Abdullah Konushevci lindi me 1 maj 1958 në Prishtinë, është shkrimtar i shquar shqiptar. Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në "Universitetin e Zagrebit" dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në “Bota e Re” dhe “Rilindja”.
Vëllimet me poezi
Pasqyrë dhe diell (poezi, 1979},
Rënia e mollës (poezi, 1981),
Pad jabuke (serbisht, 1982),
Qerrja e diellit (poezi, 1983),
Loja e strucit (poezi, 1987),
Të qenët të mosqenë (poezi, 1990),
Pikat AD (poezi, 2002)
Tekste shkollore dhe kritikë letrare
Gjuha shqipe XI (tekst shkollor, "Dukagjini", 2004)
Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)
Për poezinë (kritikë letrare, "Nositi", Prishtinë, 2008)
Përkthimet nga anglishtja
Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave (“Rilindja”, 1988);
Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi “Rilindja” në vazhdime, 1989);
Ikona e lotëve (film dokumentar” (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, (2008).
Përkthimet nga kroatishtja
Teofrasti: Karakteret (“Rilindja”, 1983),
M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi (“Rilindja”, 1990),
Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V (“Rilindja”, 1989) dhe
Milan Shufflay: Histori e shqiptarëve të Veriut ("Nositi", 2009)
Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madhe veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht.
Për veprat e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Abdyl Kadolli, Merxhan Avdyli, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Flori Bruqi,Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci etj.
Pikat AD
A. Demaçit
Foshnjat duhet t’i marrin
15 deri 20 pikë në ditë
Të rriturit që nuk kanë pirë
Qumësht Nëne
10 deri në 15
Pikat AD
I forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë
Kujdes nga faktori Rh—
Nga kolori i rremë AG+FA
Mund të dalë letër kalk
Dhe të lëshojë ngjyrë të zezë të zezë
Sa më shumë pika AD
Nuk e shihni se na ranë këmbët
Duke ecur në gjunjë
Kur vritet biri i madh
Fadil Tallës
Fytyra e tij e qeshur
më ndjek kudo
Pate acar të madh në zemër
Kur vemjet i mbushën rrugët
Ti dole dhe i talle bishat
Që hynin me nxitim në arenë
Zogj të hekurt
Na kërcënonin nga sipër
Kur i binim varrit
Dhe të kërkonim ndjesë
Për jetën e këputur
Ata nuk e dinin
Se ti na mësove ta tallim vdekjen
Ti që s’ishe as njëzet vjeç
Dhe ishe aq i madh
Të zije vend
Ndërmjet tokës e qiellit
Dhe ikim ikim ikim
Mbase ikim ikim ikim
Nga dhomat e mbushura ofshamë
Dhe dalim shesheve
Po sheshet janë të lara në gjak
Ndodh largohemi nga rrugët
Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë
Kur Mezia i ngul ushtën
Demit tonë të Zi
Në Mozomazinë e përhumbur
Dheu na rrëshqet nën këmbë
Përpjekje për t’i zënë konturet e mbinjeriut
Dhe e more more e dhe
Nga dritarja me grila
Ta zhdavaritje terrin
Dhe u dogje ngadalë qetë butë
Ti sy fëmije para lodrës së re
Dashuri e madhe të mbante në jetë
Ndaj syzat i përdorje si llupë
Ta ruash të gjallë zjarrin
Hije të zeza të mëdha
Shtrëngonin nofullat kthetrat
Dhe tërhidheshin gjithë tmerr
Nga shkëlqimi që të rrethonte
“Ky paska luajtur, ky s’qenka në vete
Kur na tall kaq pa turp”
Dritë e madhe të mëkonte në jetë
Kur jepje e merrje kur merrje e jepje
Ta mbaje të gjallë zjarrin
Vdekja e dytë e Gjergjit*
Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë
Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé
Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace
* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri
Duke pritur Gjergjin e Ri
Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë
Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona
Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit
Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri
Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë
Zonja Mëmë
Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat
Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri
Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur
Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë
Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti
Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk
E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty
Jeta në Mozomazi
Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë
Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik
Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave
Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri
Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis
Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash
Vjershë ekspresioniste
Qielli ka ethe
Dhe mban erë gjak
Nga zogjtë e hekurt
Që i therin gjirin
Mjeshtrit e vdekjes
E punojnë shkel e shko tokën
Koka duar këmbë
Hedhin ngado
Si t’i mbledh gjymtyrët
Para se të bjerë nata
Dhe t’i kall në dhe
Para se t’u bien në erë
Larashët oshënarët
Si e krijoi Zojsi Dardaninë
Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste
Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave
Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu
Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh
Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé
Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit
Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit
Të dehemi dhe ne
Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé