2011-05-01

Nga Lazër Stani:Krijuesi dhe tabutë


Lindur në Dukagjin, rrethi i Shkodrës. Autor i disa librave në prozë, gazetar. Aktualisht editorialist i revistës letrare "Ars".

Krijuesi dhe tabutë

Një polemikë e para disa viteve midis shkrimtarit nobelist Nagib Mahfuz dhe shkrimtarit të anatemuar në një botë të caktuar, por edhe të mirëpritur në një botë tjetër, Salman Rushdie, e bërë disa vite më parë, pas botimit të "Vargjeve satanike", më ka futur gjithnjë në dilemën, nëse ka apo nuk ka tabu për krijuesin. Në fillim të debatit të madh që shkaktoi botimi i "Vargjeve satanike" në botën islame, Nagib Mahfuz mori anën e shkrimtarit të kërcënuar, mori në mbrojtje lirinë krijuese të shkrimtarit Salman Rushdie. Por, disa kohë më vonë Mahfuz ndërroi mendje, duke thënë se, botimi i "Vargjeve satanike" ishte një gabim. "Nuk duhen fyer ndjenjat e miliona njerëzve me një besim të caktuar". Shkrimtari mendon se zhgënjimi do të ishte në çdo rast më i hidhur se e verteta dhe se, shkrimtari nuk mund t'i japë të drejtën vetes të zhgënjejë zemrat e miliona njerëzve. Një polemikë e para disa ditëve në Tiranë, lindi pikërisht prej një humoreske të thjeshtë, një rastësie që mori përmasa politike. Një humor, besoj pa të keq, dhe pa asnjë prapavijë kundërkatolike, u shndërrua në çështje kombëtare politike. Ithtarët e Papës dhe të katolicizmit, bartësit e frymës perëndimore, politikanët që e kanë të shenjtë miqësinë me Vatikanin dhe me Europën, nuk nguruan të mbronin një çështje, që në të vërtetë nuk kishte arsye të mbrohej. Institucioni i Papa Gjon Palit II nuk mund të lëndohej e as të vihej në dyshim nga një aktrim zbavitës i dy aktorëve, në një festival muzikor. Rastet janë të pangjashëm, të përmasave të ndryshme, sigurisht, por prapa tyre qëndron një çeshtje shqetësuese: deri ku shkrimtari, krijuesi në përgjithësi, mund dhe është e moralshme ta përdorë lirinë e tij krijuese.
Përgjigja e parë e gatshme, e mbetur gjithnjë në përmendje, është se lirinë tënde mund ta përdorësh deri aty, ku ti nuk cënon lirinë e tjetrit. Ne si komunitet qytetar sigurisht që jemi ende larg këtij të konceptuari për lirinë. Në kryeqytetin tonë pothuajse të gjithë janë të gatshëm të cënojnë lirinë e të gjithëve në emër të lirisë së vet, duke krijuar një kaos dhe një realitet të dhunshëm, që në rastin më të shpeshtë është dhunim që vjen nga antivlerat. Kjo jo thjesht në pikëpamje letrare, por në një spektër shumë më të gjërë, që rrok gjithë jetën e individit. Nga ana tjetër, në këtë kaos, ku përpjekja për të krijuar një lloj rendi ngjan me një pamundësi, gjejnë terren të përshtatshëm edhe tabutë, të cilat në shumë raste, kanë po atë fuqi mbijetuese, si edhe në diktaturë, kur vlerat dhe antivlerat, të vërtetat dhe gënjeshtrat jepeshin të gatshme me receta partie. Dymbëdhjetë vjet më parë, të flisje një fjalë të mirë për At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Faik Konicën e Martin Camajn ishte një mëkat publik shumë i rëndë, ishte një krim publik dhe politik, i ndëshkueshëm jo vetëm nga gjykatësi, por edhe nga opinioni publik. Një mëkat po kaq i rëndë publik sot është nëse guxon të thuash se poezia e Fishtës është një epos i vonuar dhe se poezia e sotme shqipe ka poetë që e tejkalojnë shumë herë kualitetin e poetikës fishtiane. Unë nuk mund ta harroj zhgënjimin që i shkaktova një profesori një ditë, kur i thashë se proza e Martin Camajt me përjashtim të një novele ("Pishtarët e Natës") nuk më shkakton ndonjë emocion të veçantë dhe më duket e zakonshme. Profesori, me siguri, ka menduar se unë, ose i jam i krisur, ose komunist i pandreqshëm. E njëjta gjë me ka ndodhur me një shkrimtar, mikun tim, kur i thashë për një nga krijimet e fundit të Kadaresë se është një libër i zakonshëm. Miku im u rrek të më mbushte mendjen se tri novelat e përfshira në librin "Përballë pasqyrës së një gruaje" janë kryevepra, se ato shkruhen rrallë në një letërsi e të tjera përcaktime, që unë për etiketë nuk po i quaj me emrin e vet. Shkurt po i përmend këto raste për të treguar se jetojmë në një realitet të mbushur me tabu dhe se këta tabu, në lirinë tonë gjysmake, kanë gjetur një klimë shumë të përshtatshme për mbijetesën e tyre. Në përgjithësi , ne si komunitet njerëzor kemi një nënshtresë të fuqishme mitike dhe mbijetojmë intelektualisht midis folkut të veshur me petka "firmato". Modernja, si në veshje ashtu edhe në art, në shumicën dërmuese të rasteve, na paraqitet jo si një zhvillim i natyrshëm, por si një shartim i portokallit me shegë. Shartesa të tilla në agrikulturë (nënshartesë e egër me mbishartesë të butë) janë rezultative, por, në letërsi shartesa të tilla krijojnë frute aq të thartë, sa të mpijnë dhëmbët që në kafshimin e parë. Por nëse shartesa të tilla gjejmë tek krijues të njohur, tek emra që në kulturën shqiptare janë shndërruar në tabu, ato askurrkush nuk guxon t'i përmendë. Ne e kemi thënë; të gjithë e thonë se, në Shqipëri mungon kritika. Dhe kjo mungesë nuk është e vogël, sepse një kulturë pa vetëdije kritike është kulturë e mangët. Arsyeja kryesore, edhe në këtë rast, është se, kritika është e paaftë të çlirohet nga tabutë, është e paaftë të mendojë pa komplekse, shkencërisht. Më ka bërë përshtypje se shumica e kritikëve tanë, aq pak sa kemi, pas viteve nëntëdhjetë, u turr të rizbulojë dhe të rivlerësojë emrat që po kjo kritikë i kishte varrosur për pesëdhjetë vjet. Janë botuar me dhjetëra shkrime për Fishtën, Koliqin, Camajn, Bilal Xhaferin, Arshi Pipën e ndonjë tjetër. Siç ka vazhduar të shkruajë këto vitet e fundit, për disa emra të letërsisë shqipe që u bënë të njohur në vitet gjashtëdhjetë. Por, kjo kritikë, nguron të përmendë, të analizojë, të shprehet pro apo kundër një romani, që për mua është fondamental për letërsinë shqipe siç është "Këngë Shqiptare" i Kasëm Trebeshinës. Këtë të fundit, krijuesit - edhe shkrimtarët madje, ngurojnë ta përmendin. Përse? Se heshtja ndaj tij, është shndërruar në një tabu, se thyerja e kësaj tabuje, ngjall frikë dhe pasiguri.
Shkurt, ne jetojmë në një kulturë të tabuizuar, në një kulturë ku ka hapësirë për cmirë, ligësi, xhelozi, mediokritet, po nuk ka hapësirë për dialog, debat profesional si dhe, ku ka një shterpësi të frikshme idesh. Mundet që pikërisht për këtë, ne kemi një elitë të dobët intelektuale, që nuk është e aftë të iniciojë procese, që nuk është e aftë të paraprijë procese që krijojnë një standart të ri në komunitet. Për intelektualin, për mendjen krijuese, nuk ka të vërteta dhe realitete të padiskutueshme, nuk ka siguri absolute. Çlirimi nga tabutë, është një hap drejt lirisë në përgjithësi dhe lirisë krijuese në veçanti. Por, edhe ky proces është kaq i ndërlikuar. Në fund të fundit, njerëzimi zgjatet në histori nëpërmjet ripërtëritjes së idhujve, ose rizbulimit të idhujve të vjetër. Progresi qëndron pikërisht aty, ku shfaqet një dimension i ri, i cili në fund të fundit është i pakohshëm.

