2011-05-05

kRIMET E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

Zbardhja e krimeve të komunizmit në Shqipëri


Në Shqipëri ende nuk janë zbardhur krimet e regjimit komunist. Zbulimi kohët e fundit i një varri masiv me eshtrat e 19 të pushkatuarve, e ka sjellë këtë çështje në rend dite. Pse deri tani nuk është realizuar ky proces?


Në Kishën e vjetër Katolike të Tiranës, të ndërtuar më 1865 nga perandori austriak, Franz Josef, diku në hapësirën e projektuar për prehjen pas vdekjes të klerikëve të lartë, është edhe një varr bosh... Në pllakën prej mermeri lexohet: " Dom Shtjefën Kurti, 1900 - 1971, i pushkatuar nga regjimi komunist".

Pushkatimi i Dom Shtjefën Kurtit është tipik për krimet e atij regjimi që kanë mbetur pa u zbardhur edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas rënies së tij. I diplomuar në vitin 1918 për teologji në Insbruk të Austrisë, më pas në Vatikan, Dom Shtjefën Kurti filloi karrierën e tij në Arqipeshkvinë e Shkupit, ku u zgjodh nga Nënë Tereza, atëherë 12 vjeç dhe e njohur si Gonxhe Bojaxhiu, për t'u rrëfyer në gjuhën shqipe. Nga Shkupi, në Gjakovë, pastaj në Shkodër, në Tiranë ku u bë kryetar i komunitetit katolik të kryeqytetit. Por fati i tij si i shumë klerikëve të shkolluar në Perëndim, ishte i paracaktuar nga regjimi komunist. Ai regjim e arrestoi, e burgosi për 18 vjet, e detyroi pas ndalimit të fesë të prashiste misër në kooperativat bujqësore dhe në fund e pushkatoi me akuzën e dëmtimit të “pronës së popullit nga prashitja e keqe e misrit”. Këto i tregon në mikrofonin e DW i nipi, Nikolin Kurti, i cili prej 20 vitesh kërkon eshtrat e xhaxhait të tij, Dom Shtjefënit.

“Gjatë këtyre 20 viteve, shumë familjarë që kanë humbur njerëzit e tyre, të pushkatuar me gjyq, pa gjyq, të varrosur në vende të mistershme, kanë pritur që shteti të merrte përsipër zgjidhjen e këtij problemi. Por kjo deri tani nuk ka ndodhur, pasi mungon vullneti politik”, thotë Nikolin Kurti.
Në këto kushte, ai iu drejtua Arkivit Qendror të Shtetit, gjeti me qindra dokumente, zbuloi dhe hapi varre masive në Malin e Dajtit, por nuk gjeti dot eshtrat e xhaxhait të tij. Përpjekjet e tij individuale nuk sollën asnjë rezultat.

Ai nuk është vetëm në përpjekje dhe dështim. Në dyert e Arkivit Qendror të shtetit kanë trokitur dhe trokasin shumë familjarë të të pushkatuarve dhe të humburve gjatë regjimit komunist që kërkojnë të dhëna për të gjetur eshtrat dhe për të pasur një varr, ku të vendosin lule në përvjetor. A ka pasur kërkesa për të dhëna nga institucione shtetërore? “Ka pasur vetëm kërkesa individuale dhe nuk mbaj mend të ketë pasur qoftë edhe një kërkesë të vetme institucionale”, thotë studiuesi Shaban Sinani, ish-drejtor i këtij arkivi.

Nikolin Kurti ka gjetur arsyen e vet pse ka ndodhur kështu.
”Të dyja palët, si e majta, ashtu dhe e djathta, në strukturat drejtuese kanë të afërm që janë të implikuar me këto procese”, pohon ai.
Kurse Shaban Sinani mendon se ka një mungesë të vullnetit politik nga të dyja palët. "Është një çështje që hapet dhe rihapet sa herë që midis palëve në konflikt politik në Shqipëri ka çështje më të rëndësishme për të diskutuar dhe ashtu si hapet edhe mbyllet”, thekson ai.

