Nga hetimet pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, më 18 dhjetor 1981 dhe nga dokumentet që ka në dorë Partia, rezulton se Mehmet Shehu ka qenë rekrutuar agjent i amerikanëve që kur ndiqte Shkollën e Fulcit në Tiranë. Me urdhër të tij, Mehmet Shehu shkoi për studime në shkollën ushtarake në Itali, po me urdhër të agjenturës amerikane ai u dërgua dhe në Spanjë.
Pas thyerjes së Luftës Nacionalçlirimtare në Spanjë, Mehmet Shehu shkoi në një kamp refugjatësh në Francë, ku ndenji tre vjet, në një kohë kur shumë shokë të tij u arratisën. Në kamp ai u rekrutua dhe agjent i Inteligjent Servis-it anglez. Prej andej e tërhoqën një oficer i Gestapos gjermane dhe një i SIM-it italian kaloi në Itali ku u mbajt dy muaj, pastaj iu dorëzua në Durrës spiunit famëkeq Man Kukaleshit, i cili pas 20 ditësh e liroi dhe Mehmet Shehu shkoi në Mallakastër dhe u lidh me organizatën e Partisë sonë.
Gjatë luftës Nacionalçlirimtare, Mehmet Shehu dhe gruaja e tij, Fiqret Sanxhaktari u rekrutuan si agjentë të jugosllavëve nga Dushan Mugosha (viti 1943), ai me pseudonimin agjenturor MISH (Mehmet Ismail Shehu) ajo me pseudonimin FISARI (Fiqret Sanxhaktari).
Nga vetë dokumentet e shkruara nga Mehmet Shehu vërtetohet se ai ishte pjesëtar i komplotit të Beratit, bashkë me Koçi Xoxen e Nako Spiron…
…
Mehmet Shehu donte të harroheshin gabimet që kishte bërë dhe bënte duke shkelur vijën e Partisë e duke mos zbatuar urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm, për të cilat ishte kritikuar disa herë, e tani kuptohet qartë se nuk i kishte bërë pa qëllim. Kështu ai përdori terrorin nëpër fshatrat ku kalonte Brigada e Parë, për të diskredituar Partinë e forcat partizane, ngriti në legjendë "inkursionin" e dy batalioneve të Brigadës së Parë për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm nga rrethimi gjermano-ballist, të cilin jo vetëm s‘e shpëtoi ai, por Mehmet Shehu humbi me qëllim dy javë, në vend të dy ditëve, duke futur forcat e brigadës në disa shtigje të rrezikshme dhe duke shkaktuar kështu që shumë trima të kësaj brigade të binin heroikisht. Mehmet Shehu kundërshtoi urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për kalimin e Divizionit të Parë në veri të Shkumbinit, sepse ky urdhër ishte në kundërshtim me strategjinë e anglo-amerikanëve, që donin ta mbanin Shqipërinë e Veriut nën ndikimin e vet, me forcat e agjentëve të tyre, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit e bajraktarëve të tjerë.
Mehmet Shehu erdhi në Shqipëri e luftoi jo si komunist e partizan, por si mercenar dhe i dërguar nga anglo-amerikanët, për t‘u shërbyer planeve të tyre për të ardhmen në Shqipëri. Pas vetëvrasjes, në kasafortën e tij u gjet një program i shkruar me dorën e tij, që në kohën kur erdhi në Shqipëri, që s‘ishte gjë tjetër përveçse një program demokratiko-borgjez, ku nuk flitet fare për parti komuniste e socializëm, por për shumë parti, ashtu siç u munduan të bënin misionet anglo-amerikane dhe grupet reaksionare, që i mbështetën këto menjëherë pas çlirimit të vendit tonë.
Menjëherë pas çlirimit, Mehmet Shehu, qoftë për të kënaqur ambiciet e tij karrieriste, qoftë me urdhër të Shërbimit Sekret Amerikan, u vu edhe në shërbim të shefit të Misionit Sovjetik në Shqipëri, agjentit të kundërzbulimit, Majorit Ivanov, duke i bërë raporte të fshehta me shkrim kundër udhëheqjes e vijës së Partisë sonë Komuniste, ku i kërkonte të ndërhyhej nga sovjetikët ose nga Tito, të cilin e cilëson figurë të madhe, që të ndryshohej gjendja në Shqipëri, se me Enver Hoxhën nuk ecet.
* * * *
Në Plenumin e 8-të, Nako Spiru u denoncua e u dënua nga jugosllavët e Koçi Xoxe si armik, kurse Mehmet Shehu u cilësua si "antijugosllav" dhe nga Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u bë ministër i Komunikacioneve.
