Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/02

Kiço Mustaqi dhe burgu demokratik me emrin Greqi


 “Kiço Mustaqi, Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve”



..Sot doli në treg libri im i 13 “Kiço Mustaqi, Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve” nga shtëpia botuese TOENA. Në këtë monografi del në pah një pjesë kontraditore e panjohur e historisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe shumë fakte të pa publikuara më parë në periudhën më të vështir të Shqipërisë 1970-92. Një libër me dokumenta të pabesueshme dhe fakte tronditëse. Midis të tjerave do të lexoni:
-Takimi sekret me Enver Hoxhën
-Takimi i befasishëm me Mehmet Shehun
-Kryqëzimi i pabesuar i Beqir Ballukut
-Kadri Hazbiu njeriu i shenjtë i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes
-Debatet e ashpra me Ramiz Alinë.
-Takimet e fshehta të Ramiz Alisë me Sali Berishën
-Akuzat e pa baza për grusht shteti
-Ngjarjet e acarta në Shkollën e Bashkuar
-Fatos Nano, Kryeministri indiferent ndaj Ministrisë së Mbrojtjes
-Plani Sekret për çlirimin e Kosovës
-Incidenti për dorëzimin e detyrës Safet Zhulalit.

*******
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri


Në faqen e internetit me titull “[Çameria]ndalohet promovimi”, të botuar ditën e sotme prej zotit Albert Zholi, lexova njoftimin për shtyp:


“Ditën e premte, dt. 29.04.2011, ora 11-00, në ambientet e Shtëpisë Qëndrore të Ushtarakëve, nga shtëpia Botuese Toena, Shoqata e Ushtarakëve në lirim, Shoqata “Labëria” ishte organizuar promovimi i librit të Albert Z. Zholit, “Kiço Mustaqi, ministri i mbrojtjes midis dy sistemeve”. Qysh në orën 10-30 në ambientet e SHQU, ishin mbledhur me qindra ish-ushtarakë dhe anëtar të shoqatës Labëria. Pikërisht në këtë orë, oficeri i rojës në postbllokun e Shtëpisë së Ushtarakëve ndalon autorin e librit me makinë (brenda së cilës ishin një sasi librash dhe ushqimet për koktejin) duke i thënë që me urdhër të Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes është ndaluar çdo aktivitet për ditën e sotme. As shpjegimet, as ftesat për organizimin e promovimit nuk lanë shteg për hyrjen e autorit të librit. Në këtë kohë, organizarorët e takimit marrin takim me nëndrejtorin e Shtëpisë së Ushtarkëve, duke i kërkuar shpegim për ndalimin e promovimit dhe shtyrjen e orës. Ai në mënyrë të prerë dhe pa shpjegime të mësipërme thotë prerë dhe me ton të ashpër: Është urdhër, pikë. Sot nuk ka asnjë aktivitet. As për më vonë”.

Ndërkohë, pas kësaj ngjarjeje, gazeta “Telegraf” i paska marrë një intervistë zotit Kiço Mustaqi. Mes pyetjeve që i janë drejtuar, figuron edhe pyetja e mëposhtme:

- “Pse u anullua takimi sipas jush?”

Dhe zoti Mustaqi përgjigjet:

“Ku di unë. Ndoshta se aty preken Enveri, Mehmeti, Kadri Hazbiu, por edhe Ramiz Alia dhe Sali Berisha... Çtë të them. Kam qenë për 20 vjet në Greqi dhe mendoja se në Shqipëri ishte vendosur demokracia..por..!!!”

Sipas kësaj deklarate, del se zoti Mustaqi na qenka kthyer nga Greqia, i armatosur me “vlerat e demokracisë greke”, e cila nuk e paska “simotrën” e vet në Shqipëri.

Për dijeninë e zotit Mustaqi, në qoftë se Shqipëria, në praktikën e vet shtetërore, do të kishte huazuar vlerat e “demokracisë greke”, sot në vendin tonë nuk do të ekzistonte këmbë minoritari grek, gjuhës greke do t’i kishte mbetur vetëm emri se askush nuk do të guxonte jo vetëm ta shkruante, por as edhe ta fliste diku nëpër zgëqet e fshehta.

