DR. SUL GRAGJEVI
eta dhe veprimtaria e artistëve, kompozitorëve dhe interpretuesve të mëdhenj është një nga kapitujt më madhështorë në historinë e muzikës klasike. Ata në një mënyrë apo tjetër kanë ndryshuar kursin e historisë së muzikës. Këta artistë të mëdhenj gjithmonë kanë qenë të pranueshëm e të admirueshëm për të gjithë kohën sa jetuan dhe punuan. Është e rëndësishme që ata, ishin lidera në kohen e tyre. Ishin të parët që kompozuan atë lloj muzike që sot përbën thesarin artistik botëror dhe se ajo muzikë pati një ndikim vendimtar mbi pasardhësit e tyre. Muzika e tyre sot, kur kanë kaluar të paktën 350 vjet nga koha e kompozitorëve dhe interpretuesve Corelli, Vivaldi, Tartini, Locatelli e Viotti, interpretohet, dëgjohet dhe frekuentohet me admirim të madh prej audiencave moderne jo vetëm prej njërës periudhë historike të muzikës deri tek tjetra por edhe vendi, nga Venice e Vivaldit, Salzburgu i Mozartit, Viena e Beethovenit, Leipzig i Mendelssohnit, Robert e Klara Schumann, Praga e Smetanës dhe e Dvorzhakut e deri tek St. Petersburgu i bukur ku mësoi Çajkovski, njeriu është frymëzuar të kompozojë muzikë dhe të triumfojë me veprat e tija. Mozarti është kompozitori që bëri mbi 650 kompozime, ishte një magjistar në piano, një gjeni që asnjëherë nuk rishikoi apo revizionoi punimet e veta muzikore se ishte i pagabueshëm, muzika e tij edhe sot është vibrante e freskët sikur të jetë kompozuar sot. Ai ishte kompozitor suprem në të gjitha format muzikore, opera, simfoni, piano e violinë koncerte, muzikë dhome, etj, etj. Ai jo vetëm improvizonte kadencat por ai gjithashtu zbukuronte linjën muzikore me ornamente veçanërisht në koncertet e tija. Beethoveni ishte njeriu që ndryshoi çdo gjë, ishte një Promethe i muzikës siç e quante Bizet, "njeriu që trashëgoi dhe pasuroi famën e pavdekshme të Handel e Bach, Haydn e Mozart... i tillë ishte ai, i tillë vdiq, i tillë ai do të jetojë përgjithmonë "(Franz Grillparzer, poet austriak i cili mbajti fjalën në funeralin e Beethovenit ). Në 12 simfonitë më të zgjedhura në botë, 5 janë të Beethovenit, No. 3, 5, 6, 7 dhe monumentalja "Korale" No. 9. Violinë koncerti op. 61 dhe 5 piano koncertet me në krye atë "Emperor" janë me një orkestracion të një niveli më të lartë teknik ndersa dimensioni simfonik i tyre është më i gjerë dhe brilant. Çajkovski, muzika e të cilit është shquar për pasion, lirizëm dhe kolor orkestral, ka qenë kompozitori i një uniteti melodik magjeps. Ai ishte edhe një orkestrator i famshëm, një talent i padiskutueshëm, kompozitori i 6 simfonive, 3 baleteve të famshme, i operave, violinë e piano koncerteve bashkë me "Rococo" aqë të bukur dhe brilante për çelo dhe orkestër. Potenciali melodik i Çajkovskit e dallon ate prej gjithë të tjerëve. Në violinë koncertin op. 35 ky potencial është një ndër më të fuqishmit krahas pasionit të folkmuzikës Ruse të injektuar brenda stilit europian të koncertit.