Shenjat e natës

Mamaja e Lulusë thotë gjithmonë se në këtë shtëpi ka disa shenja të këqija, që ajo edhe pse shikon filxhanet dhe parathotë fatet e njerëzve që i shfaqen në ëndrra, nuk i merr vesh. Edhe unë pata të njëjtën parandjenjë kur hyra për herë të parë në këtë shtëpi. Këtu do të vdes, thashë me vete, duke kqyrur muret e zhveshura, që kundërmonin erën sterile të gelqeres së freskët. E zbrazët, me pllaka të lëmuara, me faqet e mureve të sapobojatisura, dhomat e shtëpisë nuk të krijonin kurrfarë intimiteti. "Kam përshtypjen se do të vdes këtu" mendova përsëdyti, në vend që të gëzohesha se, më së fundi unë dhe Luluja kishim një shtëpi të re. Të njëjtën gjë e mendova edhe kur Luluja më tha se iu duk sikur dëgjoi një të qarë. "O, zot, tha, dëgjova një të qarë këtu!". Askush nuk qante aty, unë ende isha zgjuar, po Luluja këmbëngulte se e dëgjoi të qarën. "Ishtë një dënesje, tha, një dënesje e thellë, ngjethëse, që të këpuste shpirtin". Unë u ktheva në anën tjetër të shtratit tonë të madh, u zhvendosa në qoshen nga ditrarja dhe u përpoqa të flija. Luluja këmbënguli prapë se dikush dëneste aty, fare pranë nesh, në errësirë. Ndeza abazhurin që ta qetësoja, i thashë se nëse ndjehej e lodhur mund të pinte një qetësues dhe të flinte. "Çoje mendjen tjetërkund, përshembull kur bënim dashuri në kështjellë, duke u dridhur nga të ftohtit". Luluja më ndoqi pas në shtrat, u ngjesh pas kurrizit tim, më shtrëngoi me krahët që i dridheshin, shqiptoi diçka mbyturazi dhe më puthi lehtas tek vertebrat e qafës. Edhe unë dëgjova dënesjen, të qarën pikëlluese të strukur diku pranë meje. "Çfare ke Lulu, pse qan - e pyeta butësiht. "Nuk qaj unë", tha Luluja. U shtrëngua e trembur për vdekje pas meje. Shqiptoi mbyturazi diçka si "shyqyr që të kam", u ngjesh edhe më fort pas meje, tha se kjo dënesje e ndjellakeqe ka diçka jotokësore, që atë e frikësonte për vdekje. U ktheva nga ajo e shtrëngova fort, i bindur se askush në këtë botë nuk ishte dashur dhe nuk mund të duhej si ne. Edhe Luluja po ngjeshej pas meje, më ledhatonte me duart e saj të brishta kurrizin, shpatullat e imta, kurse kofshët i ngjeshte pas kofshëve të mia, sikur donte të bëhej njësh me mua, të futej e tëra brenda meje, të fshihej nën lëkurën time të ngohtë dhe të qendronte aty përgjithmonë, e mbrojtur nga kjo dënesje apo e qarë; ec e merre vesh se çfarë ishte.
Nuk e di se në çfarë ore të natës jemi. Luluja, e shtrirë pranë meje bën një gjumë të thellë, e mbrojtur edhe prej endrrave të keqia. Diku larg, andej nga rrethinat e lagjes, mbase nga blloku i Vilave të Reja, dëgjohet një angullimë. Me vonë dëgjohet një e lehur qeni, që sa vjen e bëhet më këmbëngulëse, më kërcënuese. Kjo e lehur kërcënuese më sjell ndërmend Xhixhin, qenin tonë të dikurshëm. Mamaja këmbëngulte se ai gjithë natën u lehte fantazmave, që sipas saj endeshin natën rrugëve të fshatit. "Mëkatarët nuk i mban varri, ecin këmbëzbathur rrugëve të fshatit, me shputat e këmbëve të mbushur me gjëmba dhe copëra gastaresh të thyera", thoshte.
U ktheva nga Luluja dhe u shtrëngova fort pas saj, aq sa ajo rënkoi në gjumë, shqiptoi një fjalë të huaj në një gjuhë që unë nuk e njihja (kjo më la pamend sepse unë i dija të gjitha gjuhët që dinte Luluja, madje edhe disa gjuhë të tjera që ajo nuk i njihte), tha prapë diçka tjetër, po kësaj here fjala mbeti e mbytur në fyt, u çliruar prej meje dhe u ngrit ndejur, këqyri rrethepërqark e trembur, shtangu duke ia ngulur sytë një qosheje të errët, diku ndërmjet raftit të rrobave dhe faqes blu të murit dhe lëshoi një klithmë të frikshme. E shkunda Lulunë për supesh, e shtrengova frot pas vetes, ia rrasa fytyrën pas gjoksit tim, po ajo vazhdonte të dridhej pa mundur të zgjohej nga gjumi i saj i makthshëm. "Lulu, Lulu", i thërrisja unë , duke e ngjeshur pas vetes dhe duke e ledhatuar. Ajo më vështronte me ca sy të prishur. Nuk e merrte vesh se ku ndodhej, as se kë kishte pranë.
Të nesërmen ajo më tregoi se në fëmijëri zgjohej shpesh në shtrat, lëvizte e përgjumur nëpër dhomë, madje njëherë pati zbritur shkallët dhe e ëma e pati mbërritur teksa ajo po përpiqej të hapte portën e rëndë të oborrit. "Kur mbusha njëmbëdhjetë vjeç këto shëtitje natën nuk m'u përsëritën më", tha ajo.
Më bëri përshtypje kujdesi i saj i veçantë kur përdori togëfjalëshin "shëtitje natën". Sikur e përkëdhelte atë sindrom të shkuar prej somnambule. "Por të lutem, tha, mos më zgjo nëse këto shëtitje më përsëritën sërish. Nëse më zgjon, do të vdes".
U përpoqa ta qetësoj Lulunë, i thashë se këto shqetësime i përkasin një kohe të shkuar, një fëmijërie të ankthshme, ndoshta një krize puberteti, ose një pasigurie më të thellë akoma, po fundja të gjithë ne, kishim kaluar situata të tilla dhe ajo nuk duhej të shqetësohëj për këtë. I kisha treguar shumë kohë më parë historinë time me shtrigën e vogël, që tashmë e quaja me përkëdheli, shtrigulë, e që më pati tmerruar një pranëverë të tërë, kur nuk isha më shumë se dymbëdhjetëvjeç. Maria, shoqja ime e klasës, qe shtrirë mbi mua e më shtrëngonte fort. Pesha e saj mbi trupin tim ishte e frikshme, mbytëse. Unë nuk lëvizja dot as majtas as djathtas, as mund të çlirohesha dot prej saj. Me ngjante sikur po më lëshonte fryma nën peshën e përqafimit të saj të dhunshëm. Kjo torturë zgjati shumë, shumë, derisa unë munda të rrotullohesha në shtrat dhe të hapjas sytë. Atëkohë pashë një shkëndijë që po largohej nga dritarja dhe, mëqe kisha dëgjuar se, shtrigat plaka qarkullonin natën si shkëndija të ndezura, mendoja se Maria, e kishte ngrënë zemrën time dhe se, do të vdisja shpejt. Gjithë atë pranvere jetova me ankthin e vdekjes së shpejtë, po pranvera shkoi dhe asgjë nuk më ndodhi. Ia rrëfeva edhe njëherë historinë Lulusë, po ajo nuk e kishte mendjen te ato që i tregoja unë. Tha se mbrëmë dikush dëneste në shtratin tonë, ose diku pranë nesh, në dhomën tonë të gjumit. "Kjo është e tmerrshme", tha. E kundërshtova me të gjitha fjalët që me erdhën në atë çast të zbrazët, i thashë se ndosha ne ashtu na është dukur, por kjo nuk mund të jetë e vërtetë, se askush nuk mund të dëneste në shtëpinë tonë të re, se gjithçka ishte me të vërtetë e re, edhe shtrati, edhe raftet, edhe tryeza e shkrimit, edhe karriket edhe qylymi i butë që kishim shtruar në dysheme, edhe muret, edhe kanatat e dritares ishin aq të reja sa nuk mund të terhiqnin pas vetes asnjë hije të së shkuarës. Luluja më kqyri më mosbesim, u përpoq të buzëqeshte, tha se isha një orator i mirë, ndonëse edhe vetë po e kuptoja se biseda ime ishte e shpëlarë, e pakuptimtë.
Ditët e tjera ne të dy i shmangeshim kësaj historie, bënim sikur nuk i dëgjonim më dënesjet e shtratit, ose atë kuisjen e përvajshme të mobiljeve, sado që kjo nuk qe e lehtë. Përkundrazi, të dy e ndjenim se diçka e jashtëzakonshme po ndodhte midis nesh, diçka që po të mos e ndalonim do të na shkatërronte të dyve. Kjo gjendje ishte e mundimshme sidomos për Lulunë, e cila kur e kur ngihej ndenjur në shtrat, kqyrte me sy të çakërdisur rretherrotull, shqiptonte ca fjalë të paktuptimta, ose që unë nuk i merrja vesh, nuk i deshifroja dot ngaqë isha përgjumësh, dridhej dhe përpëlitej në një makth të frikshëm. "Shoh një fytyrë të prerë nga grilat", duke vështruar e pikëlluar nga dritarja. E kundërshtova, sado që të kundërshtoje Lulunë nuk ishte e lehtë. Po, e dija, asnjë fytyrë nuk mund të shfaqej në dritaren e dhomës tonë të gjumit në atë orë të vonë të natës. U mendova ta qetësoj duke e përkëdhelur lehtë në qafë, ia zbrita dorën nëpër kurriz, pandjeshëm, butësisht dhe e përqafova. Nuk e di se si ndodhi, po buzët e mija u gjendën në puthitura me lëkurën e butë të qafës së saj. Ashtu e puthja gjithmonë, duke i zbritur buzet poshtë e më poshtë gjersa buzët e dridhshme preknin gjinjtë e saj. Ajo u ngjesh pas meje, u shtrëngua aq fort (ajo gjithmonë thoshte: dua të futem brenda lëkurës tënde) sa më shkaktoi një dhimbje therëse në shpatull, m'i nguli thonjtë në lëkurën e kurrizit dhe ashtu të mbërthyer mbas njëri-tjetrit provuam të bënim dashuri, duke i flakur tej mbathjet me vështirësi. "Tani dhoma do të mbushet me dritë", thashë me të qeshur, ngaqë muajve të fundit ishim dobësuar shumë të dy dhe kockat tona përlaseshim me njëra-tjetrën me një egërsi të shfrenuar. Unë edhe herë të tjera i pata thënë se skeletet tona janë aq të rrëmbyeshem sa lëshojnë shkëndija kur kacafyten me njëri-tjetrin. Papritmas Luluja u shtang, u përpoq të çlirohej prej meje, ktheu kryet në anën tjetër e tmerruar dhe tha se dikush na përgjon sa herë bëjmë dashuri, dikush dënes, ose rënkon përvajshëm, ngjitur me shtartin tonë, brenda shtratit tonë. U shkëputa prej saj i dëshpëruar dhe ndeza dritën. Asgjë e jashtëzakonshme nuk dallohej në dhomën tonë të gjumit, që deri para pak çastesh ishte dergjur në errësirën e natës. Rrobat e mia të mbrëmjes ishin aty, të hedhura njëra mbi tjetrën në qylym, fustani i Lulusë strukej i palosur në karrike, kapakët e raftit ishin të mbyllur, kur dy pasqyrat, ajo e ngjitur në kapakun e raftit dhe ajo tjetra përballë, e ngjitur pas murit pasqyronin ftohtësisht zbraztësinë e njëra-tjetrës.
Unë ndjehesha shumë keq, por po kaq keq duhet të ndjehej dhe Luluja. S'e mbaj mend për çfarë folëm në fillim, ndoshta unë i tregova diçka për të larguar vëmendjen, diçka të largët, që me siguri nuk kishte të bënte me ne. Luluja u pëpoq të buzëqeshte dhe shtoi se kështu nuk vazhdohet. Unë nuk e merrja me mend se si mund të vazhdohej, nuk e dija se çfarë bluante ato çaste në mendje Luluja; ndjehesha vërtet i zhgnënjyer dhe nuk kisha asnjë dëshirë ta përqafoja prapë dhe të fillonim sërish. Edhe unë kam përshtypjen se dëgjoj një dënesje sa herë provoj të bëj seks me Lulunë dhe nuk ndjehem i qetë. Më duket sikur po bëj një faj, sikur diçka e huaj po futet tinëzisht midis nesh, na përgjon dhe pikëllohet, lëshon klithma dëshpërimi, ose qan mbyturazi. Kjo sigurisht nuk është e vërtetë, po përderisa të njëjtin mendim e ka edhe Luluja, perderisa edhe ajo dëgjon të njëjtën dënesje, që tashmë është bërë e përnatshme dhe e thekshme sa herë duam të bëjmë dashuri, diçka me siguri duhet të jetë. Mesnata duhet të këtë kaluar me siguri, ndoshta është shumë vonë, dy ose tre e natës. Provoj të mbyll sytë, të harroj të gjitha pamjet e pshtjelluara që më shfaqen, dua të përqendrohem në një tingull magjik, që ta mbush shpirtin me nostalgji dhe harrim, por pikërisht atëherë kur jam larguar shumë nëpër atë udhëtim të heshtur e të paformë, dëgjoj dënesjen që të këput shpirtin. Shqyej sytë i llahtarisur kur shikoj te këmbët e bshtratit një mace të verdhe me ca sy prej njeriu të mbushur me lotë. E mbërthej nga qafa dhe e përplas me të gjithë fuqinë time pas murit. Dëgjohet zhurma e mbytur e përplasjes dhe një rënkim i mbytur. Ndez dritën e abazhurit, kerkoj të gjej trupin e maces së verdhë, por në dhomë nuk ka asnjë gjurmë të ekzistencës së maces, kurse unë po, jamë i sigurtë se ajo ishte aty dhe unë e përplasa me forcë pas murit. Madje unë ende e kam në gishtërinj ndjesinë e gëzofit të butë, një ndjesi ledhatuese dhe të pafajshme që më gandon zemrën. Nuk i thashë asgjë Lulusë për macen e verdhë që dëneste te këmbët e shtratit tonë dhe as për zhdukjen e saj misterioze. Kur takova të nesërmen Ninën me kryet të lidhur me një fasho të bardhë, shtanga, ngaqë aty për aty pata përshtypjen se unë isha shkatari i plagës së saj të fresket, që kishte krijuar një njollë gjaku mbi fashon që reflektonte një bardhësi verbuese. "U përplasa mbrëmë pas murit", tha Nina si për t'u shfajësuar. Ajo tha se ishte ngritur nga shtrati që të merrte një qetësues për dhimbjen e kockave, po ndërkaq nuk i hapte dot qepallat dhe qe përplasur në mënyrë të tmerrshme pas murit. "Pandeha se më lëshoi zemra, tha, po ja ku jam, prapë e gjallë..." Nina bëhet gati të largohet, thotë diçka nëpër dhëmbë që unë nuk arrij ta kuptoj, më shtrëngon lehtësisht dorën dhe unë prapë provoj atë ndjesinë e pushit të butë të maces së verdhë, që një natë më parë e kam përplasur pas murit. Ikja e saj e heshtur më duket e përgjithmonshme. Në anën e majtë të gjoksit diçka më shtrëngon nga brenda duke më shkaktuar një dhimbje të ngadaltë, por këmbëngulëse që ngjitet pas brinjve, duke u tretur dalëngadalë nën lëkurë. Pyetjes se Lulusë në mbrëmje vonë, se ç'më ka ndodhur që jam aq i përhumbur i përgjigjëm shkurt: "Kam fjetur keq natën që shkoi".
Luluja kthehet nga unë dhe më thotë me qortim: "Duhet të kishim blerë një shtrat të ri". Ajo thotë se ky shtrat nuk e di se çfarë ka, po gjithë natën lëshon gërvina, dënes nën trupat tanë, ka një vaj të brendshëm prej drurit të mobiljeve a ku di unë. "Lulu, unë të kam dashur gjithmonë i them. Asnjë gjë tjetër në botë veç dashurisë nuk më ka shtyrë të lidhem me ty".
Ajo më thotë se këtë e di, e di gjithashtu se unë kurrë s'do të pranoja të shrihesha në shtrat me një grua që nuk e dua, aq me tepër që të martohesha me të, po megjithatë mobiljet duheshin ndërruar, duheshin blerë të reja, ose përndryshe gjithçka midis nesh po merrte fund. I tha këto fjalë me dëshpërim të thellë, fatal, sikur në të vërtetë, tani e tutje nuk do të mund të ishim më bashkë dhe kjo për atë, të paktën kështu mendova unë në atë kohë, ishte një vetëvrasje, një shkatërrim i pariparueshëm, dhe unë, për agjë në botë nuk do të kisha dashur t'i shkaktoja, qoftë edhe një hije pakënaqësie në fytyrën e Lulusë që s'më ishte ndarë kurrë nga vetja që ditën e parë kur e njoha këtu e dhjetë vite të shkuara. Po edhe ndërrimi i mobiljeve të shtrenjta që i kishim blerë jo shumë kohë më parë me dukej çmenduri aq më tepër, që edhe punën me paratë e kishim pak pisk. "E megjithatë nesër do të blejmë mobilje të reja", thashë unë për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. E shtrëgova në gjoks kokën e Lulusë, e përqafova dhe e putha fort duke e shuar gjithë zjarrin e një dashurie të ëndërruar në buzët e saj, paksa të ftohta dhe si të mpira. Provouam të bëjmë prapë dashuri, po Luluja i mbante sytë të hapur, kqyrte e trembur anash, mendjen e kishte të humbur kushedi se ku. Kjo më trishtoi, u shkëputa prej saj, i ktheva kurrizin dhe e ngjesha kryet fort pas jastëkut të akullt që ende mbante erën e detergjentit të ri që Luluja e kishte zgjedhur nëpërmjet reklamave televizive si markën më të mirë.
Papritmas Luluja u ngrit, duke u mbështetur në bërryl dhe më pyeti: "Si ishte Nina në seks, më e mirë se unë?" Ajo nuk priti që unë të t'i thoja diçka. "Pra e qive", tha me një zë të huaj që unë s'e kisha dëgjuar kurrë të shqiptohej prej buzëve të saj. Atë moment qeshë i bindur se nuk fliste Luluja, po dikush tjetër brenda saj, madje pata përshtypjen se ajo nuk fliste me mua, po me dikënd tjetër, me dikënd që unë nuk e njihja. Unë në jetë kisha njohur vetëm një Ninë, po me atë, as puthur nuk ishim kurrë dhe qeshë i bindur se Luluja nuk e kishte fjalën për Ninën time. E ngjesha edhe më shumë kryet pas jastekut dhe në heshtjen që përcolli fjalët fatale të Lulusë dëgjova përsëri dënesjen e thellë, që në të vertetë ngjante me një dënesje jonjerëzore: ishte një dënesëje e drunjtë, një dënesje pylli, që vinte nga larg, ndoshta nga kohët e shkuara. "Sidoqoftë, duhen ndërruar mobiljet që nesër", thashë me vete. U ktheva nga Luluja dhe u shtrëgova fort pas trupit të saj. Atë çast matanë grilave m'u duk se pashë një fytyrë të zeshkët të rrethuar nga kurora e lëshuar e flokëve të zinj, po kur pulita sytë që të kthjelloja vështrimin, fytyra nuk ishte më aty. Vetëm shtrati vazhdonte të dëneste nën peshën e trupave tanë.

