2011-03-05

Një femër në dush

Artistja Lala Meredith Vula tregon udhëtimin e saj dyvjeçar në banjat e vjetra, për të fokusuar në fotografi intimitetet e trupit.

Ajo kërkonte të fokusonte në aparatin e saj fotografik pikërisht atë intimitet midis trupit dhe ujit. Jo në banjat me peshqirët rozë, apo ku uji i vaskës të fton të rrish gjatë, por në ato që në Ballkan quhen thjesht "banja turke". Pikërisht në këto banja, Lala Meredith Vula për gati dy vjet u end për të zbuluar intimitete të grave të ndryshme, duke i fotografuar përmes derës gjysmë të hapur, ku avulli i ngrohtë i ujit mund t\‘ia prishte aparatin. Për gati dy vjet kjo grua artiste mundi të krijonte kolazhin më interesant të punëve të saj, të realizuara pikërisht në ato ambiente ku të gjithë jemi mësuar t\‘i shohim si një bashkëbisedim me paqen dhe vetveten. Pikërisht në ato banja të thjeshta, ajo vështronte trupin paksa të deformuar të gruas maqedonase, teksa fërkonte ngadalë këmbët e së bijës, apo ritualin e dhembshëm të një gruaje tjetër që mund të kishte frikë nga intimiteti i saj. Copëza të shkëputura nga një botë, të cilën e prekim shpesh, por rrallë ndalojmë për të kuptuar se çfarë ndodh në të. Pikërisht këto momente, që artistë të ndryshëm të artit pamor janë munduar t\‘i zbulojnë duke vendosur modele të kryejnë këtë ritual, Lala ka preferuar t\‘i bëjë fare rastësisht, duke rënë në kompromis me të fotografuarat që në pjesën më të madhe të rasteve janë gra rome, të fotografohen thjesht duke u larë, pa pozuar, apo bërë veprime të cilat nuk do të ishin dhe aq të vërteta. Lala ka dashur të shohë gjithçka që bëhet spontanisht në ato momente ku ndjehemi më shumë se asnjëherë pranë vetes. Përmes këtij kolazhi ajo na ofron një botë të cilën të gjithë duam të shohim për të mësuar të vërtetat tona, një botë të cilës të gjithë duam t\‘ia gjejmë kuptimin. Të gjitha këto punë ajo i ka realizuar në formate të mëdha, duke i ekspozuar në galeri të njohura në botë. "Syri magjik", do të shprehej një gazetë e huaj për artisten shqiptare. Por Lala, teksa kujton atë periudhë, e sheh si një formë të hulumtimit të saj në fotografi. Ajo gjithnjë ka besuar se fotografia ndonjëherë mund të shprehë më shpejt atë çfarë ne druhemi ta themi. Banjat që ajo i quan hamam, kanë qenë gjithnjë një botë të cilën kërkonte ta zbulonte, duke u nisur nga fakti se gjithnjë i ka pëlqyer arkitektura dhe se banjat turke kanë disa forma të çuditshme. "Gjithnjë kam qenë e pasionuar pas arkitekturës otomane. Kam parë shumë hamame në vende të ndryshme të botës. Por pjesën më të madhe të këtyre banjave të vjetra e kam zbuluar në Maqedoni. Më duket shumë i bukur trupi i femrës në këtë ambient të vjetër. Është një jetë e vërtetë e fotografuar aty", thotë ajo.

Dhe ato që ajo i quan trupa të bukur, janë një pasqyrë për të treguar në art se si mund të jemi ne përpara vetvetes. Sa të dhembshme janë ndonjëherë takimet tona me të, duke na bërë ta duam më shumë trupin tonë.


"Ikjet" e një profesoreshe


Profesoreshës së Arteve të Bukura në "De Montfort University" në Leicester, një qytet që është vetëm 100 km larg Londrës, i pëlqen shpesh të arratiset nga ky profesion dhe të jetojë jetën e saj si artiste. Por jo gjithnjë fati është me të, dhe ajo mund të udhëtojë në vende të ndryshme të botës për të zbuluar artin. Por këto dite nëntori duket se fati i ka dhuruar disa muaj liri, krejt e vetme për të udhëtuar në vendet ku mund të realizojë projektin që ajo e pëlqen aq shumë. "Kufijtë, të lëkundshëm" quhet projekti që ajo e ka fituar në Londër në një konkurs për profesorët që duhet të çlirohen disi nga profesioni i tyre. Tashmë Tirana është një stacion ku ajo do të gjejë një pjesë të këtyre kufijve. Lala shpjegon se ky projekt kërkon të sjellë në fotografi identitetin e vërtetë të shqiptarëve që jetojnë kudo në botë. Ajo do të sjellë momente të jetës nga Tirana, Prishtina, për të realizuar një cikël fotosh ku jeta e vërtetë e shqiptarëve ndër vite, por edhe tani, qëndron tepër koherent për të shpjeguar historinë e tyre. Edhe pse ka lindur në Bosnjë, dhe është rritur në Angli, ajo nuk ka mundur ta harrojë asnjëherë gjuhën që u fol në familjen e saj, shqipen. Ajo shpjegon me një shqipe të pastër se "ky projekt synon të sjellë në fotografi identitetin e vërtetë të shqiptarëve". "Kam shpresë që pas realizimit të këtyre fotografive të hap një ekspozitë në Londër, Kosovë dhe Shqipëri", thotë ajo. Ajo kërkon të krahasojë jetën e shqiptarëve që jetojnë nëpër botë me jetën që bëhet realisht në vendin e tyre, apo atë jetë që ka ekzistuar në vite. Një punë jo e lehtë për një fotografe të fotografojë të vërtetat e vendit dhe gjuhës që e ka dashur aq shumë. "Mendoj që këto foto të kenë pamje tipike të shqiptarëve, diçka që mund të ndodhë në rrugë, për të treguar copëza nga jeta e vërtetë...", thotë Lala.

Ajo çfarë është interesante, ndërsa sheh punët e Lalës, janë përmasat e mëdha të fotografive të saj. Jo vetëm në ekspozita, por edhe në faqen që ajo ka hapur në internet www.lalameredithvula.com, ajo preferon të flasë nëpërmjet këtyre përmasave. Ajo e shpjegon këtë ndjesi për t\‘i sjellë të gjitha fotot në këto përmasa, me faktin se në ato përmasa fotoja mund të flasë më tepër dhe mund të rrijë më gjatë në një ekspozitë. Vetëm pak kohë më parë ajo ekspozoi në Romë një mori fotosh me përmasa të tilla që u prit shumë mirë. Stacionet e galerive ku kjo artiste ndalon janë të shumta. Tashmë për të është koha e punës, për t\‘iu rikthyer sërish më pas ekspozitave apo leksioneve. Çfarë është arti në mendjen e kësaj artisteje? Ajo mund ta shpjegojë shumë mirë vetëm nëse ti e pyet për një punë të sajën. "Arti është një foto që mund të thotë më së miri atë çfarë unë kam brenda vetes". Por përkufizimet për artin janë të pafundme, ajo mund ta krahasojë atë edhe me djalin e saj dy vjeç e gjysmë me flokët e bukur të verdhë, që sheh punët e së ëmës.

Arti është ai që e bën të vrapojë kudo, kjo do të ishte fjalia që mund të qëndronte më afër natyrës së saj këto momente. Lala nuk është një artiste e zakonshme. Në CV-në e saj numërohen një sërë çmimesh të rëndësishme dhe një mori punësh që janë ekspozuar në galeri të njohura në botë. Dikur kishte ëndërruar të ishte piktore, një ëndërr e cila fle thellë brenda saj, dhe tashmë e zbutur nga pasioni për fotografinë. Edhe pse e do aq shumë pikturën, ajo asnjëherë nuk ka tentuar atë që ndodh shpesh me shumë artistë të kthejnë në pikturë një fotografi. Ajo nuk mund të përkthejë në ngjyra atë që fotoja mund ta thotë shumë mirë. Tashmë ajo vazhdon të mendojë se fotografia është një proces të cilin e njeh mirë, një proces të cilin ka nevojë ende ta ndjejë.