Veç të tjerash, sikur Shqipëria të kishte zbatuar standartet e “demokracisë greke”, në Shqipëri nuk do të figuronin emra individësh, të cilët qëndrojnë në pararojë të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke për greqizimin e Shqipërisë së Jugut, si Dule, Bollano, Beci, Karamelo, Prifti e kompani. Pa harruar kryepararojën e shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke në Shqipëri Anastas Janullatosin.

Sikur Shqipëria të kishte vënë në jetë praktikat e “demokracisë greke”, me siguri që konsulli Teodoros Ikonomus nuk do të kishte burrërinë që t’i bënte thirrje publike popullit të Korçës që të konvertohej në greke. Nuk do ta kishte burrërinë ta bëntë një gjë të tillë, sepse edhe po të kuturiste ta bënte, atë do ta kishin zhdukur një sahat e më parë nga faqja e dheut fshesaxhinjtë e qytetit, pa u lënë kohë autoriteteve shqiptare të merreshin me të ashtu siç e meritonte.

Sikur Shqipëria t’i kishte bërë të vetat “parimet e demokracisë greke”, në territorin shqiptar nuk do të guxonte kush të valëvitte flamuj grekë dhe të shkruante parulla antishqiptare në gjuhën greke.

Sikur Shqipëria të ndiqte shembullin e “demokracisë greke”, Janullatosin nuk do ta lejonte kush të vinte në Tiranë dhe të luante aty rolin e pararojës së shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke dhe Nikolas Gejxh nuk do të lejohej të hynte e të dilte nga vendi ynë si në një stan pa zot dhe aq më tepër të bënte thirrje të hapura për tjetërsimin e Shqipërisë së Jugut.

Që zoti Kiço Mustaqi të çlirohet sadopak nga afshet dashurore për “demokracinë greke”, këtu poshtë po radhisë ca fakte konkrete, të cilat hedhin dritë më së miri mbi “vlerat e demokracisë greke”, të cilat ai, për habinë e vet, nuk i gjen të mishëruara në realitetin shqiptar të ditëve tona.

Së pari, Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh:

“Mësova për deklaratën tuaj, z. Ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…” (Nuri Dragoj. “Shqiptarët dhe grekët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “WESPO”. Tiranë 2009, f. 326).

Kjo deklaratë e profesor Boçarit, si ish-qytetar grek me kombësi shqiptare, ua nxjerr bojën keq “demokracisë greke”, shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, si edhe gjithë atyre që, si puna e zotit Kiço Mustaqi, në Shqipëri u bëjnë fresk nga dëshira ose në zbatim të misionit që Athina u ka ngarkuar.

Së dyti, gazetari Ardit Bido shkruante para do kohësh:

“Të thuash në Greqi se Marko Boçari ishte shqiptar, përbën një herezi, që mund të të kushtojë edhe vendin e punës dhe një sulm masiv nga politika e vendit fqinj. Më së miri këtë e provoi prezantuesi grek Ilias Mamalaqis, që, pas dokumentarit të tij për "shqiptarin krenar", siç e cilësonte Lord Bajroni, u gjend në mes të një polemike politike dhe shoqërore” (Gazeta “Standard”, 04 gusht 2009).

Pas transmetimit të këtij dokumentari në kanalin televiziv shtetëror ET3, zoti Ilias Mamalaqis u pushua nga puna.

Së treti, “Në shumë raste, autoritetet shtetërore greke, nuk ngurrojnë të tregojnë herezi ndaj veprimeve proshqiptare që ndodhin aty, qoftë edhe kur këto janë thjesht e vërteta. Përpara disa muajsh, një drejtore shkolle u arrestua vetëm pse kishte lejuar që nxënësit shqiptarë të shkollës së saj të mësonin gjuhën shqipe gjatë orëve kur shkolla ishte e lirë.., duke u akuzuar për "abuzim me detyrën", vetëm pse lejoi që shqiptarët të mësonin shqip” (po aty).

Së katërti, mësojmë se zoti Aleksandër Marku, përmes internetit, njoftonte nga Greqia më 25 nëntor 2009: “Sipas Kryetares së Këshillit të Qendrës së Hulumtimeve për Çështjet e Barazisë, zonjës Elena Zenaku,.. shoqëria greke është patriarkale, e cila, për fat të keq, zbaton ligjet e saj të paligjshme akoma, edhe në fillim të shek. XXI”.