nga Flori Bruqi:Cikël poetik nga Irhan Jubica


Irhan Jubica lindi ne Shkoder, me 1973. Me 1994-95 kryeredaktor i gazetes "Thyerje".
Me 1996 kryeredaktor i revistes letrare "Orana", me 1997-e vazhdim, koordinator i Penclub "Orana", nje grupim i shkrimtareve te rinj shkodrane. Me 1997-1999 redaktor i kultures ne gazeten "55". Me 1999 themelon dhe drejton gazeten "Fjala e Shkodres". Me 1996 boton vellimin e pare poetik "Beduini i fundit" ("Orana"), ndersa me 1997 vellimin ne proze "Nata e Shen Valentinit" ("Marin Barleti").

   
12 autorët e përzgjedhur për këtë botim janë: Mimoza Ahmeti me “Fantazma në rer”, Majlinda Bashllari me “Grerëza”, Gilmana Bushati me “Rruga me shenja”, Ridvan Dibra me “Histori me lepur”, Anton Gojcaj me “Atomet, shpirti, dashuria…”, Hida Halimi me “Kurorë fieri për trofe”, Irhan Jubica me “Uria”, Blendi Kraja me “Ankthi”, Gazmend Krasniqi me “Caffe voltaire”, Shazim Mehmeti me “Vjeshta buzëqesh dhe e kall cigaren”, Faruk Myrtaj me “Aravanët” dhe Lazër Stani me tregimin “Shenjat e natës”.Kjo përzgjedhje është projektuar në libër mbi bazën e rendit alfabetik. 