* * * *
Pas vdekjes së Stalinit, ekipi që erdhi në fuqi dënoi Berian, shefin e KGB-së sovjetike, për shumë shkelje të ligjshmërisë. Ne i kërkuam Mehmet Shehut të shikonte se mos ishin bërë gabime edhe në organet e Ministrisë sonë të Punëve ët Brendshme që drejtonte ai. Mehmet Shehu u tremb se mos ishin zbuluar lidhjet e tij me KGB-në sovjetike dhe e pësonte si Beria. Shkoi tek ambasadori sovjetik, Leviçkin, të cilin e siguroi për besnikërinë e tij ndaj ekipit të ri hrushovian që erdhi në fuqi dhe kërkoi mbështetjen sovjetike, sepse, sipas thënieve të tij, "Enver Hoxha e shihte me dyshim" dhe për këtë ishte shumë i tronditur. Leviçkini e këshilloi Mehmetin të vinte tek unë dhe të sqaronte pozitën e tij, duke e siguruar se edhe ai do ta mbronte. "Vetë Leviçkini erdhi tek unë, më parashtroi shqetësimet e Mehmet Shehut dhe më tregoi se e kishte këshilluar të vinte tek unë. Mehmet Shehu nuk erdhi për dy-tre javë. Në një takim me Leviçkinin, ky më pyeti nëse kisha biseduar me Mehmet Shehun. Iu përgjigja se ai nuk kishte ardhur fare dhe se nuk mendoja ta thërrisja vetë, sepse duhej të paraqitej ai, të bënte një autokritikë të thellë, pasi e konsiderova gabim vajtjen tek Leviçkini, pa biseduar më parë me mua si Sekretar i Përgjithshëm, kundrejt të cilit kishte ankime.
Leviçini u shqetësua dhe e "urdhëroi" Mehmet Shehun të vinte tek unë. Ky dërgoi më parë Fiqret Shehun që të tatonte pulsin tim. Kjo erdhi të dinte se çfarë kishte Mehmeti që "ishte jashtëzakonisht i shqetësuar" (sikur ajo vetë nuk e dinte). Unë iu përgjigja se "ne nuk kishim gjë me të, le të pyeste të shoqin se mos kishte gjë ai me ne".
Mehmeti u sigurua kështu se ne nuk kishim bërë ndonjë zbulim dhe nuk kishim ndonjë dyshim kundër tij. I shtyrë nga Leviçkini, ai erdhi tek unë, bëri autokritikë, bëri gjithashtu autokritikë edhe në Byronë Politike dhe në Plenumin e Komitetit Qendror, duke thënë se kishte bërë një gabim të rëndë që kishte shkuar tek ambasadori sovjetik për t‘u ankuar për Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Qendror, pa biseduar me të dhe pa e shtruar çështjen në udhëheqjen e Partisë.
Më vonë ngjau diçka që e trembi dhe e shqetësoi shumë Mehmet Shehun: Sokrat Bufi, kuadër partie që studionte atëherë në Moskë, i dërgoi një letër Komitetit Qendror ku thoshte se, "Mehmet Shehu është provokator". Mehmet Shehu u tërbua nga kjo dhe kërkoi me këmbëngulje në Sekretariat dhe në Byronë Politike të Komitetit Qendror, disa herë edhe tek unë, që Sokrat Bufi të arrestohej e të dënohej. Ne nuk e pranuam propozimin e tij, se ishte në kundërshtim me normat e Partisë, të dënohej vetëm për faktin se ai kishte bërë një kritikë ndaj një udhëheqësi Partie. Duke qenë se Sokrati u emërua nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të një rrethi, Mehmet Shehut iu ngjall më shumë krimbi i dyshimit se mos ne kishim zbuluar gjë për gjynahet e tij dhe vazhdoi të qëndronte si mbi prush, të jetonte e të punonte në ankth.
* * * *
Në kuadrin e veprimtarisë së ethshme të Hrushovit e të Titos pas Kongresit të 20-të, agjentët e tyre në Shqipëri, me Mehmet Shehun, Beqir Ballukun e Fiqret Shehun në krye, në lidhje të ngushtë me Ambasadën Jugosllave dhe Sovjetike në Tiranë, organizuan komplotin për devijimin e Konferencës së Partisë për Tiranën, me synimin e vjetër për të rrëzuar udhëheqjen e shëndoshë të Partisë, për të rehabilituar elementët antiparti dhe armiq të popullit, Koçi Xoxen me shokë, për të ndryshuar vijën e për të shkuar në Kongresin e Partisë, që kishim përpara, në binarët që na kishin shtruar Hrushovi me Titon, sipas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik… Grupi komplotist i Konferencës së Tiranës u shpartallua. Disa u përjashtuan nga Partia, disa të tjerë iu dhanë gjyqit. Por kryesorët shpëtuan. Mehmet Shehu e Beqir Balluku fshehën këmbët, dënuan "komplotistët", kurse Fiqret Shehu që ishte Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë për Tiranën, u "betua" se s‘kishte pasur asnjë sinjalizim, se ishte vepruar "prapa krahëve" të saj, se ajo ishte mbyllur në shtëpi për përgatitjen e raportit etj. Atëherë nuk dinim gjë as për Feçorr Shehun, i cili, siç del tani, ishte agjent i rekrutuar nga UDB-ja dhe ndërlidhës mes Ambasadës Jugosllave e Mehmet Shehut dhe Fiqret Shehut. Me Ambasadën Sovjetike lidhjet i mbante direkt Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar me lehtësi marrëdhëniet e mira që kishim ne në atë kohë me Bashkimin Sovjetik.