Ana Grigorievna: E fshehta e Anës

Anës i pëlqenin pasditet kur hapte derën e apartamentit të tij dhe mobiliet e vjetra shkëlqenin nga shandanët në gjysmerrësirë. Ndoshta se teksa errësira afrohej, Dostojevskit i pëlqente të ngacmonte stenografen e tij të re me biseda që i krijonin asaj një gjendje të bukur në trup. Derisa një ditë ai i tregoi historinë e një mikut të tij, që kishte rënë në dashuri me një vajzë shumë më të re se ai dhe ishte në dilemë në do ta pranonte apo jo ajo dashurinë e tij. Dhe pyeti Anën, në ajo do ta pranonte. Duke njohur stilin e rrëfimeve të shkrimtarit dhe duke e ditur mirë kur ai vendoste veten në një personazh, Ana Grigorievna thotë “po”. Një përqafim i lehtë nën shandanët që tashmë do të fiken, do të nisë historinë ndoshta më të vërtetë të dashurisë në letërsinë ruse. Asaj mes Dostojevskit dhe Ana Grigorievnës, një histori që vazhdon të na frymëzojë edhe sot. Ka vetëm pak kohë që ka ardhur në shqip nën përkthimin mjeshtëror të Helena Kadaresë “Fletoret e fshehta të gruas së re të Dostojevskit”, një rrëfim tepër i ndjerë mbi jetën e një gruaje që diti të donte dhe ta ruante atë. I shkruar nga dora Grigorievnës, bashkëshortes së re të Dostojevskit, ai është hartuar në mënyrë të tillë që të jetë i mbrojtur mirë nga çdo sy kureshtar, që do të donte të depërtonte në të. Për të ruajtur sekretin, ajo ka përdorur një stenografi të ndërlikuar, që përbën në vetvete një dokument të shifruar. Ky tekst i rrallë nxjerr në pah disa saktësi paraprake, që i përkasin periudhës së parë të jetës së tyre bashkëshortore. Në gusht të vitit 1867, Dostojevski, që është nisur nga Drezdeni dhe Badeni, mbërrin në Gjenevë së bashku me gruan e tij të re njëzetvjeçare. Vetëm disa muaj më parë, ajo kishte punuar si stenografe e shkrimtarit, e dërguar tek ai nga botuesi Stellovski. Të goditur që të dy nga një pasion i përbashkët, ata martohen. Ajo bëhet kështu zonja Dostojevski, gruaja e dytë e shkrimtarit që tashmë ishte i famshëm. Ai ishte 26 vjet më i madh se ajo, i sëmurë, dhe gati i plakur para kohe. Viti i parë që Ana kalon me të shoqin në Gjenevë, është për të një zbulim i jetës bashkëshortore, por edhe i botës perëndimore njëkohësisht. Dostojevski ndërkaq, kishte qenë i dënuar me vdekje dhe i ishte hequr ky dënim pikërisht në çastin e fundit. Ai kishte bërë burgun dhe kishte shkruar romanet “Krim e ndëshkim” dhe “Lojtari”. Të gjitha këto kishin qenë të shoqëruara nga ethet e tij të njohura për kazinotë. Këto shënime të njohura me emrin “Fletoret”, i dhanë asaj tërë materien e librit “Kujtimet”, që e shkroi shumë kohë më pas, pikërisht në vjeshtën e moshës së saj. Të nisura më 1911-shin, “Kujtimet” u botuan më 1923-ën, plot 30 vjet pas vdekjes së shkrimtarit. “Duke rilexuar “Fletoret” e burrit tim, si dhe ato të miat, shkruan ajo në parathënien e “Kujtimeve”, zbulova detaje pasionante, saqë vendosa t’i shkruaja ato jo me stenografi, por me një gjuhë që do të ishte e kapshme nga të gjithë”. Transkriptimi dhe nxjerrja në dritë e “Fletoreve” prej saj vetë, do të shënojë etapën e parë drejt këtij realizimi, siç e dëshmon edhe një shënim i shkruar nga dora e saj më 1902: “Në rast se vdes apo kam një sëmundje të rëndë, lidhur me fletoret që unë kam shkruar me stenografi, midis tyre do të gjenden katër të tilla. Ato përbëjnë “Ditarin” që kam mbajtur kur ne sapo kishim nisur jetën jashtë shtetit. Një pjesë e këtyre shënimeve, unë i transkriptova vetë dhe po vetë i nxora në dritë. Dëshira ime është që ajo pjesë që ka mbetur prej tyre të asgjësohet. Është e pamundur të gjendet dikush që do të dinte t’i deshifronte ato me saktësi. Sepse aty janë përdorur qëllimisht, shkurtime fjalësh të një rëndësie të veçantë. Kështu, cilido që do të mundej t’i zbërthente do të haste në vështirësi të atij lloji, që do ta çonin në përfundime krejtësisht të gabuara. Veç kësaj, s’do dëshiroja kurrsesi që njerëz të huaj të depërtonin në jetën intime të Fjodor Mihailoviçit. Ndaj dhe kërkoj me këmbëngulje që ato të zhduken”. Që në çastin që Ana vendosi t’i përgatiste vetë “Kujtimet” e saj për botim, ajo e ndërpreu transkriptimin dhe nxjerrjen në dritë të “Fletoreve”. Porosia që la pas, për asgjësimin e tyre, tregon më së miri vlerën e jashtëzakonshme të të dhënave që ato përmbajnë. Përpjekja e parë për deshifrimin e “Fletoreve” u ndërmor në vitin 1960 nga akademiku Mihail Pavloviç Aleksejev. Përballja e teksteve të shifruara me fragmente, ndërkaq të botuara prej vetë Anës, i bëri të mundur Sesilë Poshemanskajas të deshifronte e të nxirrte në dritë tërësinë e plotë të tekstit të “Fletoreve”. Ato arritën të botohen të plota në vitin 1973. Edhe pse ai përmban një rrëfim të imtësishëm, çka e bën deri diku të mërzitshëm leximin, në thelb është e vërteta e jetës së çiftit Dostojevski. I munduar, i sëmurë, i shqetësuar, herë kokëfortë, disa herë i urrejtshëm për meskinëritë e tij të papritura, ky ditar na sjell përpara syve një Dostojevsk të gjallë. Edhe pse s’ka as më të voglin iluzion për dobësitë a për të metat e të shoqit, Ana Grigorievna nuk e vë në asnjë çast në dyshim përkushtimin e pakufishëm që ka për të. Është kaq e bukur skena kur Dostojevski niset për në Sakson-lë-Bë, për të luajtur kumar rublat e fundit të familjes. Edhe pse është e bindur që ai ka për t’i humbur të gjitha dhe më pas ka për të gënjyer për gjithçka, Ana e ruan të paprekur dashurinë e saj për të. Vetëm dashuria mund t’i bëjë ballë vuajtjes… Por është njëkohësisht e trishtë të shohësh në këtë ditar varfërinë e skajshme që përshkron jetën e çiftit. Në këtë fletore gjejmë shumë shpjegime për rrugët, sheshet dhe monumentet e Gjenevës. Ana ishte një pasionante e natyrës dhe një vizitore e rrallë. Ajo tregon me hollësi ngjarjet që shënojnë fillimin e qëndrimit të tyre në Gjenevë. Ajo flet për Kongresin e Lidhjes së Paqes, që u hap më 9 shtator 1867, në të cilin mori pjesë vetë Garibaldi. Çifti Dostojevski shkoi atje vetëm në seancën e tretë të ditës 11 shtator. Kongresi u mblodh me nismën e inteligjencës liberale e republikane, për t’i dalë përpara pretendimeve të Napolonit III për Luksemburgun, për të penguar kështu një luftë të re. Duke shënuar ngjarjet e ditës 11 shtator, Ana flet për një skenë xhelozie ndaj të shoqit. “Letra e Drezdenit”, që ajo përmend të shtie në dyshime. Përse është fjala? Në maj të vitit 1867, mbërriti një letër nga Suslova, në adresë të Fjodor Mihailovic Dostojevskit. Por, në çastin e mbërritjes së letrës, Dostojevski nuk ndodhej në shtëpi: kishte shkuar të luante në kazinotë e Hamburgut. Cila ishte kjo Suslova? Shkrimtarja Apolinaria Prokofievna Suslova kishte qenë, për njëfarë kohe, mikeshë shumë e afërt e Dostojevskit. Duke e njohur shkrimin e saj, Ana e hapi letrën dhe e lexoi. Ishte një përgjigje e Suslovës, për një letër që ajo kishte marrë nga Dostojevski, ku ai e lajmëronte për martesën e tij me Ana Snitkinën. Pas kthimit të të shoqit Ana priti që pasi ta lexonte letrën, ai vetë t’ia tregonte se nga i vinte. Por ai heshti, gjë që shkaktoi hidhërimin e gruas së re kur ajo e sjell në kujtesë këtë ngjarje. Po atë ditë, pak më tutje, ajo pohon se një pusullë që grisi i shoqi mund të ketë qenë e shkruar nga dora e Andrejevnës, njërës prej mikeshave të tij, tek e cila ajo shihte një rivale të mundshme. Dy herë Ana përmend emrin e Korvin-Krukovskajas. Fjala është për një shkrimtare ruse, e cila më pas do të marrë pjesë në Komunën e Parisit. Letra që ajo i kishte shkruar Dostojevskit mbante datën e fillimnëntorit 1866. Së fundi, duke folur për Elena Pavllovnën, që kishte mbetur e ve, Ana thotë: “Në qoftë se Fedia nuk do të ishte martuar me mua, jam e sigurt se do të ishte martuar me atë tani”. "Fletoret e fshehta të Anës" janë një kuti e bukur emocionesh, ku ne takojmë dashurinë e madhe të një gruaje ndaj një burri dhe thellësinë e një jete që përshkroi një nga çiftet më të njohura të historisë së letërsisë, siç ishte çifti Dostojevski.