Antologjia e prozës është e dyta e hartuar nga revista, gjithnjë duke ndjekur kriterin e asaj që është botuar në “ars”. Botimi i parë i kësaj kolane ishte antologjia e eseve “Letërsia jashtë kopshteve tanë”, botuar në nëntor të vitit të kaluar, e cila u mirëprit dhe u vlerësua mjaft nga opinioni profesionist. Këtë antologji të dytë të revistës “ars” mund ta pasojnë në të ardhmen të tjera përzgjedhje, si ajo e esesë së përkthyer, e poezisë origjinale shqipe, e poezisë së përkthyer, e tregimit të përkthyer etj.


“Antologjia e prozës bashkëkohore shqiptare” ka 108 faqe, format 13x21, ISBN 99927-632-9-9821.18-3-82 .


Ka botuar ne shtypin letrar dhe ate periodik artikuj problematike kulture, si dhe krijimtari poetike e proze, si dhe perkthime nga italishtja e anglishtja.Aktualisht kryeredaktor revistes letrare "Ars"


PREMTIM

Pa mbarue andrrën
E kthimit n'dhè lulesh
Rana ka vdekë

Q'prej asaj kohe
I pari za
Ti
I vetmi
Por sonte
Mos guxo me më ringjallë

Varkë e vogël

Harrue i kam
Përrallat
E tekat e jetës
Por ajo çka duket
Fundi im nuk asht

Nuk ke si ikë

Jam Nili
I thamë
Mbas miliona jetësh


VONË

Vonë
Tash asht vonë

Edhe për me nisë
Edhe për me mbarue

Asht vonë
Për me dashtë
Për me urrye gjithashtu

M'kanë mbetë pak gjana
Vocrrake
Aq pak
Sa i mbështjell
Brenda një lëkure të kalbun Molle

Dashunia
S'asht ma e gjelbërt


RELIEV

Heshtave t'shikimit tand të lirë
Prej hane
Shpirti i natës mbetun

Në ty thërrmohen
Pëshpëritjet e pajeta
T'një gëzimi vetues
Dhe detit të përgjumun
Heshtjes
Kujtime zjarresh shuhen

Në kasollen e paçati të yjeve
Djepit të një oktapodi
Andrra njiqelizorësh
Mëkon nji perlë

Dëshirat janë andrra zogjsh
Të pagojë


ÇMENDË

Jam çmendë
Patjetër
Tash që ty
Vazhdoj me të jetue

Nëse ti ke lindë
E veç do ashkla
Jetës tande
Der' m'tash i ke djegë
Kufoma e çmendisë sime
Qelbet
Prej dëshirës
Me t'pa edhe 'ì muzg

Kësaj bote të lumtun budallenjsh
S'kujtohet kush
Me varrosë
Dëshirën

Veç meje


FRIKË

Lëkunden fletët e supeve

Vetëm nji e qeshun
Gjethesh
Edhe sytë
Nuk binden
Ma

Por ti nuk luen
Medet
Stuhitë e mija
Me më frikësue ma
As mue
S'mundin

Veç
Plakë
Jo

As i ri

Kam lindë
Prej gurit
E drunit
I druhem


DASHUNIA E PARË

Nadjeve
Një plep i gjatë
I fryente diellit me u ndezë


VETMI

Kam pague shtrenjtë për t'ia zhvatë Zotit vetminë
Kur jam vetëm vdekja më mbron prej çmendisë
Kur jam vetëm nuk jam Zot
Zoti m'lutet n'gjunjë për t'u ba si unë


NJERIU QË ECTE SHPEJT

E di çka ka me ndodhë

Jam dëshmitar i epokës s'fundosun
N'oqeanin e heshtun t'çmendunisë pa cak

U plaka tue pritë shiun
Por era ma ka tretë vorrin tim
N'përhumbjen apokaliptike
T'rève t'thinjuna

Ikja jote s'ka me qenë ndodhi

Krishti ka thanë se nuk don me u ringjallë
Ma


DIMËN

Diell qorruem
Prej fjalëve t'ndyta
Shkëmbye mes ditëve
N'ndrrim motesh


CURRICULUM VITAE

Tanë zjarret shuhen
Edhe dielli

Çmendunia m'ka braktisë
Jam tu' ecë vetëm

Jam vonue shumë
Tue pritë kohën
E ajo kishte ikë

Për t'ikë prej andrrimeve
M'duhet me rendë mbas andrrave
Që tremben prej meje

Nuk jam tu' u shue
Jam tue u djegë
E me tymin tim
Ushqehem

Kaq thashë
Kam pasë shumë
Kam prap' shumë
Por kaq thashë

nga Flori Bruqi:Cikël poetik nga satirsti i mirënjohur shqiptar Nebih Bunjaku




Nebih Bunjaku është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës - Gllogofcit, në gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit.

Që nga viti 1993 punon në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi.
Ka botuar këto vëllime me poezi: Dalje nga balada 1994, Gramatikë zemre 2004, Terapia e dashurisë 2005, Një samit për një simit (poemë satirike) 2007 dhe Prushimë buzësh 2008. Ky është libri i gjashtë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Pegasit” të Gjirokastrës, Dega në Kosovë.
Jeton në Prishtinë.



BALSAMOSMANI ËNDRRËN

Kur t’i mbylli sytë
ju lutëm me përgjërim
balsamosmani ëndrrën
në sarkofag për kujtim

hapur lenia një dritare
të hyjë drita e lirisë
aroma e luleve të njoma
kalendarëve të dashurisë

as kulmin mos i mbuloni
ëndrrës sime shumë fatprerë
nuk e dua copë mermeri
që ma zë diellin përherë

edhe ëndrra ka një ëndërr
kurrë në jetë nuk e harron
dashurinë nektar shpirti
në fund të botës e kërkon

M’I VISHNI MENDIMET

M’i vishni mendimet natën
vetëm me ndjenja dashurie
lakuriq mos të bredhin botës
pa ngjyrë arti e bukurie

nëse ndjenjat u janë shqyer
zbukuroni me arën poezie
mos të mbesin dot pa ajër
dhe pa jetë pa art magjie

m’i vishni mendimet e mia
si natyrën me shumë ngjyra
me blerim e me diell
të lulëzojnë vargjet e lira

HISTORI

Prej beteje në betejë
nëpër mite e balada
me enigma e mistere
nëpër zjarr e barrikada

MATEMATIKË

Gjithë jetën mbledhim humbje
pastaj humbjet i shumëzojmë
jetë nga jeta përditë zbresim
që me skamje t’i pjesëtojmë

matematikë shumë e thjeshtë
ngatërrojmë veten n’avlëmend
në këtë botë sikur gjeni
në botën tjetër asgjë n’mend

MENDIM I DEHUR

Xurxull qenka bërë bota
një gotë uiski kush s’ta qet
për ide e iluzione të kota
askush mendjen nuk e vret

kot përpiqem të jem esëll
tetëshet udhën s’e gabojnë
kur mbahem për unin e dehur
trupi e truri s’bashkëveprojnë

HIJA IME

Ti nuk je më rreze dielli
ti je vetëm hija ime
një robot i ëndrrave t’mia
që zbaton vetëm vendime

GLOBI

Me një gisht sillet vërdallë
globi me shpejtësi të dritës
ligjet e natyrës i bën përrallë
me atë kokë kungull të rrallë

NË KURDHËR JETE

Përtej dhembjes përtej mallit
edhe lodhja m’u ka plakur
midis kudhrës e çekanit
udhëkryqeve e përflakur


RRUDHA JETE

Midis rrudhash fshihet jeta
plot me brenga palë-palë
s’i zbulojnë as arkeologët
se ç’mistere fshihen vallë

me pasqyrën ballë për ballë
e shpalos rrudhën e vjetër
me brisk rroje e rruaj moshën
e maskuar nga një rrudhe tjetër

brisku i mprehtë le një plagë
e shëroj me pështymë e letër
thellë në zemër le një vragë
kur më del një rrudhë tjetër

e rruaj shpirtin nën lëkurë
midis balte më la jetim
nuk të le më thoshte kurrë
binjakë jemi shpirti im

KUR ËNDRRA KA HALLE

Kur ëndrra ka halle
dhe dhembje lehonie
ia lidh me fashë zemre
me dorën e një mamie


I FSHEHUR PAS MJEKRËS

Nëpër tym e nëpër çagjë
një monstrum nga bota tjetër
i zi si futa një Karaxhë
bërë tebdil drakulla i vjetër

dobiç bushtre zemërzi
shpalli veten president
n’orgji krimesh ogurzi
me top rrah në parlament

dhunoi gra e theri fëmijë
çfarë nuk bëri ky xhelat
vrau e dogji qindra mijë
shkretoi shtete ky lugat

skutë më skutë mi gjirizi
fshehur pas mjekrës së vet
çerdhe side dhe sifilizi
krimin në ballë identitet

shpirtin ndryshk zemrën çagjë
lozë pas loze psikopat
i rrafshon krimet me rraxhë
mal e fushë shpat më shpat

duarlidhur në gjyq të Hagës
dritën e diellit e mallkon
thellësia e plagës së shpirtit
drejtësinë natën e trishton

BËRLLOKU

Me lirinë bërlloku i huaj
kudo shtriu mbretërinë e vet
me bërllokun tonë të pistë
mbuloi fsha mbuloi qytet

ndoti fusha ndoti male
që nga jugu në veri
me pasion puthi këtë vend
me plot afsh e dashuri

i pa racë komb as fe
në shpirt vulën e urëmikut
përleu rrotën e historisë
nën maskë f’tyrën e mikut

deri në Këshill të Sigurimit
rrënjët e tij janë të thella
midis plehu të maskuara
s’i nxjerr derri s’i ha pela

meqë nuk na ndahet dot
na përleu edhe ne
ti mor pis more bërllok
asgjë pastër s’le mbi dhe

me shumë ngjyra e fytyra
në zemër kodin 1 2 4 4
nuk na shqitesh dot nga vatra
me ne luan arushë në teatër