Në situatat që u krijuan pas dështimit të komplotit hrushoviano-titist në Konferencën e Tiranës dhe demaskimit të vendosur e të hapur që Partia jonë u bëri ngjarjeve të Polonisë, e sidomos atyre të Hungarisë, UDB-ja e Tito-Rankoviçit u dha urdhër agjentëve të saj, Liri Gega, Dali Ndreu e Panajot Plaku të arratiseshin në Jugosllavi, që të krijonin një opozitë jashtë e të na luftonin me gojën e tyre. Dy të parët nuk e kaluan dot kufirin dhe u arrestuan, kurse Panajot Plaku, me ndihmën e Mehmet Shehut e të bashkëpunëtorëve të tij në Ushtri e Sigurim (Beqir Balluku, Kadri Hazbiu), e kaloi kufirin, punoi ca kohë në një radio klandestine që transmetonte nga territori i Jugosllavisë, vrerin e vjetër të titistëve kundër Partisë e vendit tonë.
* * * *
Kur revizionistët sovjetikë e panë se dështuan në Hungari e gjetkë dhe se po u ikte gjendja nga duart në lëvizjen komuniste e në kampin socialist, u tërhoqën disi nga lufta subversive... Kurse Tito, nga ana e tij u hodh në sulm më shumë se kurrë dhe drejtpërdrejt personalisht, në fjalimin famëkeq në Pula, dënoi "kultin" e Enver Hoxhës dhe bëri thirrje për përmbysjen e udhëheqjes së Partisë sonë.
Pikërisht në këto momente, Hrushovi dhe bashkëpunëtorët e tij në vendin tonë, në vend që të zhvillonin e forconin luftën kundër titizmit, u futën edhe më shumë në rrugën e bashkëpunimit me Titon, duke vërtetuar kështu falsitetin e "mbështetjes" që i bëri Partisë tonë. Bashkëpunimi i Hrushovit me revizionistët jugosllavë u duk qartë edhe në qëndrimin e tyre ndaj elementëve armiq: Dali Ndreu, Liri Gega dhe Panajot Plaku. Kur organet tona i kapën në flagrancë Dali Ndreun e Liri Gegën e i vunë në bankën e të akuzuarve, jugosllavët u hodhën përpjetë, por u hodh përpjetë edhe Hrushovi. Ky me urgjencë i dërgoi radiogram ambasadorit të tij në Tiranë, Krilovit, që të ndërhynte tek unë për të mos i dënuar armiqtë e tradhtarët.
* * * *
Në verën e vitit 1961 me një delegacion parlamentar u ndodh në Pekin, në një kohë që atje po zhvillohej edhe mbledhja e Federatës Sindikale Botërore, ku jashtë çdo rregulli e norme partie, dolën haptas kontradiktat mes kinezëve e sovjetikëve. Në kundërshtim me qëndrimin e udhëheqjes së Partisë tonë, që nuk donte të prononcohej para kohe për këto kontradikta, Liria shkoi në Ambasadën Sovjetike dhe raportoi gjithë ç‘i kishin thënë asaj kinezët. Si në Pekin, edhe gjatë rrugës, para se të arrinte në Moskë, i dërguam Lirisë dy letra, me të cilat i tërhiqnim vërejtjen për qëndrimin e saj në Pekin dhe i shpjegonim qëndrimin që duhet të mbante në Moskë. Por Liri Belishova, si agjente e sovjetikëve, jo vetëm nuk ndoqi këshillat e udhëheqjes së Partisë, por u takua me Kozllovin, bisedoi, e dëgjoi, bile u dorëzoi hrushovianëve edhe letrat tona, të cilat kur ia kërkuam, na tha se "i kishte djegur".
Kur u kthye në Shqipëri, Liri Belishova zuri mënjanë Hysni Kapon dhe i tha: "Ta mënjanojmë shokun Enver nga këto ndeshje", por Hysniu e denoncoi Lirinë. Kjo kishte shkuar edhe tek Mehmet Shehu e i kishte thënë: "Mos fol për Hrushovin, se çdo gjë që thua, i vete atij në vesh". Këtë, Mehmet Shehu e tha shumë vonë, kur ishte shtruar në spital në Moskë për kura. Mehmet Shehu ne na tregoi se Kosigini ishte përpjekur ta bindte që Kina duhej dënuar dhe ky "i inatosur" iku dhe erdhi në Shqipëri. Tani na del që Mehmet Shehu me Fiqretin janë thirrur në një mbledhje tek Mikojani, ku ishin të pranishëm dhe Andropovi, më duket, dhe shefi i Sigurimit, Shelepini dhe kanë biseduar për katër orë me ‘të.
Ndërkohë Mehmet Shehu e shikonte se udhëheqja e Partisë tonë nuk do të duronte në gjatë planet e Hrushovit kundër marksizëm-leninizmit dhe lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare... Mehmet Shehu në këtë kohë u vendos në udhëkryq: Kujt t‘ia prishte e kujt t‘ia ndreqte? Të vihej në kundërshtim me udhëheqjen e Partisë, nuk i leverdiste, se e pësonte si Liri Belishova dhe gjithë armiqtë e tjerë antiparti, prandaj s‘mund të ndiqte rrugën që i këshillonin padronët e tij sovjetikë.
