BASHKIM SHEHU “DO TË DOJA TË TAKOJA EDHE NJË HERË TIM ATË”
Nga: Mustafa Nano
Shkrimtari Bashkim Shehu shprehet rreth temave aktuale, historike, filozofike e religjioze. Ai thotë se ngjarja më e rëndësishme “për nga lartësia” janë Kullat Binjake, kurse “për nga gjatësia”, rënia e Murit të Berlinit
1-Cila është ngjarja më e madhe në histori: rënia e murit të Berlinit apo rrëzimi i kullave binjake?
Për nga lartësia, kullat. Për nga gjatësia, muri.
2-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Nuk ka asnjë provë empirike dhe asnjë provë logjike a priori për ekzistencën e Zotit, sikurse nuk ka as për të kundërtën. Pra, arsyeja, njëlloj si mosarsyeja, është në pajtim edhe me ekzistencën e Tij, edhe me mosekzistencën e Tij apo të Saj? Pyetjen se a mund të jetë në gjininë femërore nuk e shtroj, për hir të korrektësisë politike, por ngaqë ashtu do t’i shkonte ndoshta më mirë sharjes “të… Zotin”, aq e përhapur këtu në Spanjën katolike sa edhe në Shqipërinë multikonfesionale.
3-Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër apo si të tjerat?
Përkthimet e Shekspirit nga Noli, përkthimi i “Don Kishotit” të parë nga Noli dhe i “Don Kishotit” të dytë nga Petro Zheji mjaftojnë për të hequr çdo dyshim se me shqipen mund të bëhen mrekullira. Natyrisht, për këtë duhen ditur ca sekrete të shqipes.
4-Njerëzit janë esencialisht të mirë apo janë esencialisht të këqij?
As njëra, as tjetra.
5-E kuptoni apo e qortoni merakun e shumë evropianëve lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE?
E kuptoj, por kjo nuk do të thotë se e përligj. Më duket i papërligjshëm ai kundërshtim që nuk niset nga shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi, por nga motive identitare. Në këtë rast është thjesht racizëm kulturor.
6-Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Një realitet i vyer, do të thosha. Nuk them “i bukur”, sepse ky epitet ngërthen një vetëkënaqësi që lidhet me anën qesharake të çdo nacionalizmi, ndërsa epiteti i “vyer” presupozon kuptimisht imperativin e përpjekjes për ta ruajtur atë realitet që është i tillë.
7-Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Di që shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës përbëjnë një komb të vetëm, por nuk di ç’do të thotë “unitet kulturor”. Ky togfjalësh enigmatik më kujton Sfinksin, qenie me fytyrë njeriu (“kultura”) dhe me kthetra bishe (“uniteti”).
8-Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Në këtë moment është numri i një miku që ka një sëmundje shumë të rëndë – një mik nga më të mirët, siç janë miqtë e burgut.
9-Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Mendoj se ngjarja që udhëhoqi Noli ka elemente edhe të grushtit të shtetit, edhe të revolucionit. Po vështirë të quhet “demokratik”.
10-Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Arritja më e madhe e diktaturës komuniste është se i bëri njerëzit të kuptojnë sa e keqe është diktatura komuniste.
11-Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive Big Brother?
Big Brother është një nga kulmet e porkerisë televizive.
12-Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, me ndonjë organizatë tjetër apo do të qëndronit asnjanës?
E kishim fjalën te Big Brother-i... Po nejse, le të hidhemi në luftë: mendoj se do kisha dëshiruar një kompromis ndërmjet partizanëve, ballistëve, zogistëve dhe socialdemokratëve, madje mendoj se do ta dëshiroja edhe kur kjo të dukej e pamundur.
13-Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Nuk është i qortueshëm. Por kjo përbën një çështje që meriton një refleksion më vete.
14-Shqiptarët e fituan pavarësinë më 1912-ën apo e patën dhuratë prej konjukturave ndërkombëtare?
E fituan, po sigurisht, jo vetëm “me forcat e veta” dhe jo “duke jetuar si në rrethim”.
15-Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Botimi do të ishte një idiotësi e parrezikshme; më e rrezikshme do të ishte ta ndaloje ose ta digjje, siç ka bërë Hitleri me libra autorësh të tjerë.
16-Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Janë pesë njerëz: gruaja ime dhe fëmijët e mi. Natyrisht, janë më të rëndësishmit në një vështrim krejt vetjak. Dhe për mua fotografitë kanë vlerë pikërisht në këtë vështrim, si fiksime çastesh që kam ndarë me njerëz shumë të afërt.
17-Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Është një e vërtetë që e dimë të gjithë – ka qenë një katastrofë në çdo aspekt dhe në kuptimin e plotë të fjalës.
18-Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Pse jo?
19-Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do të donit të kishit qenë protagonist?
Në asnjërën.
20-Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do të kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me tim atë.
21-Cili është libri që po lexoni?
Romani “Shekulli i dritave”, nga Aleho Karpentier.
22-Pse Shqipëria është tradicionalisht e fundit në përgjigje të zhvillimeve botërore e kontinentale?
Më saktë, ka qenë gjithmonë nga të vonuarat, por jo gjithmonë e fundit. Më interesante më duket, ndërkaq, të përpiqemi të kuptojmë atë narcisizëm identitar të frustruar apo të plagosur, prej “kombi të zgjedhur” apo “të veçantë”, që na bën gjithmonë të themi se gjithmonë jemi të fundit. Këto dy ndjesi, “kombi i veçantë” dhe “gjithmonë të fundit”, janë po aq të ndërkëmbyeshme sa ndjesia e superioritetit dhe ajo e inferioritetit në psikikën e njeriut.
23-Ç’është Atdheu?
Kolektivizim i lidhjeve sentimentale të individit me vendlindjen.
24-Keni frikë nga vdekja?
Jo tërë kohës.
25-Shyqyr apo sa keq që kemi internetin?
Edhe njëra, edhe tjetra, edhe asnjëra.