2011-05-04

TË PAPRITURAT E NJË POETI.

DEMIR GJERGJI

MBI VËLLIMIN POETIK “LEGJENDARI I LAGJES” TË SHEFKI MEKËS
Në korin e madh të poezisë shqipe të pasnëntëdhjetës, të çliruar nga vargonjtë e censurës diktatoriale dhe, sidomos të asaj poezie që shkruhet përtej kufijve të mëmëdheut, shtohen përditë zëra të rinj, një pjesë emrat e të cilëve, vijnë si befasi e këndshme. E tillë më duket se vjen poezia e Shefki Mekës, madje mëtimi i saj, i diktuar nga niveli artistik, shijet autorit, notat dhe ngjyrat, motivet dhe format e vargut e të prozodisë në përgjithësi, është më i lartë. Ky poet vjen seriozisht dhe i vullnetshëm për të zënë vend në zërat e parë të këtij kori që e përmendëm në krye. Kjo nuk është thjesht një dëshirë e poetit. Në poezitë, që përfaqësojnë librin që kemi në dorë, bie në sy këmbëngulja për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pa i ngjyrosur me linja dhe sfonde artificiale, por dhe pa ia hequr koloritin që kanë në vetvete. Motivet, fabulat, dukuritë, tipat dhe subjektet reale të jetës, Shefkiu i ngre në nivelin e ligjërimit poetik nëpërmjet një figuracioni, që herë-herë, mund t’ia ketë zili edhe një poet me përvojë të gjatë artistike. Intuita, frymëzimi, mençuria, ndjenja, stili i të shprehurit, duke u harmonizuar bukur me njëri-tjetrin, arrijnë të realizojnë një krijim që të bënë ta lexosh me vëmendje dhe nga ky lexim lexuesi mund të përfitojë, veç emocionit, edhe filozofinë e jetës dhe të marrëdhënieve shpeshherë të çuditshme të njerëzve.
Unë nën palmë, ndjek patinazhin i pulëbardhës mbi det.
Sapo ndesh me vargje të tilla në poezinë e Shefkiut, menjëherë fillon e përgatitesh për një poezi që meriton vëmendje. Është një krijimtari që mbështetet në traditën e letërsisë shqipe nga fryma e saj, nga zgjuarsia dhe atmosfera e përgjithshme, ndërsa për nga forma, ajo anon drejt modernitetit dhe frymës bashkëkohore: në asnjë poezi nuk e gjen formën tradicionale, fjala vjen, të 8-rrokshit, strofës katërvargëshe, apo rimave aaaa, abab, apo aabb. Në asnjë prej poezive nuk ndeshesh me atmosferën dhe tonet popullore të formës, përkundrazi vargjet poetike të Shefkiut, të kujtojnë poezinë e sotme botërore, ku sundon vargu i lirë me metër dhe ndërtim të larmishëm. Por mjafton të hysh nën lëkurën e kësaj poezie, aty ku pluskon e rezonon tensioni poetik, dhe do të hasësh menjëherë elemente të formës, që arrijnë ta çojnë në amplituda të larta këtë tension. Njëri prej këtyre elementëve është aliteracioni, i cili e shton tingëllimin dhe muzikën e poezisë, duke krijuar atë gjendje që autori krijon për të dhënë idenë e tij, për të përcjellë mesazhin e vet. Thamë pak më lart, se te poezia e Shefkiut mungon metrika tradicionale, por, gjithsesi, ai e thërret “nën urdhër” duke e bërë limfë të natyrshme te krijimeve më të mira një element të kësaj tradite të poetikës, siç është rima. Shumë poezi kanë në vetvete vargje që rimojnë bukur e këndshëm. Janë pikërisht ato vargje, ku poeti synon të fokusojë mendimin dhe mesazhin e vet.
Në poezinë e tij. Shefkiu është i drejtpërdrejtë. Shpesh ai përdor në poezi edhe fjalë tabu, ose “të rëndomta”, siç thuhet zakonisht. Kjo i jep krijimeve të tij një ngjyrim përditshmërie krejt të natyrshëm, duke e afruar më pranë lexuesit të zakonshëm. Është mjeshtëria e autorit ajo, që këtë ligjërim rruge e kthen në ligjërim poetik. Skenat e jetës njerëzore, karakteret dhe tipat e ndryshëm, situatat dhe skenat e përditshme, qofshin nganjëherë edhe ato më vulgaret, Shefkiu ka aftësinë t’i ngrejë ne pjacën e poezisë dhe të na i përcjellë me finesë, duke na krijuar gjendje shpirtërore të ndryshme dhe duke na bërë shpesh të pyesim veten: “A është logjika jonë prej njeriu ajo që duhet të sundojë në këtë botë, apo pikërisht kjo arsye që i shkon në të kundërt natyrës së zhvillimit, po e shkatërron botën?” Pikërisht në këtë prirje të poetit, mendoj se mund t’i gjejmë ato elementë të modernes dhe të mjedisit, ku jeton e ku krijon poeti. Ja disa vargje që e shprehin këtë modernitet dhe fryme kohe:

Kasapi i jetës time m'i pret veshët, aksidentalisht.
Prapëseprapë i bëj bërxolla...
dhe vdes Shefki, minus dy veshë, sigurisht!


Një pamje surrealiste që na kujton tablotë e Dalisë. Të tilla ka plotë në këtë libër. Në fund të kësaj fjale hyrëse do të dëshiroja të shpalosja një nga vlerat më të qenësishme të poezisë së këtij poeti. Është humori. Pothuajse në të gjitha poezitë e librit; edhe në fabulat, edhe në lirikat, madje edhe poezitë-peizazh, humori është i pranishëm, duke u bërë ushqim i rëndësishëm i emocioneve që përcjell kjo poezi. Ky humor që shpesh, jo për rastësi, (autori ka mbi 12 vjet që jeton e punon në Angli), të kujton humorin anglez, atë të Thekerit e të shkrimtarëve të mëparshëm. Ky lloj humori fillon me ironinë dhe shkallëzohet në grotesk, satirë e deri sarkazëm.Të gjitha këto veçansi e vlera të Shefki Mekës vijnë nëpërmjet poezive të këtij libri, duke u bërë pronë për lexuesin.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...