Së pesti,dëshminë më të shkëlqyer për thelbin e ”demokracisë greke” e jep një i ri shqiptar, emigrant në Greqi, nëpërmjet një e-mail-i që dërgonte në Shqipëri para disa vjetësh:

“Kemi dëgjuar, lexuar e ndier për racizmin dhe racistët, persekutimet, përbuzjet e të tjera sjellje antinjerëzore. Racizmi është një realitet që e takojmë në punë, në rrugë, në shoqëri, në media etj… Karakteri dhe krenaria shqiptare i nervozon. Më 16 maj 2004, një ditë pas Festivalit Evropian, ku Shqipëria u prezantua me Anjezën, në shtëpinë e shtetasit grek, ku unë punoj, ishin ftuar miq të tij. Vura re se kur fillova të flisja për Anjezën, këngën dhe veshjen e saj, unë, “shqiptari i mirë”, u bëra mosmirënjohës i paarsyeshëm e të tjera si këto. E pse ky ndryshim? Vetëm e vetëm sepse me fjalët e mia po mbroja emrin, karakterin dhe krenarinë shqiptare. Biseda arriti deri aty, sa një prej të ftuarve më pyeti nëse i kisha në rregull dokumentet e qëndrimit në Greqi. Në diskutim e sipër, ai filloi të nervozohej nga fjalët e mia. Por kësaj radhe nuk u tërhoqa. Zëri im ishte më i fortë, ndieja se mund ta mbaja kokën lart. Kësaj radhe kisha në krah Anjezën, zanën shqiptare, zëri i saj meritonte më shumë. Nuk duhej të tërhiqesha, pavarësisht se ishin duke më parë të gjithë me zemërim. Dhe u thashë prapë se zëri i saj ishte i mrekullueshëm, se ajo ishte e mbuluar me nur bukurie. Që atë natë ajo kishte “veshur” Shqipërinë,.. veshja e natës finale e hirushes Anjezë ka qenë e përkryer. Ka qenë vetë Shqipëria. Këtë i thashë dhe mysafirit grek të punëdhënësit tim. Por ai u tërbua, e humbi gjakftohtësinë… Nejse, këtë letër në “Shekulli” po e nis sepse doja t’i thosha faleminderit Anjezës. Ti je krenaria e kombit, ambasadorja e gjithë shqiptarëve. Me gjithë zemër faleminderit. Ti je zonja e parë e vendit.” Dhe letra e djaloshit trim dhe nacionalist shqiptar mbyllet me këto fjalë kuptimplote, të cilat i vënë damkën e turpit racizmit grek, shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, racizëm ky që e ka pushtuar Greqinë në çdo qelizë të jetës së saj: “Lexuesi juaj - nga një burg demokratik me emrin Greqi” (Gazeta “Shekulli”, 22 maj 2004, f.14).

Së gjashti, ish-presidenti Karamanlis, në vitin 1981, Greqinë e karakterizonte si vendin e “azilit të madh të të çmendurve” (Robert D. Kaplan. “Greqia: Dashnorja e Perëndimit, Gruaja e Lindjes”, f. 40).

Greqia sot është një vend që udhëhiqet nga një psikologji mesjetare, prej së cilës shtetet perëndimore u çliruan që kur kisha katolike u shkëput nga shteti. Greqia vazhdon të jetë nën pushtetin e ”kamillafit” dhe mbarë shoqëria greke e ndien veten komode nën këtë pushtet.

Ja, kjo është “demokracia greke”, për të cilën zoti Kiço Mustaqi shpreh tërë dëshpërimin e tij se asaj i munguaka “simotra” e vet në Shqipëri.

Për dijeninë e zotit Mustaqi, një vend që përfaqëson ”një azil të madh të çmendurish”, nuk është kurrë në gjendje të ndërtojë një demokraci me të vërtetë funksionale. Tashmë dihet botërisht që Greqia përfaqëson sot një ”ishull mesjetar” në kuadrin e Bashkimit Evropian dhe mungesën e demokracisë në raport me minoritetet atje, asaj ia ka toleruar pikërisht Bashkimi Evropian. Pasojat e këtij tolerimi të palejueshëm i ka hequr mbi kurriz, së pari, popullsia çame dhe, së dyti, mbarë minoriteti shqiptar në Greqi, i cili, sipas fjalëve të profesor Boçarit, arrin deri në dy milionë banorë, ndërsa, sipas ca të dhënave të tjera që kanë qarkulluar në internet, ky minoritet, pra, arvanitët, arrin deri në 5 milionë frymë.

