2011-05-02

Plani “Vorio-Epirot”, roli i Nikolas Geixh, akuzat për ish-ministrat Mustaqi dhe Ruçi, si dhe pakënaqësia e deputetëve për rolin informues të SHIK-ut.




Zdravo od zla gore sa Vlora. Hello from blood for blood in Vlora. 1997.



Trazirat e marsit 1997, në Shqipëri, ishin një komplot ndërkombëtar për ndarjen e vendit, ku morën pjesë shovinistët grekë, lobet e tyre në SHBA, këshilltarë të administratës së z. Bil Klinton.

(FLOART-PRESS,29.10.2008)





Trazirat e marsit 1997

Ndërsa institucionet e shtetit kanë rënë në shumicën e vendit, paraditen e 26 marsit 1997, ish-shefi i SHIK-ut, raporton në Kuvend, duke e quajtur djegien e Shqipërisë një komplot të detajuar ndëkombëtar, me pjesëmarrje të shovinistëve grekë, qeverisë amerikane dhe shërbëtorëve të tyre në vend. Plani “Vorio-Epirot”, roli i Nikolas Geixh, akuzat për ish-ministrat Mustaqi dhe Ruçi, si dhe pakënaqësia e deputetëve për rolin informues të SHIK-ut.

Trazirat e marsit 1997, në Shqipëri, ishin një komplot ndërkombëtar për ndarjen e vendit, ku morën pjesë shovinistët grekë, lobet e tyre në SHBA, këshilltarë të administratës së z. Klinton. Këtë përfundim nxirrte interpelanca e Bashkim Gazidedes, bërë paraditen e 26 marsit 1997 në Parlament. Ndonëse ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti, pas krijimit të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Gazidede vijonte të ishte kryetar i SHIK-ut, derisa të shqyrtohej çështja e dorëheqjes.

Në fjalën e tij, Gazidede e lidh situatën jashtë sallës së parlamentit, me të ashtuquajturin plani “Lotos”, i hartuar në vitet ’90, që kishin si strategji çlirimin e “Vorio-Epirit” nga “sundimi shqiptar”. Gazidede lexon disa pjesë të tij: “Pika e parë është se qëllimi është “çlirimi i Vorio-Epirit” nga “pushtuesit shqiptarë”, më pas, sipas dëshirës së banorëve, duhet të zgjidhet autonomia, pavarësia ose bashkimi me Greqinë. Pika e dytë e planit do të ishte “logjika e zhvillimit të luftës” me parimin që, “asnjëherë nuk ka arritur në mënyrë paqësore të fitojë lirinë e tij, kështu që, rruga e vetme për çlirimin e Vorio-Epirit, është lufta e armatosur me mbështetje politike”.

Më pas, në fjalën e tij, Gazidede përmend implikimin e disa shoqatave greke si, SFEVA, ENVI, MAVI, QEVA, POAGA etj., dhe kjo e fundit drejtohej nga Nikolla Geixh (Nicolas Gage), i cili si njohës i mirë i Shqipërisë, kishte qenë mbi 7 herë në Shqipëri. Gazidede thotë se, këto veprime, kishin e mbështetjen e Athinës zyrtare, siç ishte ish-kryeministri Micotaqis dhe ishin infiltruar edhe ish-oficerë të liruar të ushtrisë, policisë, apo të Sigurimit të Shtetit, ku ishin implikuar edhe ish-ministrat, Kiço Mustaqi apo Gramoz Ruçi.
... Njeriu që shihni në foto është Lekë Qoku. Është njeriu i masakruar në revoltat e Vlorës ...

Si zbatim të projektit “Lotos” në Shqipëri, Gazidede përmend krijimin e firmave rentiere, të cilat do të shfrytëzonin varfërinë e popullit, duke premtuar pasurim të shpejtë. Për këtë ai quan inspirues Bashkim Drizën, ish-punonjës i Ministrisë së Brendshme. Kreu i SHIK-ut pranonte se, deri në vitin 1996, aktiviteti i firmave rentiere, ishte i vogël, dhe në gjashtëmujorin e dytë mori përmasa galopante. Për nxitjen e revoltës së popullit në Vlorë e qytete të tjera, Gazidede fajësoi gazetat shqiptare dhe BBC-në, apo artikujt e botuar në gazetën “The Indipendent”, nga Endriu Gambo, në bashkëpunim me një diplomat të huaj, që bashkëfirmosën shkrimin “Qeveri gangstere”.