Yasushi Inoue, Tri gra

“Le të jemi mëkatarë!” Saiko i dëgjoi këto fjalë teksa grilat prej druri filluan të përplasen nga era, dhe përtej tyre mund të shihje nga deti larg vendkalimin e anijeve, ku një barkë peshkatarësh digjej si një zjarr feste. Deri në ato momente ajo nuk kishte menduar asnjëherë për zjarrin dhe prej kohësh ai i digjte thellë në kraharor. Kur ai mbylli grillat ajo ndjeu një akth. I hapi përsëri ato, por barka duhet të ishte bërë shkrumb e hi, sepse nuk dukej as drita më e vogël. Dukej vetëm sipërfaqja e gjerë dhe e qetë, si vaj i detit të errët. Deri atë mbrëmje ajo ishte përpjekur të shkëputej prej tij. Por teksa pa djegien e barkës së peshkimit hoqi dorë nga kjo luftë, dhe e la veten në duart e fatit. Ai iu afrua pranë dhe i tha “Nuk do të më pengosh të mashtrojmë Midorin sa kohë do të jemi në këtë jetë? Atë moment ajo iu përgjigj pa ngurruar. “Meqë ne nuk mund ta shmangim faktin që jemi mëkatarë, atëherë le të jemi të paktën mëkatarë të mëdhenj. Dhe aq sa të jetojmë do të mashtrojmë jo vetëm Midorin, por gjithë botën”. Që atë mbrëmje ata për herë të parë filluan të takoheshin fshehurazi. Në spektaklin e barkës që kishte marrë flakë dhe që deti e kishte gëlltitur pa e vënë re askush, asaj iu duk sikur kishte parë simbolin e fundit të dashurisë së saj të pashpresë. Ajo që pa ajo atë natë në sipërfaqen e detit ishte padyshim tortura sa e shkurtër aq edhe patetike e një gruaje të shkrumbuar nga zjarri i dashurisë.... Kështu nis historia e fshehtë dhe përvëluese e Saikos, një gruaje të bukur japoneze që vendosi të ishte përgjithmonë e fshehur në ndjenjën e saj. Inoue Yasushi duket se e ka dashur më shumë torturën e kësaj gruaje teksa hidhte në letër një nga romanet më të lexuara të tij në të gjithë botën “Tri gra”. Saiko nuk ishte e vetme në rrugëtimin e saj. Të njëjtën torturë përjetonte dhe Midori, e cila për vite me radhë e mbajti të fshehur faktin që kishte zbuluar dashurinë e fshehtë të të shoqit me miken e saj të ngushtë. E konceptuar në formën e tri letrave. Një e shkruar prej bashkëshortes, tjetra prej së dashurës, dhe një letër e së bijës e cila rrëfen mënyrën sesi e ka ndier këtë histori dhe humbjen e së ëmës, “Tri gra” është një roman tronditës për pasionin njerëzor. Është historia tragjike e një pasioni të pamundur i shkruar në tri letra, që i drejtohen të njëjtin person nga tri gra të ndryshme. Në fillim të duket sikur kemi të bëjmë me një histori të zakonshme dashurie jashtë martese. Por shumë shpejt kuptojmë se kjo është një histori e veçantë, ndoshta një nga më të bukurat nga historitë e dashurisë të letërsisë bashkëkohore. Me mjete të kursyera, me një finesë të rrallë dhe me një gjuhë të përkorë Jasushi Inoue jep në këtë roman versionin e përjetshëm të dashurisë së mallkuar.

Vepra ka ardhur në shqip nën përkthimin e Helena Kadaresë, e cila si një njohëse e mirë e fjalës duket se ka depërtuar mjeshtërisht në artin e Inoue. I shkruar me një intensitet emocionesh, lexuesi preket nga secila prej letrave dhe është në anën e të tria këtyre grave. Inoue e vesh me një mister dhe dinjitet dhe Midorin, (gruan e tradhtuar) teksa shkruan rrëfimin e saj të lamtumirës. Midori nuk do ta harrojë asnjëherë shkurtin e vitit 1934 kur teksa gjendej në një dhomë të katit të dytë të hotel “Atamit”, ajo do të shihte poshtë bri detit të shoqin veshur me një kostum gri. “Sa e madhe qe dhembja ime kur vura re atë haori mëndafshi, të stolisur me gjembaçë të praruar. Ajo mbante këtë veshje, një grua e gjatë dhe e bukur u afrua drejt teje. Unë nuk e prisja që parandjenja ime të vërtetohej aq saktësisht, e megjithatë, për të ditur nëse kjo parandjenjë ishte e bazuar apo jo, kishte ardhur aty me një frymë pas një nate, pa mbyllur sy në tren. Isha 20 vjeçe në atë kohë dhe goditja ishte e vrazhdë për një grua të porsamartuar që s’dinte abc-në e jetës…”. Nëse Midori nuk do të kishte ikur nga ajo dhomë hoteli dhe do të kishte zbritur atje në det ku ishin ata të dy dhe të përballej me ta, ndoshta kjo histori nuk do të ishte zgjatur përjetësisht dhe fati i tyre do ishte ndarë në rrugët e veta. Por ajo se ndoqi rrugën që e çonte nga deti dhe zgjodhi të heshte përgjithmonë… Yasushi Inoue i shkroi këto tri letra me një gjuhë tronditëse edhe pse në dukje të thjeshtë. Ndoshta se ai besonte se gjithnjë drama ndodhej aty ku mendohej se nuk ndodhte asnjë. Të gjithë duan t’i lexojnë këto tri letra që edhe pse të shkruara gjysmëshekulli më parë duken aq bashkëkohore. Yasushi Inoue u lind në Asahikwa, në ishullin verior të Hokkaidos. Në vitin 1926 filloi studimet e larta kohë në të cilën merrte pjesë në një klub xhudoje dhe shkruante poezi. Studioi estetikë dhe filozofi në Universitetin Perandorak të Kyushit, dhe u diplomua në vitin 1936. Pas luftës Inoue bën debutimin e tij si shkrimtar në vitin 1949 me romanin “Tri gra” dhe “Togyu” ndërsa në vitin 1950 fiton çmimin prestigjioz “Akutagawa”. Në vitin 1951 shpërngulet në Tokio dhe i përkushtohet tërësisht të shkruarit, ndërsa në vitin 1976 merr Urdhrin për Merita Kulturore nderimi më i madh i akorduar nga qeveria japoneze. Krijimtaria e tij letrare frymëzohet që nga Japonia moderne, e deri te Kina e lashtë. Inoue ka marrë shumë çmime, si dhe është nderuar si “Thesar i Gjallë Kombëtar” i Japonisë. Krahas letërsisë artistike ai ka shkruar edhe disa vepra historike, si “Ro-ran(1959)” ku bëhet fjalë për ngritjen dhe rënien e një shteti të vogël në Azinë Qendrore, “Aoki okami(1959)” një rrëfim i imagjinuar i jetës së Xhenxhis Khanit dhe “Futo (Era dhe dallgët)” ku flitet për sulmet mongole të shekullit XIII. Pas Kawabat-ës ai u zgjodh zëvendëspresident ndërkombëtar i PEN-it , në vitin 1984. Vdiq në 29 janar 1991 në Tokio.

Negociata me Serbinë për Naim Frashërin

Sali Bashota/ Drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë flet për gjendjen aktuale të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Kthimi në karton i librave gjatë kohës së luftës dhe shpresa për rikthimin e kopjeve të mbetura gjallë

28 vepra të Naim Frashërit, që Sali Bashota, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, i quan në gjuhën e zakonshme të një kosovari "Komplete", rezultojnë të humbura gjatë kohës së luftës në Kosovë. Në sirtarët e bibliotekës që ai drejton ekzistojnë tashmë vetëm dy vepra nga moria prej 30 veprash e shkrimtarit të njohur të shqiptarëve. Informacionet e mbërritura në zyrën e tij, apo ato që qarkullojnë brenda të interesuarve për fondin e veprave shqiptare të vjedhura apo të kthyera në karton gjatë kohës së luftës në fabrikën e Lubjanës, ndezin edhe drita të vogla jeshile, që konfirmojnë në mjegull se këto vepra mund të ekzistojnë ende apo që jo gjithë fondi i vjedhur është zhdukur, duke u kthyer në karton. Drejtori i Bibliotekës së Prishtinës, Sali Bashota, i cili ndodhet në Tiranë për të referuar mbi problemet e institucionit që drejton në Konferencën I Kombëtare të Bibliotekonomisë, që hapi siparin dje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, shprehet se për të gjitha këto vepra të humbura gjatë kohës së luftës në Kosovë po negociohet me autoritetet serbe, për t\‘i kthyer sërish në shtratin e tyre biologjik. "Ne i kemi çuar listën me veprat e humbura ose me ato që kemi informacione, Ministrisë së Kulturës në kuadër të bisedimeve që ajo ka me Serbinë për kthimin e trashëgimisë kulturore dhe aty ndodhen të gjitha shifrat që ne disponojmë", thotë Bashota. Edhe pse gama e objekteve të rezultuara të humbura në Kosovën e pasluftës është më e madhe se çfarë vendoset në shifra edhe në fusha të tjera si objektet me vlera arkeologjike, apo muzeore, Bashota thotë se interesi i institucionit të tij është rikthimi i librave që do të mbushte disi gjithë atë ftohtësi të krijuar nga mungesa e atyre që mbushnin sirtarët e fondit të pafund të Bibliotekës Nacionale në Kosovë. Bashota nuk do të mendojë se tashmë është momenti kur ai si drejtor duhet të merret me punë të tjera administrative, si përgatitja e stafit për katolizimin e gjithë veprave që ndodhen në këtë institucion, apo pajisjen me metodat më bashkëkohore një institucion të tillë. Përpos këtyre punëve të zakonshme për një drejtor të kohërave të sotme, një nga përgjegjësitë e tij më të mëdha është rikthimi i materialeve shpirtërore, të cilat në këto momente në Kosovë kanë më shumë rëndësi se teknikat elektronike.