Me këtë rast, kam dëshirë të theksoj se para se zoti Albert Zholi të nxitojë të bëjë paraqitjen e librit në një mjedis ushtarak, shtetëror, dhe zoti Kiço Mustaqi të ngutet të dalë në tribunë dhe të flasë për monografinë që atij i është kushtuar, fillimisht, ”heroi” i veprës së zotit Albert Zholi duhet të japë publikisht ca shpjegime të hollësishme për ca fakte që zoti Gëzim Zilja ka parashtruar për të në artikull-analizën me titull ”Kur qeshim dhe tallemi me të vërtetat”, e cila, me sa jam në dijeni, është botuar para ca kohësh në Tiranë në gazetën ”Nacional” dhe më pas ka qarkulluar edhe në internet, ku edhe e pata lexuar para ca ditësh.

Në atë analizë të shkëlqyer të zotit Gëzim Zilja, jepen ca fakte mjaft tronditëse, të cilat duhej ta bënin zotin Mustaqi të mendohej mirë, para se të dilte para publikut për të rrahur gjoksin për ”heroizmat” e veta.

Këtu po mjaftohem vetëm me dy fakte të zotit Gëzim që e nxjerrin zbuluar ”heroin” kryesor të veprës së zotit Zholi.

Së pari, ”pas aprovimit të një ligji në vitin 1989, kalimi i paligjshëm i kufirit nuk quhej tradhëti e lart ndaj atdheut, por vepër penale dhe dënohej jo me pushkatim por me shtatë vjet burg. Kiço Mustaqi, atë vit ishte ministër i mbrojtjes dhe antar i byrosë politike. Të joshur nga ndryshimi i ligjit, qindra shqiptarë mëtuan të kalonin kufirin. Por atje në kufi, Ramiz Alia president dhe Kiço Mustaqi ministër i mbrojtjes, kishin lënë në fuqi ligjin e vjetër, dhe lejuan oficerët e kufirit ( ndoshta dhe i kanë urdhëruar fshehurazi) të zbatonin ligjin e diktaturës, ku çdo njeri që kalonte kufirin të qëllohej, të vritej. Gjashtëmujorin e parë të vitit 1990, u vranë nga plumbat e rojeve kufitare 31(tridhjetenjë) djem të rinj që guxuan të kalonin kufirin. Trupat e disa prej tyre, ashtu të masakruar, u shëtitën fshatrave kufitare, mbi karroceri makinash, duke përhapur terror e frikë në njerëzit e thjeshtë. Dhjetëra trupa të tjerë u gjetën në malet e Gramozit të ngrirë nga dëbora ose të shqyer nga egërsirat. Emrat e atyre tridhetenjë fatkeqëve mund t’i gjej kushdo, në muzeun historik, tek stenda e ngritur për masakrat e diktaturës. Janë të gjithë: me emër, mbiemër, atësi, datëlindje, vendin dhe datën e vrasjes”.

Së dyti, ”faktet flasin se ai (Kiço Mustaqi, pra - E.Y.) ishte një nga ata që përpunoi planet për një sulm mbi Tiranën dhe rrëzimin e Berishës, por sidomos për çlirimin e “Epirit të Veriut”. Po le tu refererohemi fakteve. Më datë 05.03. 1997 gazeta ultranacionaliste greke “Stohos” shkruante midis të tjerash: ...Oficerët vorioepiriotë drejtojnë kryengritësit e Kiço Mustaqit, ish-ministër i mbrojtjes i Shqipërisë. Ngrihet flamuri dhe shpallet autonomia në Himarë dhe në Tepelenë. Në duart e autonomistëve grekë prapë “Epiri i Veriut”.

Këto janë shërbime dhe kontribute shumë të mëdha që zoti Kiço Mustaqi ka dhënë për shperngulljen drejt Shqipërisë të modelit të “demokracisë greke”. “Gjynah” që zoti Kiço nuk arriti të na e sillte në Tiranë atë model “të bekuar demokracie greke”, se sot barba Kiçon do ta kishim “kryeveqil”.