Në fund të fjalës së tij hyrëse, Gazidede, lajmëroi se do të jepte dorëheqjen nga detyra, të cilën e kishte marrë në qershor 1992, me insistim të presidentit Sali Berisha. Por, përgjigjet e Gazidedes, shumica të tipit “nuk është koha për t’i bërë publike”, “s’më takon mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”, apo “nuk e shoh të arsyeshme t’i përgjigjem kësaj pyetje”, i lënë të pakënaqur deputetët në sallë, të cilët ishin të PD-së, të PR-së, apo të minoritetit grek, ndërsa PS-ja nuk merrte pjesë në parlament prej mbajtjes së zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit 1996, përveç deputetit Sali Rexhepi. Më të ashpër janë Sabri Godo i PR-së, Vasil Melo i PBDNJ-së, socialisti Sali Rexhepi dhe disa prej deputetëve të PD-së, si Bashkim Kopliku, Azem Hajdari, Fadil Çepele, apo Emin Riza.
Skeda:97-9.jpg
Seanca vijon me pyetje-përgjigje

Ali Spahia - A ka dijeni organi i SHIK-ut për gjendjen në ushtrinë shqiptare gjatë muajve të fundit dhe, sidomos, për aktivitetin e ish-ministrit Zhulali, për rolin e tij në revoltën e armatosur dhe ku ndodhet tani dhe çfarë aktiviteti zhvillon? Pyetja e dytë: A ka të dhëna SHIK-u për aktivitetin e shovinistëve serbë ndaj Shqipërisë?

Bashkim Gazidede - SHIK-u, me ligj, nuk lejohet ta ndërtojë punën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Brendshme, të cilat kanë shërbimet e tyre, që quhen SHIU dhe SHIR…Se çfarë roli ka ish-ministri Zhulali në këtë revoltë, nuk e them dot me siguri, por gjatë kohës që kam qenë komandant operacioni, mund të them se, ushtria shqiptare, nuk vuri në dispozicion të këtij operacioni thuajse asgjë dhe, në këtë kuptim, natyrisht që nuk mund të shmanget përgjegjësia edhe e zotit Zhulali, si ish-ministër, i cili kishte drejtuar reformën në ushtri dhe që, në fund të fundit, i kishte lënë në mëshirën e fatit të gjitha depot e armatimit të ushtrisë…

Për zotin Zhulali di që është jashtë shtetit, kam dëgjuar se është larguar nga Durrësi dhe ka shkuar në Itali, por nuk e di se ku ndodhet dhe çfarë bën. Sa për të dhënat mbi aktivitetin e serbëve në drejtim të Shqipërisë, nuk besoj se është as koha, as vendi që të prononcohem për këtë problem. Natyrisht synimi i tyre është antishqiptar.

Pjetër Arbnori - Ju na folët për plane të kaluara të qarqeve vorio-epirote, që synonin copëzimin e Shqipërisë. Mundësisht na flisni për qëndrimet e sotme të qeverisë greke, të kryeministrit Simitis, i cili ka mbajtur qëndrim korrekt në deklaratat e tij për gjendjen e Shqipërisë?

Bashkim Gazidede - Në material nuk akuzoj qeverinë e sotme greke për situatën në Shqipëri, njëkohësisht nuk kontestoj as politikën e kësaj qeverie për stabilitetin në rajon.

Abdyl Xhaja dhe Hasan Halili - Pse informohet për herë të parë nga ju dhe pas 5 vjetëve veprimtari? Informacioni që jepni sot, gjykoni se i shërben stabilizimit?
Skeda:97-10.jpg
Bashkim Gazidede - Unë raportoj në parlament në atë kohë që më thërret parlamenti. Jam thirrur dhe herë të tjera për probleme të ndryshme tematike, kam ardhur dhe kam raportuar…Unë mendoj se, njohja e kësaj situate, i shërben stabilitetit të Shqipërisë, ndihmon qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe, sa më i ndërgjegjshëm të bëhet çdo shqiptar, aq më i lehtë është edhe përballimi i situatës…

Robert Çeku -Veprimtaria antishqiptare e disa prej qarqeve greke dhe greko-amerikane, rezulton e dokumetuar nga raporti juaj. Pse nuk e keni denoncuar publikisht më parë dhe pse pikërisht sot?