Në këtë kohë Mehmet Sheu u nis për në Nju Jork, në krye të delegacionit qeveritar për në OKB. Ai udhëtonte me Trans-Atlantikun anglez luksoz "Kuin Elisabet". Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh se me këtë anije udhëtonte edhe Herri Fulc i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli, që ishte personalitet i Inteligjent Servis-it e që në vapor u paraqit si gazetar. Duke parë ekipin që shoqëronte Mehmet Shehun, ata që janë tani në burg, si pjesëtarë të grupit të tij (Llambi Ziçishti, Lambi Peçini, Gani Kodra e s‘di kush tjetër), Mehmet Shehu, si agjent i tyre, fare lehtë e me siguri, gjatë një jave udhëtimi bëri takime e bisedime të fshehta me Titon, Fullcin e R.Çërçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik, dhe qëndrimin që mendonte të mbante udhëheqja e Partisë tonë në Moskë.
Strategjitë e tri agjenturave të mëdha, jugosllave, amerikane dhe angleze, përputheshin dhe ata i sugjeruan super-agjentit të tyre që të "mbështeste" pa rezerva qëndrimet e udhëheqjes së Partisë, që do të sillnin përçarjen e prishjen me Bashkimin Sovjetik...
* * * *
Mehmet Shehu u kthye plot kurajë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u bë më katolik se Papa, tregohej i papërmbajtur në "mbrojtjen" e vijës së Partisë sonë kundër planeve e qëndrimeve të Hrushovit e të udhëheqjes revizioniste sovjetike.
Bile, ai organizonte "skena" që të ngrinte veten dhe të çimentonte besimin tonë ndaj tij. Kur ishim në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, në nëntor të vitit 1960, ai propozoi të largoheshim nga shtëpia ku na kishin vendosur sovjetikët, se "ata janë kapabël të na helmojnë". Kur shkuam në selinë e
ambasadës sonë në Moskë, nëpërmjet mikrofonave të përgjimit që zbuluam dhe që kishin vendosur sovjetikët, ai u "transmetoi" këtyre një mesazh të flaktë, duke ngritur lart Partinë tonë dhe Sekretarin e saj të Parë, duke mos lënë pa përdorur sharjet më të rënda për turpin që po përgjonin miqtë e tyre të ngushtë, siç qenë Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësit e saj. Mehmet Shehu kundërshtoi me këmbëngulje udhëtimin e kthimit tonë me vapor nga Deti i Zi dhe organizoi kthimin tonë me tren nëpërmjet Austrisë dhe Italisë. Me këto masa ishim edhe ne dakord, se ne nuk kishim më besim tek sovjetikët, por me zellin që tregonte ai, forconte besimin tonë ndaj tij, ruante edhe veten. Megjithatë, Mehmet Shehu nuk mund të mos ishte i shqetësuar se "tradhtinë" që po u bënte padronëve sovjetikë, si agjent i pabindur i tyre, mund ta paguante me kokë.
Disa të hedhura e gjilpëra nuk munguan. Unë kam shkruar në librin "Hrushovianët" atë që më tha Kosigini, se "në udhëheqjen tuaj keni armiq". Por kur thirra Mehmet Shehun të ma përkthente më mirë, Kosigini e mbylli gojën e më tha se, "Nuk e kisha kuptuar mirë".
* * * *
Partia jonë, ndërkaq, ndiqte rrugën Marksiste-Leniniste dhe Mehmet Shehu e "miratonte" vijën e saj, bile e afishonte shumë rolin e tij në këto situata dhe në sy të amerikanëve e jugosllavëve hiqej, sigurisht, sikur ishte ky që e frymëzonte këtë rrugë. Amerikanë e jugosllavët, nga planet që kishin bërë, dhe nga lidhjet e fshehta që mbanin, e dinin këtë, prandaj agjenturat perëndimore ishin dakord që "djali" i tyre të lëshonte rrufe e bubullima kundër tyre, si: "Hedhim valle në gojën e ujkut", etj., etj. Ata pranonin çdo të sharë, mjafton që agjenti i tyre të ngjitej lart e më lart dhe të mund të kthente timonin e Partisë e shtetit tonë drejt Perëndimit.
Sovjetikët e humbën durimin, e panë të humbur davanë e tyre. Ata në fillim vendosën ta paralajmëronin agjentin e tyre. Kështu, Hrushovi, në një fjalim publik tha: "Udhëheqja shqiptare është shitur për 30 aspra"... Komiteti Qendror i PK të BS i dërgoi një letër Partisë sonë, me të cilën e akuzonte Mehmet Shehun si agjent të imperializmit. Ne kjo letër na erdhi, pikërisht, në një kohë që ishim në thikë e në pikë me hrushovianët, kur Mehmet Shehu tregohej i flaktë kundër tyre dhe nuk na shkonte mendja të dyshonim kundër tij. E lexuam letrën në Byronë Politike, në prani edhe të Mehmetit dhe e hodhëm poshtë si një provokacion të ulët të Hrushovit me shokë për të na përçarë. Mehmet Shehu mori frymë, e hodhi lumin.
Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, u gjetën dokumente që vërtetojnë se Mehmet Shehu ishte agjent edhe i Inteligjent Servis-it. Në to jepet emri i tij dhe disa pseudonime të kodifikuara, si BAB-008, etj. Nga ato del që Mehmet Shehu kishte marrë edhe para për shërbimet që kishte bërë dhe qendra porosiste të mos e ngitnin, ç‘ka do të thoshte se ai ishte një agjent potencial, nga ata që lihen, sikurse thuhet në gjuhën e agjenturës, "në gjumë", për t‘u përdorur kur u duhen.
Midis këtyre dokumenteve është dhe letra që i drejtohej majorit sovjetik, Ivanov, menjëherë pas çlirimit, në të cilën kishte shumë sharje për vijën e Partisë dhe urrejtje për kuadrin e shëndoshë që mbronte këtë vijë, sidomos kundër Sekretarin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, kundër Hysni Kapos e të tjerë. Kjo letër vërteton se Mehmet Shehu, veç lidhjeve agjenturore që kishte me jugosllavët, vendosi lidhje edhe me një fuqi më të madhe (Shërbimin e Fshehtë Sovjetik). Pas vetëvrasjes, në kasafortën e Mehmet Shehut u gjet edhe një shënim me dorën e tij, ku thotë se i kishte shkruar një letër Ivanovit.
Mehmet Shehu, për ta afishuar veten, vazhdonte me zell "luftën" kundër revizionistëve sovjetikë, por i nisur nga të tjera qëllime e synime, krejt të kundërta, me qëllimet e larta të Partisë, e cila punonte për mbrojtjen e Marksizëm-Leninizmit dhe interesave të larta të popullit e të Atdheut tonë socialist.
Erdhën ngjarjet e Çekosllovakisë, të gushtit të vitit 1968 dhe Partia vendosi të denoncojë Traktatin e Varshavës, ta shkëpusë vendin tonë edhe de jure nga ky traktat famëkeq, prej të cilit de facto ishim larguar që në fund të vitit 1960. Fjalimet e rastit i mbajti Mehmet Shehu, si Kryeministër dhe sigurisht, para padronëve të vet, këtë e shiste si një fitore të tij. Agjentura amerikane dhe ato të lidhura me të, në radhë të parë titistët, menduan se Shqipëria mbeti e izoluar dhe e pambrojtur, Kina ishte larg dhe ata gjykuan se kishte ardhur koha që vendi ynë ta kthente fytyrën nga Perëndimi.
Mehmet Shehu, më 1972, shkoi në Paris për një operacion, i shoqëruar po nga ai ekip që e shoqëronte në OKB dhe me të shoqen, Fiqret Shehun. Atje mori kontakt me një personalitet të CIA-s amerikane, i cili i tha: "Ç‘po bën, u plake, duhet të veprosh!".
Mehmet Shehu i raportoi atij për gjendjen dhe për komplotet që po përgatiteshin (Beqir Balluku e Abdyl Këllezi me shokë). CIA i rekomandoi të veprojë, por pa u kompromentuar vetë. I dha tre variante për eliminimin e Enver Hoxhës: 1) me aksident automobilistik; 2)-me atentat me pushkë nga larg; 3) me helmim me veprim të vonuar. Iu la në dorë Mehmet Shehut, të vinte në veprim atë variant që do të gjente më të mundshëm.
Nëpërmjet Feçorr Shehut, të njëjtat udhëzime i erdhën Mehmet Shehut edhe nga UDB-ja jugosllave, e cila ishte plotësisht në ujdi me CIA-n.
Në Paris, Mehmet Shehut iu dha një radio e sofistikuar për komunikim, marrja e dhënie, që ia instaloi në shtëpi dhe e vuri në përdorim djali i tij i madh, që ishte inxhinier elektronik.
Në fakt, Mehmet Shehu e kishte kthyer e do ta kthente gjithë familjen në një çerdhe agjentësh, në një familje gjarpërinjsh. Siç thamë, Fiqret Shehu ishte rekrutuar që gjatë luftës nga Dushan Mugosha dhe mbante pseudonimin agjenturial "FISARI" pa bërë supozime të tjera se ç‘mund të kishte bërë ajo më parë, kur kishte shkuar për një kurs një apo dyvjeçar në Itali, gjatë okupacionit; se ç‘mund të kishin bërë me të Liri Gega (e Smithi, agjent i Inteligjent Servis-it e mik i Lirisë), kur ajo punonte me të në Korpusin e Parë. Me kohë, djalin e dytë Mehmet Shehu e kishte bërë bashkëpunëtor dhe kur shkonte jashtë, sidomos kur shkoi për studime në Suedi, e vuri në lidhje me CIA-n dhe e përdori si ndërlidhës. Kurse djalin e vogël dhe të shoqen e tij, i aktivizoi në drejtim të një ambasade të huaj në Tiranë.
Mehmet Shehu u urdhërua pra nga CIA amerikane, të thurte plane konkrete për përmbysjen e gjendjes në Shqipëri në favor të Perëndimit, të hidhte në veprim e të nxiste në këtë drejtim agjentët e njohur ose të panjohur të tij, pavarësisht se të kujt ishin, jugosllave, grekë, anglezë, italianë e të tjerë, por duke mos u kompromentuar ai vetë.
Filloi kështu zbatimi i planit të planifikuar komplotist, i organizuar nën rrogoz nga Mehmet Shehu.