Por nuk mund të lihet pa u përmendur edhe roli i zotit Albert Zholi për ringritjen e “vlerave” të zotit Mustaqi në një studim të posaçëm monografik. Ai, sikur të kishte qenë kopshtari i bllokut të nomenklaturës komuniste, ka marrë përsipër që, përmes faqeve të gazetës “Telegraf”, të na nxjerrë në spikamë kriminelët e asaj nomenklature, për të cilët e ka marrë shumë “malli” pjesën më të përndjekur të popullit shqiptar, sidomos familjet e të pushkatuarve, deri te familjet e atyre tridhjetenjë të rinjve të vrarë në vitin 1990, që përmend zoti Gëzim Zilja. Na mban shpresa se zoti Albert Zholi dhe gazeta “Telegraf” do të na i pasqyrojnë në vijimësi bëmat e nomenklaturës së kuqe, si ato që kemi lexuar deri tani për zonjën Vito Kapo dhe për zotin Kiço Mustaqi.



Santa Barbara, Kaliforni

01 maj 2011


*******************



Dossier:Kiço Mustaqi,greku që u bë ministër i Mbrojtjes në Shqipëri



(Shënime rreth librit “Kiço Mustaqi, Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve” të Albert Zholit)

“E shihni atë burrin atje që punon si roje nate? Është një emigrant i varfër, që ka ardhur nga Shqipëria. Minoritar grek... Ta gdhish gjithë natën në këmbë, në atë moshë!...” “Eh, çfarë ka të çuditshme, or mik, çfarë do ti, që të jetë ai këtu, ministër?!” “Duro, se nuk kam mbaruar. Ai ministër ka qenë atje, në vendin e tij...” “Oh, Kristos, ti po tallesh?!” “Aspak, ka qenë ministër dhe jo do kudo, por ministër i Mbrojtjes. Atij i ishte besuar të ruante tërë Shqipërinë nga armiqtë e saj, ndërsa tani ka nëntëmbëdhjetë vjet që ruan një nga mijëra magazinat e Greqisë..,” “Si, si?... Mos po tallesh?! E çuditshme!... Çfarë trillesh luan fati në jetën e një njeriu! Një minoritar grek që i paskan besuar të ngjitet deri në majat më të larta të hierarkisë komuniste.... duke qenë edhe anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë. Të duket e pabesueshme!.... Po shteti, shteti i tij, si e ka lënë kështu?! Si the... që e quajnë?!...” “Kiço Mustaqi...”.

Nga një dialog i rastësishëm në Athinë

Kështu nis libri monografik që lexohet me të shpejtë pasi publicisti ynë i njohur e ka shkruar rrjedhshëm, pa stërzgjatje, të ndarë në pjesë të shkurtra dhe aspak të mërzitshme. Këtu flitet me ndershmëri për jetën e një oficeri që arriti të bëhej Ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Byrosë Politikë të PPSH; ardhur shtresa relativisht e konsideruar e “dorës së dytë” deri para Luftës së Dytë Botërore – ajo e minoritetit grek. Kiço Mustaqi ka përjetuar dramën e tij personale në kohën e një drame të madhe. Ai ka ngritur me djersën e ballit dhe falë aftësive të tija, të gjitha shkallët e karrierës ushtarake të ushtrisë komuniste për të përjetuar, më pas, situatën hutuese të ndërrimit të sistemeve. Njerëzit kalojnë kohë të dëshpëruara. Nga kjo janë shtuar shumë ata që shkruajnë poezi, shkruajnë monografi, kujtime.

Mustaqi ka të veçantën e tij në këtë serial librash. Është jashtë përfytyrimit dhe thuajse e pamundur në vende me popuj konservatorë, siç është Shqipëria, një fshatar nga minoriteti të bëhet ministër mbrojtjeje i shtetit në fjalë. Dhe ky fshatar më pas, kur e solli jeta, pranoi kushtet poshtëruese të emigrantit, pranoi të bënte punë ordinere ardhur nga kupola më e lartë e një shteti ku shërbeu me nder, por vendosi të mos mashtronte njeri, siç nuk kishte mashtruar tërë jetën. Mes nesh kemi parë pafundësisht shembuj se si konvertohen bindjet brenda një nate, si “rinovohet” tjetri.. Sigurisht nga halli. Pikërisht nga ai. Kiço Mustaqi me librin dhe me shembullin e tij tregoi se gjaku grek, di të jetë mirënjohës, të të mos të braktisë kur të jesh ngushtë dhe të mos e hajë turpin me bukë.

