2011-05-04

60 vjetori i një fabulisti




Në ishullin më të largët të Greqisë, në Samos, jetonte dikur një fabulist i famshëm i quajtur Ezop, babai i të gjithë fabulistëve të botës, fabulat e të cilit i dëgjonin me vëmendje të mençurit, kokëboshët, po edhe filozofët e politikanët shterp. Në ato shkallare të pafundme të Samosit që zbresin nga mali e shohin nga Deti Egje, jo shumë larg brigjeve turke, Ezopi i thoshte fabulat e krijuara aty për aty dhe i dëgjonin gjithë këta njerëz. E pra, bëhej fjalë për kafshët, po njerëzia, sido që ishin, krrenin prej andej ato mësime që i duheshin.Në qytetin më jugor të Shqipërisë, në Sarandë, që për çudi i ngjan Samosit, ashtu sikundër është ndërtuar, me ato shkallare që i ngjiten malit e shohin nga Deti Jon, jeton sot një fabulist i mençur që e quajnë Vasil Gjivogli, i cili e quan veten nxënës të Ezopit dhe ka shkruar gjer më sot 7 libra me fabula, epigrame, proverba, gjëegjëza dhe me vargje satirike të goditura që mund ti dëgjosh me endje edhe nëpër kuvende njerëzish. Një kryetar bashkie në Sarandë si Edmond Gjoka, apo një kryetar komune në Lukovë, si Vladimir Kumi,- që të dy dashamirës e përkrahës të shkëlqyer të kulturës, artit e letërsisë në trevën e tyre, i dinë përmendësh fabulat e Gjivoglit për kafshët dhe i përdorin ato përherë kur i vijnë në shtegun e bisedës me banorët. Ja se si fabula, si gjinia më e vogël e më e shkurtër e letërsisë, që mund ta konsiderojmë si “bërthamën” e ngjizjes të gjithë lëndës letrare të gjatë, bëhet e përhapur, e dashur dhe e domosdoshme për këdo që lexon apo dëgjon nga veset, qoftë ky edhe politikan, deputet a qeveritar.
Ky fabulist i mençur (se fabulisti po s’qe i zgjuar, s’mund të jetë fabulist!) është nga fshati Piqeras dhe sapo ka mbushur 60 vjet të jetës të tij. Është rritur e burrëruar buzë detit e në prehër të maleve, ka dëgjuar tërë jetën fjalën e urtë të njerëzve, ka mësuar në shkollë të lartë gjuhë e letërsi, ka shërbyer mandej si mësonjës i zellshëm fshati dhe ka krijuar fabula me vlerë. Dhe ja ku është sot në moshën e pjekurisë më të plotë, “i ngarkuar” me fabulat e tij, që nuk bien më poshtë se ato të paraardhësve dhe, bravo i qoftë Fitim Çaushit që i erdhi nëpër mend të sjell Gjivoglin në një kuvend të fabulistëve ku do të merrnin pjesë edhe më të mençurit e fabulës që kemi ne, si Agolli, Lamaj e Kurtiqi, të cilët e kanë lëvruar me sukses këtë gjini të ashtuquajtur të vogël. Me përjashtim të Dritëroit, të mbingarkuar me vite e halle, në këtë kuvend erdhën fabulistët Ferit Lamaj e Gjikë Kurtiqi, (po do të vinte me domosdo edhe fabulisti Lazaratas Bobaj po të ishte njoftuar), këngëtarët e grupit lab të “Kaonëve”, valltarët çam të “Osman Takës”, si edhe Mjeshtëria e Madhe (e këngës,- me zë si shpellë), të cilët të gjithë së bashku, i dhanë sallës së madhe të Hotel “Butrintit” në Sarandë shkëlqimin që ka arti e kultura, kur qëndrojnë në shpirtin e njerëzve të talentuar. E ja, papritur, “Vjen Ezopi, vjen Krillovi,- La Fonteni dhe Agolli ,- vijnë të tjerët sërë-sërë, mbushet plot një sallë e tërë. Fabulistët e vërtetë diskutojnë në kuvend,- Fabula si do të jetë, -me njerëz a kafshë a shpend?”. Kështu shkruan Gjivogli e më të vërtetë, kështu u bë. Kjo mbrëmje e bukur, u kthye befas në një kuvendim letrar për fabulën. Edhe pse aty nuk kishin vajtur disa persona që merren me “kësi punësh”(se si në të gjitha kuvendet e shqiptarëve, nuk evitohen dot klanet përçarëse!), mbrëmja nuk humbi shkëlqimin e vet, ca më tepër se, në mes të kuvendit ishte e mbeti figura më e lartë, më prodhimtare e më e mençur e krijimtarisë së këtij Qyteti Ezopian njëlloj si tek fabula e famshme “Dhelpra e rrushtë”.