Bashkim Gazidede - Unë mendoj se nuk është detyrë e SHIK-ut për të publikuar materiale. Këto gjëra bëhen me rrugë shtetërore. Unë kam vënë në dijeni instancat përkatëse, pa shmangur, natyrisht, përgjegjësinë që më takon për parandalimin e një situate të tillë. Mendoj se, mjaft probleme të tilla, janë bërë në një farë mënyre publike, qoftë me gjyqin e 5 shtetasve shqiptarë me kombësi greke, qoftë edhe në raste të tjera…

Gjovalin Daka - Në popull flitet shumë se, në fenomenin fajde, janë përfshirë edhe pushtetarë të lartë të PD-së dhe pushteti demokratik, në formë dhuratash, apo tërheqje shumash të mëdha në kohë të shkurtuar. A mund të pohoni, apo mund të mohoni këto thënie?

Bashkim Gazidede - …Hetimi është ndërprerë dhe unë them se, pa u bërë hetimet taman, as unë s’kam të drejtë të paragjykoj asnjërin këtu, ashtu siç dhe asnjëri prej jush s’ka të drejtë të paragjykojë asnjë njeri. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të mos jetë asnjë politikan i implikuar, mund të ketë. Unë nuk e them dot as po, as jo me siguri këtu përpara jush.

Fadil Çepele - …Kur dihej se kush ishte Nikolas Geixh, përse lejohej të hynte dhe të dilte në Shqipërinë e Jugut, duke bërë propagandë antishqiptare, kur dihen rregullat që duhet të zbatojnë personalitetet e huaja apo diplomatët?

Bashkim Gazidede - Nikolla Geixh ka qenë i shpallur, për ca kohë, person i padëshirueshëm në Shqipëri, pastaj, në varësi të zhvillimeve politike, i është hequr etiketimi “non grata”, ka ardhur në Shqipëri, pastaj është shpallur përsëri “non grata”, domethënë nuk është lejuar të hyjë në Shqipëri para zgjedhjeve të 26 majit, kur po vinte bashkë me zëvendësin e tij të POAK-ës…

Azem Hajdari - Sa herë është mbledhur Këshilli i Mbrojtjes për këto probleme? …Qysh në vitin 1994, Komisioni i Rendit dhe SHIK-ut, ka akuzuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqin, dhe ish-ministrin e Brendshëm, Gramoz Ruçin, për dhënie të informatave të karakterit sekret, shërbimeve të huaja. Pse nuk u morën masa për neutralizimin e tyre?
Skeda:Greva.jpg
Bashkim Gazidede - Për pyetjen e parë, s’më takon mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Për pyetjen e dytë: Natyrisht, në një sistem demokratik neutralizimi, konceptohet hedhja në gjyq e një personi dhe vënia e tij para përgjegjësisë ligjore. Një mundësi e tillë nuk ka ekzistuar përderisa të dy këta kanë qenë jashtë shtetit në kohën kur mund të denoncoheshin për veprime të tilla….

Ju faleminderit që më dëgjuat!

Vijojnë diskutimet e deputetëve

Blerim Çela - …Lobi grek në Amerikë, dihet botërisht se është i fuqishëm dhe se, në administratën e Shtëpisë së Bardhë, këshilltarët e presidentit Klinton, janë me origjinë greke e miq të Nikollas Geixh. Ambasadorja e SHBA-së, zonja Mariza Lino, bëri një deklaratë në “Zëri i Amerikës” se, nuk ka ndërhyrje të shërbimit të fshehtë të Amerikës në Shqipëri. Ne politikanët po bëjmë sikur e besojmë. Por, a e beson populli shqiptar këtë deklaratë? Edhe fëmija i djepit e di se këtë katrahurë e kurdisi Amerika dhe nuk është zor i madh të disekuilibrosh Shqipërinë e varfër ku, njerëzit pa karakter, blihen për njëqind dollarë. (Duartrokitje).