Fondi i bibliotekës


Një vend të rëndësishëm në rikuperimin e Bibliotekës së Kosovës, pas humbjeve gjatë kohës së luftës kanë zënë edhe pasionantët e bibliotekave, njerëz të cilët i kanë besuar "thesaret" e tyre pikërisht për ngritjen e një biblioteke të re. Shqiptarët e Rumanisë kanë qenë ata që kanë dhënë më shumë kontribut në këtë aspekt. Bashota tregon se "shqiptarët e Bukureshtit kanë qenë një ndihmë e madhe për Bibliotekën e Kosovës". "Kohët e fundit kemi marrë një libër nga Patricia Anushi prej Londrës, e cila ka dhuruar një libër për Skënderbeun në gjuhën gjermane, që daton në vitin 1583", thotë Bashota. Një kontribut tjetër në këtë drejtim ka qenë edhe biblioteka e një prej personaliteteve më të njohura të shekullit XX, Kris Malokut, i cili ka dhuruar gjithë morinë e librave të bibliotekës së tij personale Bibliotekës së Kosovës. Njeriu që jetoi në Grac mendoi se kontributi më i mirë për çështjen shqiptare do të ishte kjo dhuratë e madhe, një biblioteke që kishte kaluar periudha të rënda gjatë jetës së saj. Bashota tregon se tashmë stafi i punës së tij është duke bërë katoligimin e dorëshkrimeve të vjetra, apo librave më të hershëm që ekzistojnë në këtë institucion, në mënyrë që më vonë të vendosë qartësisht të gjitha periudhat, në mënyrë të periodizuara. Por, për të arritur në stadin që ai dëshiron, një nga momentet kyçe është pikërisht rikthimi i thesareve të humbura, i shpirtit që mbajti gjallë për vite të tëra këtë pjesë të shpirtit të popullit të Kosovës.


Konferenca


Kjo konferencë është një mënyrë për të rritur interesin e mekanizmave qeveritarë, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë ndaj librit dhe problemeve të tij. Sali Bashota thotë se krijimi i kësaj Konferencë Kombëtare të Bibliografisë, që hapi siparin dje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, është një mënyrë që dy bibliotekat kryesore në dy shtetet shqiptare të kenë mundësi dialogimi për problemet më të ndjeshme të tyre. Referuesit në këto diskutime do të kenë mundësi të diskutojnë për krijimin e një strategjie të përbashkët kombëtare për Bibliotekat. Sipas Bashotës, debati për rolin dhe misionin e bibliotekave shqiptare në botën e re demokratike përbrenda sfondit nacional, sigurisht që do t\‘i çelë të gjitha rrugët dhe mundësitë për krijimin e një perspektive të re kulturore në shumë drejtime, natyrisht për të kontribuar edhe në alternativat e tjera dobiprurëse. "Objektivat e kësaj konference do t\‘i përcaktojnë vlerat e veçanta dhe interesimet e përbashkëta të specialistëve të Shqipërisë e të Kosovës për t\‘i evidentuar dhe formuluar drejt e qartë faktorët që lëvizin dhe e përcaktojnë këtë veprimtari në fushën e hulumtimit e të kërkimit për bashkëpunim të ndërsjellë në shumë kahe, si dhe në nxitjen, përkrahjen, afirmimin e ideve funksionale në një shoqëri të drejtë dhe demokratike, ku libri, kultura, qytetërimi janë esenca e edukimit dhe zhvillimit të saj", thotë Bashota. Dje, referuesit kanë folur për problemet më të ndjeshme të dy institucioneve kryesore bibliotekare në Shqipëri dhe në Kosovë.

Vitin tjetër pritet që kjo konferencë të zhvendoset në Prishtinë. "Kjo është mënyra për të sensibilizuar opinionin publik, që të sigurohen sa më shumë fonde qeveritare dhe alternative për themelimin, pasurimin dhe zhvillimin e bibliotekave shqiptare të të gjitha llojeve dhe në të gjitha nivelet. Në Kosovë është i domosdoshëm një angazhim i përbashkët i institucioneve vendimmarrëse në kapërcimin e gjendjes jo të lakmueshme në shumë biblioteka, duke ditur fatin e tyre gjatë dhe pas luftës", thotë Bashota, i cili beson në një strategji të re për bibliotekat.

Që pas luftës, marrëdhëniet mes Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe asaj të Prishtinës kanë pasur të tjera dimensione, të cilat Bashota i quan pozitive. I pranishëm gjatë diskutimeve të djeshme ka qenë edhe ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, i cili i ka quajtur bibliotekat si "memoria e një kombi".

Kujtimet e shqiptarit dinak

Studiuesi Jon Holliday udhëton në botën e një prej diktatorëve më të mëdhenj të Ballkanit. Çfarë kërkonte të realizonte Enver Hoxha nëpërmjet vëllimeve të tëra me kujtime. Të gjesh të vërtetat historike mes trillimeve pafund

Të shkruash kujtimet, apo të japësh një variant të jetës tënde, duke përmirësuar momentet apo detajet ku jeta nuk është sjellë mirë me ty, është një metodë e njohur e njerëzve të rëndësishëm, të cilët kohë para se të ikin përgjithnjë nga kjo botë, paguajnë njerëz për të shkruar jetën e tyre. A kërkonte Enver Hoxha një nga diktatorët më të egër të komunizmit në Ballkan, të sillte nëpërmjet kujtimeve të botuara në vëllime pafund pikërisht një imazh të mirë të "perandorisë" që ngriti në zemër të Ballkanit, edhe pse e dinte se një ditë e gjithë ajo do të shkërmoqej si rëra. Si do ta vlerësonte historia figurën e tij, përpjekjet për rindërtimin e një shteti ku ai besoi. Cilat ishin të fshehtat e atij burri, që në Perëndim nuk dëgjonin ta quanin edhe simpatik, njeriut që Nikita Hrushovi i ka thënë se "Ju po më pështyni; me ju nuk mund të bisedohet", është një aventurë e rrezikshme. Por John Hololliday, një studiues i huaj, e dinte se pikërisht zbulimi i kësaj perandorie të mbushur me mistere do të ishte dhe thelbi i suksesit për një historian si ai. Të futej në botën e Enver Hoxhës, njeriut që për 45 vjet kishte ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Perëndimin, duke mos udhëtuar asnjëherë jashtë, njeriut që i pëlqente muzika dhe i pëlqente që vendi i tij të ishte kolonial. Sigurisht që nuk ishte e lehtë të bëje një depërtim të tillë. John ishte takuar me miq, të cilët kishin mundur ta takonin personalisht Hoxhën, kishte takuar ekspertë të Ballkanit apo të Shqipërisë, duke marrë kështu sinjalet e para për të nisur udhëtimin drejt botës së Enver Hoxhës, për të udhëtuar në vendin e shkatërruar prej tij. Në vendin ku shihej si mbret dhe mëkatar, në vendin ku pasionantët e atij regjimi nuk mund ta urrenin, edhe pse në duart e tyre mund të dallohej shumë mirë vuajtja". Ia kushtoj Francines, e cila më duroi jo vetëm mua, por edhe Enverin", shkruan ai në hyrje të librit "Shqiptari dinak" një libër kushtuar jetës së diktatorit Hoxha, një jetë që vjen nëpërmjet kujtimeve të shkruara nga vetë ai.