Ai, për periudhën e nxehtë, kur socializmi në vendin tonë hante dhjamët sa i kish mbetur dhe në thelb përgatitej për t’u dorëzuar, ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ministër Mbrojtjeje dhe kandidat i Byrosë Politike të Partisë – shtet. Për temën e nxehtë, që është shënjestër e të gjithëve dhe ku është përqendruar heroi i librit, kanë shkruar dhe do të shkruajnë protagonistë të këtyre ngjarjeve, sidomos kur kanë qenë me përgjegjësi të mëdha. Secili ka se çfarë të tregojë, sikurse ka bërë edhe ministri që provoi jetën e emigrantit për gati njëzet vite, që provoi në kurriz shpifje e trillime, impulse të nxehta dhe strese. Po pse shpifën dhe trilluan për këtë njeri të ndershëm dhe korrekt siç janë normal oficerët e karrierës?
Shpifje, siç cilësohet me revoltë në libër, nga më të hatashmet, sikurse ajo që “Kiço Mustaqi po përgatit oficerë rezervistë në territorin grek” për t’i rënë vendit që e ka lindur, ndërkohë që ai merrte atë rrogë të qelbur te efendikoi i vogël grek?

Ishte koha e ndryshimit të sistemeve, e përfundimit të Luftës së Ftohtë apo e shkatërrimit të ngrehinës shtetërore shqiptare dhe, siç dihet, në luftë, përdoren të gjitha format pa përjashtuar asgjë, deri edhe dezinformimet. Le të marrim një shembull që sillet në libër dhe që i ngre leshrat përpjetë një oficeri të mësuar me rreshtin, zërin e lartë të urdhrit, pagjumësinë, urinë, dhe kapjen e shënjestrës drejtpërdrejtë dhe me forcë...