SI GJARPRI LËKURËN

Nga dehja me raki
dhe dehja iluzore
jeton në degë bindjesh
me origjinën hyjnore

hyri vetë në SHPK-ë
ta pushtojë nga brenda
sharra i hasi n’gozhdë
dhe i plasi zemra

e braktisi uniformën
si gjarpri lëkurën
dehja i ra dyfish në tru
i shpartalloi shpurrën

ditën djeg doganat
dhe botën mallkon
vetes i pret degën
pikërisht ku qëndron

trupin në Kosovë
shpirtin korb n’Lubi
ditë e natë minon
kopshtin tonë të ri

njërin xhep me euro
tjetrin plot dinarë
n’krimin e organizuar
gjithë natën kumbar

me lot krokodili
nëpër botë vajton
se kjo bote jallane
kodian s’ia kupton

NË SHTËPINË E SËMURË

Në shtëpinë e sëmurë
plot me psikopatë
maskat e maskuara
kurrë s’na lanë rehat

kur fliten shumë gjuhë
askush gjë s’kupton
gjuha e nepërkës
deri në asht të shpon

këshillat e saj helmuese
në shpirt na ngacmojnë
edhe pse të maskuara
kobrat t’i hetojmë

mendimet në rengen
na i regjistronjë
edhe ëndrrat n’gjumë
na i spiunojnë

psikologët e sëmurë
vuajnë nga psikofobia
më shëndosh pacientët
se sa vetë mjekësia

SIGURESAT E SHPIRTIT

Të gjitha siguresat e shpirtit
do t’i aktivizoj
netëve pa mjegull

të gjitha ekranet e zemrës
do t’i ndezi
netëve të dimrit

të gjithë altoparlantët
do t’i shurdhoj
netëve pa hënë

të gjitha lehjet e qenve
do t’ua kthej mbrapshtë
autorëve zagarë rrugësh

të gjitha rrudhat e shpirtit
do t’ia shpalos
pavarësisë sonë

ROBËRIA NË LIRI

Me gjithë shpirtin lakuriq
në çdo zgjedhje del pa emër
në liri humbi shumë miq
se robëria i fle në zemër

i ka humbur udha në oborr
gjithmonë atë e pati shemër
sytë në ballë e mendjen qorr
se robëria i fle në zemër

shpirt e zemër n’udhëkryq
kallp emër fals mbiemër
në kulltuk këmbëkryq
se robëria i fle në zemër

maskë flamurin e lirisë
pa gjini mashkull femër
n’ballë krimesh t’barbarisë
se robëria i fle në zemër

asgjë s’paska më çudi
se shpirtrobi i lirë n’liri
secilin martir e akuzon
veç vetveten e vlerëson

thotë e munda çdo armik
se pas luftës i thashë ik
mbarë atdheun e çlirova
ndaj vetveten e dekorova

SEMINARET

Në klasën e seminareve
me mësues e profesorë
teknikat e reformave
i përvetësojmë me zor

në klasën heterogjene
me të rinj dhe pleq
ushtrimet e shkathtësive
po na shkojnë pak keq

këto reformat tona
joshëse plot magji
rrota e pa lyer
sillet veç në teori

DEMAGOG

Në një shkollë një bërllok
e luan lojën biolog
trup e shpirt demagog
fjala e tij s’shitet n’log

gjithmonë shtiret psikolog
punën hiç – mendjen gjok
trurin fyçkë rradaken shtog
të gjitha punët i bën bërllok

një racë me qenin analog
kot të huajt s’i thonë dog
tok me bushtrën log m’log
nga bërlloku në bërllok

midis pazarit hingëllin
si mushkë kalin imiton
vetëm samarin e hostenin
natën zgjuar i ëndërron

VESHUR LAKURIQ

Në petale shpirti
rritet dashuria
veshur lakuriq
në ëndrrat e mia

SHPIRTI KLANDESTIN

Shpirti im në botën tjetër
pa pasaportë klandestin
më la vetëm midis balte
kurrë nuk ishte filistin


16 VJEÇARJA

Jam prilli i femrës e bukur si zjarri,
Jam çafkë e dehur nga të piret e qiejve.
Tek beli i hollë kam rrymë elektrike
Të ruhet prej meje grigja e djemve.

S’jam më prej mishi, jam fije drite,
Jam borë e bardhë e stërpikur me gjak,
Atje ku kaloj nxeh ajrin e rrugës,
Tre vise në trup më digjen flakë.

Petrit Ruka

KRYEFJALA

Në gramatikën e shpirtit
vetëm ti je kryefjala
nuk na duhet kallëzuesi
as në përqafime të rralla

emri më i dashur
në morfologjinë time
t’i dua buzëqeshjet
në rasa në zgjedhime

në sintaksën e syrit tim
je periudhë me degëzime
edhe në analiza zemre
ëndrra më intime

PORT DASHURIE

Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla e në dete

për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
midis shpirti lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh

valët e zemrës m’i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes
mos ngrit flamurin e bardhë
oqeaneve me shumë stuhi
ditë e natë jam sogjetar
të shpëtoj me dashuri

PARALELISHT

Mua e ty si binarë treni
paralelisht jeta na shkon
a ka stacion zemra ime
në këtë botë që na bashkon

zemrat tona binjake
i ka bashkuar dashuria
po i ndave zemër
të ndëshkon perëndia

DASHURIA LOJË

Dashuria thonë është lojë
në këtë lojë dua të vdes
nuk jam borë por jam vesë
në zemër bie çdo mëngjes

KODI I SHPIRTIT

Ti je kodi i shpirtit tim
edhe n’ëndërr të kërkoj
pa ty jeta s’ka kuptim
vetëm ty të dashuroj

DOSJA E SYRIT

Në gjithë dosjen e syrit tënd
vetë një lot të ka tradhtuar
nëpër mistere buzëqeshjesh
puthjet tona janë përvëluar

por ato gjithmonë besnike
gjuha e syve s’i mashtron
në sprova zemre ti moj mike
dashurinë ma përfocon

MA ZBUKURON
ËNDRRËN

Ditën më mungon ditën
natën m’shfaqesh n’gjumë
s’mund t’jetoj pa ty
se të dua shumë

midis gjumit të thellë
ti ma zbukuron ëndrrën
parajsë ma bën jetën
më hyjnore zhgjëndrrën

TAGRA E SHPIRTIT

Të gjitha tagrat e shpirtit
i paguaj me gjithë dëshirë
nuk i mbetem askujt borxh
dashurisë i kërkoj mëshirë

dashuria është qiellore
vetëm lind e s’perëndon
me hiret e saj hyjnore
të bekon a të mallkon

NË HIJEN TËNDE

Në hijen tënde kur pushoj
muzën time s’e merr gjumi
në prehër ëndrre të kërkoj
ëndrrat tona valë t’një lumi

hija jote freskon diellin
midis vape buzët shkrumb
me buzëqeshje i bën hije
n’freski zemre rron një pëllumb

LULJA E SHPIRTIT

Lulja e shpirtit tim
rrënjët në zemrën time
pa ty nuk lind dielli
as nëpër vegime

lulëkuqja e prillit
çel vetëm n’blerim
lulëzo pa pushuar
fresku i vargut tim

zemra e kurorës
pengu i zemrës sime
vesa e mëngjesit
fresku i jetës sime

t’i ujis petalet
veç me ledhatime
ti je vesë mëngjesi
flladi i zemrës sime

me ngjyra ylberi
ato gonxhet tua
nektar dashurie
që me dehin mua

PRANVERA IME

Midis flakës së zjarrit tënd
piqem digjem në tundime
në zemrën time të zhuritur
të kam mbjell pranvera ime

vetëm ti moj stina ime
midis shpirti më lulëzon
edhe ndjenjat më intime
me buzëqeshje ti m’i zgjon

zemrat tona nuk kanë dimër
rreze jete kanë gjithmonë
çelin në stinë të dashurisë
për asgjë s’u bëhet vonë

NË PORTËN E ZEMRËS

Në portë zemre kur trokita
në blerim prilli në pranverë
s’çave kokën për trokitjen
mbylle dritare mbylle derë

shpresën time e plagose
tani dergjem në spital
s’ka ilaç që ma shëron
shpirtin tim sentimental

kështjella jote prej çeliku
e mistershme krejt kallkan
si jeton në atë manastir
pa pikë dielli ti moj xhan

dil nga kështjella e Mesjetës
vetë buzëqeshjet do të çelin
në dashurinë tonë të zjarrtë
shpirtin n’shpirt do ta mbjellim

portën tënde me shtatë dryna
e ka ndryshkur koha vetë
gjysmën e shpirtit të burgosur
falja gjysmës së shpirtit të vet

VJERSHA ME ETHE

Vjersha ime me ethe
vrujon temperaturë
buzët shkrumb të thara
si lumi pa ujë nën urë

njëqind vjet në pritje
lagur në borë e në shi
me ëndrra lirie
për dritë e pavarësi

e përgjakur në luftë
në shpirt e plagosur
strofat shkrumb e hi
vuajtja s’kish të sosur

vargjet shpërndarë botës
të burgosura rimat
të ngatërruara rrokjet
shpirtit hapur vrimat

tash ëndërron në diell
ngopur nga varfëria
me shpresa të lodhura
ende e ndrydh vetmia

E NGUSHËLLON MALI

Gjenerali pa një këmbë
që ia fali luftës në mal
mediton i dëshpëruar
pa bukë goje si hamall

miku im mos u dëshpëro
miqësisht e ngushëllon mali
meqë mortja nuk të mori
këmbë e duar unë t’i fali