Shqipëria komuniste


"Shqipëria komuniste dhe udhëheqësi i saj i ndjerë, Enver Hoxha, zor se kanë pasur informacion e kontakte të shumta me botën e jashtme". John Holliday kërkonte të zbulonte pikërisht misterin që vishte gjithë kështjellën e komunizmit, e kësaj fortese që kurrë nuk kishte pranuar hapjen me Perëndimin. Pikërisht ethet e burgut më të errët të Ballkanit mund të shpjegoheshin vetëm duke udhëtuar përmes një emri i cili ishte Enver Hoxha. Kështu, misioni i Holliday-it për të bërë një portret të një prej njerëzve më enigmatikë të Balkanit nuk ishte e lehtë. Ai tregon se takimi i fundit i Enver Hoxhës me shtypin perëndimor ishte gusht të vitit 1946, në Konferencën e Paqes në Paris. Për më se një çerekshekulli ai shkeli jashtë Shqipërisë, mbas shkuarjes në Moskë për Konferencën e pafat të Partive Komuniste në nëntor të vitit 1960. Në atë konferencë, Enver Hoxha do të prishej me rusët dhe u duk se hyri në aleancë të ngushtë me Kinën. Ai u largua nga Moska nxitimthi bashkë me kolegun e tij të ngushtë në atë kohë, Mehmet Shehun, i denoncuar që në atë kohë si agjent i shumëfishtë i të huajve. Por kur nisi Enver Hoxha të shkruante kujtime dhe përse duhet ta bënte ai këtë gjë? Për Holliday ka qenë fundi i vite \‘70-të, koha kur Enver Hoxha filloi të nxirrte një seri kujtimesh që përfshinin gjithë periudhën nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore e që vazhdonin me aleancat e tij të njëpasnjëshme me Jugosllavinë, Rusinë, Kinën dhe deri te vdekja e Shehut në dhjetor 1981. "Një bollëk i tillë kujtimesh, dyshimesh, sharjesh e mburrjesh nuk është botuar ndonjëherë nga kryetari i ndonjë regjimi komunist. Këto kujtime përbëjnë një tërësi dokumentesh absolutisht unike. Duke trajtuar kryesisht problemet e jashtme ato evokojnë gjallërisht presionet që i bënë Shqipërisë nga viti 1941 e mbrapa një radhë vendesh të huaja, përveç fuqive të Boshtit, duke filluar nga Jugosllavia, pastaj Anglia, SHBA dhe aleatët e tyre gjatë luftës, pastaj nga Jugosllavia,anglezët, amerikanët, grekët, italianët dhe Vatikani pas luftës", shkruan Halliday. Por sa janë të besueshme dokumentet e lëna pas nga Hoxha, sa i vërtetë është ai në përshkrimin e momenteve të rëndësishme të historisë së vendit të tij, apo të marrëdhënieve me njerëz të këtij sistemi. "Në disa raste veçanërisht për ngjarjet e atëhershme, bie në sy që ai mbështetet më shumë se ç\‘duhet te kujtesa që e tradhton. Veç kësaj, ai gjithmonë do të tregojë se ka pasur të drejtë. Ndërsa për gjithçka që ka të bëjë me Stalinin dhe paraardhësit e tij ai e ndan botën në bardhezi: Stalini është i mirë, Hrushovi ishte i keq", thotë Holliday. Por nga ana tjetër, Hoxha është një vëzhgues mjaft i mprehtë. Eshtë mjaft inteligjent. Po kështu, ai i shikon gjërat me dyshim, por kjo frymë dyshimi është shpesh një plus, përderisa kishte kaq e kaq gjëra që nuk i duhej zënë besë. Pikëpamja e tij e përgjithshme se fuqitë e mëdha e shikonin Shqipërinë si pre, është shumë e vërtetë. Holliday shkruan se "Jugosllavia donte mirëfilli ta aneksonte Shqipërinë nga mesi i viteve \‘40-të. Anglia dhe SHBA u përpoqën mirëfilli ta pushtonin Shqipërinë dhe ta përmbysnin regjimin e Hoxhës gjatë viteve 1949-1953. Ka shumë të ngjarë që Hurshovi do të jetë përpjekur mirëfilli t\‘i vinte bërrylin Hoxhës, gjatë viteve 1960-1961, edhe nga mesi i viteve \‘50-të. Por Holliday nuk nguron të japë në librin e tij edhe detaje të diktatorit si njeri. "Hoxha, megjithëse mburret sikur gjithmonë ka të drejtë, ka gjithashtu njëfarë aftësie për të mbajtur qëndrim kritik ndaj vetes. Ndonjëherë, ai kujton raste ndodhish që nuk e nderojnë (p.sh., humbet gjakftohtësinë, sillet vrazhdë me gratë", shkruan Holliday, i cili nuk denjon ta quajë jashtëzakonisht të çiltër dhe mashtrues.


Hoxha dhe historia e Shqipërisë


"Enver Hoxha qëndroi në krye të lëvizjes komuniste të vendit të tij për gati gjysmëshekulli dhe, në kohën kur vdiq, ishte njeriu që kishte qëndruar në krye të një regjimi më gjatë se kushdo tjetër në botë, me përjashtim të një monarku trashëgimtar, perandorit japonez", shkruan Holliday. Por rruga e Enver Hoxhës, sipas tij, drejt marrjes së pushtetit, si dhe gjatë pasjes së pushtetit u mbush me kufomat e armiqve të tij të vjetër dhe miqve të tij të rinj. Asnjë regjim komunist nuk ka përjetuar të tilla spastrime të vazhdueshme e vrasje si regjimi shqiptar. Por, po ashtu asnjë parti komuniste nuk ka arritur ndonjëherë suksesin aq shpejt sa PKSH e udhëhequr nga Hoxha.

Holliday bën një përshkrim të hollësishëm të regjimit të Hoxhës për të parë vendin që do të zërë ai në historinë e Shqipërisë. "Përvoja e gjerë e Hoxhës në krye të një shteti komunist, relativisht të dobët e të varfër brenda bllokut, i jep atij një pikë të shkëlqyer avantazhi nga e cila të përshkruajë jetën në të majën e kampit komunist, si funksiononin në të vërtetë lidhjet brenda KNER-it e Traktatit të Varshavës dhe si udhëheqësit komunistë e trajtojnë në të vërtetë njëri-tjetrin. Eshtë një pamje e zbehtë dhe e zymtë, e cila pavarësisht nga elozhet e zakonshme që ai u bën stalinistëve tingëllon e vërtetë. Udhëheqësit e tjerë ishin në tërësi mjaft të mërzitshëm. Rusët duket sikur laheshin në një det pijesh alkoolike. Ishin më harbutë. As kinezët nuk ishin më të mirë. Rrëfimet e Hoxhës se si për më se dhjetë vjet, që dikujt i dukeshin si aleancë e ngushtë, ishte përpjekur të merrte vesh ç\‘ishin, ç\‘bëjnë ata që u përngjajnë fantazmave. Ata refuzojnë t\‘u përgjigjen letrave. Zyrtarët kinezë i flasin me slogane apo lëshojnë siç thotë ai "profka". Ata ishin "dinakë" sipas Hoxhës. Këto janë vetëm disa nga përshkrimet që Halliday mundohet t\‘i bëjë mendjes së një prej burrave më të përfolur gjatë këtij shekulli në Ballkan. Një burri që diti të mbante nën kthetra një regjim komunist dhe t\‘i thoshte "jo" pjesës tjetër të botës, duke jetuar brenda çmendurisë së tij. Të gjitha këto detaje nga jeta e diktatorit vijnë në librin e studiuesit Holliday, që për vite të tëra iu desh të jetonte me fantazmën e Enver Hoxhës.


Kur Hoxha shkel Beogradin


"Avioni mbërriti në Beograd. Shohim që na presin shumë njerëz, ushtarë, banda ushtarake. S\‘kishim kaluar kurrë nëpër ceremoni të tilla, këto ishin të panjohura për ne dhe do të na duhej të kishim kujdes të mos gabonim në të ashtuquajturat rregulla protokollare. Ne ecnim përpara dhe drejt nesh vinte Titoja. Ai na jep dorën dhe na e shtrëngon fort. Kujtonim se sipas zakonit tonë do të përqafoheshim. Por jo rregulla dhe zakone të tjera. "Ushtarët janë si tanët, thosha me vete, ish-partizanë trima"....Pasi u çlodhëm , na thanë se do të shkonim t\‘i bënim vizitën e kortezisë Titos në Pallatin e Bardhë. Për jugosllavët që na vinin rrotull çështja ishte tepër e ndërlikuar: Ç\‘kostume duhet të vishnim për te Titoja? Jo atë kostum. Protokolli që në atë kohë kishte filluar punën në oborrin e Titos". Kurse për ne çështja ishte tepër e thjeshtë. Dy kostume kishim: kostum ushtarak dhe një kostum civil. Prandaj veshëm kostumet civile. Hymë në sallonin e madh të pallatit. Luks. Në krye të sallonit rrinte nën një tablo vetëm Titoja, në këmbë i veshur me rrobat e bardha të marshallit, me jakën, me mëngët e qëndisura me ar, me lule, me yje dhe në gjoks me një numër të konsiderueshëm shiritash që përfaqësonin dekoratat", kështu shkruan Enver Hoxha në kujtimet e tij për vizitën që bëri në qershor të vitit 1946 në Jugosllavi. Nëse shohim përshkrimet që Hoxha i bën takimit me Titon, Holliday kërkon të thotë se në ato përshkrime ka trillime dhe vërtetësi. Sipas tij, Tito nuk mund të shprehte aq haptas një qëndrim të tillë për Kosovën gjatë takimit me udhëheqësin shqiptar. "Në vazhdim, unë i shpreha Titos mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe duhet t\‘i kthehen kësaj.

-Shqiptarët luftuan, thashë që të ketë një Shqipëri të lirë dhe sovrane, të cilës tani duhet t\‘i bashkohen edhe viset shqiptare të Jugosllavisë. Ka ardhur koha që ky problem nacional të zgjidhet drejt nga partitë tona", është shprehur Hoxha.

Ndërsa Tito është përgjigjur: "Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë."

Sigurisht që rrëfimi i Enver Hoxhës për një nga vizitat që do të shënohej nga historinë e Shqipërisë siç ishte ajo në Beograd, kryeqytetin i cili gjithnjë ka pasur një përplasje me Tiranën apo Prishtinën, do të ishte i mbushur edhe me trillime, për të sjellë imazhin e një udhëheqësi të shqetësuar për çështjen shqiptare. Holliday e di se të deshifrosh trillimet e Hoxhës për të gjetur të vërtetat nuk është e lehtë, por nuk mohon se trillimet e tij janë të jashtëzakonshme.

Alda Bardhyli

Libra në Floripress

Emil Cioran
“Për Francën”
Përktheu: Balil Gjini
Botoi: “Zenit Editions”
Çmimi: 500 lekë


Është luftë. Ciorani është në Paris. Me shkronja të mëdha dore shkruan 1941, njëlloj siç dhe do të shkruante “Fund” mbi dorëshkrim, këtë tekst që e ka titulluar “Për Francën”, duke menduar moralistët e shekullit XVIII dhe, duke e parandier, ndoshta, se ajo me të cilën do të bashkohet me ta një ditë nuk do të jetë veçse stili, stili që në çdo rrethanë është përmbajtje. “Për Francën”, tekst kyç i shkruar gjatë vitit 1941, është një botë në vetvete, një libër i veçantë në veprën e Cioranit, i cili sapo i kishte mbushur të tridhjetë vitet. Është një libër himn kushtuar Francës dhe një paralajmërim për vdekjen e qytetërimit perëndimor.