I-Veprimtaria armiqësore e Fadil Paçramit dhe e grupit të tij në fushën e kulturës, të arteve dhe të Radiotelevizionit për degjenerimin e vijës në këto fusha. Por Partia, siç dihet, e goditi shumë shpejt këtë grup dhe veprimtarinë e tij. Mehmet Shehu nxitoi e lau duart, bile bubullinte me zhurmë kundër njerëzve të artit dhe të rinisë për të realizuar qëllimin e tij antiparti, sikurse kishte bërë edhe gjatë luftës, të acaronte edhe marrëdhëniet e lidhjet e Partisë me këto shtresa.
II- Më 1973 u vu në veprim grupi i Beqir Ballukut, që përgatiste puçin ushtarak me tezat e zeza, me "teorinë e rrëshqitjes", për lënien e bregdetit e qyteteve agresorëve imperialistë, padronëve të Mehmet Shehut. Beqir Balluku u demaskua plotësisht. Atë e braktisën edhe Petrit Dume me Hito Çakon, që ishin në komplot. Mehmet Shehu që ishte në krye të komplotit dhe luante fijet në prapaskenë (tani del se të gjitha materialet e zeza ishin miratuar nga ai), u mundua të shpëtonte Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Këta patën shumë shpresa tek Mehmet Shehu se "nuk do u pritej koka", sikurse u tha në Plenumin e Komitetit Qendror të 25-26 korrikut 1974, dhe nuk e dhanë Mehmetin; por dhe ky nuk i shpëtoi dot nga rreziku, se mos dëmtonte veten.
III- Mehmet Shehu, dhe këtu më drejtpërdrejt, ndërkohë vuri në lëvizje njerëzit e tij, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin e Kiço Ngjelën, për të sabotuar në fushën ekonomike, veçanërisht në naftë e në bujqësi, për të ç‘organizuar ekonominë e vendit, duke filluar organizimin e futjen e formave vetadministruese jugosllave në të.
Mehmet Shehu dështoi në të tria këto tablo.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Titoja, që po i ndiqte situatat me kujdes, mendoi se duke pasur në udhëheqje të partisë e të shtetit tonë agjentin e tij, pas rënies së Rankoviçit në Jugosllavie e pas demaskimit të barbarizmave që ai kishte bërë në Kosovë, si dhe pas situatave që u krijuan pas daljes tonë nga Traktati i Varshavës, mund të lëshonte ca brezin në Kosovë e në marrëdhëniet tona me të… Kur udhëheqësit e Kosovës i thoshin Titos se "shqiptarët po ndezin ndjenja nacionaliste dhe po flasin kundër jush", ai u qe përgjigjur: "Ç‘keni ju, mua më shajnë, le të shajnë...!". Titoja i thoshte këto se e dinte që në Shqipëri kishte Mehmet Shehun, i cili, pas tri dështimeve, po rigruponte komplotistët e tjerë, sidomos në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Feçorr Shehun e disa të tjerë. (Është fjala për Kadri Hazbiun, që ende nuk ishte goditur si bashkëpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut). Sidoqoftë, Mehmet Shehut i duhej kohë për të thurur komplote të reja.
* * * *
Jugosllavëve, përveç shpifjeve që këto demonstrata (është fjala për demonstratat e mars-prillit 1981 në Kosovë) ishin të nxitura gjoja nga Shqipëria, iu desh të merrnin masa të menjëhershme "për të diskredituar" udhëheqjen "staliniane" shqiptare, për të turbulluar e për të përmbysur gjendjen e shëndoshë në Shqipëri, si dhe për të çorientuar forcat patriotiko-revolucionare në Kosovë.
I kërkuan agjentit të tyre Mehmet Shehu të vepronte. UDB-ja jugosllave ishte në bashkëpunim me CIA-n dhe i dinte direktivat e saj për likuidimin e Enver Hoxhës. Prandaj kërkuan nga Mehmet Shehu të dërgonte me urgjencë në Paris të shoqen. Demonstratat ndodhën në mars, kurse ajo në prill 1981 shkoi në Paris. Iu paraqit atje një i dërguar nga ÇALAMANI (Pseudonimi i Dushan Mugoshës, i cili kishte vdekur, por "jetonte" misioni i tij agjenturor) dhe i dha helmin që duhej të përdornin imediatisht për Enver Hoxhën.
Fiqret Shehu e Mehmet Shehu kishin rrahur së bashku mendimet se kur, ku dhe si do të vepronin me variantet që u kishte sugjeruar CIA dhe kishin gjetur si më të mundshmin, helmimin me veprim të zgjatur, që mund ta realizonin kur venim e vinim për vizita tek njeri-tjetri.