E VETMUAR NË MESNATË

E vetmuar në mesnatë
i thur ëndrra jetës sime
si të dal nga kjo lëngatë
mos të mbytem n’vajtime
fillikat unë jam jetime
porsi bimë n’dritë të hënës
pa ngushëllim e ledhatime
ëndrra fle n’prehër t’nënës

derë më derë për një kafshatë
më këndon mideja buzët çarë
në zemër shpirti kam acar
në burim loti im i tharë

nga vetvetja e braktisur
edhe koha më ka harruar
midis balte – e zalisur
nga trishtimi e trishtuar

prindërve të mi të rivarrosur
për ngushëllim nga një kurorë
jeta e tyre paska aq vlerë
sa dordoleci në shi e në borë

nga një lule në cep të varrit
qiriun ndezur në cepin tjetër
ua vë ditëve të pazarit
kur m’i falin miqtë e vjetër

se liria qenka akull
ëndrrën ende s’e ka shkrirë
me dëshmorët bën biznes
ëndrrën n’ëndërr ma ka ngrirë

MOS IA PRISH ËNDRRËS GJUMIN

Mos ia prish ëndrrës gjumin
se qan natën me inat
nuk ka det as oqean
që ta lajë gjithë këtë mëkat

më ka mbetur ëndrra zbathur
dhe pa rroba lakuriq
vetëm shpresa ka nën krye
në kujtesë i rri një kryq

po i doli ëndrrës gjumi
nëpër botë kërkon azil
n’bebëz syri të një vashe
ndërton çerdhe një bilbil

ëndrra ime është rebele
nuk çan kokën për askënd
as nga unë s’pranon këshilla
i thur planet në avlëmend

kurrë nuk ishte qaramane
sy mbyllë gjen rrugën e vet
për asgjë s’i bëhet vonë
as për princ as për mbret

BREGUT TË ËNDRRËS

Si Sizifi i stërmunduar
ngjitem bregut t’ëndrrës
pak i lodhur i vonuar
nëpër ankthe i trishtuar

labirintet plot zigzage
me gjakun tim të shënuar
si në tunel midis errësire
s’e njoh shpirtin e trazuar

midis shpresës e premtimit
ta ndërpres ëndrrën s’guxoj
as buzëqeshjen engjëllore
në lojë fëmijëve t’ua trishtoj

mendimet më janë lodhur
kësaj rruge të pashtruar
kur takohen nata e dita
hëna diellin ka mashtruar

që një shekull udhëtoj natën
s’dua të mbetem në udhëkryq
në prag agimi shoh vetveten
ëndrrën time gozhduar n’kryq

PA SHKOLLË POR ME XHAMI

Në ag të shekullit XXI
rrëzë mali në Gërmi
me pallate e shtëpi
shtrihet fshati Sevdali

vend i bukur si në përrallë
me shumë mësues profesorë
shumë i pasur shumë i rrallë
me haxhilerë edhe doktorë

në Sevdalinë përparimtare
shkohet këmbë e me makinë
kur bën vapë temperaturë
lakuriq lahet në pishinë

vendbanim afër pishinës
i ka vënë syrin Gërmisë
i bren mushkëritë Prishtinës
me vila të reja të mafisë

këtu ku çallmja sillet rrotë
pleqtë lajnë shpirtin në xhami
t’shkojnë t’pastër në atë botë
mirë të maskuar si haxhi

fëmijët deri në Prishtinë
për pak dritë dhe dituri
udhëtojnë këmbë pa makinë
nëpër borë dhe nëpër shi

ÇKA BËN NATA DITËN...

Frymëzim nga poezia
Çka bën dita natën...
e Agim Devës

Dikush mendon çdo mëngjes
dita natës s’i bën dritë
ai i gjori s’di se nata
rron më së miri në mesditë

hyn diku në kafeteri
tok me ne dëgjon muzikë
posa dehet me raki
prej askujt nuk ka frikë

atëherë nata kur feston
në jermi ajo argëtohet
në mesdite dikë shiton
që vetë dita të trishtohet

kur rihapen kafenetë
e marrëzia nuk ka fund
plot me gëzim e marifet
dollinë tonë e pi me fund

në pikë të ditës bën pazar
me tenderë prapë vazhdon
nata s’matet me kandar
dita s’lind veç perëndon

DREJTËSIA

Miqësisht e vëllazërisht
midis vëllezërish barabar
me litar dhe pa litar
skamjen duhet ndarë

DIELLI PRAPA GRILAVE

Që një shekull dielli në burg
na pat lënë në dritë të hënës
lot e gjak na shkuan çurg
nën këmbë njerke pa gji t’nënës

vonë nga retë kur doli dielli
n’shpirt buzëqeshja na lulëzoi
ëndrrës së jetës iu zgjidh filli
kroi i lotëve n’burim shteroi

RRUGËS SË DIELLIT

Shaban Palluzhës

Dardania kur digjej flakë
nga piromanët e tërbuar
asnjë i ri plak as plakë
s’donte vatrën për ta lëshuar

nëpër krisma dhe acar
dielli shahej veç sllavisht
zemra eshkë ndizej zjarr
gjoksi hapej martirisht

e me armë rrugës së diellit
nuk e braktisi Dardaninë
meteor Shaban Palluzha
shumë e deshi Ilirinë

të lajthiturve nga drit’e hënës
përbetuar në yll të kuq
mos lejoni u tha në Besianë
lot e gjak t’na shkojnë huq

me agimin në rrugën e diellit
si në legjendë dikur Anteu
maja e Lisit Shaban Palluzha
shtriu rrënjët n’thellësi dheu

PROMETEU

Adem Demaçit

Kur liria ishte ngrirë
në acar dimri rrezengrirë
Prometeu ynë n’zinxhirë
nisi akullin për ta shkrirë

prej të voglit në burg të madh
këmbë e duar lidhur n’pranga
vetëm shpirtin e kishte të lirë
nga qelia i jehonte kënga

Rrap’i kombit n’zemrat tona
me lirinë i kurorëzuar
Lulja në ballë të kurorës
në Pranverën e vonuar

Baca Adem simbol lirie
vepra Jote rreze dielli
e zgjon ëndrrën e përgjumur
Yll Mëngjesi ndrin nga qielli

REÇAKU

Liria fshihet në një pikë gjaku
të një fëmije a të një plaku.1

Riza Beqir Reçeku

Fundi i shekullit plot acar
dyfish dimër në Reçak
ditë e zezë pesëmbëdhjetë janar
Reçaku i trimave u bë me gjak

ekraneve të shpirtit nëpër botë
komunikon vetëm trishtimi
zemra tona grimë dhe copë
veç nga ankthi e pikëllimi

n’gjuhën e dhembjes njerëzore
lajtmotiv vetëm mizoria
mbeti bota e nemitur
vallë u kthyeka barbaria

tok me engjëj Riza Beqiri
ra dëshmor n’prag shtëpie
mu pranë tij ra edhe i biri
ku u fshehka ai gjak lirie

n’zemrën time kam një shpellë
plaga e shpirtit më kullon gjak
midis dhembjes një hon i thellë
loti më rrjedh për Ty Reçak

a ka fashë që ma lidh dhembjen
përveç Vokerit – Mikut Plak
a ilaç që shëron brengën
krimit të hienës t’i vë kapak

1) Martirin Riza Beqiri e njoha në Banjën e Kllokotit në fund të vitit 1998. Një javë banuam në të njëjtën dhomë. Për lotin tim ndaj masakrimeve barbare, Riza më qortoi me profecinë e tij që e shënova në fillim të kësaj poezie. Dy javë më vonë, më 15 janar 1999, tok me të birin dhe martirët e tjerë i masakruan në Reçak.

FUNDI I KRYEKORBIT

Një korb sillet mbi humnerë
në ëndërr sheh veten skifter

me krra-krra u ngrit n’pushtet
korbëri bëri në Korbëri të vet

kukuvajka i këndoi mbi krye
ogurin e zi lidhur nyje

i tha dielli rreth tij sillet
dhe pa të farë nuk mbillet

nga Ballkani në Japoni
shtriheshka Korbëria e tij

alfabetin e gjithë Korbërisë
kukuvajka me krim e ngjiz

sa herë vetveten e shikon
edhe pasqyrën e shëmton

e lëshoi shpirti mu në Hagë
vendit të vet ia la një vragë

PAVARËSIA

Gjatë të pritëm rreze dielli
me shumë shekuj e dekada
kurorë lulesh midis prilli
të sfiduan në barrikada

akulli shesheve të Dardanisë
i 17 Shkurtit me borë acar
tretej në zemër të shqiptarisë
lavë vullkani magmë e zjarr

për Ty seç na dogji malli
nuk të lejonin të vije dot
kurrë s’të lëshojmë për së gjalli
për Ty derdhëm gjak e lot

me gjithë shpirt na buzëqeshe
Nusja jonë në Kuvend
ballëlartë rrugëve e në sheshe
në zemrat tona zure vend

në ballë të valles Nusja e jetës
dasmë të tillë s’ka parë bota
që nga shekujt e Mesjetës
në Dardani si luhet shota

DIL NGA LOTI

Rifat Kukajt

Ajme në Ulqinin me diell e det
u varfëruam për një poet
në shtator Karvani u ndal
dale vëllezër kam një hall
atje ku toka puthet me detin
nimfa e mashtroi poetin
në vaj ylberi pa një ngjyrë
gazi i fëmijëve në buzë ngrirë
spirancë pikëllimi lëshuam në det
në gjysmështizë zemrat për ty poet
në pikëllim fëmijësh fshihesh kot
të gjejmë në vepra për jetë e mot

burrë i dheut dil nga loti
nga ikja jote u lag moti
fjala jote gaz hare
kurorë ylberi përmbi re

në çdo orë letrare edhe sot
për ty dhembjën ngjyej në lot
në kujtimet tona kudo për besë
sharmi yt me notën – Pesë

DANTJA

Marin Soreskut

Dantja e krijoi Ferrin për shtatë ditë.

Të parën ditë bëri Tokën, Hadin dhe
Cerberin.

Të dytën ditë bëri nëntë rrathët sipas
përmasave të mëkatit si dhe lumin
Akeron, Greminën, liqenin e Koçinit
dhe pusin e Viganëve.