Mendova ti shkruaj disa rreshta për lexuesit, muzikdashësit,admirues të muzikës klasike, për një nga aspektet më prekëse në historinë e muzikës, të kujtimeve të paharrueshme, memorabilies që sot popuj të kulturuar dhe shtetet e tyre i kanë nderuar në mënyrën më madhështore e humanitare artistët e tyre më të mëdhenj. Salzburgu dhe Vjena kanë qenë përjetësisht të lidhura me Mozartin. Është e pamundur të mos shohësh mbi tryezat e bareve, kafeneve dhe në disa lloj çokollatash (Mozartkugel) emrin e Mozartit, pjesë të dorëshkrimeve muzikore me pentagramet origjinale bile edhe kudo tjetër. Vijna ishte gjithashtu vendi ku Beethoveni jetoi e punoi, ku kompozoi muzikën më madhështore, me Theatrin -an der-Wien të shumë premierave të mrekullueshme të piano koncerteve e simfonive. St.Petersburgu ku studioi Çajkovski dhe u bë kompozitori më popullor e më i suksesshëm, ka qenë qendra kryesore e kulturës së lartë në Rusinë Perandorike që i dha artit Rus dhe atij botëror, teatre, balete, opera, këngëtarë, balerina e koreografë klasi, shkrimtarë, instrumentistë, dirigjentë, orkestra të mëdha dhe kompozitorë. Në Theatrin Marijnskij të vitit 1859, Çajkovski dirigjoi Simfoninë e tij No. 3 në Mi minor. Venice e Claudio Monteverdit, Alessandro Scarlattit, Antonio Vivaldit dhe e Richard Wagnerit i cili gjatë viteve 1858-59 shkroi operan "Tristan und Isolde", ka qenë qendër e rëndësishme e muzikës. Weimar, Eisenach dhe Leipzig kanë qenë qendrat e kulturës gjermane me emrat e mëdhenj të artit si Schiller, Goethe, Liszt, R. Strauss, J.S.Bach, Felix Mendelssohn, Robert e Clara Schuman, Mahler, Wagner. Praga e Smetanës dhe e Dvorzhak ku u çfaq me sukses opera e Don Giovannit dhe Simfonia No. 38 "Praga" në Re maxhor në tetor 1787, ishte atë kohë qyteti i muzikës ku Mozarti kalonte një kohë të konsiderueshme dhe ishte më i mirëpritur se në shtëpinë e tij.
Në këto vende dhe të tjerë si këto, kompozitorët, interpretuesit e mëdhenj u edukuan dhe triumfuan me veprat e tyre të pavdekshme. Sot ruhen të gjitha pasuritë e tyre të artit nga shteti, shtepitë ku kanë jetuar e punuar, instrumentet muzikorë, partiturat e dorëshkrimet e tyre origjinale bashkë me të gjithë historinë e tyre të lavdishme. Sot apartamenti në Getreidegasse 9 ku jetoi familja e Mozartit për 26 vjet, është "Muzeu Geburtshaus" i Mozartit. Aty ndodhen instrumentet me të cilët luante Mozarti sa ishte fëmij. Jo vetëm kaq, por në Salzburg, çdo vit mbahet Java e Mozartit plot koncerte për ditëlindjen e tij. Po ashtu, në Bon ndodhet e ruhet shtëpia muze ku lindi Ludwig van Beethoven,"Beethovenhaus", deri para se të kalonte në Vjenë, ku jetoi e punoi në "House of Eroica", shtëpia ku Beethoveni kompozoi Simfoninë No. 3 me të cilën theu traditën e formës simfonike të Haydn e Mozart. Edhe në St. Petersburg ruhet e gjithë memorabilia e kompozitorëve të mëdhenj Rus. I tillë është Muzeumi i Muzikës në Pallatin Sheremjetevo ku ndodhen të gjitha llojet e instrumenteve muzikorë. Këtu ruhet edhe një piano e Çajkovskit me të cilën ai punonte për kompozimet si dhe partiturat e dorëshkrimet muzikore. Në Lucca të Italisë, është shtëpia ku lindi Puccini dhe në të ndodhet piano me të cilën ai kompozoi Operan Turandot ndersa në Gjenova, në Muzeumin Municipal ruhet violina e Paganinit, Guarneri del Gesu, me të cilën virtuozi legjendar mahniti audiencat me mënyrën më magjike duke u bërë legjenda e violinës. Jo vetëm kaq, por edhe në vendet tjera ruhet e gjithë historia me të gjitha pasuritë e artistëve si në Njujork, Çikago, Pragë, Helsinki, Paris, Budapest, Zagreb. Njujorku ruan pa asnjë ndryshim destinacioni Metropolitan Operan e vitit 1880, një nga më të mëdhatë në botë, ku me 30 nëntor shfaqet Opera Karmen, me 4 Dhetor La Boheme, me 21 Dhjetor Flauti Magjik, Filarmoninë performancat e të cilës bëhen në Avery Fisher Hall të ngritur që në vitin 1842, po ashtu shkollen e njohur
për famën e saj " Juillard", të gjitha mbrenda "Lincoln Center".