Varianti që i dhanë jugosllavët Mehmet Shehut, që të vepronte menjëherë e shpejt, e gjeti atë të papërgatitur. Mehmet Shehu pati frikë. Nuk i pëlqeu kjo vënie e të dy këmbëve në një këpucë. Prandaj iu drejtua padronit më të madh, CIA-s amerikane. Fiqret Shehu filloi të vizitojë kryeqytetet e Europës: Vjenën, Stokholmin, Kopenhagën. Ajo u takua edhe në Stokholm, edhe në Danimarkë, me përfaqësues të CIA-s, ku parashtroi mendimin e Mehmet Shehut që të mos vepronin siç kërkonin jugosllavët, me nxitim, se nuk ishin përgatitur mirë; helmimin ose likuidimin fizik të Enverit ta linin për në mars 1982, gjatë pushimeve dimërore, kurse deri atëherë mund të ndërmerrnin ndonjë veprim që mund të sillte ndonjë përçarje në Parti dhe nxitje të elementit liberal. Përfaqësuesi i CIA-s u mor vesh me qendrën e tij dhe, në takimin e dytë, tani në Danimarkë, u dha miratimi për variantin e Mehmet Shehut.
Në këtë kuadër Mehmet Shehu bëri fejesën e djalit me vajzën e një familje, në rrethin e të cilës kishte 6-7 kriminelë lufte të arratisur, ndër ta dhe agjentin e njohur të CIA-s Arshi Pipën. Një fejesë e tillë nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e opinionit, të bënte bujë, dhe po të pranohej nga Partia, do të vinte përçarja, liberalizimi dhe në të tjerë, në Parti, rini etj. Po të mos pranohej nga Partia, do të merreshin masa ndaj Mehmet Shehut, natyrisht, jo me burgosje, por me ulje në përgjegjësi, me mënjanim, ose edhe me përjashtim nga Partia. Kjo do të bënte bujë dhe jugosllavët mund ta përdornin, sikurse u duhej, për qëllimet e tyre propagandistike, për diskreditimin e udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë, e sidomos, të Enver Hoxhës, i cili, siç kanë përsëritur vazhdimisht, ashtu si Stalini, "po eliminon" bashkëpunëtorët e vet.
Por planet nuk u realizuan ashtu siç kishte menduar Mehmet Shehu.
Ndërhyri Partia menjëherë, fejesa u prish, Mehmet Shehu u kritikua nga shokët për këtë gabim të madh politik, iu kërkua të bënte autokritikë të thellë për të gjetur burimet e një gabimi të tillë, dhe u la që kjo të bëhej pas Kongresit të 8-të të Partisë. Ai këtë s‘e priste.
* * * *
Mehmet Shehu kërkoi të bënte "autokritikë" në Kongres për fejesën e djalit (qëllimi i tij ishte të shkaktonte turbullirë në Kongres), por edhe kjo iu refuzua. Në Kongres ndenji kastile si "i vrarë e fajtor", gjë që ra në sy të delegatëve e të telespektatorëve, saqë filluan të pyesnin njëri-tjetrin.
* * * *
Jugosllavët panë se asgjë nuk ngjau, as para Kongresit, as më vonë. Mehmet Shehu e mbajti raportin në Kongres, ai u zgjodh edhe në Byronë Politike, asnjë masë nuk u mor kundër tij, siç shpresonin jugosllavët, për ta ulur ose për ta hequr nga funksionet që kishte në shtet. Pas mbarimit të Kongresit, ndoshta Mehmet Shehu njoftoi jugosllavët se, edhe pas dorëzimit të autokritikës, ai trajtohej njëlloj, se nga sa kishte kuptuar në bisedat tona me të, masa e dënimit do të ishte me karakter të brendshëm partie. Kjo nuk u leverdiste titistëve, serbomëdhenjve dhe UDB-së jugosllave, që prisnin e kërkonin të ngjante me çdo kusht rrëmuja në Shqipëri. Prandaj, Ambasada Jugosllave në Tiranë, në prag të mbledhjes së Byrosë Politike, ku do të diskutohej për gabimin e rëndë politik të Mehmet Shehut, sipas urdhrave që kishte marr nga Beogradi, ngarkoi agjentin e vet dhe ndërlidhësin Feçorr Shehu të shkonte tek Mehmet Shehu e t‘i transmetonte ultimatumin e UDB-së, që Enver Hoxha të vritej me çdo kusht, edhe në mbledhje, qoftë duke u vrarë edhe ai vetë. Kaq ngushtë kishte rënë UDB-ja, klika titiste serbomadhe, me gjendjen në Kosovë, kaq zi u dukej perspektiva, saqë vendosën të djegin kartën e madhe, super-agjentin e tyre, veç të ndodhte diçka spektakolare, që "të bënte t‘i tronditeshin themelet" Shqipërisë Socialiste dhe Partisë së Punës së Shqipërisë.
Më 16 dhjetor 1981, në orën 10.00 të natës, Feçorr Shehu i shkon Mehmet Shehut në shtëpi dhe i transmeton urdhrin e qendrës së tyre agjenturore.
Më 17 dhjetor, filluan diskutimet në mbledhjen e Byrosë Politike. Të gjithë shokët, të vjetër e të rinj, diskutuan dhe e dënuan me vendosmëri aktin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut me një vajzë, në familjen e së cilës kishte 6-7 kriminelë.