Zbulimi kohët e fundit i eshtrave të 19 të pushkatuarve në një varr masiv, përsëri pranë Malit të Dajtit, e ka rihapur çështjen e zbardhjes së krimeve të komunizmit. Vonesa në këtë proces u kritikua javën e kaluar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri për të drejtat e njeriut, Philip Alston. “20 vjet pas rënies së komunizmit,” tha ai në Tiranë, “ ky nuk është një tregues pozitiv për Shqipërinë, që ka mbetur pas vendeve të tjera dhe nuk ka plotësuar standardet ndërkombëtare lidhur me detyrimin për të hetuar vrasjet masive”, tha Alston.

Por hetimi i tyre dhe zbardhja e krimeve të regjimit të kaluar mund të realizohet pa humbur kohë thotë studiuesi Shaban Sinani. Hapi i parë është ”krijimi i një regjistri kombëtar i të gjithë qytetarëve të këtij vendi që nga 1945-1990 që janë dënuar me gjyq. Dokumentacioni është i hapur, është Fondi i Presidiumit të Kuvendit Popullor që ndodhet edhe në Arkivin Qendror. Presidiumi ishte si një Gjykatë Supreme. 16 anëtarët e tij dhe Presidenti duhet të votonin për çdo pushkatim dhe dënim me vdekje. Kjo shoqërohej nga një dokumentacion i hollësishëm. Të gjitha janë në këtë fond. Pastaj janë edhe arkivat e Ministrisë së Brendshme. Nuk ka asgjë sekrete, qoftë për individë, qoftë për institucion, pasi ka kaluar afati i rezervimit të dokumentacionit.”

Kurse Nikolin Kurti beson se vetën një institucion ndërkombëtar i pavarur, si Komisioni Ndërkombëtar për gjetjen e të humburve, (International Commission for Missing People) me qendër në Sarajevë, i krijuar nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, që po gjen të humburit në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe vende të tjera, ka mjete financiare dhe ekspertizë për të gjetur eshtrat e të pushkatuarve dhe për të zbardhur krimet e regjimit të kaluar në Shqipëri. Ndërkohë, qeveria Berisha ka premtuar ngritjen për këtë qëllim të një "task force" në Ministrinë e Brendshme dhe të një instituti të posaçëm.


*****


Zbulohet një varr masiv në afërsi të Tiranës




Zona ku u gjetën eshtrat njihet si vend ku pushkatoheshin njerëzit që ishin kundër vijës e regjimit të egër komunist