Vasil Melo - Duke dëgjuar interpelancën, ose apologjinë e zotit Gazidede, për një moment, m’u qartësuan shumë pikëpyetje, paqartësi që kisha më përpara dhe, sigurisht, mendova se kjo katastrofë që erdhi në Shqipëri, ndodh sepse në krye të institucioneve të tilla, siç është SHIK-u, janë njerëz të tillë, të cilët, sigurisht, edhe nga ana profesionale, edhe nga ana politike, nuk janë në atë nivel që kërkon koha dhe demokracia në Shqipëri.
Skeda:VL.jpg
Ka dhënë dorëheqjen, mirë ka bërë dhe ndoshta i takon të përgjigjet dhe ligjërisht për atë që ka ndodhur, sepse në apologjinë e tij, në ato që tha, në thelb të arsyetimit të tij, qëndron një mentalitet i së kaluarës, i shtetit të diktaturës komuniste, se ne në atë kohë, për çdo gjë që ndodhte në Shqipëri, fajin medoemos do ta gjenim tek të tjerët, tek armiqtë e jashtëm, tek imperializmi amerikan, tek socialimperializmi sovjetik…Së dyti, në raportin e tij, në unë do ta quaja kretinizëm politik dhe, së pari, ai duhej të shpjegonte pse u shpërbë SHIK-u dhe ç’përgjegjësi mban ai për shpërbërjen e SHIK-ut…Unë para se të nisem këtej, bisedova me Presidentin e Republikës, zotin Sali Berisha, dhe, ai më tha që, minoriteti grek, nuk është i implikuar aspak në këto probleme dhe shprehu vlerësimin e tij më të lartë…

Sabri Godo - Raporti i Zotit Gazidede nuk shpjegon si ndodhi që, në më pak se një muaj, u tret ushtria shqiptare, pothuaj u shpërnda policia dhe administrata shtetërore. Një prishje e tillë e shtetit, është e pashembullt, ose ka ndodhur vetëm në rastin e invazioneve nga jashtë. SHIK-u duhet të parandalojë goditjet ndaj rendit kushtetues dhe goditjet ndaj kombit. S’ka bërë as njërën, as tjetrën. Historitë mbi “Vorio-Epirin” i dimë, këto i ka denoncuar gazeta “Republika” për katër vjet me radhë dhe nuk besoja se sot do të paraqiteshin këtu, si një sintezë e asaj që ka ndodhur në Shqipëri, nga kryetari i SHIK-ut. …

Nga raporti del se, disa gangsterë të Vorio-Epirit, një diplomat i huaj dhe Bashkim Driza, qenkan elementët që e bënë këtë vend rrëmujë. Kjo është një mungesë serioziteti nga ana e raportit, i cili jo vetëm nuk shpjegon atë që ndodhi (mbase di dhe më tepër dhe e quan të nevojshme që të mbajë rezerva sot, por nuk duhej të mbante, sepse këtu është në fjalë dinjiteti i tij personal dhe i isntitucionit që përfaqëson dhe duhej të thoshte se ç’ka parë, e ç’ka bërë, çfarë është përpjekur të parandalojë dhe ku ka pësuar dështim të plotë), por nuk jep dhe ndonjë perspektivë për atë që duhet bërë këtej e tutje.
Skeda:VL 1.jpg
Atëherë unë e quaj raportin krejt të pamjaftueshëm. SHIK-u duhet të reformohet vendosmërisht, të zëvendësohet stafi i tij dhe të vihet nën kontrollin e plotë të qeverisë dhe të parlamentit. Sipas meje, megjithëse nuk jam i zanatit, detyra imediate e SHIK-ut, është të zbulojë veprimtaritë e huaja antishqiptare në lëmin politik, ushtarak dhe ekonomik. Është krejt e papranueshme të konfondohet në këtë parlament administrata e SHBA-së, vendit që mbështet demokracinë në tërë botën, me veprimtaritë e lobit grek… Interesat tona kombëtare kërkojnë rivendosjen e marrëdhënieve prioritare me SHBA-në, kurse këtu, gati po e shpallim Amerikën armike, si qëmoti….Duke dëgjuar sot disa nga kolegët deputetë, të krijohet përshtypja se, vetëm duhet të falenderojmë SHIK-un. Kjo tregon se disa nuk janë të gatshëm të nxjerrin mësime, qoftë edhe kur pësojnë goditje të rënda në kokë….