* * * *
Kritika e anëtarëve të Byrosë Politike ishte e fortë, e hapët, bolshevike, por si dënim, u kërkua vetëm "vërejtje me shënim në Kartën e Regjistrimit". Në këtë frymë e kisha përgatitur edhe unë diskutimin tim... Por për shkak se qe bërë shumë vonë, diskutimi im nuk u mbajt atë ditë. U la kështu që mbledhja të vazhdonte të nesërmen, veçse iu tha Mehmetit të reflektonte thellë gjithë natën se "kjo alibia e tij (e fejesës), bie".
Ajo që thashë e alarmoi Mehmetin, ai kujtoi se mos ishte zbuluar krimi që përgatiste. "Trimi" Mehmet Shehu u mendua për tërë natën si të shpëtonte nga kjo darë dhe mendoi e zbatoi një plan të vetin. Ai, siç duket, gjykoi kështu: "I vdekur se i vdekur jam, më mirë të shpëtoj ç‘mund të shpëtoj" dhe vendosi të bëj si shoku i tij, Nako Spiru, të vriste veten, duke menduar se Partia këtë farë "burrë shteti", "udhëheqës legjendar", "partizan i luftës së Spanjës", do ta varroste me nderime, do ta ç‘njolloste duke thënë se "i shkrepi arma në duar" (sikurse na e sugjeronte në letrën që la) dhe kështu, të paktën, nuk humbiste e kaluara e tij dhe nuk i pësonte gjë familja.
Tok me të shoqen, hodhën helmin në VC dhe ngarkuan djalin e madh të zbërthente e të zhdukte pjesët kompromentuese të radios që kishte instaluar. (Disa nga këto i kishte ruajtur në shtëpinë e tij, pasi nuk u arrestua). Sipas të dhënave që ka pohuar armikja Fiqret Shehu për ekzistencën e radios, u thirr djali i madh nga organet e hetuesisë dhe ky e pohoi këtë, por, kur u la të shkonte në shtëpi për të dorëzuar pjesët e radios që kishte ruajtur, vrau veten që të mos jepte gjithë ato që dinte e kishte bërë (kurse këto i kishte dhënë mamaja e tij kriminele).
Fiqret Shehu si agjente që ishte (ajo që qante e trembej për hiçgjë), me gjakftohtësi e cinizëm pranoi vetëvrasjen e të shoqit, mjaft që të shpëtonte vetë me djemtë dhe e kaluara e tyre "historike".
Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Sapo më njoftuan për aktin e fundit të Mehmet Shehut, në moment propozova që të dënohej vetëvrasja e tij, se ai kishte vepruar si armik dhe Byroja Politike u shpreh njëzëri kundër këtij armiku…
* * * *
UDB-ja dhe CIA mbetën me gisht në gojë. KGB-ja fërkoi duart. Agjencitë e huaja e relatuan faktin ashtu sikurse e thamë ne, që Mehmet Shehu, "në një krizë nervore vrau veten"...
* * * *
Bashkë me Mehmet Shehun agjenturat e imperialistëve, të social-imperialistëve dhe agjenturat e tjera, siç është edhe UDB-ja jugosllave morën një grusht, që do ta ndjejnë për shumë kohë.
Enver Hoxha
(FUND)
Nga arkivat e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, (Dosjet 2, 20, 23/1, të Fondit Nr.14, viti 1982; Dosja Nr.112, Lidh.Nr.1, Fondi 14, të A.Q.SH.
Ajo çka thuhet në fjalën e Enver Hoxhës nuk përputhet me fotografitë e tyre bashk, puthjet përqafimet e gëzimet e përbashkëta !! Është e tmerrshme kur njerin nga bashkpuntorët pas këtyre fotografive buzqeshjeve dhe përqafimeve vëllazërore e shoqërore e gjen të pushkatuar ose të varur si armik !! duke ja përndjekur fëmijët familjen dhe farefisin !!
Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe
Koçi Xoxe, Enver Hoxha, Mehmet Shehu....
Click this bar to view the full image.
Koçi Xoxe, Enver Hoxha, Mehmet Shehu....
NGA E MAJTA NE TE DJATHTE: KOÇI XOXE, NAKO SPIRU, ENVER HOXHA, OMER NISHANI, (NE RRETH) NICK KUKICH, JOHN O’KEEFE, NEXHMIJE HOXHA, NE ODRIÇAN NE VITIN 1944[/b]
Liri Belishova e Nako Spiru
Koçi Xoxe, Enver Hoxha, Nako Spiru ...
Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe
Kadri Hazbiu duke u dekoruar Hero i Popullit
Fiqrete Shehu dhe Nexhmije Hoxha
Enver Hoxha Mehmet Shehu duke u përqafuar
Enver Hoxha duke u konsultuar për çdo gjë me Mehmet Shehun
Të buzëqeshur para kamerave
Mehmet Shehu, Hrushqovi dhe Enver Hoxha gjithkund bashk
Ramiz Alija, Mehmet Shehu, Enver Hoxha gjithmonë në ballë të Partisë
Enveri dhe Mehmeti të parët cakërronin gotat për gjithçka në Parti
Enveri, Mehmeti në rend të parë dorshtërnguar
Fiqreti, Enveri, Mehmeti dhe Nexhmija bashk deri në pleqëri
Hrushqovi gjat pritjes në Gjirokastër – Enveri gjithkund me Mehmetin
Enver Hoxha Beqir Balluku
Mehmet Shehu Kadri Hazbiu