2011-05-04

nga ARTA AGOLLI :Jeta fiton mbi vdekjen, dy familje falin gjakun në ditën e Pashkëve

Dy familjet Kasneci dhe Deda tre vjet të ngujuar, i thonë stop gjakmarrjes 
Dy familje në Shkodër kanë falur gjakun pikërisht në ditën e Pashkëve duke kryer vizitën në shtëpitë e tyre e duke ju gëzuar ceremonisë së faljes së gjakmarrjes prej së cilës kishin mbi tre vjet që ngujoheshin. Fatlumët janë dy familjet Kasneci dhe Deda. Kështu Festa e Pashkëve është festuar në mënyrë të veçantë këtë vit në fshatin Grudë e Re, pasi është shënuar pajtimi i hasmërisë mes dy familjeve të këtij fshati. Bëhet fjalë për familjet Kasneci dhe Deda ku 45 pjesëtarë të këtyre dy familjeve ndodheshin prej tre vitesh të ngujuar.
Ceremonia
Ky pajtim është shënuar gjatë ceremonisë së meshës së shenjtë të zhvilluar në fshatin Grudë e Re të Shkodrës. Prifti i Kishës së Grudës, Xhovani Kolombo ka bërë të ditur gjatë meshës pajtimin e këtyre dy familjeve, duke e cilësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme, në një ditë të shenjtë siç është festa e Pashkëve. “Krishti u ngjall nga vdekja, po kështu edhe komuniteti jonë përmes pajtimit të këtyre dy familjeve. Sot me të vërtetë jeta ka fituar mbi vdekjen. Kemi pasur një shembull konkret në fillimin e së nesërmes. Për këto lloj shembujsh kemi nevojë në jetën tonë”,- u shpreh prifti.
Pajtimi
Më pas anëtarët e dy familjeve janë mbledhur në një darkë të përbashkët tek familja Deda, ku është bërë zyrtarisht pajtimi i hasmërisë, me simbolin e shtrëngimit të duarve, mes dy anëtarëve të këtyre familjeve. Dy familjet Kasneci dhe Deda prej 3 vitésh ndodheshin të ngujuar, pasi njëri prej anëtarëve të familjes Kasneci kishte aksidentuar për vdekje njërin prej anëtarëve të familjes Deda, e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmën e nevojshme të aksidentuarit, i cili humbi më pas jetën në spital. Pas 3 vitesh me ndërhyrjen e pleqve të pajtimit, u bë i mundur kthimi i paqes e harmonisë mes familjeve në hasmëri.

Vrau me të dashurin, burrin në vitin 1989 autorët prangosen në Qafë-Thanë

Komisariati i Policisë Pogradec ditën e djeshme ka arrestuar pranë pikës doganore të Qafë-Thanës shtetasit Shefqet Vreto 60 vjeç dhe Manushaqe Elezi 56 vjeç të cilët në bashkëpunim në vitin 1989 kanë vrarë bashkëshortin e Manushaqes pasi ky i fundit ka marrë vesh lidhjen jashtëmartesore të tyre. Të dy shtetasit e mësipërm janë larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit në muajin mars të vitit 1997, të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendim Nr.340 të vitit 1990, për veprën penale të “Vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim” dhe kanë jetuar si emigrantë në qytetin e Selanikut-Greqi, duke përdorur dokumente dhe identitete tërësisht të rreme. Vepra penale e cilësuar me lart rëndon ndaj të dy shtetasve, pasi në vitin 1989 në qytetin e Elbasanit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë bashkëshortin e shtetases Manushaqe Elezi. Tashmë uniformat blu kanë vënë në pranga Shefqet Vreto, 60 vjeç dhe Manushaqe Elezi, 56 vjeç, të cilët mendohet se kishin lidhje jashtë martesore. Policia konfirmon se Vreto dhe Elezi ishin arratisur për në Selanik të Greqisë, ndërsa nga viti 1997 ishin arratisur nga burgu. Ata janë prangosur në Qafë-Thanë. Tashmë pritet që Gjykata të japë masën e dënimit, për të dy autorët.

Tiranë, plagoset 23-vjeçarja, në kërkim agresorët
Një vajzë 23-vjeçare dhe një i afërm i saj janë dhunuar nga tre persona në Kamëz. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në fshatin Laknas të Kamzës ku Trëndafile Dragjoshi, 23 vjeç dhe Hysni Dragjoshi, 47 vjeç janë rrahur dhe goditur me sende të forta nga tre persona të tjerë banues të fshatit, për motive të dobëta. Sipas policisë autorët e ngjarjes janë Arben Koka 36 vjeç, Vladimir Koka 30 vjeç, të dy lindur në Dibër e banues në Laknas dhe Fatbardh Koka 19 vjeç, lindur e banues në Laknas të Kamzës. Mësohet se tre agresorët kanë goditur vajzën 23-vjeçare me sende të forta në trup dhe në kokë ndërsa më pas është përdorur dhe thika. Sipas policisë, Fatbardh Koka ka goditur Trëndafile Dragjoshi me thikë, në pjesën e dorës, duke i shkaktuar plagosje të lehtë.

Itali, arrestohet një shqiptar për trafik droge
Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi akuzohet si pjesëmarrës në një rrjet ndërkombëtar droge. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane të cilat theksojnë se 26-vjeçari shqiptar Keti Mela është arrestuar në San Remo të Italisë ndërkohë që janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë. Sipas policisë në mesin e të arrestuarve të tjerë janë Emanuele Bataglia 37 vjeçare shtetase italiane, Khalid Darhouan 37 vjeç nga Maroço, Saber Aouachi 37 vjeçar nga Tunisi. Grupi u arrestua gjatë një operacioni të policisë ndërsa droga u gjet gjatë kontrollit të ushtruar në makinën me të cilën udhëtonin të arrestuarit.

Pogradec: Vetëvaret 51-vjeçari, nisin hetimet

Një 51-vjeçar është gjendur i vetëvarur në një pemë, kjo për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Golik të komunës Proptisht të Pogradecit, ndërsa viktima Qazim Kabri ka kryer këtë akt, afër banesës së tij. Policia tashmë ka nisur nga hetimet paraprake, ndërsa pista e parë e hetimeve është ajo e një depresioni të thellë ku mund të kishte rënë 51-vjeçari.

Dy gra kërkojnë ndihmën e policisë, i rrahën bashkëshortët
Korçë/Policia e Korçës njoftoi se plotësoi kërkesë-paditë për urdhër-mbrojtje ndaj E.Muckalli, 24-vjeçe, banuese në fshatin Arzë të Devollit, pasi pretendon se bashkëshorti K. Muckalli, 29-vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike.Urdhër mbrojtje u lëshua edhe për A. H., 35-vjeçe, banuese në fshatin Leminot të Korçës, pasi akuzon bashkëshortin Asllan H., 45-vjeç, po për keqtrajtim dhe presion psikologjik.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...