Të tretën ditë, pasi ua kumtoi dënimet,
i sistemoi paq nëpër rrathë të gjithë ata
që s’kanë bërë as mirë, as keq. Fillimisht
vendosi fëmijët e papagëzuar, paganët
e virtytshëm, mëkatarët e epshit, grykësit,
koprracët dhe dorëlirët, idhnakët e të
zymtit dhe në fund – eretikët.

Pasi ia behën edhe të vonuarit e fundit,
Krijuesi u ledhatoi sedrën me shikim
dhe u tha se s’u mbetej veçse të bëhe-
shin kritikë fetarë dhe veprën t’ia merr-
nin nëpër këmbë, ta mallkonin si satana.

Të katërtën dhe të pestën ditë ia kushtoi
vrasësve, vetëvrasësve dhe dhunuesve
kundër Dantes, Krijuesit të Ferrit: i lë-
shoi lolot në kollotumba dhe Virgjilin
me gjithë fatzinjtë e tjerë i la të dëfrehen.

Të gjashtën ditë i kalli në greminë
mashtruesit e femrave, lajkatarët,
simoniakët, fallxhorët, batakçinjtë,
hipokritët, hajdutët, këshilltarët
dinakë, përçarësit dhe falsifikatorët.

Të shtatën ditë pa në i kishte mbetur diç
për të bërë: sakaq iu kujtuan tradhtarët
që për pak sa s’e mashtruan të mbeteshin
në këtë botë.Vrik e vrik i lëshoi në pusin
e Viganëve me kokë teposhtë nëpër Kainë,
Anteronë e Tolome për ta shuar etjen në
liqenin e Koçitit. Por një ëndërr e trishtë
i kalli datën: Virgjili, para se të bënte vetë-
vrasje, i bëri një pyetje shokante: Ku e ke
Beatriçen, Maestro? Me cilin filtron ajo,
herë në Purgator, herë në Parajsë! Pushtet
të plotfuqishëm i la Radamanit e vëllezërve
të tij. Dhe Dantja mendoi se, pas gjithë asaj
pune kolosale, e kishte hak që pikë për pikë
të krijonte Komedinë Hyjnore dhe pastaj
rehat-rehat ta bënte një sy gjumë të amshuar.

LULJA E KOMBIT

Pas fitores drejt në Hagë
shpirtin e lirë duart n’zinxhirë
Lulja e kombit n’zemër plagë
se Ilirinë e donte të lirë

dorë e djathtë e UÇK-së
tok me NATO-n ka luftuar
pse i këputi shpirtit prangat
në bankë të zezë i akuzuar

kryelartë shkon në Hagë
historinë për ta lartësuar
n’shpirt i vishen ca akuza
nga Drejtësia i trishtuar

i pandehur përbetohu
sa ushtarë paramilitarë
kur ta dogjën shpirtin n’djep
pa mëshirë m’i paske vrarë

u betohem n’diell e n’hënë
në Luftën tonë Çlirimtare
vrava veç bisha Karpatevesh
shumë të zeza e barbare

TETA GJYSH

Ezës së vogël

Lulja e zemrës është hyjnore
ambrazianë mjaltë e ftua
me buzëqeshjen engjëllore
Teta Gjysh më quan mua

midis zemre lule shpirti
dhuratë e Zotit engjëlli im
mëngjes shpirti mbesa ime
dritë e dritës në amshim

lozonjare yll mëngjesi
bukuria jote hyjnore
territ të natës i bën dritë
engjëllushe madhështore

në lojën tënde bëhem fëmijë
me ty zemra më bëhet mal
më kthen n’moshën që ke ti
kur më kalëron si kalë



Cikël poetik nga Nurie Zekaj



Nurie Zekaj lindi më 11 mars 1967 në fshatin Raushiq afër Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “11 Maji“ (drejtimin e pedagogjisë) në Pejë. Ishte sdudente e vitit të tretë në Degen e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku humbi jetën tragjikisht më 23 prill 1990. Nuria u inkuadrua herët në Lëvizjen demokratike dhe ishte mjaftë aktive. Por me së shumti u shqua në Këshillin per pajtimin e gjaqeve (ishte njëra ndër nismëtaret e këtij aksioni humanitar). Kjo e re u muar edhe me krijime letare, sidomos me poezi, të cilat i botoi kohë pas kohe në revistat ''Zëri i rinisë'', ''Kosovarja'' si dhe ne gazetën e sdudentëve ''Bota sot''. Pas vdekjes iu botua libri me poezi ''Vesë a lot'' nga Shtëpa Botuese ''Buzuku'', i cili u ribotua në 20 vjetorin e vdekjes nën perkujdesjen e mikes së vet më të ngushtë Vera Kolëgjeraj.

Me këto poezi te nxjerruara nga libri i saj ''Vesë a lot'' e rikujtojmë Nurie Zekajn edhe pas 21 vjetësh, natyrisht me shumë mall dhe dhimbje...(Sadik Krasniqi)


PRANVERË  E NDALUAR
 

REFREN KËNGE

Ai  këndon këngën e  asaj  nate pa  yje
ulur në atë rrap
mua më bën refren  në këngë
ai mori  udhën e mërgimit
që të mos  kthehet kurrë
mua në pritje më la

Ai nëse  kthehet  dikur
  shtratin e zemrës
a s´do të jam melodi  e këputur
pyes  heshtjen që më këput në shpirt


ZOG I PLAGOSUR

Mbi qepallën time
              këngë e pakënduar
në këngën e pakënduar
             zog i plagosur
në zogun e plagosur
             fluturim i lënduar
mbi  syri tim
            qiell i perlotur


PA TITULL

Kur çdo gjë ishte jona
edhe  shëtitja qeshja brengat
edhe   emri sdudent
kur më bëhej  se vetëm ne jemi
udhëheqeshim  si  donim
qeshja  jonë qe ushqimi  ynë
edhe lotët ishin tanët
po edhe ata kishin  bukurinë e vet
mu si  shiu pas diellit


ATËHERË

Atëherë kur vetës ia mbylla portën
ti   shtrive duart  nga unë
kur ngrita kokën nga qielli i mrrolur
vërejta jehonën e zërit  tënd
atëherë kur numroja shkronjat e  emrit  tim
 e vëraja se  sot kam  një  më tepër
numëroj ,numëroj e zhdukem në numrin e fundit
të vetës  sime.


LOT I PADERDHUR

Të ngrohtë të ruaj përherë
si  mallin e zemrës
të kam  ndryrë
si fjalën e pathënë
je vullkan im
që s´do të shpërthesh


SHOQES
(Akrostikë për Vera Kolëgjerajn)

Vezullimin e syve tu
Engjëjt e kanë  zili
Renditen këto piktura në murin e dëshirës aty
A thua kjo e shtyri që vonë t´i ngjyrosin
                                këto me ngjyrën e  quajtur trathti

Kalëro me inat nëpër të kaluarën
O  hidhe pelerinën e  ëndrrës dhe kthehu, kthehu!
Loze  vallen e jetës
Ëmbël pa  shtrëngim
Gjer  atëherë kur
E ndjen se  fatit i afrohesh
Ritmo lehtë  nga ai
Atëherë do të gjesh forcë të garosh me peshë shekujsh
                                   kthehu, kthehu pra
Jeto jo për Bibël e Kuran por për  atë që e  do....


PËR TY KOSOVË

Një sy s´do të më lërë të verbër
dritë më shumë  do të ketë
ç´është një dorë për ty
krah  yti u bëftë
një këmbë pa  marrë hap
s´do të më bëjë
zemra hapa  bën
mos të më qajnë për të vdekur
nëse s'bëhem   fli për ty
shtatë pashë nën dhe fosilet do të mbesin.

Nga Flori Bruqi:Cikël poetik nga Skendër Zogaj

Skender Zogaj




Skënder Zogaj u lind më 23 janar 1950, në Lladroc të komunës së Malishevës, Republika e Kosovës.

 Ka punuar - mësues në Carrallukë të Malishevës (1970-1974), redaktor përgjegjës i gazetës “Bota e re” në Prishtinë (1974-1978), gazetar dhe redaktor në gazetën “Rilindja” Prishtinë (1978- 1993), përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Shqipëri (1993-1995), redaktor në gazetën “Rilindja” botimi në Tiranë (1995-1997), redaktor në “Revista ushtarake” në Tiranë (1998-99), korrespondent i gazetës “Zëri ditor” botimi në Zvicër (1996-1998), redaktor i kulturës në gazetën “Bota Sot” në Prishtinë (1999–2000), kryetar i Komunës së Fushë Kosovës (2000- 2008), këshilltar i Parë Politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (2008-2010).

Në gazetari ka bërë emër me shkrimet për artin dhe kulturën. Sidomos u dallua me shkrimet kritike për letërsinë, teatrin dhe televizionin. Krahas gazetarisë merret edhe me krijimtari letrare, shkruan prozë dhe poezi, për të rritur dhe fëmijë.

Bibliografi letrare:

1.“Zogu i ekspozitës” (poezi për të rritur, “Rilindja” Prishtinë, 1983),
2. “Merrme vëlla përdore” (vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri” Tiranë, 1994),
3.“Ora e qoftëlargut” (poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë, 1996),
4. “Adresa e dallëndyshes” (vjersha për fëmijë, “Eurorilindja”, Tiranë, 1999),
5.“Jusuf Uka Bregu, luftëtar i Ballit Kombëtar” (monografi, “Faik Konica” Prishtinë, 2004),
6.“Mali i tejdukshëm” (poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005),
7.“Puthjet e puhisë” (vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007).

Etj.

 Është anëtar i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës që nga viti 1981, si dhe anëtar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve Shqiptarë për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë. Krijimet letrare të Skënder Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë.

Është i përfshirë në disa antologji të botuara në gjuhën shqipe, gjermane, turke, frenge dhe italiane.
Është i përfshirë me grup autorësh edhe në botime të veçanta ekciklopedike të krijuesve shqiptarë. Jeton dhe krijon në Fushë Kosovë.