Ja se çfarë shkruhet, pra, një ish-oficer të aviacionit shqiptar, që i donte shumë poezitë në rininë e tij dhe që mban mbiemrin e poetit tonë të mirënjohur. “Mirdash Agollin, oficer në repartet e aviacionit ma kishin propozuar për çmobilizim nga ushtria. Unë ja fala dhe e mbajtëm në ushtri. Fill pas ndryshimit të sistemeve, Mirdashi u bë këshilltar i MMP, zotit Zhulali dhe filloi e bëri një fushatë shpifjesh në gazeta për mua, sa s’la gjë pa thënë, deri armik, hajdut etj, etj. U interesova për këtë njeri, për të ditur pse e bënte këtë rrëmujë... Mirdashi u bë i pasur dhe mori dhe pasuritë që ishin në emër të Zhulalit, pasi ky i fundit vdiq. I shiti ato dhe një ditë të bukur bleu pasuri e shtëpi në mes të Athinës e jeton ende si mbret. Disa anëtarë e simpatizantë të PD-së, më thanë për lavdinë e Mirdashit, dhe pasurinë e tij këtu në Athinë si dhe për akuzat, që dikur kish bërë ndaj meje. Unë i sqarova duke u thënë se a mund të më përballni me të që t’i them në sy, se si e kam lënë në ushtri, kur ndaj tij kish ardhur kërkesë për çmobilizim?! Ata u habitën! Se besonin dhe shkuan dhe pyetën Mirdashin, i cili u shpjegoi se ishin të vërteta ato që thotë Kiçua, se më ka falur çmobilizimin nga ushtria etj. Po ato që ke shkrojtur për Kiçon a janë të vërteta? - e pyetën ata. Kam gënjyer, se kam qenë i detyruar nga Zhulali. Ai më detyronte të shkruaja keq për Kiçon, u kish thënë. Më vonë, ai bëri dhe një autokritikë në një gazetë shqipe në Greqi. Por, megjithatë dua të them se, autokritika është e cekët, nuk është e plotë dhe e sinqertë”. Mirdashi ka bërë kaq pasuri? Kur fondet shtetërore ishin në fund dhe ne oficerët e tjerë mezi shtynim pesëmbëdhjetëditëshin? Sigurisht origjina e këtyre parave të M.A:, paçin qenë edhe “në emër të Zhulalit”, siç na habit me të vërtetë Mustaqi, ka të bëjë me fondet e ndërkombëtarëve që ma do mendja duhet të jenë hedhur me bollëk në drejtim të shkatërrimit të “ultima rocaforte comunizma”, siç cilësohej Shqipëria përpara se të dilte ujët e zi prej saj. Nga burime të ndryshme kemi dëgjuar që janë derdhur valutë deri edhe për prerjen e pemëve, vreshtave, etj. etj, etj, që i dimë të gjithë.
E morëm shembullin e Mirdashit, që, si të gjithë poetët edhe mëkatojnë nganjëherë a nga dy herë e që na ka marrë malli ta takojmë e të pimë një kafe me të pas kaq viteve, për të evidentar diçka më tej. Diçka rreth sulmeve në libër ndaj ish-presidentit të fundit komunist Ramiz Alia; sulme të cilat Alisë i kanë ardhur përherë nga të tëra drejtimet, paçka se ai, kur erdh puna, me zotnillëk, nënshkroi aktin e dorëheqjes duke e ditur fare mirë se do të provonte me sot e me nesër, tringëllimat e byzylykëve. Enver Hoxha, ka pas tipizuar oficerët madhorë të “grupit puçist në ushtri” si, “nga kultura e përgjithshme, zero, nga kultura ushtarake, e pamjaftueshme”. A ka ekzagjerime këtu? Natyrisht, sikurse edhe mund të mos jetë krejt pa gjë kjo punë.
Mustaqi, për shembull, pranon dhe vetë që kishte dhënë urdhër të mbytej një anije me njerëz që u nis nga Sazani për në Itali për të kërkuar jetë emigranti në shkëmbim të atdheut. Ky urdhër nuk u zbatua nga dy oficerët vartës të tij, për motive të sqaruara në libër. Ministri nuk mundi që ata, as të flakeshin nga ushtria e as të burgoseshin për moszbatim urdhri. Nga ana tjetër, siç e ngarkon Alinë disa herë se ka urdhëruar e dashur të përdoreshin armët e zjarrit ndaj trazirave gjithsesi popullore, tregon edhe se si, po ai, i ka dhënë urdhër Gardës që mbronte bllokun, të mos kishte në armatim predha reale. Por...” ...Arben Imami më tha: Bustin e Enver Hoxhës e rrëzoi Ramiz Alia, ne kishim në plan Radiotelevizionin, Kryeministrinë, Komitetin Qendror dhe Bllokun. Me të vërtetë ai ishte plani, sepse ashtu marshuam e u drejtuam, por i lumtë Dane Binajt që u treguan burra e të vendosur dhe nuk lejuan një reprezalje si ajo e Rumanisë”.
