit si murgeshë mbretëresha Marte (Origjinal: I EGO KRALJICA MONAHINJA)…”. Pastaj, R. Grujiqi vlerëson edhe që nga varret e Kishës së Banjskës (më vonë e kamufluar dhe shndërruar në xhami) është marrë “guri mbivarror në fjalë dhe, që të mos bjerë në duar të turqve, për t’u ruajtur është dërguar në Shkup”.
Jo vetëm e ëma e mbretit Dushan Martja, ose bashkëshortja e Shtjefën Nemanjidit (Nemanjiqit) nga Banjska e Mitrovicë, që ka qenë e besimit katolik shqiptar, po, sipas G. Gjinit, edhe Nemanjidët kanë qenë që nga fillimi me tepër me përkatësi fetare katolike se orthodokse, për të cilën çështje G. Gjini shkruan: “Kisha e Shën Pjetrit e Palit në Rashkë është ndërtuar nga romakët para krishtërimit të serbëve. Krahinari Nemanja ka qenë i krishter sipas ritit perëndimor në Ribnicë në Dukël, ku ka pasur vetëm klerikë (priftërinj) latinë…, e më vonë, në bazë të disa studiuesve, është bërë krishter edhe sipas ritit të lindjes në qytetin Ras”, e, edhe fëmijët e Nemanjës, Shtjefni, Vukani, Rastku apo Sava “mbetën në lidhje të përhershme me fenë katolike deri në vdekje, sepse serbët e kanë pranuar krishtërimin prej shek. 9 e këndej, pra, prej vitit 867-874”.
Për lidhshmërinë e rrastë të tokave ilire-shqiptare dhe të iliro-shqiptarëve ardianë të anës së Shkodrës, ku sundoi mbreti ilir Diokleciani në shek. III-IV, viti 284-305 (“Dioklea e kishte marrë emrin prej tij”), përkatësisht Duklës me iliro-shqiparët dardanë të anës së Dardanisë veriore edhe gjatë mesjetës krishtere, me qendrën latine kishtare në Banjë të Mitrovicës, flet vendlindja e Nemanjidëve në Ribnice te Shkodra. Pra, u tha se, pas G. Gjinit, në Ribnicë të Duklës e ritit perëndimor, që në një mënyrë a tjetër edhe Nemanjidët ishin shqiptarë ashtu siç ishin atëherë edhe bashkëvendesit e Martës shqiptare në Kosovë. Pastaj, se në krahun e Shkodrës Nemanjidët ishin iliro-shqiptarë, sikur flasin të dhënat: “Në gjysmën e parë të shek. XIV qenë Balshët, zotërit e fshatit Balëz, në lindje të liqenit të Shkodrës. Një pinjoll i kësaj familje me emrin Balshë u shqua rreth mezit të shek. XIV si zhupan i ushtrisë serbe të car Dushanit…Balsha i ndihmuar nga tre djemtë, Strazimiri, Gjergji i I dhe Balsha i II, u ngritën mbi bujarët e tjerë arbëreshë e sllavë dhe formuan një principatë me vehte, kryqendër e së cilës u bë Shkodra”.
Për prejardhjen e Nemanjidëve nga iliro-shqiptarët ndihmon jo vetëm krishtërimi mesjetar, siç u pa më sipër edhe lidhshmëria miqësore e martesës së Martës me Shtjefnin e parë të kurorëzuar, po kjo origjinë ilire-shqiptare e Nemanjidëve përforcohet gjithashtu edhe me anë të onomastikës pellasde-ilire-shqiptare në gjenealogjinë e Nemanjidëve. Pra, emrat e të parëve të Nemanjidëve janë pellasdë-ilirë-shqiptarë, për të cilët emra kam shkruar gjerësisht, e këta janë: “Anna, gruaja e Shtjefen Nemanjës”, emër iliro-shqiptar; Lik-Likije stërgjyshi i Nemaninjidëve gjithashtu emër ilir; Martja gruaja e Shtjefën Nemanjës etj.
Duke përfunduar çështjen e këtyre 14 vendbanimeve të Kosovës të formuara nga fjala latine balnea – balneum, siç u pa që e shpjegojnë gjuhëtarët e njohur E. Çabej e P. Skoku si fjalë e periudhës romake parasllave, kur nuk kishte gjurmë sllavae në Kosovë, po e shpreh mendimin tim hipotetik, se fjala e shqipes bajë mbase mund të jetë përzier edhe me ndonjë fjalë tjetër, nga shqipja baltë (?), kur dihet se një -l- e hershme në shqipe në shumë shembuj ka dhënë –j-, si p. sh. il. shq. *bil>bijë; *balgë>bajgë “bagël”, etj., dhe se dihet që uji përherë krijon baltë, pavarësisht a është ujë i thjeshtë apo termik. Po për një zhvillim të tillë fonetik të mundshëm të brendshëm të shqipes kërkohet studim më i thellë dhe i gjithanshëm. Prandaj, sidomos është histori e bujshme e Banjskës së Mitrovicës dhe banorëve të saj, siç ka qenë edhe bashkëfshatarja e tyre - Mbretëresha Martja Shqiptare, përmes së cilës histori hidhet rreze në një mënyrë a tjetër edhe në një mënyrë a tjetër edhe për historinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe kronologjikisht, me origjinë nga populli pellasdo-iliro-shqiptar dhe bëhet e ditur për gjuhën kozmike të protoshqipes.
Po përfundoj se këto 14 vendbanime të lartpërmendura me rrënjën bâj- (banj-) kanë prejardhje nga apelativi i gjuhës latine banja, të cilën iliro-shqiptarët e morën në kohën romake, kur nuk kishte serbë në Kosovë, dhe i krijuan kronologjikisht emrat e këtyre katundeve. Kështu, banorët shqiptarë të këtyre banjave (po edhe banorët serbë të asimiluar nga iliro-dardano-shqiptarë në serbë) e morën këtë fjalë banjë-bajë për këto vendbanime, siç thotë P. Skoku se u perhap në kohën e latinitetit, apo si bën me dije Prof. E. Çabej në kohën antike. Kjo fjalë, pra, po përsëris, u perhap atëherë kur s’kishte gjurmë sllave në Dardani (Kosovë) e as në Siujdhesën ilire. Dhe, për fjalën latine bâjë (bânjë) se s’ka të bëjë fare me serbishten (sllavishten) në Kosovë, po me shqipen parasllave, bën me dije sinonimi kuptimor i fjalës sllave vrella, që janë Vrella e Istokut dhe e Lypijanit të krijuara si kalke nga fjala paraprirëse bânjë -bâjë, të cilat gjithashtu këto katunde kanë të bëjnë me burime me ujë të nxehtë termik.
(Pjesë e shkëputur nga Vëllimi II i veprës së dytë në dorëshkrim: “VENDBANIMET E KOSOVËS ME RRËNJË PELLASDE-ILIRE-THRAKE-SHQIPE…”.Fusnotat janë hequr nga ky fragment i librit në fjalë).
-Prishtinë -24. 04. 2021