Agustin Gjinaj
“Dilema e votës”
Botoi: “Botart”
Çmimi: 700 lekë


Vetë titulli, i pasuar edhe nga nëntitulli: Pse kemi politikanë të pasur dhe qytetarë të varfër? - paralajmërojnë shtjellimin që vjen në faqet e këtij libri. Autori Agustin Gjinaj, gazetar e publicist në të përditshmet shqiptare, rreket të arsyetojë, përmes një stili të thjeshtë, që nuk e përjashton artistiken mbi aktualitetin politik shqiptar. Zgjedhjet e 2008-s dhe zhvillimet që e pasuan janë një material i bollshëm, të cilin autori, i vendosur në pozitat e një qytetari e jo të një krahu politik, përpiqet ta argumentojë duke i vënë përballë ato që ndodhin tej së dukshmes. “Atyre, që nuk deshën apo nuk mundën të votojnë! Atyre që mendojnë se rruga e tranzicionit në Shqipëri ka qenë shumë më e gjatë se ç’duhet. Emigrantëve, që mbajnë familjet dhe buxhetin e Shqipërisë me dërgesat e tyre, por që asnjë qeveri nuk ka bërë përpjekje t’u mundësojë votimin për zhvillimet politike në vendin e tyre”. Ky është dedikimi i autorit për lexuesit e tij.



Sigrid Unset
“Zonja Marta Ouli”
Përktheu: Myrteza Shini
Botoi: “Skanderbeg Books”
Çmimi: 500 lekë


“Unë nuk i kam qëndruar besnike burrit tim”, thotë Marta e Unsetit. Personazhi i këtij romani është një Marta si e Biblës, një grua që përkujdeset, por ajo është edhe një Martë e zakonshme, e cila diskuton në publik, që feston deri vonë dhe është e pavarur ekonomikisht. Marta është një grua që qëndron e pavarur ndaj të dyja botëve, asaj të burrit dhe të dashurit, por që në fund i braktis të dyja. Pas vdekjes së të shoqit, ajo nuk martohet me të dashurin. Në këtë paradoks qëndron pjesërisht identiteti modern i personazhit kryesor të Unsetit.



Anna Politkovskaia
“Çeçenia, turpi i Rusisë”
Përktheu: Elda Buda
Botoi: “Besa”
Çmimi: 500 lekë


Anna Politkovskaia, e lindur më 1958-n, dhe e vrarë në Moskë më 7 tetor 2006, është një ndër gazetaret e rralla që ka informuar publikun në mënyrë të pavarur për krimet që ka bërë ushtria ruse gjatë luftës në Çeçeni. Gazetare e “Gazeta e Re” ajo është arrestuar e kërcënuar se do ta dënonin me vdekje, për qëndrimin e saj opozitar ndaj makinës represive shtetërore, pasi ka denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.

Në vend të përkujtimit për dy vigaj të letërsisë shqipe


Nga Alda Bardhyli:Një romantik i pandreqshëm




In Memoriam

DIN MEHMETI/ Emblema e poezisë kosovare rrëfehen për jetën si poet në një vend si Kosova, miqësinë me Azem Shkrelin dhe lidhjet me letërsinë e ish-Federatës Jugosllave

Ai është aty, në tryezën e mbushur me miq, të cilët e rrethojnë gjithnjë tavolinën ku ai ulet, i veshur me një këmishë të kaltër, të ngjashëm me sytë. Vitet nuk kanë mundur t’i ndryshojnë asgjë në atë portret tashmë të mbuluar me ca rrudha të lehta, në atë fytyrë aq romantike sa edhe ngjan Gjakova nga lart. Ky është qyteti ku ai ka ndarë gjithnjë jetën. Në ato mori shtëpish të ndërtuara me kujdes, ndodhet dhe banesa e tij, ku ndan jetën me të shoqen. Ky është qyteti të cilin nuk e braktisi as atëherë kur serbët u lëshuan të vrisnin çfarë të gjenin në ato shtëpi. Ai nuk bëri asgjë, madje edhe derën harroi ta mbyllë, duke dashur të mos besonte se “shkjau ishte aty për t’i shfarosur”. Ende i ka në mendje fytyrat e dy ushtarëve, të cilët hynë në shtëpi atë mbrëmje. I vendosën tytën e automatikut mbi kokë, duke e pyetur se “çfarë është kjo shtëpi e mbushur me libra”. Ai u tha se ishte shkrimtar, por në kohë lufte ushtarët nuk duan t’ia dinë për fjalët. “Ti gënjen”, i thanë ata. Dhe ky burrë, që tashmë kthen ngadalë me dorën ku i dallohen damarët e kaltër kafenë, rrëmbeu nga biblioteka disa libra të përkthyer në serbisht dhe ua tregoi... Librat sërish e shpëtuan nga vdekja, ashtu si gjithnjë e kishin shpëtuar nga dhembjet e gjata, nga netët e trishta, duke parë vendin e tij që s’po mund t’ia dilte nga robërimi... Din Mehmeti nuk do ta kujtojë Gjakovën apo Prishtinën e atyre viteve. I bindur se historia nuk ka qenë asnjëherë në anën e vendit të tij, ai e rrëfen këtë histori shkarazi në kafenenë ku zhvilluam bisedën, duke dashur t’ia lërë së shkuarës atë kohë. Sytë që kanë një blu të thellë, gati sa si përloten pas çdo fjalie, teksa rrëfen jetën e tij me letrat. Ndihet i lumtur se dikush ka shkuar ta takojë si poet, në këto kohë të trazuara për Kosovën. Kërkon të më tregojë vendin ku në çdo rrugë fshihet jeta e tij, kafenenë ku ulet për të medituar gjithçka... Të gjithë e njohin Din Mehmetin në këtë qytet. Ai është si një mbret i heshtur, para të cilit të gjithë ndalen për ta përshëndetur...

Por thellë brenda tij duket se ai ka mbetur një romantik i pandreqshëm, i cili nuk lodhet së foluri për orë të tëra për poezinë...

Mund të më tregoni rrugëtimin tuaj bashkë me poezinë, në një vend si Kosova, gjithnjë i paqëndrueshëm politikisht, plot drama... Si ka qenë jeta juaj prej poeti në një vend të tillë?

Unë si poet e kam ndier thellë në veten time peshën e ngjarjeve shoqërore apo politike që kanë shoqëruar jetën e vendit tim. Të gjitha ato ngjarje të vogla dhe të mëdha kanë qenë pjesë e jetës sime dhe si të tilla i kam paraqitur edhe në poezinë time, duke rrëfyer aty çdo gjë, duke i pranuar dhe refuzuar, duke bërë një luftë të vazhdueshme...

Me gjithë ato çfarë ka ndodhur me të keqen tonë, qoftë individuale apo shoqërore, mund të them se poezia ime është një biografi e pikëllimit, e cila duke qenë e tillë është përpjekur të thotë diçka jo vetëm për atë çfarë unë ndieja, por për ekzistencën ku ajo inkuadrohet, atë shoqërore, historike, politike. Jeta ime është poezia ime dhe në këtë sens mendoj se ajo ka një kuptim. Ka brenda edhe zhgënjimin, por mendoj se brenda saj ka një sens shumë të fortë të qëndresës, ashtu natyrshëm siç kemi mundur të qëndrojmë ne. Por, qëndresa në poezi është krejt ndryshe nga qëndresa në jetë...

Le të shkojmë pas në kohë, në ato vite kur ju filluat të shkruanit. Kam lexuar biografinë tuaj, kur një djalosh nga fshatrat e thella të Kosovës, të cilit i pëlqente të këndonte këngët e traditës, nisi të shkruajë. Si do ta kujtonit këtë jetë me letrat?

Në jetën time letrare asnjëherë nuk kam qenë rob i një forme, apo i ideve të ndryshme. Sigurisht që jam udhëhequr nga ato, por gjithnjë kam dashur të ecë sipas ngritjeve të problemeve shoqërore dhe politike. Në fillim poezia ime ka qenë një poezi e peizazhit të vendlindjes. Në të mund të dëgjoja zërin e atyre njerëzve që e adhurojnë vendin ku kanë lindur, janë dashnorë të përjetshëm të natyrës, të cilët rrinë deri natën vonë dhe meditojnë gjatë për një jetë më të mirë. Këta njerëz, që unë i njoh aq mirë, i ka mësuar historia të durojnë e të besojnë pafundësisht, pasi gjithnjë kanë qenë të lodhur nga këto gjëra. Poezia ime është përpjekur të hyjë në botët e këtyre njerëzve, t’i identifikojë ata. Në këtë plan mund të them se jam pakëz romantik, për arsye se dikur besoja se me anë të artit mund të ndryshohet gjendja politike dhe shoqërore e një vendi. Besoja deri në verbëri, se fjala është një magji e madhe, që mund të bëjë ndryshime rrënjësore në shpirtin e njeriut për ta bërë atë më të përsosur sesa është, një njeri si duhet të jetë në rrethana të caktuara shoqërore, si mund të kontribuojë më mirë për historinë dhe vendin e tij. Por, më vonë, teksa rritesha unë bashkë me poezinë, teksa endesha në emrat e mëdhenj të letërsisë botërore, kam kuptuar me dhembje se nuk është letërsia ajo që i ndryshon gjërat. Ajo në të vërtetë është një art që e urtëson shpirtin e njeriut dhe e magjeps me të bukurën që të ofron, por në jetë ajo është e pamundur ta bëjë këtë, nuk ka mjete dhe forcë ta ndryshojë këtë. Kjo ishte ajo çfarë unë mendoja në fillimet e mia si poet, por me kalimin e kohës kjo ka ndryshuar tek unë, pasi jam përpjekur të ballafaqohem me tema të tjera, që m’i ka imponuar koha dhe rrethanat shoqërore. Gjithnjë rrethanat shoqërore kanë ndikim te poeti, ato mund t’i ndryshojnë poetët, pasi, në fund të fundit, poeti është një trup si gjithë të tjerët, madje me ndjeshmëri më të madhe, i pafuqishëm për të mos e ndier atë që e rrethon, ta braktisë atë. Por, gjithnjë është e rëndësishme mënyra sesi ti i rrëfen këto rrethana në art. Unë shumë vonë kam mundur t’i kap damarët e poezisë bashkëkohore shqiptare e botërore dhe haptazi e them se unë dhe shokët e mi poetë të brezit tim kemi mësuar shumë prej shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Natyrisht ne kemi marrë nga shumëllojshmëria e shprehjeve të tyre, të formave të ndryshme, pasi në Kosovë historiku i kulturës sonë ishte një historik i diskutueshëm, për shkak të robërive shekullore që është kanosur historikisht te ne. Gjërat kanë nisur të ndryshojnë më vonë, diku nga viti 1945.

Pra, krejt çfarë jam munduar të bëj është që të përcjell besnikërisht ngjarjet e mëdha dhe të vogla shoqërore e politike. Gjithashtu jam përpjekur t’i shpreh ato në mënyrë subjektive, duke u dhënë formën e ndjenjave të mia, të pikëpamjeve të mia, jo duke u ndenjur gjithnjë besnik atyre ngjarjeve, por në bazë të tyre, duke krijuar paralelizma herë-herë fantastike, herë-herë edhe forma të cilat nuk mund të ngjasin në jetë. Edhe shprehjet metaforike kanë qenë shprehje të një ëndrre të poetit për diçka më të mirë në jetë.

Ju i përkisni atij brezi intelektualësh të cilët krijuan elitën e mendimit në Kosovë. Mund të na rrëfeni diçka më tepër për këtë periudhë. Dhe doja të dija mbi komunikimin që keni pasur me poetë apo shkrimtarë të ish-Federatës Jugosllave?

Së pari, mund të them se ne kemi krijuar një mënyrë specifike.

Ne gjithnjë kemi qenë të mbikëqyrur, për ne janë kujdesur të tjerët, pasi ishim letrarë dhe gjithçka çfarë bënim shikohej se mos devijohej nga vijat dhe mos gabonim. Nuk ka qenë e lehtë të krijoje nën një atmosferë të tillë, të jesh gjithnjë i përndjekur në mendimet e tua. Gjërat ndryshuan disi pas viteve ‘70, atëherë kur ne filluam të kishim autonominë tonë. U krijua një hapësirë ku ne mund të shkruanim me një frikë disi më të minimizuar, sigurisht që ishim sërish të mbikëqyrur, por jo sa të mos i shfaqnim mendimet tona. Gjatë viteve 1972-1974, kur u krijua autonomia e Kosovës, ne ishim në kontakte të vazhdueshme me shkrimtarë të republikave të ish-Federatës Jugosllave. Duke qenë se ishim një brez i shkolluar në fakultete të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ne nuk ramë në kontakt vetëm me letërsinë jugosllave, por edhe me letërsinë botërore nëpërmjet saj. Në atë kohë, në ish-Jugosllavi kishte potencë njerëzish që përkthenin nga letërsia e huaj, ndryshe nga çfarë mungonte në Kosovë. Ata kishin njohje të gjuhëve të huaja, duke sjellë në gjuhën e tyre emra të njohur të letërsisë së huaj. Kështu, ne i kemi njohur burimet e letërsisë së huaj nëpërmjet gjuhës jugosllave. Kjo ka qenë përparësi, nga e cila kemi fituar, pasi librat kanë qenë të dobishëm për krijimin e një bërthame të re në letërsinë shqiptare. Nga ky brez i poetëve të viteve ‘60 dolën emra që krijuan elitën e mendimit, si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rajmond Deda, këtu bëj pjesë edhe unë. Ne supozohemi nga kritika që jemi krijuesit e poezisë moderne shqiptare në Kosovë. Ne kemi mundur të sjellim në poezinë tonë forma dhe përmbajtje të njëjta, si në poezinë e shkruar në Europë, por të brumosur me jetën kosovare, me jetën shqiptare, me përpjekjet tona drejt një aspirate, të cilën ende nuk e kemi arritur. Ne kemi mundur t’u japim këtyre përpjekjeve një formë moderne, në mënyrë që të mos mbesin të lokalizuara, por t’i drejtohen botës me metafora nga më universale. Nëse u referohemi përkthimeve që janë bërë deri tani nga letërsia kosovare jashtë, kuptojmë se ajo është e pranueshme dhe pranohet, pikërisht për faktin se europianët duan të njohin shpirtin e Kosovës, shpirtin e shqiptarëve dhe përpjekjet e tij nëpërmjet vargut të poetëve dhe metaforave origjinale të tyre. Kjo është ajo që mund të quhet një nga fitoret e poezisë sonë. Kjo poezi mund të quhet e stabilizuar në formën e atij brezi dhe ka mbetur një poetikë, e cila nuk mund të përsëritet, pasi e kanë konservuar në vetvete një pjesë të kohës dramatike të popullit shqiptar, duke i sjellë ato me tone origjinale, të drejtuara nga tonet europiane dhe botërore nëpërmjet mjeteve artistike.

Ju keni qenë mik i Azem Shkrelit. Mund të më flisni pak për të?

Unë kam qenë mik i ngushtë me Azem Shkrelin, sepse jemi bashkë edhe nga një krahinë. Kështu bashkë na bashkoi ambienti nga kishim ardhur, kujtimet e rritjes sonë nën të njëjtën frymë, psikologjia, motivet dhe e menduara jonë disi e njëjtë. Kemi qenë miq shumë të mirë. Unë e konsideroj atë si një nga poetët ndër më të mirët që kemi sot andej dhe këtej kufirit. Ai ka një stil aq origjinal sa askush nuk mund ta përsërisë dhe të mos brejë nën ndikimin e tij. Atë nuk e mbajnë shumë temat, por stili. Stili i tij është një stil azemian. Ashtu si Floberi në romanin e tij është i përsosur në stil. Unë nuk di nëse ka poetë kosovarë të ketë aq stil origjinal sa Azem Shkreli.

Më lejoni t’ju pyes se cilat kanë qenë vitet tuaja më të bukura dhe vitet që ju kanë lënduar më shumë?

Ah, kjo është një pyetje jashtëzakonisht e mirë, por në të njëjtën kohë është një pyetje që më kthen nëpër disa shtigje të pikëllimit personal. Vite, të cilat kur e kthej kokën në të kaluarën hesht, kam dëshirë të hesht dhe shpeshherë, më shumë se kurdoherë tjetër, të pështy, të pështy zi, vrer, kuq, të pështy e të pështy, për çdo gjë çfarë kaloi, pasi kemi parë hidhërime të tepruara që e mbulonin gëzimin. Por, sa herë kthehem në të kaluarën më paraqiten edhe disa xixa të gëzimit që kam arritur të jem gjallë e të jem këtu me ty sot, duke folur për poezinë. Ndiej, në njëfarë mënyre, gëzim, pasi jeta ime nuk më ka kaluar krejtësisht bosh, sepse në biografinë e jetës sime kam mbjellë një farë, e cila i ka nxjerrë produktet e veta në njëfarë kohe, megjithëse verdiktin është koha ajo që e jep. Por, kam pasur dhe gëzime përkundër gjithë asaj dhune të ushtruar mbi ne, pasi ne qëndruam dhe ajo qëndresë e luftë e pareshtur na ka sjellë deri në këtë fazë ku jemi tani. E kaluara ime është e kaluara kosovare dhe si e tillë ka qenë një përpjekje ekzistenciale, përpjekje për të ekzistuar. Ka qenë një rrugë e ndjekjeve, një fobi e tmerrshme se dikush po na ndjek mbrapa. Ne duhet të shkruanim, të punonim, por, gjithsesi, ishim të ndjekur. Tragjedia qëndron këtu, se në vitin 1945, kur Kosova iu bashkua Serbisë, atëherë ne e kuptuam se janë shkelur idealet e luftës sonë në Luftën e Dytë Botërore, kur flitej se pas çlirimit, Kosova do t’i takonte Shqipërisë dhe kjo nuk u realizua. Kur Kosova iu bashkua Serbisë, ne si njerëz të kulturës ishim të zhgënjyer dhe të tjerët e dinin se në çfarë gjendje psikologjike ishim. Ne, atëherë, kemi qenë të zhgënjyer dhe kemi ecur nëpër zhgënjime personale dhe jemi munduar që nëpërmjet zhgënjimit të bëjmë diçka, që të mos vdesin idealet. Të mbjellim diçka në tokën tonë. Dhe vërtet, diçka kemi mbjellë. Kemi krijuar një shtresë të kulturës, kemi libra, kemi biblioteka etj.