Azem Hajdari - Do t’i thoja kryetarit të SHIK-ut, duke pasur edhe vetë përgjegjësinë, ndoshta historike të të qenit, të paktën për gjashtë vjet, në krye të këtij shërbimi, se duhet të ishte dëgjuar më shumë nga Parlamenti, nga kryetari i PD-së, nga kryesia e PD-së, fjala ime që në nëntorin 1996-ës, kur u largova nga ky komision. U largova me turpin e atyre që më larguan dhe me nderin tim. Pse e them këtë? Sepse, një ish-kryetar i komisionit parlamentar, ka denoncuar historikisht ata njerëz, të cilët janë korruptuar dhe mbajnë përgjegjësi historike, të paktën në kuadrin e brendshëm, për marrjen pjesë në disa firma, të cilat kanë qenë jo vetëm rentiere, por edhe kontrabandiste. ..

Bashkim Kopliku - …Sot në gjendjen ku kemi Shqipërinë, na jepet një interpelancë, që tingëllon si një përpjekje e SHIK-ut për të dhënë një diagnozë të sëmundjes së rëndë që kalon e sëmura jonë, shumë e shtrenjtë, Shqipëria. Si shkak i sëmundjes na nxirret veprimtaria subversive e qarqeve shoviniste, jo e qeverisë, jo e popullit grek, dhe bile mplekset indirekt edhe ndonjë lob në SHBA, jo qeveria. Unë, si politikan, nuk jam krejtësisht dakord me diagnozën që serviret, ndonëse jam dakord që, edhe aktiviteti që përshkroi z. Gazidede, e ka rënduar situatën, sëmundjen në Shqipëri…Unë mendoj se, të keqen e Shqipërisë, duhet ta kërkojmë, së pari tek vetja, brenda Shqipërisë, e pastaj jashtë saj. Shqipëria qeverisej nga ne, nga Partia Demokratike, dhe jo nga qarqet shoviniste greke. Unë them që fajin duhet ta kërkojmë, së pari, në liderët e politikës së pozitës, pra të PD-së dhe, patjetër, në radhë të dytë, edhe te ata të opozitës që kontribuan shumë në këtë sëmundje.

Selim Belortaja - Nuk marr përsipër të vlerësoj vërtetësinë apo saktësinë e informacionit të dhënë. Kjo sepse historia është e vjetër, por edhe sepse, as në qeveri, dhe as në Ministrinë e Jashtme, ku unë kam patur rastin të punoj ca kohë, nuk është bërë asnjë gram analize dhe informacion i këtij lloji. …

Sali Rexhepi - …Pse kjo situatë paraqitet me kaq vonesë dhe a janë vetëm këto arsyet e gjendjes në Shqipëri? A nuk i ngjan kjo ekspoze tabllove sinoptike që bënte shoku Enver, kur zbulonte grupe armiqësore? Në ekspozenë e zotit Gazidede u përmendën mjaft emra sigurimsash e oficerësh, që sot janë inkriminuar në kryengritjen e armatosur dhe ashtu mund të jetë.

Por, zoti Gazidede, ose ish-ministri i Brendshëm, apo ish-ministri i Mbrojtjes, e dinë se edhe ndonjë kuadër i tyre është i implikuar në dorën e hekurt të zgjedhjeve të 26 majit, pra ka pasur e ka edhe në këto organe ushtarakë e kuadro që betohen përpara partisë që e ka emëruar dhe jo përpara flamurit. Lind pyetja: Mirë në Jug armët u morën në rrethana të caktuara, me shpejtësi, po pse ato u lanë të merreshin në Veri, në dy të tretat e territorit shqiptar, pas një muaji e ca? Vetëm një fakt unë dua të them:

Në njësinë ushtarake të zonës sime elektorale, një natë para, pyeta oficerin e rojes së repartit se sa armë janë në repart dhe si është gjendja. Aty qenë sasi kolosale armësh. Unë i kërkova atij që, me 5-6 veta, të heqë, të paktën shulet dhe, me një “zuk” me shule, mjaftonte për ato armë duke i spostuar diku, por ai thoshte: “nuk kam urdhër”. Të nesërmen në mëngjes më tha se reparti u dorëzua.