Gjendet në malin e Dajtit një varrezë masive, viktimat e së cilës janë pushkatuar nga regjimi komunist. Vendi ku u gjetën eshtrat ndodhet në komunën e Linzës, rrëzë malit të Dajtit, 50 m larg arkivës së Bashkisë së Tiranës në malin e Dajtit, ndërsa gërmimi për nxjerrjen e tyre ka zgjatur disa ditë. Eshtrat u gjetën të futura në 11 thasë dhe dyshohet se kishin shumë vite që ishin të groposura në zonën e malit të Dajtit. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë transportuar të gjitha eshtrat në Morgun e QSUT-së, ku pritet të nisë ekspertimi për të zbardhur se kujt i përkasin. Ka qenë një person që duke kërkuar ditë më parë eshtrat e babait të tij të vrarë nga regjimi diktatorial komunist ka gjetur skeletet e trupave njerëzorë. Pas kësaj u gërmua në zonë nga ekspertë të fushës, të cilët gjetën varrezat e vogla me trupa të varrosur çdo 5 metra larg nga njëra-tjetra. Eshtrat nuk ishin të lidhura as me pranga dhe as me ndonjë mjet tjetër lidhës, por thjesht kanë qenë të futura në qese të zeza. Në disa prej skeleteve janë gjetur edhe sende personale si orë, varëse etj. Sipas disa pjesëmarrësve në ekzekutime, zona ku u gjetën eshtrat njihet si zonë ku pushkatoheshin njerëz nga regjimi i egër komunist. Mësohet se ekzekutimet në këtë zonë kanë filluar nga viti 1975 e më pas. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj u shpreh për gazetën "RD" se, pranë Morgut të Tiranës kanë mbërritur 11 thasë me eshtra njerëzish. Ymaj pohoi se viktimat janë sjellur në morg nga Jovan Plaku, oficer policie dhe një mjek, të cilët po kryenin gërmime privatisht për të gjetur eshtrat e të afërmeve të tyre të pushkatuar nga regjimi komunist. Ymaj u shpreh se eshtrat janë administruar nga morgu më datë 6 shkurt në orën 15:20 minuta. Shefi i Mjekësisë Ligjore u shpreh se instituti që drejton nuk mund të kryejë asnjë veprim pa pasur një vendim nga Prokuroria. Ymaj u shpreh se në thasët që janë administruar nga morgu nuk mund të thuhet një shifër e saktë se sa viktima ka, pasi duhet bërë më parë verifikimi, i cili bëhet me vendim të Prokurorisë. Ai shpjegon më pas procedurën që ndjek Instituti i Mjekësisë Ligjore për rastin në fjalë. Sipas tij, prokurori duhet të sjellë një vendim ku i kërkohet Institutit të Mjekësisë Ligjore që të futet në procedurat e verifikimit të viktimave. Kërkimet pritet të jenë më të përqendruara në njerëz të zhdukur gjatë viteve të monizmit, pasi besohet se eshtrat i përkasin periudhës së viteve të diktaturës komuniste kur regjimi ekzekutonte shtetas që i shihte si kundër vijës së partisë dhe ndërmerrte vrasje masive. Ndërkohë që ish-të përndjekurit pohojnë se duhet të ketë më shumë varre masive të krijuara nga diktatura komuniste në malin e Dajtit dhe në vendin e quajtur Mali me Gropa. Zbulimi i varrit masiv në Linzë të Tiranës ka risjellë dhe njëherë në kujtesën e shqiptarëve krimet e komunizmit dhe detyrimin e shtetit për t'i kthyer të zhdukurit pranë familjeve të tyre. Drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, shprehet se gjetja e varreve është një dëshmi e krimeve monstruoze të komunizmit. Mirakaj tha se shumë të burgosur apo të pushkatuar pa gjyq gjenden në çdo cep të Shqipërisë. Sipas tij, arkiva e shtetit në Ministrinë e Brendshme nuk ka të dhëna të sakta për ata të humbur, që janë pushkatuar në kohën e diktaturës, por theksoi se numri i tyre është i madh, duke pasur parasysh se shumë prej disidentëve vriteshin pa gjyq dhe në fshehtësi të plotë. Komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, i cili është i prekur direkt nga diktatura, pasi regjimi komunist i burgosi e më pas i vrau babain, thotë se ky varr nuk është i vetmi dhe kjo bazohet në dëshmitë e familjarëve të viktimave të pushkatuar nga komunizmi, të cilët kërkojnë në vite të afërmit e tyre. "Një rast është në periferi të Shkodrës, pranë antenave të Radio-Shkodrës, ku janë varrosur Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, dy persona të ekzekutuar pas revoltës së Qafë Barit në vitin 1984. Familjarët e tyre i zbuluan pas shumë vitesh kërkimesh në gjithë vendin. Tjetër rast është një person në pyllin e Sodës në Vlorë, ku familjarët gjetën eshtrat e dikujt tjetër dhe i qajnë sikur të ishin të familjarit të tyre dhe ky nuk është rasti i vetëm", thotë komisioneri Haluca. Sipas tij, Avokati i Popullit ka nisur një hetim prej dy vitesh për gjetjen e të zhdukurve prej regjimit komunist.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...