Mendoni se gjithnjë do të dominojë kjo frymë në poezinë kosovare?

Poezia kosovare dhe poezia e popujve të tjerë të vegjël, që për një kohë të gjatë kanë qenë nën sundimin e të huajve, i ka ngjyrat e veta karakteristike, ka ngjyrë militante, thuajse se ajo ka dëshirë të ndihmojë me çdo kusht tjetrin, ka tendencë të jetë disi surrealiste. Poezia udhëhiqet nga një ide për ta ngjallur njeriun, për ta ndihmuar atë drejt ngritjes së tij individuale. Por, kjo është ngjyra e poezisë provinciale, e popujve të vegjël me kultura gati-gati fillestare, të varfra në krahasim me të tjerat. Tani, definitivisht mund të them se një poezi e tillë do të mbetet gjallë për aq sa kanë për të qenë aktuale ngjarjet që ajo i përshkruan, për aq sa koha do të kërkojë t’i identifikojë ato ngjarje e ato përpjekje që janë brumosur në poezinë e poetëve të ndryshëm. Mirëpo, kjo poezi është e tejkaluar. Poezia është jashtë kohës dhe hapësirës në Europë. Ajo nuk do të jetë poezi e rrethanave shoqërore, por e rrethanave shpirtërore të poetit, ama të poetit që nuk i dihet në cilën kohë jeton. Është një poezi universale e gjërave që flasin e s’flasin. Është një metaforikë që shpërthen nga shpirti i poetit, por jo e angazhuar. Sado që një poet thotë se ne nuk jemi të angazhuar dhe se shkruajmë vetëm për vete, ky është një mashtrim, pasi një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm snobët. Është e pamundur të mos mendojë poeti se do të shkruajë për lexuesin.

Doja të dija mbi komunikimin që poetët në Kosovë kanë pasur me kohën kur në Shqipëri zhvillohej një letërsi tjetër, ajo e socrealizmit?

Letërsia shqipe e këtyre dy kaheve përbëjnë tërësinë e letërsisë kombëtare shqiptare. Kjo letërsi është një letërsi, jo dy letërsi. Është një letërsi, pasi shkruhet në një gjuhë, në atë standarde e të unifikuar, prandaj ne jemi të integruar si shqiptarë dhe kjo nuk na lë shumë hapësirë të ndahemi. Megjithatë, gjatë këtyre 40 viteve shkrime që bëheshin në Shqipëri, dallonin nga ato që bëheshin në Kosovë në disa pikëpamje. Thirrjet e poezisë shqipe në Shqipëri kishin frymë socrealiste.

Ndryshe nga ne në Kosovë, poetët në Shqipëri, gjatë asaj periudhe, ishin të detyruar të shkruanin nën moton e “njeriut të ri”. Ata nuk mund të shkruanin të lirë, jashtë rregullave të vendosura të kohës, larg ideologjisë komuniste, pasi kjo gjë kushtonte shumë dhe unë i di të gjitha rastet e burgosjeve në burgjet komuniste. Është e trishtë e gjithë ajo çfarë ka ndodhur atje. Por mendoj se edhe në atë mënyrë të robëruar ata mundën të rrëfenin situatën reale në të cilën ndodhej kjo letërsi, ai vend dhe për këtë gjë ajo letërsi është pjesë e historisë sonë. Prandaj, poetët në Shqipëri nuk kanë mundur të jenë më modernë, ashtu siç ndodhte në të njëjtën kohë në vende të ndryshme të Europës. Ata nuk kishin mundësi të lexonin, ta përsosnin formën dhe mendimin e tyre, pasi ishin vetë rrethanat e tilla... Ndërsa në Kosovë, pavarësisht se ishim të përndjekur, ne kemi mundur të jemi më të lirë, të kemi më shumë mundësi komunikimi.

Në një libër për Ballkanin, cili është vendi që do t’i linit poezisë shqipe?

Poezinë shqipe, në të dyja anët e kufirit, në tërësi në një libër karshi librave të tjerë të poezive ballkanike, do ta vendosja aty ku ajo e meriton. Ajo e meriton të jetë karshi poezisë më të mirë të popujve ballkanikë, me të veçantat e veta natyrisht. Poezia shqipe sjell të veçantat e veta, ngjyrën e vet. Dhe kjo ngjyrë është e veçantë në këtë libër, mund të jetë e ngjashme edhe me ndonjë popull tjetër ballkanik. Mendoj se kulturat e huazuara e ndihmojnë njëra-tjetrën, unë po them me bindje se poezia shqipe sot në botë edhe mund të konsiderohet një poezi, e cila ka një pamje moderne. Unë e lexoj poezinë bashkëkohore të vendeve të ndryshme, si të Greqisë, ish-republikave të Jugosllavisë, sllovene, franceze etj., por poezia jonë është një farë indi, një farë skeleti i fortë i jetës, i historikut të shqiptarit, i ngjyrës, i natyrës së tij, e cila i jep mundësi asaj të futet në poezinë e botës. Pasi, poezia e botës nuk mund të jetë e njëtrajtshme.

Poezia shqipe është poezi botërore. Nëse poezia jonë do të ishte moderne, siç është poezia moderne franceze, nuk do të vlente.

Çfarë mendon Din Mehmeti tashmë në këtë moshë? Cilat janë ato që orvaten në mendjen tuaj?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Përgjigjja e saj është sikur unë të ulem e të shkruaj një roman, por romani është i mundimshëm tani për mua. Unë vetëm mendoj, unë gjithçka mendoj, unë tani vetëm meditoj, unë meditoj e meditoj për tema për jetën. Kam dëshirë të shkruaj një vepër, e cila do të mbetet. Në këtë moshë të kap shpesh mendimi se nuk ke mundur t’i thuash të gjitha. Prandaj, gjithnjë kam përshtypjen se nuk e kam kryer siç duhet detyrën time, mendoj të shkruaj një vepër, e cila qëndron, e cila bën rezistencë. Nuk mund të dal jashtë natyrës sime të dikurshme. Më pëlqen të meditoj për natyrën, lumenjtë, drurët, me gjithçka. Por, ajo çfarë më mungon, është fakti i të qenit më i qetë. Shumë gjëra kanë ndryshuar në kohë dhe njerëzit nuk më duken më si dikur. Janë më të ftohtë, gati sa nuk kacafyten me njëri-tjetrin dhe kjo nuk më pëlqen.

Nuk mendoja se ishin kështu njerëzit përpara. Tashmë kur bëj rezymenë më dalin njerëzit sikur shpërthejnë nga toka, si gjarpërinjtë ndaj vetes. Unë jam i ftohtë ndaj tyre, por shoh dhe fjalët që i thonë të tjerët nuk zënë vend, kacafyten në luftë mes vetes, gjë e cila më bën të më duket vetja sikur kam dalë jashtë kohës. Ndoshta është mosha kjo që më bën t’i shoh këto gjëra. Kam një alergji ndaj këtyre gjërave, por shoh se edhe sinqeriteti është një formë e tepërt në këtë kohë.

Është një jetë pa formë, ashtu siç unë e kam shprehur në një varg “Tokë pa qiell”. Njerëzit ikin nga njëri-tjetri... Njeriu ikën nga njeriu, bisha ikën nga bisha, gjarpërinjtë ikin nga gjarpërinjtë. E shoh jetën tashmë me një sy krejt kritik. Kam dëshirë të shkruaj diçka për këtë gjë, por nuk e di në do mund t’ia arrij...

Cila është poezia e fundit që keni shkruar?

Vetëm dy ditë më parë kam nisur një libër me poezi në Tiranë për t’i botuar te shtëpia botuese “Toena”. Janë 80 poezi të reja të miat. Por, poezia e fundit, ajo që është në atë përmbledhje dhe më ka mbetur në mendje, është: “Është diku një plak si unë”...

E mbani mend?

“Është diku një plak si unë”. (Mbledh pak buzët dhe mbyll sytë). E kam të pamundur ta them...

Kur ka qenë poezia më e bukur tek ty, gjatë kohës kur ishe i ri apo tani?

Kur isha i ri poezia ka qenë shpërthimi i shpirtit tim, me një tendencë të caktuar për ta ndryshuar botën dhe jetën. Ishte optimizmi im, ka jetuar me mua dhe fizikisht, edhe në pikëpamje shpirtërore. Unë jam gëzuar me të, pasi ajo më ka ndihmuar, ishte angazhimi im shpirtëror që më ka ndihmuar mua si qenie, më ka dhënë forcë. Poezia e tanishme është disi më intelektuale, më meditative, më metaforike. Ajo nuk është ajo poezi që mediton për ekzistencën njerëzore, por jo me atë vrullin djaloshar, me atë zjarrin e dikurshëm. Është një poezi e frenimeve, ndërsa më përpara ajo ishte një poezi e zjarreve, e vullkaneve të vogla brenda meje. Ndoshta edhe tani është e tillë, por është një zjarr që nuk i duket tymi...

Botuar në gazetën "Shqip",më 22 korrik 2007

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...