Lexoni:

http://floripress.blogspot.com/2011/03/skender-zogaj-liber-qe-meriton-epitetin.html





Cikël poetik nga Skënder Zogaj


Andej e këndej Ibrit

Stinë e frikshme bimësh
Andej e këndej Ibrit
Nofulla e kalbur e shkaut

Burrëria shtatëqind dërhemshe
endet në Shkup e në Shkodër
me bukën e kuqe
nen sqetull...

Andej e këndej Ibrit
kafshon qeni...,
të thyera zemrat, pasqyrat
dhe Fryma e Shpirtit të Shenjtë.

Te Rrasat e Kosharës
kurrë më, kurrë -
nuk do të këndojë hutini!
As iriqër me rriqra
kurrë më nuk do të ketë
në Malishevë.

21 janar 2008

VDEKJA NE MOCAL

Ka ndodhur vakumi
gjërat e ndërmjetshme
lëvizin gjithë mllef
në drejtim të kuajve të tredhur
që s’janë vecse
për ngordhja në mocal…

Fyti tepër i ngusht,
terr i zi
nëpër nahi
nën bishtin e sorrës së larme
Mrizon dhimbja.

Sipri tupanit
larja e trupit me sapuna të zinj
Oiii, oiiii, oiiii
ku ti fshehi
këta të shkretë sy?!

Prishtinë, 10.11.2008

PËRGJUMJA E MUNGESËS SË AJRIT

Ta shtrydha zjarrit hyjnor
Hapësirë e rrudhur nga pikëllimi
mbi kokat e vrugta të trangujve
që presin emisarin
t’ua këpus ethet e frikës
brenda rrethit pa hënë e diell.

Pse gjithë ky mallkim, o zot
ku po shkoni
o njerëz të ndryshkur
me jela të shkreta kuajsh të cofun në qafë?

Në mungesën e Ajrit
duarkryq rrijmë e bëjmë sehir
c’prejse piku fiku
që e mori i liku dhe iku ...,
ah, përsëri të njejat shenja të tradhëtisë.

Të vyshkura duart e nënave
në përqafim djepash plot lulediej
i këndojnë bukurisë së qepur qefin
në drejtim të pamjes së fundit
me dashurinë që ua vrasin pas shpine

Ikni gjarpinj, shkarpinj, minj... ikni
rrudhja e Hapësirës
pikon pikëllim
e madhe pjerrtësia ndërmjet njerëzve
koha matet me krehjen e flokëve
që bien në nofulla qensh
krejt të thinjura.

NË LILIHAMER KUJTOVA KOSOVËN

Në Lilihamerin e bukur të Norvegjisë
Mund të prekësh lulet -
Kur të duash e si të duash,
Para dhe pasi t’i kesh larë sytë
Në ujët e kristaltë të liqenit.

Ujku mund të jetë aty diku, afër -
Prapa pishës apo prapa plepit të bardhë
Nuk paraqet rrezik,
Në gjoksin pranveror të Lilihamerit
Bari dhe lulet janë tepër të buta
Ia zbusin zemrën egërshanit.

Lilihameri është ana e rrafshtë
E copës së xhamit të gravuar
Me qiellin e mrrolun përmbi
Që qesh e qan dhe pshurret imtë
Mbi lule, krih fluturash e mushkonjash
Deri te buburreci i fshehur
Nën lëkurën e lisit plak...

Sipas sistemit të zgjedhjes
Që nga koha e Vikingëve
Më Lilihamer sikurse në Kosovë
Më e preferuara është molla
Dhe hëna e varur në brirët e cjapit
Bashk me zogjtë e malit...
Mrekulli e pafund, për të gjitha palët
Në Luftën e Gjelave...

6.12.2006 Lilihamer, Norvegji

ZYM TË HASIT TË THATË

Në cdo ardhje të parabrymës
kur ikin dallëndyshet
në zym të Hasit të Thatë
nën çatinë e një shtëpie të krrusun
Hëna ia djeg brirët Cjapit

Të balsamosura me erën e tokës
tunden këmborët
në emblemën e jetës së kufizuar

Me pjalm lulesh të egra
hasjanët e ushqejnë figurën e cjapit
nga thonjtë e rrenës së lashtë

Zym, 14 tetor 2004

EKLIPSI

Në shpatull të dashit
Përsëri hëna e përgjakur
dhe gjeli me drapër në qafë
emblemë zvaranikësh...

Në boshllëkun e relikeve
Nofulla profane
shqyen mish dallëndyshesh.

Të kalbur akrepat e orës
Ua shpojnë zemrën relikeve
Të mjerët ne
Na mori zezëdita

Na vraftë Zoti !
U bëm gazi i kërminjve.


Varianti pare


VAJTIMI I BULKTHIT

I mjeri u’ për ty,
një pëllëmbë njeri
pesë seri...
O miku im, i ngratë
fushk
në dushk
...as qen, as ujk,
as peshk,
as mish për suxhuk!

I mjeri u’ për ty,
krejt lezetet i bëre lesh e li
oi, oii, oiii
mjerë vatani
e mjerë mileti për ty
... fik,
e fik
e fik...
na u shua çdo pikë dritë.




nga Flori Bruqi: Urime ditëlindja miku im i mirë,z.Abdullah Konushevci!!!






Abdullah Konushevci lindi me 1 maj 1958 në Prishtinë, është shkrimtar i shquar shqiptar. Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në "Universitetin e Zagrebit" dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në “Bota e Re” dhe “Rilindja”.

Vëllimet me poezi

Pasqyrë dhe diell (poezi, 1979},
Rënia e mollës (poezi, 1981),
Pad jabuke (serbisht, 1982),
Qerrja e diellit (poezi, 1983),
Loja e strucit (poezi, 1987),
Të qenët të mosqenë (poezi, 1990),
Pikat AD (poezi, 2002)

Tekste shkollore dhe kritikë letrare



Gjuha shqipe XI (tekst shkollor, "Dukagjini", 2004)
Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)
Për poezinë (kritikë letrare, "Nositi", Prishtinë, 2008)

Përkthimet nga anglishtja

Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave (“Rilindja”, 1988);
Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi “Rilindja” në vazhdime, 1989);
Ikona e lotëve (film dokumentar” (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, (2008).


Përkthimet nga kroatishtja

Teofrasti: Karakteret (“Rilindja”, 1983),
M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi (“Rilindja”, 1990),
Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V (“Rilindja”, 1989) dhe
Milan Shufflay: Histori e shqiptarëve të Veriut ("Nositi", 2009)



Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madhe veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht.

Për veprat e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Abdyl Kadolli, Merxhan Avdyli, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Flori Bruqi,Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci etj.


Pikat AD


A. Demaçit

Foshnjat duhet t’i marrin
15 deri 20 pikë në ditë
Të rriturit që nuk kanë pirë
Qumësht Nëne
10 deri në 15

Pikat AD
I forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë

Kujdes nga faktori Rh—
Nga kolori i rremë AG+FA
Mund të dalë letër kalk
Dhe të lëshojë ngjyrë të zezë të zezë

Sa më shumë pika AD
Nuk e shihni se na ranë këmbët
Duke ecur në gjunjë




Kur vritet biri i madh


Fadil Tallës

Fytyra e tij e qeshur
më ndjek kudo

Pate acar të madh në zemër
Kur vemjet i mbushën rrugët
Ti dole dhe i talle bishat
Që hynin me nxitim në arenë

Zogj të hekurt
Na kërcënonin nga sipër
Kur i binim varrit
Dhe të kërkonim ndjesë
Për jetën e këputur

Ata nuk e dinin
Se ti na mësove ta tallim vdekjen
Ti që s’ishe as njëzet vjeç
Dhe ishe aq i madh

Të zije vend
Ndërmjet tokës e qiellit


Dhe ikim ikim ikim

Mbase ikim ikim ikim
Nga dhomat e mbushura ofshamë
Dhe dalim shesheve
Po sheshet janë të lara në gjak

Ndodh largohemi nga rrugët
Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë
Kur Mezia i ngul ushtën
Demit tonë të Zi
Në Mozomazinë e përhumbur
Dheu na rrëshqet nën këmbë


Përpjekje për t’i zënë konturet e mbinjeriut

Dhe e more more e dhe
Nga dritarja me grila
Ta zhdavaritje terrin
Dhe u dogje ngadalë qetë butë
Ti sy fëmije para lodrës së re

Dashuri e madhe të mbante në jetë
Ndaj syzat i përdorje si llupë
Ta ruash të gjallë zjarrin

Hije të zeza të mëdha
Shtrëngonin nofullat kthetrat
Dhe tërhidheshin gjithë tmerr
Nga shkëlqimi që të rrethonte
“Ky paska luajtur, ky s’qenka në vete
Kur na tall kaq pa turp”

Dritë e madhe të mëkonte në jetë
Kur jepje e merrje kur merrje e jepje
Ta mbaje të gjallë zjarrin

Vdekja e dytë e Gjergjit*

Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë

Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé

Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri

Duke pritur Gjergjin e Ri

Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë

Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona

Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit

Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri

Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë



Zonja Mëmë

Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat

Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri

Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur

Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë

Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti

Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk

E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty

Jeta në Mozomazi

Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë

Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik

Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave

Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri

Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis

Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash


Vjershë ekspresioniste

Qielli ka ethe
Dhe mban erë gjak
Nga zogjtë e hekurt
Që i therin gjirin

Mjeshtrit e vdekjes
E punojnë shkel e shko tokën
Koka duar këmbë
Hedhin ngado

Si t’i mbledh gjymtyrët
Para se të bjerë nata
Dhe t’i kall në dhe
Para se t’u bien në erë
Larashët oshënarët


Si e krijoi Zojsi Dardaninë

Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste

Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave



Kthimi i dritësorëve

Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu

Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh

Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé

Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit

Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit

Të dehemi dhe ne

Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...