Po, pse, çfarë kishte bërë ish-komandanti i gardës? Ndërsa “…drejtuesit e turmës bërtisnin “Mos kini frikë, kanë predha manovre”. Vetëm kur njëri prej tankeve shtiu në drejtim të plepave buzë Lanës dhe degët e plepave ranë përdhe, njerëzit kuptuan se Dane Binaj e kishte seriozisht”. Po eksodin e ambasadave, a nuk e kemi parë vetë me sytë tanë se si diplomatët e tyre i nxitnin njerëzit të hynin atje? Siç u nis anija e Sazanit, më vonë është nisur e tërë flota shqiptare në Itali. Janë nisur edhe aeroplan e helikopterë, sigurisht për turpin e oficerëve që i komandonin. Ne oficerët, ca gjëra edhe nuk kemi mundur t’i kuptonim, edhe falë mangësive tona kulturore. Për shembull. Që në betejën mes socializmit dhe kapitalizmit, ky i fundit kishte triumfuar. Që llogorja e fundit që kishte mbetur, Shqipëria, mund të përfundonte keq e mos më keq po të mos dorëzohej. Do të mbetej një kufomë e pakallur në dhe, siç pat thënë një protagonist i fitimtarëve të luftës së ftohtë. Një komunist si Ramiz Alia, mund të sakrifikonte vetë apo me një grup militantësh të mundshëm, por ai nuk e kishte këtë të drejtë, këtë tagër, këtë mundësi, që t’ia kërkonte këtë gjë një populli të tërë që i kishte besuar thuajse verbërisht. Shqiptarët kanë jetuar prej mijëra vitesh dhe pa komunizmin. Unë nuk kam menduar kurrë që një burrë i moshës së Alisë, të derdhë lotë krokodili siç ka ngjarë kur është tërhequr rrëshqanë miku i tij Enver Hoxha; apo të luajë teatër. Alia, në emër të popullit shqiptar, që ai të mos merrej në qafë më tej, që të mos kërciste plumbi, gjaku e deri lufta civile mes shqiptarëve të pangrënë, të lodhur dhe tejskajshmërisht të varfër, vendosi të bënte sakrificën e tij më të madhe. Të sakrifikonte gjënë që kish patur më të shenjtë tërë jetën – idealin e tij, duke llogaritur ta cilësonin edhe “renegat e tradhtar i Marksizëm-Leninizmit”, etj.
Nga ana tjetër, nuk u shkatërrua socializmi në Shqipëri prej “luftës së klasave”, jo, miq të mi oficerë! Ligji ekonomik themelor i socializmit është “rritja e mirëqenies së masave të gjëra punonjëse mbi bazën e teknikës së lartë dhe moderne”. Në veprën e tij “Kritika e Programit të Gotës” Marksi, një nga premisat që shoqëria të shkojë në komunizëm, pra pa klasa, përcaktonte “kur të mirat materiale të vërshojnë si lumë”. Po te ne? Ky ligj kishte thuajse 15 vjet që nuk gjente zbatim deri sa erdhëm te talloni. Në veprën në fjalë, Marksi për periudhën e socializmit parashikonte një të katërtën e GDP për “akumulim socialist”, kurse në kongreset e PPSH kjo normë ishte zyrtarisht 36 -38 përqind. Dhe kjo? Kur ende punohej masivisht me lopatë e kazëm dhe kur rreth 60 përqind të eksporteve të vendit i zinin pikërisht këto prodhime, as nafta dhe as kromi. Pra fuqia e gjallë njerëzore po shkëmbehej mizorisht në mënyrë të pabarabartë në arenën e tregtisë botërore. Kur “sistemi eshtëror dhe muskular i prodhimit”, mjetet e punës , sigurisht atje ku jetonte pjesa dërmuese e popullit, në fshat, ishte ende shumë e prapambetur. E, po ç’duhej bërë? “Lufta e klasave” nisi të bënte kërdinë, sidomos, kur nisi skamja dhe njerëzit nisën të flisnin, të bënin “agjitacion e propagandë”.
Alia, një mjeshtër i mrekullueshëm i kompromiseve (siç u kërkonte Lenini komunistëve të ishin) bëri manovrat e mundshme, tërhiq e lësho, si i punonte truri i tij i shkathët, që të dorëzohej sa më butë “shteti i tij komunist” dhe vetë, as u arratis e as vodhi pasuri e të kërkonte strehim diku, por i shtriu duart prangave të triumfatorëve. Mirëpo këto gjëra oficerët e ndershëm, të përkushtuar në detyrë, që sakrifikuan aq shumë – Mustaqi kishte dhjetë vite pa bërë një pesëmbëdhjetë ditësh për së mbari – as që i shkon në mdndje. Sigurisht që kur anija nis të fundoset, mijtë e ndjejnë të parët katastrofën. Mendojmë se, mbase një të ardhme, oficeri dinjitoz Kiço Mustaqi do të bashkëpunojë sërish me gazetarin talentuar Zholi e të na tregojë më hollësisht për çfarë ka folur ai në takimin sekret kokë më kokë me Enver Hoxhën apo planin e sulmit mbi ish-Jugosllavinë të ideuar po nga Hoxha.
Edhe diçka për autorin e librit. Ka qenë disa vjet emigrant në Greqi. Ka përjetuar shumë peripeci edhe duke punuar, por edhe duke luftuar kundër ultra-nacionalistëve grekë atje. Zholi ka arritur te jetë edhe në krye të një demonstrate shqiptarësh në mes të Athinës kundër diskreditimit të tyr dhe ka bashkëpunuar hapur me arvanitasin e shquar dhe të vdekur në rrethana të dyshimta, Arisidh Kolia. Por prapë ai e do popullin grek. Ja, shkruan plot simpati për grekun e ndershëm, burrëror dhe oficer të vërtetë karriere, që u bë ministër i Shqipërisë, Kiço Mustaqin. Apo, siç na tha ditën që më dhuroi librin e tij: “Unë e dua popullin grek. Ai është një popull mikpritës, i dashur, i respektueshëm, bujar dhe që nuk ka të përbashkët me ultra-nacionalistët e lindur në gjirin e tij. Populli grek iu gjend popullit shqiptar në vitet më të vështira të urisë, 1990 – 1992”.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...