Në të njejten mënyrë ruhet destinacioni fillestar edhe në Theatrin e Dramës, Operas dhe Baletit të vitit 1895 në Zagreb si dhe Salla e Koncerteve të Filarmonisë së Zagrebit Lisinski sukseset e të cilës njihen qysh me 1871, me një reputacion ndërkombëtar sot të njohur në të gjithë botën. Orkestra Simfonike e Filarmonisë arriti një sukses të madh në koncertet që dha në "Golden Hall" të Musikverein të Vjenës në vitin 2002 dhe
2004, ndërsa në fillim të nëntorit të këtij viti pianisti i famshëm Evgeni Kissin dha koncertin e tij në Concert Hall Vatroslav Lisinski që mban emrin e kompozitorit Kroat të operas të parë në Kroaci. Në Zentralfriedhof të Vienës keni rastin të shihni ngritjen madhështore të tre monumenteve, të Beethovenit e te Schubertit dhe në mes tyre ngrihet madhështor ai i Mozartit.
Po çfarë mund të themi për artistët shqiptarë, çfarë pasuri historike i lanë vendit dhe popullit të tyre, si ruhen nga shteti, si nderohen sot veprat e tyre. Kompozitori ynë legjendar Prenkë Jakova, ishte i vetmi që i dha vendit dhe popullit të tij dy operat madhështore, Mrika dhe Skënderbeu.
Ai ishte njeri i mrekullueshëm ndersa në punen e tij ishte më aristokrat sesa Zadeja, Daija apo Kono, ishte më i kompletuar se çdo kompozitor shqiptar, në çdo drejtim. Ishte kompozitori suprem mbi gjithë të tjerët, vërtetë një gjeni i artit shqiptar, ishte një talent i rrallë në muzikë. Për mendimin tim, Prenkë Jakova zë vendin më sinjifikativ në historinë e muzikës në Shqipëri, ai ishte një muzikant universal, ndryshe prej gjithë tjerëve, ishte trim, me iniciativë të madhe, i palodhur, këmbëngulës, punonte deri natën vonë edhe mbas provave të orkestrës simfonike. I tillë ishte ai. Shkodra e nderoi me "Shkollën e muzikës Prenkë Jakova", me ngritjen e "Shoqatës kulturore artistike Prenkë Jakova" të cilën e drejton Maestro Gjon Shllaku, me krijimin e "Korit polifonik Prenkë Jakova" qysh me 1997 dhe me organizimin festimit të 50 Vjetorit të Operas Mrika në mënyrën më perfektr, bukur shumë, por a mjafton kjo për një artist kolos si Prenkë Jakova?
Nuk janë pak dorëshkrimet e shumta origjinale të tijat, partiturat me të cilat punoi Orkestra Simfonike, piano me të cilën punoi një kohë të gjatë, dhe kompozoi. Po salla e provave të Orkestrës dhe e Korit të madh që ai vetë krijoi, po auditori ku Prenka kompozoi dy Operat Shqiptare, pse duheshin ndryshuar destinacionet, po shtëpia ku banoi? Siç shihet më lart, sot janë të ruajtura e të administruara të gjitha, historia dhe pasuria e kompozitorëve, interpretueseve të famshëm në të gjitha shtetet. Shtëpitë ku kanë jetuar, sallat e orkestrave dhe auditorët ku kanë punuar ruhen dhe sot ato janë muzeumet më të bukur me gjithë monumentet e tyre që njerëzit i vizitojnë me admirim të madh krahas instrumenteve, dorëshkrimeve, partiturave dhe kujtimeve të kompozitorëve të grumbulluara gjatë jetës e punës së tyre. Edhe pse Mozarti mbas vitit 1780 lëvizi në një tjetër vendbanim ku mbahet mend që kompozoi Operan "Martesa e Figaros", sot ky vendbanim thirret Figarohaus dhe ruhet si një muzeum i rëndësishëm, bile Praga krahas muzeumit të Antonin Dvorzhak, ka edhe një muzeum të Mozartit, shtëpia ku ai punoi për Operan Don Giovanni. Në Eisenstadt me rastin e 125 vjetorit të lindjes të pianistit Franz Liszt u ngrit monumenti i tij ndersa në Baku të Azerbajxhanit, në Mars të vitit 2002 u hap shtëpia Muze e çelistit legjendar Mstislav Rostropoviç. Këto janë vetëm disa prej shumë shembujve që arrita t’ia bëj të ditur lexuesve se si nderohen artistët e mëdhenj, puna dhe vepra e të cilëve i bëri të jenë triumfues, të paharrueshëm dhe të pavdekshëm në historinë e artit muzikor.
Lidhur me të gjitha këto nuk kam ndërmend të jap ndonjë mendim se si duhet punuar për të kujtuar e ruajtur historinë dhe pasurinë e një artisti të madh siç është Prenkë Jakova, por që duhet punuar në këtë drejtim si të gjitha vendet e kulturuara, është koha më e përshtatshme, për ta parashikuar e projektuar ngritjen e Muzeut të Muzikës dhe Monumentit të Legjendarit Prenkë Jakova në Shkodër.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...