Emin Riza - Referimi i kryetarit të SHIK-ut vjen në një moment të vështirë për Shqipërinë. Fatkeqësisht ai nuk synoi të japë një panoramë ndërfaktoriale për këtë moment, por u ndal vetëm në një të vetëm. E papranueshme na duket mosmarrja e asnjë përgjegjësie nga ky institucion i rëndësishëm për gjendjen e krijuar, megjithëse këto përgjegjësi janë të pamohueshme, e madje, edhe për gjykuesin më tolerant….

Bashkim Gazidede - …Nuk mund të përgjigjem unë për veprimtarinë e Ministrisë së Financave, ka patur ministra financash që duhet të japin shpjegime për veprimtarinë e tyre. S’mund të përgjigjem unë për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, ashtu si nuk mund të përgjigjem për veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ose të Ministrisë së Brendshme…Kontrolli i shtëpive të disa minoritarëve që kanë qenë të implikuar në veprimtari antikushtetuese, që u paraqitën edhe në Gjykatë, është bërë me lejen e zotit Zef Brozi, të firmosur dhe të vulosur nga ai personalisht....


VËREJTJE NGA AGJENCIONI FLOART-PRESS:

Policet e vrare ne Shqiperi ne 1997, jo ne Vlore.

1) Polic Fran Murrizi Komisariati i Policise Malesi e Madhe

Vrare me 22 Korrik 1997 ndersa turma sulmonte Komisariatin e Koplikut. La ne hidherim familjen!

2)Kapiten i I Ilir Isa Dashi Shef i Policise Kriminale Malesi e Madhe

Vrare ne prite nga disa keqeberes qe e qelluan me arme automatike nga nje makine.Gjate shkembimit te zjarrit u vra Ilir Dashi,njeri nga keqberesit dhe u plagosen njeri nga agresoret,nje dyqanxhi dhe nje kalimtar.Ilir Dashi ishte 27 vjeç.

3)Polic Bardhok Marku Komisariati i Policise Lezhe.

Vrare ne moshen 29 vjeçare ne Komisariatin e Lezhes ne Korrik,gjate perleshjeve per ruajtjen e Komisariatit nga sulmet e njerezve te armatosur.La ne pikellim familjen.

4)Polic Fiqiri Kozi 32 vjeç.

Vrare ne Burrel me 26 Mars 97,ndersa ishte ne sherbim me kolegun e tij Riza Katoçi edhe ky i plagosur rende!Ishin duke ruajtur Arken e Kursimeve te rrethit Mat. La ne pikellim familjen

5)Polic Veledin Pashaj Komisariati i Policise Ballsh.

Polic Arshi Bregasi Komisariati i Policise Ballsh.
Polic Arshi Hamiti Komisariati i Policise Ballsh.
Vrare me 18 Dhjetor 1997 ne sherbim nga tre kriminele,qe nje vit me vone u denuan me vdekje.Lane ne pikellim familjet.

6)Polic Bujar Kastrati 30 vjeç

Vrare me 28 Dhjetor ne Shijak nga disa persona te armatosur qe u larguan menjeher pas krimit.La ne pikellim familjen.

Gjithashtu ne Tirane u vrane 3 police nga gradistet e Sali Berishes, njeri prej tyre mu perpara hotel Rogner. Kush ka qene ne Tirane ne ate kohe e di fare mire kete, pasi vendi u mbush me tufa me lule.
Keta police dhe shume te tjere nuk i vrane Vlonjatet, dhe ata nuk u vrane ne Vlore. Edhe nje here, shumica e policeve te vrare gjate 97 ishin jashte zones se rebeleve Vlonjate.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...