Po përse u nderua kaq shumë ky njeri (tepër i gjatë), ky mësues, ky shkrimtar i një gjinie gati të papërfillur? Mendoj se, gjithçka që shkruan ai “godasin” aty ku duhet dhe janë të “stolisura” me një veshje që bie në sy e që flet. Edhe pse me personazhe nga bota e kafshëve, kushdo nxjerr mësime të vyera. Një burrë plak e poterexhi nga fshati ynë fliste shumë keq për shkrimtarin në fjale dhe thoshte se do të zihej me të në sheshin e fshatit, ngaqë ai e paskësh futur në një fabul! Një tjetër fshatar i “qytetëruar” ishte po kaq i zemëruar me të ngaqë kishte “gjetur veten” në “kuvendin e kafshëve”. Më erdhi për të qeshur nga këta njerëz-kafshë, ashtu sikundër do të prekesha prej një intelektuali të sapo kthyer në fshat, ku nuk e linin të bënte një shtëpi dhe shkrimtari e krahasonte në fabulën e vet me bilbilin e kthyer “në pyll” ku do që të bëj folenë dhe “grifshat” janë gati që ti “krejnë sytë”. Dihet se, çfarëdolloj krijimi, duhet që ti “turbulloj ujërat” e ti “trazojë shpirtrat”. Një krijim, që as të ngrohë e as të ftohë (se fabulistët mund ta thonë edhe ndryshe), apo që nuk “godet në shenjë”, nuk mund ta ketë cilësinë, forcën dhe vlerën përgjithësuese.
Kam ndër duar librin më te ri të tij “Në kuvendin e fabulistëve”, ku ndjehet synimi i autorit për të mos mbetur vetëm tek “kafshët e pyllit”, apo tek shpendët e zogjtë, por edhe të krijoj fabula që “u japin jetë” sendeve e objekteve të dobishëm që rrethojnë njerëzit, për të kaluar më pas tek ato epigrame, proverba e vargje satirike që “cimbisin” “marrëdhëniet njerëzore”, ku do të gjenden ca më tepër të meta e vese sesa tek “bota e katërkëmbëshave”. Kësisoj fabulist, Gjivogli do të shprehet: “shyqyr Zot o Perëndi – Që jam kafshë e s’jam njeri!”. Dhe, do ti përgjigjet fabulisti tjetër Ferit Lamaj disi më ndryshe: “ç’faj ka dhelpra apo gomari?- veset gjenden midis nesh; - po me njerëz s’merresh vesh” për ta pasuar më tej Mjeshtri Agolli se “veset e gjithë njerëzisë kot i’a veshin kafshërisë!”. Por “Në kuvendin e fabulistëve” nuk do të mungojë edhe qortimi i vet “babait të fabulës”, Ezopit, i cili thotë: “Jo me njerëz, mos o zot ,- Me dykëmbëshit s’e gjen dot!”
Ndërsa, me vargjet satirike fabulisti Gjivogli do të dalë nga konturet e veta për te shprehur ndjesitë e tij të holla për atë bilbil që i vinte e i cicërinte ëmbël në dritare dhe që një ditë të ftohte dimri e gjeti po aty të ngrire, me sqepin hapur. Atij do ti bëj përshtypje të thellë “Lisi që rron dhe vdes në këmbë!”, ashtu siç do ti vijë keq e do të ligështohet për fshatin e vet të braktisur, ku kanë mbetur muret e gurët e sokakut. Por ai do të dal edhe mbi kornizën e fabulës kur satira ngjitet me të lart. (“Kuvendonte një plak në fshat :- o njerëz jemi me fat - Për ata që kemi lart ,- socialistë e demokratë- na i bëjnë punët sallatë,- lidh e zgjidh, e ngatërro –mbetëm në vend numëro…!”
“Vasil Gjivogli ,- thotë prof-dr Adriatik Kallulli, gjitoni i fshatit tonë, është një fabulist me identitet. Kap çështje, objekte, fenomenet dhe është origjinal e befasues. Ka gjetje finalizuese tepër të mprehta dhe konkretizohet me situata dhe rrethana të sotme të jetës. Ai është një fabulist social që vuan për paradokset që na rrethojnë dhe e shkrep armen e satirës me kurajë.” Gjitoni tjetër, prof-dr Josif Papagjoni thotë se gjithnjë e “ka tërhequr inteligjenca e mendjemprehtësia e Gjivoglit me fabulat e tij. Ai të kënaq me befasitë, gjetjet, lojën e mendjes, të përkthyera falë ca dialogëve plotë sqimë, të mprehta, ku përfshihet njëherazi karakteri njerëzor i shumë personazheve përkatësisht kafshëve të animuara nëpër fabula, si edhe ideve morale, emancipuese që shfaqen nëpërmjet tyre”. Për ta mbyllur këtë shkrim për mikun tim Gjivogli, me të cilin çoku e kthejmë nga një gotë (dy a tre), dimër e behar, qoftë edhe thatë, sikundër është zakoni i këtyre anëve, le ti urojmë atij, jo të bëhet më i gjatë nga sa është, po të jetoje shumë më tepër nga ne të tjerët. Se fabulistët janë si “ajka” e artit dhe e letërsisë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...